Kanada, pranohen 285 mijë emigrantë, kategoritë që mund të aplikojnë

0
118

Canada ImmigrationVitin e ardhshëm Kanadaja mund të pranojë deri në 285 mijë emigrantë, numër rekord pranimesh në historinë e këtij vendi. Kështu është shprehur ministri i Shtetit dhe Emigracionit, Chris Alexander, duke prezantuar planin e imigracionit për vitin 2015. “Qëllimi i planit të ri të imigracionit përforcon fokusin e qeverisë sonë në rritjen afatgjatë ekonomike si dhe mirëqenien e të gjithë kanadezëve. Ky plan mirëpret një numër rekord të njerëzve, të cilët do të kontribuojnë në ekonominë dhe në tregun e punës”, – tha Alexander, me rastin e prezantimit të planit të emigracionit. Ai pohoi se në vitin 2015, Kanadaja do të bashkojë shumë familje emigrantësh dhe do të ofrojë ndihmë për qytetarët më të rrezikuar të botës. Shumica e imigrantëve të rinj, përkatësisht 65 për qind prej tyre, do të vijnë nga kategoria e emigrantëve ekonomikë, ndërsa 35-përqindëshi i mbetur do të përbëhet nga anëtarët e familjeve të emigrantëve, të cilët tashmë ndodhen në Kanada dhe duan të vazhdojnë të jetojnë në këtë vend. Aplikuesit për punë dhe lëvizje, të cilët kanë një ofertë të vlefshme pune në Kanada apo do t’i përshtaten programeve ekonomike të provincave përkatëse, shumë më shpejt do të ftohen për t’u lajmëruar që të aplikojnë për statusin e banorit të përhershëm. Kujtojmë se çdo vit qeveria e Kanadasë në konsultim me qeveritë e 10 provincave dhe tre territoreve, përcaktojnë numrin e përgjithshëm të emigrantëve, që bëhen pjesë si banorë të rinj të përhershëm të këtij vendi. Nga 2006-2013, Kanada ka pranuar një numër rekord të njerëzve në provinca të ndryshme, mesatarisht rreth 257 mijë banorë çdo vit.

 

Emigrimi

Për të siguruar një qëndrim të përhershëm në një prej qyteteve të Kanadasë duhet të plotësoni formularët e duhur, në bazë të interesit që ju keni. Nëse jeni një profesionist i kualifikuar dhe nëse nuk keni një ofertë pune, atëherë duhet të pajiseni me një kod (NOC), që përbëhet nga katër shifra dhe që identifikon profesionin në të cilin ju dëshironi të punoni. Ekziston një listë prej 520 lloje punësh. Profesionet më të kërkuara, sikundër e kemi nënvizuar edhe më lartë janë: kuzhinierë, menaxherë restorantesh, infermierë, arkitektë, mjekë, dentistë, biologë, mjekë familjeje, farmacist, psikolog, asistent social, elektricist, hidraulik dhe ndërtues. Pasi të keni identifikuar profesionin, do t’i nënshtroheni një testimi, ku duhet të grumbulloni të paktën 67 pikë ndaj 100 pikëve të mundshme. Pas kësaj do ta nisni procesin nga e para dhe mund të prisni muaj, por edhe vite në ndonjë rast. Janë disa qytete që pranojnë më lehtësisht kërkesa për emigrim, si Halifax, në afërsi të brigjeve të Atlantikut.

 

Jetesa

Njerëzit respektojnë ligjet, të gjithë paguajnë taksat dhe nëse një përfaqësues i popullit (parlamentar) bën diçka kundër rregullave jep menjëherë dorëheqjen. Respektohet radha, vjedhjet nuk ekzistojnë, njerëzit janë të sjellshëm deri edhe në kufijtë e falsitetit, askush nuk ofendon, nëse tejkalon shpejtësinë ose parkon në zonën e gabuar merr një gjobë të majme që askush nuk ka të drejtë ta heqë. Për të emigruar në Kanada, në radhë të parë është e udhës që të dini (ose të mësoni) dy gjuhë, anglisht dhe/ose frëngjisht. Duhet të jeni plotësisht të bindur se dëshironi të nisni gjithçka nga fillimi. Periudha e tranzicionit do të jetë e papërcaktuar dhe duhet të përgatiteni, pasi do të nisni të bëheni pjesë e një kulture që mund të jetë shumë e ndryshme nga ajo ku keni jetuar, sepse, për shembull: për të takuar një mik duhet ta telefononi një muaj përpara, ndërsa nëse do të shkoni në një festë, do t’ju japin orarin se kur duhet mbërrini dhe të largoheni. Do t’ju duhet të përshtateni edhe me kohën, pasi në Toronto temperaturat shkojnë deri në -25 gradë celsius.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency