Llogaria rrjedhëse, çelësi për të hyrë në botën e financës

0
208

o-BANK-ACCOUNT-facebookTransaksionet e biznesit të ditëve të sotme do të ishin të pamundura pa llogarinë rrjedhëse bankare. Kjo vlen si për kompanitë, ashtu edhe për individët. Llogaritë bankare përbëjnë shtratin për transaksionet e pagesave dhe në të njëjtën kohë janë çelësi për të hyrë në botën e shërbimeve financiare. Të gjitha bankat tregtare që ndodhen në Shqipëri ofrojnë llogari rrjedhëse. Këto llogari kanë shumë përparësi në krahasim me kryerjen e pagesave me para në dorë, nga ana juaj: Ndryshe nga paratë cash, në një llogari rrjedhëse paratë janë të sigurta ndaj vjedhjes. Ato nuk mund të humbasin, nuk mund të digjen nga zjarri dhe nuk mund të dëmtohen nga përdorimi. Paratë që i janë besuar një banke, janë të sigurta edhe në qoftë se ky institucion financiar gjendet në vështirësi. Agjencia e Sigurimit të Depozitave, është institucioni që e bën të mundur këtë gjë. Pagesat që bëhen me llogari rrjedhëse janë shumë më komode se sa ato që kryhen me para në dorë, veçanërisht kur bëhet fjalë për distanca të largëta apo shuma të mëdha. Nëse paguani sistematikisht nëpërmjet llogarive rrjedhëse, janë të shumta bankat që ju ofrojnë shërbimin overdraft apo shërbimin financiar me anë të të cilit ju mund të kryeni pagesa dhe të tërhiqni përkohësisht më shumë para nga sa ju lejon gjendja e llogarisë suaj bankare. Ky shërbim është një lloj huaje, që banka u jep klientëve, për të cilën mbahet një komision në varësi të shumës së tërhequr dhe të kohës pas të cilës ju e ktheni overdraft-in. Megjithëse kushton, ky shërbim ju krijon mundësinë të kapërceni vështirësitë financiare afatshkurtra. Nëse jeni të interesuar të hapni një llogari bankare, këshillohet që së pari të njiheni me të gjitha llojet e ofertave në treg.

 

Llogaritë pa kartë

Në përgjithësi, llogaritë rrjedhëse shoqërohen me një kartë bankare për konsumatorin, që ai e përdor si zotërues i llogarisë së vet. Karta bankare e konsumatorit shoqërohet edhe me kodin numerik konfidencial të identifikimit personal (PIN), i cili siguron që llogarinë tuaj nuk mund ta përdorë asnjë njeri i paautorizuar. PIN-i juaj duhet të jetë gjithmonë sekret dhe të mos i tregohet askujt. Duhet të jeni gjithashtu të kujdesshëm që të mos mbani PIN-in e shkruar dhe kartën në të njëjtin vend. Nëse i mbani të dyja në portofol dhe ju e humbisni apo ua vjedhin atë, kujtdo që mund t’i bjerë në dorë mund të hyjë lehtësisht në llogarinë tuaj. Zgjidhja më e mirë do të ishte memorizimi i PIN-it. Me një kartë bankare konsumatori dhe PIN-in korrespondues të saj, ju mund të merrni para cash, bilancin e llogarisë nga bankomati (ATM) dhe në disa raste, të informoheni përmes një fature për pasqyrën e lëvizjeve në llogarinë tuaj. Me kartën e kreditit ju mund të kryeni gjithashtu edhe pagesa, gjithnjë nëse përfituesi e pranon këtë lloj pagese. Edhe kartat e kreditit janë një formë e pagesave pa para në dorë, të cilat përdoren në të gjithë botën. Nëse dëshironi të keni një kartë krediti, së pari duhet të keni një llogari rrjedhëse. Si rregull, ju mund të paguani me kartën tuaj të kreditit deri në një kufi të caktuar parash, të cilat do t’ju mbahen nga llogaria rrjedhëse një herë në muaj. Pra, ju mund të bëni shpenzime më të mëdha nga sa ju lejon gjendja aktuale e llogarisë suaj, mjafton që në datën e caktuar ta plotësoni këtë shumë në llogari. Për t’u pajisur me një kartë krediti, duhet t’i paguani bankës një taksë vjetore. Për çdo blerje me kartë krediti kostot e transaksioneve paguhen nga ju. Kartat e kreditit janë praktike veçanërisht për njerëzit që udhëtojnë shpesh jashtë vendit dhe preferojnë të mos mbajnë para cash me vete apo për shumë të tjerë që preferojnë të kryejnë blerje nëpërmjet internetit.

 

Paratë në dorë

Llogaria bankare ju krijon mundësi që të racionalizoni proceset tuaja të pagesave. Përpiquni t’i përmbaheni parimit të të mosmbajturit më shumë para në dorë nga sa ju nevojiten. Shuma ndryshon nga njëri person tek tjetri. Megjithatë, si rregull bazë, nuk duhet të mbani në portofol asnjëherë më shumë para nga sa ju nevojiten për të shpenzuar gjatë një jave. Nëse merrni një shumë të madhe parash në dorë si për shembull, pagën mujore apo një dhuratë në para, atëherë vendosini ato menjëherë në llogarinë tuaj, ku do të jenë të sigurta. Nëse ju duhen para, ato mund t’i merrni nga banka gjatë orarit që ajo është e hapur apo t’i tërhiqni nga bankomatet (ATM).Grupe të ndryshme bankash kanë bërë marrëveshje midis tyre për përdorimin e bankomateve (ATM) nga klientët përkatës. Pra, nëse jeni klientë të bankës tregtare A, por ATM-ja e saj është larg banesës tuaj, ju mund të përdorni ATM-në e bankës B, e cila ndodhet më pranë shtëpisë suaj. Por, bëni kujdes!!!I gjithë ky shërbim praktik dhe komod që ju ofrohet nga një bankë, e cila nuk është e juaja, shoqërohet me një çmim mbrapa. Tërheqja e parave nga ATM-ja e një banke, që bashkëpunon me bankën tuaj, ka një komision, i cili në Shqipëri zakonisht llogaritet si një përqindje e shumës së tërhequr. Banka juaj, përndryshe jua ofron këtë shërbim falas. Diçka tjetër që duhet të mbani parasysh gjatë përdorimit të ATM-ve, është rasti kur i tërhiqni paratë pranë një ATM-je, e cila nuk ndodhet në një nga filialet e bankës, por në një qendër tregtare, vendbanim, universitet etj.. Ky shërbim shoqërohet me një komision, i cili mund të kushtojë rreth 20 lekë.

 

Pagesa pa para

Pagesat nga buxheti juaj mund të jenë shumë të ndryshme si për sa i përket natyrës, ashtu edhe qëllimit të tyre. Nëse kryeni pagesa të rregullta të së njëjtës shumë (për shembull qiratë mujore), ne ju këshillojmë që të përdorni të ashtuquajturin urdhër për pagesa periodike. Kështu, ju i kërkoni bankës që, në intervale të rregullta kohore, gjatë një periudhe të caktuar (për shembull gjatë një viti) të kryejë pagesa fikse mujore nga llogaria juaj (le të themi çdo fillim muaji), duke i transferuar ato në llogarinë në emër të ofruesit të shërbimit. Kjo do të thotë që nuk keni pse lodheni më për të kryer pagesa, mbasi është banka që i bën ato për ju. Ju mund ta ndryshoni apo ta shfuqizoni këtë shërbim në çdo kohë. Nëse duhet t’i bëni pagesa një individi të caktuar në intervale të rregullta kohore, por me shuma të ndryshme, atëherë mënyra më e mirë për ta bërë këtë është nëpërmjet urdhrit të debitimit direkt. Kjo realizohet në këtë mënyrë: ju autorizoni përfituesin që t’i tërheqë paratë nga llogaria juaj. Kontrolloni tërheqjet e bëra nëpërmjet pasqyrës së lëvizjes në llogarinë tuaj bankare dhe nëse ato nuk janë të sakta, atëherë mund të kërkoni dëmshpërblimin. Gjithsesi, mënyra më e zakonshme e kryerjes së pagesave pa para në dorë, është ajo e transfertave bankare. Në këtë mënyrë, ju i kërkoni bankës që të transferojë një shumë të vetme nga llogaria juaj tek ajo e përfituesit. Pavarësisht nga mënyra e pagesës që zgjidhni, duhet të siguroheni që paratë tuaja do të shkojnë aty ku duhet, shpejt dhe në mënyrë të sigurt.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency