Rritja e çmimit të energjisë/ Pensionistët, kompensim deri në 10 dollarë, përfitimet nga skema e re

0
117

Skema e re e pensioneve sjell 500 milionë lekë më shumë

 Braçe-Spahiu, akuza për fasonët: Po merr paratë e shtetit

Pensionistët6Çdo pensionist kryefamiljar do të përfitojë kompensim për rritjen e çmimit të energjisë nga 6-10 mijë lekë, duke filluar nga 1 janari 2015. Ndryshimi i masës së pensionit vjen në një kohë kur hyn në fuqi dhe skema e re e pensioneve. Gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë, ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, ka shpjeguar mënyrën se si do të bëhet kompensimi. Rritja e pensionit do të fillojë nga 1 janari, ditë kur do të ndryshojë dhe çmimi i ri i energjisë. Kompensimin do ta përfitojnë edhe ata të moshuar që do të dalin në pension me skemën e re. Rritja e pensionit, sipas ministrit të Mirëqenies Sociale, do të miratohet ne mbledhjet e ardhshme të qeverisë. Në Komisionin e Ekonomisë, ministri i Mirëqenies Sociale foli edhe për faljen e kamatëvonesave për të vetëpunësuarit në fshat. “Në bujqësi falja e kamatëvonesës dhe gjobës shkon në përfitim të vetë fermerit që e ka këtë detyrim. Kurse në rastin konkret falja e kamatëvonesës apo e gjobës nuk shkonte direkt në përfitim të punëtorit fason, por vetëm të kompanisë. Diferenca edhe nga ana njerëzore është shumë e madhe”, – u shpreh Veliaj.

 

Skema e re

Skema e pensioneve pritet të rrisë të ardhurat me rreth 50 milionë dollarë më shumë deri në fund të këtij viti nga falja e kamatëvonesave për të vetëpunësuarit në bujqësi. Duke qenë se reforma në sistemin e sigurimeve shoqërore të detyrueshme, e cila tashmë është miratuar në Kuvend dhe hyn në fuqi në janar të vitit 2015 ka në themel të saj thellimin e parimit kontributiv, falja e kamatëvonesave vjen si masë lehtësuese, jo vetëm për sistemin aktual të përfitimeve, por sidomos për përfitimet e ardhshme të fermerëve. Sipas ISSH-së, efektet e pritshme nga amnistia e kamatave janë rritja e numrit të kontribuuesve të të vetëpunësuarve në bujqësi për rreth 20 000 dhe rritja e të ardhurave në masën rreth 500 milionë lekë. Për të lehtësuar pagesën e kontributeve nga fermerët disa herë janë miratuar falje të kamatëvonesave, me kusht pagesën e detyrimeve kontributive, duke qenë të ndërgjegjshëm se këto shuma të kamatëvonesave realisht janë të pamundura për t’u arkëtuar. Falje kamatëvonesash janë zbatuar dhe në vitet 2003, 2004, 2005, 2007, 2008,2009, 2010, 2011, 2012, 2013, të cilat kanë përfshirë jo vetëm personat e vetëpunësuar në bujqësi, por edhe subjektet e tjera shtetërore e private. Për muajt nëntor, dhjetor janë planifikuar të realizohen 674 milionë lekë, ndërsa si numër kontribuuesish janë planifikuar të sigurohen 35180 të vetëpunësuar në bujqësi.

 

Debati për fasonët, Braçe, Spahiut: Po merr paratë e shtetit

Në Komisionin e Ekonomisë kanë vijuar debatet me deputetëve të shumicës dhe ministrave për paketën fiskale dhe buxhetin për vitin 2015. Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, tha se qeveria po favorizon biznesin fason, i cili po lulëzon vetëm me paratë e shtetit. “Po bëhen lehtësira që në manifakturë, njëra pas tjetrës, aq sa mua më duket se biznesi po bëhet me paratë e shtetit tani. Ai lloj biznesi po më duket sikur po ndërtohet vetëm me paratë e shtetit tani. Ngritët në fillim që nuk po marrin 5% e tatimfitimit. U deklarua fitimi, mori mbrapsht 5%. Ngriti shqetësimin për pajisjet që të çliroheshin nga TVSH, u bë me vendim të VKM. Po tani biznes pa lekë fare nuk mund të bëhet. Ka dhe biznese të tera që duan favore vëlla. Nuk mund të kërkosh pa fund e pa fund”, – iu drejtua Braçe deputetit të LSI-së, Përparim Spahiu. “Ato që deshëm ne, ishin 7-8 pika kryesore dhe paketa shkoi në 42. Dhe kjo pikë është një nga kryesoret, falja e kamatëvonesave, bëhet fjalë për atë periudhë që ne nisëm paketën”, – tha Spahiu.

 

Krijohet fondi për mbështetjen e industrisë fasone

Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave krijoi fondin për mbështetjen e industrisë fasone. “Krijimin e fondit buxhetor (Fondi) në mbështetje të industrisë fasone, si zë i veçantë brenda strukturës programore të ministrisë përgjegjëse për punësimin, nga buxheti i shtetit. Fondi fillon në vitin 2015 dhe do të përdoret për mbështetjen e industrisë fasone. Çdo vit Ministria e Financave përcakton shumën, që derdhet në këtë fond. Fondi në mbështetje të industrisë fasone, përveç buxhetit të shtetit mund të ketë si burim financimi edhe donatorë apo institucione financiare. Fondi mbështet punëdhënësit e industrisë fasone për nxitjen e punësimit, zhvillimin e aftësive të fuqisë punëtore për këtë industri, si dhe forma të tjera mbështetjeje, të miratuara nga Këshilli i Ministrave. Të gjithë punëdhënësit e industrisë fasone, të cilët kërkojnë të mbështeten nga ky fond, duhet të regjistrohen në zyrat e punësimit”, – përcakton vendimi i qeverisë.

Programet që do të mbështeten nga ky fond janë:

-programet ekzistuese të nxitjes së punësimit, të miratuara nga Këshilli i Ministrave;

-programet e formimit profesional për profesione të ndryshme të industrisë fasone, të përcaktuara nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë;

-programet dhe format e tjera të mbështetjes për nxitjen e punësimit në profesione të nivelit të mesëm e të lartë, nëpërmjet investimeve të ndryshme në funksion të kësaj industrie.

 

 Shkencat e Natyrës/ Policia u ndalon protestën studentëve

Studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës kanë vazhduar protestat e tyre për gjendjen, në të cilën ndodhen laboratorët ku ata kryejnë praktikën. Ditën e djeshme studentët kanë protestuar në ambientet e brendshme të Fakultetit, duke kërkuar edhe dorëheqjen e dekanit të këtij Fakulteti, pasi, sipas tyre, ai nuk ka marrë parasysh asnjë kërkesë të studentëve për garantimin e sigurisë së jetës së tyre në ambientet e Fakultetit. Protestat e studentëve nuk i kanë pëlqyer drejtuesve të këtij Fakulteti, të cilët kanë lajmëruar policinë. Policia, në kundërshtim me ligjin, i ka ndaluar studentët të vazhdojnë protestën dhe prej tyre u shoqëruan në komisariatin numër 3 në Tiranë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency