Francë-Shqipëri/ Deshamp: Kujdes! Shqipëria, e rrezikshme

0
111

Jurges Veizaj

Didier-DeschampsTekniku francez ka vlerësuar shumë punën e bërë nga kuqezinjtë në ndeshjet e fundit, duke u shprehur se kuqezinjtë janë një skuadër që dhuron surpriza

Mikpritësit e Euro 2016-ës, francezët, janë sfiduesit e radhës për kombëtaren shqiptare. Kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt qytetit të Renës, ku do të testojnë fuqitë e ekipit të De Biazit pas ngjarjeve të Beogradit. “Kemi përpara ekipe të ndryshme në shumë aspekte. Njohim shumë për Portugalinë dhe Serbinë, ndërsa Armenia dhe Shqipëria janë dy ekipe që po bëjnë progres vitet e fundit. Kemi parë Shqipërinë se çfarë bëri në Portugali, duke vënë në vështirësi një ekip me emra, madje duke marrë edhe fitoren atje. Por, këto ndeshje për ne janë përgatitore, për të qenë sa më kompetitivë në këtë periudhë 2-vjeçare para Evropianit”, – ka thënë trajneri i Francës. Sipas programit, kombëtarja franceze do të nisë grumbullimin mesditën e së hënës, kur disa lojtarë do të stërviten të diferencuar. Të martën, lojtarët e përzgjedhur nga Deshamp do të flasin për mediat në orën 15:45, ndërsa rreth një orë më pas do të nisin seancën stërvitore. Tekniku i bluve e ka parashikuar të mërkurën ditë pushimi për lojtarët, ndërsa të enjten kombëtarja do të udhëtojë drejt Renës ku në datën 14 nëntor do të sfidojë Shqipërinë në “Stade de la Route”. Të enjten në orën 19:00 është parashikuar edhe konferenca për shtyp e trajnerit të kuqezinjve Xhani de Biazi, ndërsa në 19:30 lojtarët shqiptarë do të stërviten në stadiumin e Renës. Ndërkohë që të shtunën De Biazi shpalli listën e lojtarëve kuqezinj që do të ketë në dispozicion për dy miqësoret e këtij muaji. Janë plot 27 futbollistë, mes të cilëve bien në sy edhe prurje të reja. Fjala është për portierin e Tiranës, Stivi Frashëri, që zëvendëson Alban Hoxhën e Partizanit, i cili ka probleme familjare, dhe mesfushorin e bardhebluve Erando Karabeci nga kampionati shqiptar, si dhe mbrojtësin e Bazelit, Arlind Ajeti. Ndërsa e çuditshme është lënia jashtë e Alban Mehës dhe Gashit. Dy lojtarët që duken se kanë potencialin më të madh te kjo skuadër, janë jashtë, por kjo mund të shikohet edhe si një lëvizje e trajnerit që i ka lënë të dy lojtarët jashtë për t’u dhënë mundësi elementeve të rinj. Sipas trajnerit të kombëtares, lojtari i Paderbornit mungon, sepse nuk është në formën më të mirë fizike. Meha ka filluar të aktivizohet me skuadrën e tij, ku arriti të shënonte edhe një gol të mrekullueshëm. Ndërsa për t’u shqetësuar më shumë është rasti i Gashit, megjithatë kjo mbetet të zbulohet me kalimin e kohës. Duke parë emrat e 27 lojtarëve të ftuar për dy miqësoret e radhës, bie në sy rikthimi i Odise Roshit, që mungoi ndaj Danimarkës dhe Serbisë, për shkak dëmtimi, por luajti të premten dhe shënoi me skuadrën e tij në Bundesligën 2. Rikthim pas disa kohësh bën edhe Ledjan Memushi, që luan në Serinë B në Itali, me Peskarën.

 

Babai i Xhakës konfirmon interesimin e Milanit

Spekulimet e ditëve të fundit se Taulant Xhaka ka tërhequr vëmendjen e Milanit i ka konfirmuar vetë babai i futbollistit, Ragip Xhaka. Në një intervistë për “RTK”, Ragipi ka deklaruar se skuadra e Milanit është e interesuar seriozisht që ta transferojë Taulant Xhakën nga Bazeli. “Ka disa ekipe që e dëshirojnë Taulantin, në mesin e tyre është edhe Milani. Pikurish trajneri Filipo Inzagi e dëshiron Taulantin në ekip”, – ka deklaruar Ragip Xhaka. Një lëvizje e madhe kjo për lojtarin, i cili është vetëm 23 vjeç dhe që ka ende shumë karrierë para dhe mund të shikojë në të ardhmen edhe më lart. Projekti ambicioz i kuqezinjve që duan të rikthehen në ditët e tyre të mira duket se përfshin edhe lojtarin kuqezi, që mund të shënojë kështu një lëvizje të madhe në karrierën e tij personale. Skuadra e Milanit ndiqet shumë edhe nga tifozët shqiptarë dhe nëse Xhaka arrin të transferohet, do të ketë një mbështetje shumë të madhe.

 

 Ronaldo: Synoj të fitoj më shumë trofe

Fituesi në fuqi i Topit të Artë, Kristiano Ronaldo, arriti të rrëmbente dje edhe çmimin “Pichichi” që i jepet golashënuesit më të mirë të La Ligas si dhe trofeun “Alfredo di Stefano”, si lojtari më i mirë i sezonit të kaluar të kampionatit spanjoll. Fjalët e portugezit shkuan pikërisht për legjendën e “Los Blancos”, që u nda nga jeta në muajin korrik në moshën 88-vjeçare. “Këtë vit Don Alfredo nuk do të më shikojë. Më vjen keq, sepse e admiroja shumë, ishte një fenomen. Fakti që më krahasojnë me të është një nder dhe privilegj, si dhe më motivon më shumë për të bërë më të mirën. Ai ishte një burrë që fitoi simpatinë e gjithë botës”. Ronaldo po vijon me ritëm të çmendur edhe në këtë sezon. 29-vjeçari ka realizuar 18 gola në kampionat dhe vështirë se do të ketë rivalë për “Këpucën e Artë” në La Liga. “Nëse arrij të bëj të njëjtën gjë edhe vitin e ardhshëm, do të jetë shumë mirë, sepse do të thotë se po i bëj gjërat ashtu si duhet. Objektivi im është të fitoj trofe kolektivë dhe individualë. Do të punoj fort për t’i arritur. Gjithsecili ka mënyrën e tij për të menduar dhe punuar. Mua më pëlqen shumë të luaj futboll dhe të jap gjithmonë maksimumin. Nuk lodhem kurrë së fituari. Ndoshta po kaloj momentin më të mirë. Çdo vit tentoj të përmirësohem. Jam shumë i kënaqur, sepse edhe skuadra është mirë. Statistikat e mia nuk janë keq. Kërkoj gjithnjë të mësoj diçka më shumë”. Ronaldo është pretendenti kryesor për të fituar për të tretën herë Topin e Artë, duke iu afruar dhe më shumë rekordit të Mesit, që ka arritur të marrë katër në karrierën e tij.

 

Riberi: Guardiola më ka përmirësuar

Sulmuesi i bavarezëve, Frank Riberi, mendon se është bërë lojtar më i mirë nën drejtimin e Pep Guardiolës. Strategu spanjoll mori drejtimin e bavarezëve në verën e kaluar dhe që në sezonin e parë fitoi titujt e Bundesligës dhe DFB-Pokal, ndërsa gjasat janë të mëdha që t’i fitojë edhe këtë sezon. “Jam bërë gjithnjë e më mirë, falë Pepit. Unë mund të shfrytëzohem në pozicione të ndryshme. Vazhdimisht i ndërroj pozicionet me bashkëlojtarët ngjatë ndeshjes, në mënyrë që kundërshtari të mos e ketë të qartë se çfarë po ndodh. Mendoj se po përmirësohem vazhdimisht dhe e kuptojmë më shumë njëri-tjetrin me bashkëlojtarët. Kjo është ajo që kërkon trajneri nga ne”, – ka deklaruar lojtari i kampionëve të Bundesligës

 

 Rojs nuk do të lëvizë nga Bundesliga

Ylli i Borusias së Dortmundit, Marko Rojs, raportohet se do t’i refuzojë klubet angleze për të qëndruar në Bundesligë. Mançester Siti është duke përgatitur një ofertë të majme për gjermanin, i cili refuzon të nënshkruajë kontratën e re me Dortmundin. Megjithatë, sipas mediave angleze, Rojs do të refuzojë interesimin e Sitit, mes shumë të tjerëve, për të qëndruar në Gjermani. Rojs ka një klauzolë në vlerën e 20 milionë paundve në marrëveshje, shumë të cilën Bajerni i Mynihut është i gatshëm ta paguajë në merkaton e dimrit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency