Ndarja mes mazhorancës/ PS rrëzon propozimin e LSI-së për të shtuar fondin për fasonët

0
119

Gëzim Saliu

Brace ne kuvend Vasili e Kadeli, amendament për fasonët. Braçe: E kemi përmbushur angazhimin, kur të rrisin fitimin, rrisim fondin. Meta replikon me kreun e grupit të LSI-së

 Edhe pse çdo kërkesë e LSI-së për biznesin fason ishte përmbushur nga Partia Socialiste dhe qeveria, në seancën e djeshme parlamentare ndodhi e kundërta. Deputetët e forcës kryesore në mazhorancë, të kryesuar nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, rrëzuan amendimin e deputetëve Petrit Vasili dhe Gjovalin Kadeli për të shtuar fondin për manifakturën nga 250 milionë që është përcaktuar në 500 milionë. Sipas deputetit socialist, qeveria ka përmbushur detyrimin e saj ndaj fasonëve dhe se shtesa do të bëhej e mundur vetëm nëse ky biznes do të rriste fitimin. E ndërsa Vasili kërkoi të replikonte me Braçen, pas argumentit të tij, nuk ka munguar ndërhyrja e Kryeparlamentarit Meta, i cili nuk i dha më fjalën kreut të grupit parlamentar të forcës që ai vetë drejton.

 

Debati dhe rrëzimi i amendimit

Amendimi i deputetit Vasili dhe Kadeli në nenin 10 të ligjit për buxhetin e shtetit konsistonte në shtimin e një zëri të veçantë te Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. “Në përputhje të plotë me parashikimet e paketës fason lidhur me këtë zë, ne kemi paraqitur edhe në komisionet përgjegjëse. Ne mendojmë se ky është një reflektimi më i thjeshtë dhe më logjik. Ne kërkojmë të votohet”, – tha Vasili. Ndërkaq, në përgjigje të deputetit të LSI-së, deputeti Erjon Braçe, si kryesues i Komisionit të Ekonomisë, kundërshtoi rritjen e fondit duke theksuar se qeveria e ka përmbushur angazhimin e saj. “Ne e kemi shqyrtuar me shumë kujdes. Po jemi të bindur se i jemi përmbajtur një për një angazhimit që kemi marrë. Kthimin mbrapsht të 5% fitimi të deklaruar për të gjithë manifakturën. Jemi të gatshëm ta shtojmë fondin në 500 milionë po në raport me fitimin e tyre sepse po ta çojmë 500 milionë dalim jashtë angazhimit, pra më shumë se 5%. Sipas angazhimit 5% përkthehet në 250 milionë. Në rast se fitimi i tyre rritet ne do të shtojmë fondin për manifakturën”, – tha Braçe. Në këtë moment nga fundi i sallës, kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, kërkoi sërish fjalën për të replikuar me Braçe, por Kryeparlamentari Meta nuk i dha këtë të drejtë duke theksuar: “Nuk kemi arsye sepse të bëjmë debat se jemi në proces votimi. Mendoj ta hedhim në votim sepse sqarimet janë bërë deri tani. Ju paraqitët amendamentin tuaj, z. Braçe dha argumentin në emër të komisionit”. Në fund amendamenti i kërkuar nga dy deputetët e LSI-së u hodh në votim dhe u rrëzua, duke mos marrë votat që do të mundësonin miratimin e tij.

 

 Debati me Finon/ Braçe: Ajo që ndodhi s’ka lidhje me LSI-në, nuk improvizohen në Kuvend shifrat e buxhetit

Deputeti socialist, Erion Braçe, ka sqaruar dje debatet me kolegun Bashkim Finon në Kuvend gjatë miratimit të buxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2015. Ai tha se ajo që ndodhi në Kuvend nuk ka lidhje as me LSI­në dhe as me seriozitetin ndaj procedurave të Kuvendit. “Ajo që ndodhi në Kuvend nuk ka lidhje fare me LSI­në. Ajo që ndodhi në Kuvend ka lidhje me seriozitetin ndaj procedurave të Kuvendit. Ajo që ndodhi në Kuvend ka lidhje me seriozitetin e diskutimit dhe miratimit të Buxhetit të Shtetit të një viti. Ajo që ndodhi në Kuvend ka lidhje me kundërshtimin tim për të improvizuar në sallë me shifrat e Buxhetit të Shtetit. (Fjala bie, sot Ministri i Financave u detyrua të kthehet edhe një herë në Komisionin e Ekonomisë për të diskutuar e miratuar dy rregullime teknike të dakordësuar me FMN­në në fund të diskutimit. Ajo që ndodhi në Kuvend ka lidhje me kundërshtimin e tij për të paguar me paratë e taksave burokratë pas burokrati, në mënyrë të paarsyeshme e thjesht për t’i bërë vend ndonjë udhëheqësi të vogël në administratë. Në fund, ajo që ndodhi në Kuvend ka lidhje edhe me etikën. Në atë sallë ka njerëz që e njohin mirë folklorin dhe romuzet, por të gjitha janë të padobishme për punën dhe miradministrimin e parasë publike. Kaq! Pjesa tjetër e thënë aty për punën e Komisionit të Ekonomisë është tërësisht një gënjeshtër e madhe”, – theksoi Braçe.

 

 Ndryshim edhe Kushtetutës/ Kuvendi ngre Komision për Reformën në Drejtësi, Xhafaj: E duam opozitën, por jo pa fund

Mazhoranca hodhi dje hapin përfundimtar drejt reformës në drejtësi duke votuar ngritjen e komisioni të posaçëm për këtë reformë. Nisma e votuar me 84 vota pro dhe 4 kundër u cilësuar një hap të madh që po ndërmerret për reformën në drejtësi. “Mund të konsiderohet si një hap i vonuar, por unë jam i bindur se është hap i madh që ne po ndërmarrim. Nëse reforma kushtetuese e 2008-s pati ndikim te sistemi i drejtësisë, kjo tregoi se shpejtësia në konsensus nuk garantoi sukses të reformave”, – theksoi Xhafaj. Lidhur me shmangien e opozitës nga ky proces, kreu i komisionit të ligjeve tha se mazhoranca nuk mund të priste pa fund. “Jemi të vetëdijshëm dhe shumë të gatshëm të ofrojmë konsensus kohë dhe hapësirë për të gjithë, për opozitën në radhë të parë. Por nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë: kjo reformë nuk duhet të zgjatet në kohë. Qytetarët kanë votuar për një program politik dhe elektoral, që ka për angazhim të tij ndryshimin e situatës në sistemin e drejtësisë”, – deklaroi ai. Ndërkaq Xhafaj bëri të ditur se kjo reformë do të prekë edhe ndryshimin në ligjin themeltar të vendit. “Hartimi dhe miratimi në Parlament i një dokumenti strategjik që duhet të përmbajë objektivat që duhet të arrihen për reformimin e sistemit të drejtësisë përtej një mandati qeverisës do të jetë etapa e dytë e këtij procesi reformues. Mbi këtë bazë do të nisë dhe formalizohet hartimi i paketës së reformimit të legjislacionit, pa asnjë droje për të shkuar dhe për të ndryshuar dhe dokumentin themeltar të shtetit, Kushtetutën, për sa do të çmohet e nevojshme për të bërë ndryshime kushtetuese”, – deklaroi Xhafaj.

 

 Jashtë Kuvendit/ Në pushimin e cigares/ Ruçi diskuton me Tahirin aksionin për energjinë. Batuta e Doshit me ministrin e Brendshëm

Diskutimet mes deputetëve të mazhorancës krahas sallës së Parlamentit shpeshherë përcillen edhe në ambientin e jashtëm, ku edhe ata zhvillojnë “pushimin e cigares”. Pasi në Parlament, kreu i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj po fliste për komisionin për reformën në drejtësi, disa nga deputetët e PS po diskutonin jashtë lidhur me aksionin për energjinë elektrike. Kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi në diskutim me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri kërkoi informacion të detajuar për forcat e policisë në këtë aksion. Nga ana e tij, Tahiri duke iu drejtuar Ruçit, tha: “Polici nuk është elektricist”. Ndërkaq në pushimin e dytë, kur Kryeparlamentari Meta lajmëroi ndërprerjen e seancës dhe rifillimin e saj pas 30 minutash në ambientet e Parlamentit, kur deputetët po qëndronin jashtë u shfaq ligjvënësi Tom Doshi. Ardhja e tij u prit me batutë nga kreu i grupit parlamentar Ruçi, i cili pohoi: “Prej teje shtyva seancën, mirë që erdhe”. Nga ana e tij deputeti duke vazhduar batutën theksoi: “Po sa shpejt u bë për votim”. Pasi deputetët të cilët u shtuan në numër në ambientin e jashtëm të Kuvendit pas pushimit të seancës, po vazhdonin bisedimin e tyre, në sfond dëgjohej muzika e protestës që po zhvillohej kundër miratimit të buxhetit dhe paketës fiskale. Ndërsa deputeti Blendi Klosi pyeti kolegët e tij se për çfarë proteste bëhej fjalë, ligjvënësi Doshi nuk ngurroi të ndante një batutë me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, duke i thënë: “Ore ka demokraci këtu”. Ndërkohë që Tahiri dhe Klosi u larguan për të parë më nga afër protestën, ministri i Brendshëm iu përgjigj edhe batutës së deputetit Doshi duke theksuar: “Posi… demokracia e madhe”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency