Rregullat e biznesit nuk mund të ndryshojnë pa pyetur taksapaguesit e mëdhenj

0
123

paketa e re fiskale_0

Ervin Kaduku

–  Çfarë kërkojnë përfaqësuesit e sektorit privat në Shqipëri dhe si po u sillet qeveria gjatë “diskutimit” me një zë të paketës fiskale

Ajo që të bie në sy gjatë prezantimit të paketës fiskale në Kuvend këto ditë është një indiferencë totale e qeverisë ndaj grupimeve më të rëndësishme të biznesit në Shqipëri. Madje, edhe ndaj investitorëve të huaj. Thjesht, ata thirren “pas pilafit” për të shprehur mendimet e tyre, që janë gati gjithnjë tepër kritike dhe askush nuk merr mundimin t’i dëgjojë seriozisht objeksionet, aq sa të ndryshojë diçka në të mirë të punës.

Në botë, ndiqet një politikë krejtësisht e kundërt, kur bashkëbiseduesi është ai që mbush arkën e shtetit me taksa!

Cilat janë vërejtjet që mund të merreshin shumë mirë parasysh nga qeveria?

 

Shoqatat

Shoqatat e biznesit kanë kundërshtuar në bllok paketën e re fiskale. Të thirrur në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, drejtuesit e grupimeve kryesore të biznesit i kanë kërkuar qeverisë të tërhiqet nga rritja e parashikuar e taksave. “Ju kërkojmë me forcë të mos prekni taksën mbi dividendin dhe taksën mbi tatimin në burim, pasi janë dy taksa kyç që ndikojnë drejtpërdrejt në investimet e huaja”, – tha Genti Daci, Dhoma Amerikane e Tregtisë.

“Ju keni qenë prezent të gjithë, kur ne kemi luftuar bashkë me ju, ne si grupe interesi dhe ju si deputetë të opozitës në atë kohë, kur ish-qeveria rriti taksën e naftës me 7 lekë. Ndërkohë që tani, për dy vjet ju po na e rrisni taksën me 30 lekë”, – tha Nikolin Jaka, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.

“Për këto pijet energjike, nuk e di kujt i ka vajtur mendja që t’ua heqë akcizën, sepse shumë e çuditshme është bërë kjo punë. Po pse na e rritët vjet me 30 për qind akcizën e birrës, na keni shtuar edhe 20 lekë, ndërsa këtyre ua hiqni fare?”, – shtroi pyetjen Luan Bregasi, president i “Biznes Albania”.

Në fakt, rezulton që në dy vitet e fundit qeveria ta ketë rritur barrën e taksave me 380 milionë dollarë. Bizneset thonë se kjo politikë po dëmton ekonominë, ndërsa ankohen se edhe lehtësirat e premtuara për disa sektorë, si ai i fasonit, nuk janë përmbushur.

“Po të mbledhim tatimin e korporatës dhe tatimin e dividendit, atëherë shkojmë në 30%, duke kaluar kështu Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi, por ku do të shkojmë?”, – reagoi Nikolin Jaka. “Po ju keni bërë edhe premtime për 300 mijë vende pune?! Vendet e punës krijohen kur i lini më shumë parà xhepave të sipërmarrësve, se sa kur merrni më shumë parà për buxhetin e shtetit”, tha më tej Luan Bregasi.

Më tej: “Rimbursimi i TVSH-së është bërë deri në masën 50 për qind. Ndërsa taksat dhe tarifat vendore kanë qenë një tjetër pikë e rëndësishme e paketës së fasonit, e cila tashmë, jo vetëm që nuk është realizuar, por është rritur me disa herë në të gjitha rrethet përkatëse”, – tha Gjergji Gjika, kryetar i Dhomës Kombëtare të Fasonistëve.

 

Turizmi

Një nga propozimet më të dëgjuara këto ditë ka qenë edhe ajo për ulje drastike të TVSH-së për turizmin. Në fakt, Shqipëria është ndër vendet e vetme në Evropë që aplikon të njëjtin nivel në TVSH edhe në turizëm, prej 20%, ndërkohë që Mal i Zi e ka 7%, Maqedonia 5% dhe Greqia 6 %. Ulja e TVSh-së natyrshëm pritet të sjellë edhe çmime më të favorshme në shërbimin hotelier, natyrisht kur administrate shtetërore të marrë masat e duhura – që nuk i ka marrë kurrë! – që ky sektor të formalizohet dhe mos lejohet që bizneset e ndershme të konkurrohen padenjësisht nga të pandershmit e paregjistruar dhe që nuk paguajnë asgjë, por kërkojnë të përfitojnë shumë gjëra nga paketat favorizuese fiskale.

Shoqata e Operatorëve Turistikë deklaroi në Kuvend se sipërmarrja në turizëm duhet të përballojë një barrë fiskale shumë më të lartë se vendet fqinje, duke u ulur aftësinë konkurruese në rajon. “Ne jemi të goditur në mënyrë totale nga sistemi i taksave”, – tha Zak Topuzi, nga Shoqata e Turizmit.

“Theksojmë se vendosja e TVSH-së në hotele në nivelin 10% dhe bërja e taksës së fjetjes (city tax) fikse, në masën 100 lekë, nuk ka efekte negative në buxhet, përkundrazi rrit të ardhurat në të dhe rrit gjithashtu punësimin”, – tha Enver Mehmeti.

Shoqata e Turizmit kërkon marrjen e masave të menjëhershme për uljen e informalitetit, që, sipas një studimi të “GIZ”, është në masën 80% në vendin tonë në këtë sektor.

 

Bimët mjekësore

Shoqata e prodhuesve të bimëve mjekësore kërkon uljen e tatimit mbi fitimin, reduktimin e tarifave të magazinimit dhe përfshirjen e këtij sektori në skemën e rimbursimit të TVSH-së. “Të ulet tatim-fitimi nga 15 në 10%. Duke qenë se industria jonë kërkon një volum të madh magazinimi dhe tarifat janë të larta, kërkojmë të reduktohen. Problem është rimbursimi i TVSH dhe mbështetja e fermerëve me të, siç bëhet për fermerët e perimeve të tjera”, – tha Xhevit Hyseni, nga Shoqata e Prodhuesve të Esencave dhe Bimëve Mjekësore-Aromatike.

Në bashkëpunim me USAID-in, shoqata prezantoi futjen e një bime të re, Stevia Rebaudiana, në gamën e bimëve të prodhuara në Shqipëri, për të cilën ka kërkesa në rritje në tregjet rajonale dhe më gjerë. 98% e bimëve mjekësore të prodhuara në vend shkojnë për eksport në vendet e BE-së dhe në SHBA. Shqipëria është furnizuesi kryesor me sherbelë i tregut amerikan, me mbi 65% të tregut.

 

Sindikalistët

Ndonëse rritja e çmimit të energjisë nuk bën pjesë në paketën fiskale, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë shprehu shqetësimin e të gjithë qytetarëve mbi efektet negative që ajo do të ketë mbi punonjësit. Ajo kërkon nga qeveria që për dy deri në tre vite të mos rrisë çmimin e energjisë, me argumentin se dëmton ekonomikisht punonjësit e minierave, naftës, gazit etj., të ardhurat e të cilëve janë në nivele të ulëta.

Kreu i kësaj sindikate, Kol Nikollaj ka kërkuar që fillimisht të reformohet tregu u energjisë. Zëvendësministri i Energjisë dhe Industrisë, Ilir Bejtja ka dhënë garancinë e qeverisë se këto kategori nuk do të dëmtohen. Deklaratat janë bërë gjatë kongresit të IV të Federatës Sindikale të Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë, ku merrnin pjesë mbi 400 delegatë.

 

Opozitë në pozitë?!

Qeveria ka gjetur kundërshtarët edhe në gjirin e mazhorancës, gjithë këto ditë që po diskuton masat e përgatitura fiskalë në Kuvend. Deputetët e Komisionit të Ekonomisë i janë kundërvënë vazhdimisht ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, për rritjen e taksave. Ata i kanë kërkuar ministrit të merren parasysh disa nga kërkesat që biznesi ka bërë në këtë Komision për Paketën Fiskale. Debati u përqendrua në rritjen e taksës për dividendin nga 10 në 15%, në TVSH-në për turizmin, rentën minerare, apo heqjen e taksës doganore për miellin.

“Nëse presim që për dy vite gjithsej të rrisim të ardhurat 26.7 për qind, që është e madhe, duhet patjetër ta kemi biznesin me vete, mendoj. Të shikohet me këto grupe interesi mënyra se si mund të kompensohen apo skemë tjetër. Nëse shifrat janë të vogla, dakord, se dhe unë jam me atë që TVSH e diferencuar është shumë e vështirë për t’u menaxhuar se duhet të ndryshojë shumë sistemi, po të flitet njëherë me grupet e interesit, sepse dhe ata kishin pretendimin se nuk jemi dëgjuar shumë nga Ministria e Financave para se të miratohet diçka”, – tha Ervin Bushati, deputet i PS-së.

Por ministri Cani ka qenë mjaft cinik, duke thënë se gjithçka është vendosur me FMN-në dhe se pak gjëra ka gjasa të ndryshohen. Cani tha se disa nga kërkesat e biznesit do t’i paraqiten FMN-së në 17 nëntor kur misioni të vijë në Shqipëri. “Në datën 17 nëntor vjen misioni i FMN, do jetë një nga pikat që do diskutojmë veç të tjerash dhe do të shohim. Sepse besoj se ka një keqkuptim nga biznesi që anon që gjithçka duhet ta bëjmë patjetër në këtë paketë. Ka kohë dhe gjatë vitit do të bëjmë rregullime, sidomos ato që nuk prekin të ardhurat e buxhetit”, – tha kreu i Financave.

Lidhur me kërkesën e operatorëve turistikë, për ulje të TVSH-së për turizimin nga 20 në 10%, Cani iu ka shuar këtë shpresë. Sipas tij FMN ka thënë jo, dhe kështu do të mbetet. “Kur jemi konsultuar me FMN-në nuk na ka dalë kaq e thjeshtë. U ngrit dhe këtu çështja e TVSH për turizmin, hotelet, që nga 20 për qind të bëhet 10 për qind, jo. TVSH do të qëndrojë si parim 20 për qind”, – tha ai.

Kjo është kundërshtuar pothuajse nga gjithë deputetët e majtë, të cilat thanë se vetëm Shqipëria e ka TVSH-në 20%, kur vendet e rajonit e kanë 10, apo 7%, ndaj Shqipëria s’mund të jetë konkurruese në turizëm.

Gjithçka tregon për një mungesë të plotë transparence, gjatë përgatitjes së amendimeve, por edhe gjatë diskutimit në Kuvend, ndërkohë që duket qartë se asgjë nuk ka ndërmend të ndryshojë qeveria, për të korrigjuar paaftësinë e administratës së saj tatimore e doganore.

 

 

Konfindustria: Alarmante, janë ulur në 48% investimet e huaja

“Konfindustria shpreh shqetësimin e saj për uljen me 48% në vlerë neto të investimeve të huaja në Shqipëri në 3 mujorin e dytë të vitit 2014 krahasimisht vitit financiar 2013 sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Konfindustria gjykon se ndër shkaqet kryesore të përgjysmimit të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në ekonominë shqiptare janë pasojat e zbatimit të paketës fiskale, që ka hyrë në fuqi në fillimin e vitit 2014. Masa me ndikimin më të prekshëm negativ në paketën fiskale 2014 për investimet e huaja është rritja e tatim fitimit për biznesin në masën 50%, duke arritur në nivelin e 15%. Shënojmë se të gjitha vendet e tjera të rajonit konkurrente të Shqipërisë për tërheqjen e investimeve të huaja tatimi fitimi si pjesë e politikës së taksimit të sheshtë është në intervalin 9%-10%. Paqëndrueshmëria e theksuar e politikave fiskale dhe ekonomike vlerësohet gjithashtu si shkak i rëndësishëm i mosafrimit të investitorëve të huaj dhe të vendit në ekonominë shqiptare. Konfindustria, me qëllim të rritjes së fuqisë konkurruese të ekonomisë shqiptare me vendet e rajonit në tërheqjen e investimeve të huaj, në kuadër të debatit për projekt ligjin 2015 dhe paketën fiskale shoqëruese, i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë rivendosjen e taksës së sheshtë prej maksimumi 10% për taksën e sheshtë per të gjitha bizneset, që punojnë në kushtet e tregjeve të hapura dhe me konkurrencë të lirë dhe nuk përfitojnë nga privilegjet qeveritare të tregjeve të mbyllura dhe kushteve monopolistike”.

Gjergj Buxhuku

Administrator i Përgjithshëm

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency