“Hajdutët e energjisë” / Operacioni kundër energjisë, rritet numri i të arrestuarve, në kërkim dhjetëra persona

0
138

1150

Alma Çuka

Në ditën e katërt të operacionit “Hajdutët e energjisë”, Policia e Shtetit ka vënë në pranga në të gjithë vendin 26 persona si dhe ka shpallur në kërkim 19 të tjerë. Njoftohet se janë ndërprerë 372 lidhje të paligjshme të energjisë, ndërsa nga të arrestuarit 18 prej tyre janë pronarë biznesesh

Operacioni i policisë për të ndëshkuar të gjithë abonentët që abuzojnë me energjinë elektrike, përmes lidhjeve të paligjshme ka vazhduar në të gjithë territorin e vendit. Dhjetëra persona janë vënë nën arrest, njofton Policia e Shtetit, ndërkohë që qindra lidhje të paligjshme janë ndërprerë. Policia bënë me dije se ndodhet në terren përkrahë punonjësve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë. Por nga ky aksion nuk kanë munguar edhe përplasjet e policisë me abonentët, kryesisht familjarë. Burime nga policia bëjnë të ditur se familjarët në pjesën më të madhe kundërshtojnë ndërhyrjet, ndërsa lidhur me pagesat e prapambetura, të cilët janë në shuma të mëdha, nuk dëshirojnë të paguajnë duke argumentuar se nuk kanë të ardhura të mjaftueshme. Megjithatë, Policia e Shtetit, ndërsa deklaron shifrat e arrestimeve pas çdo operacioni të përfunduar, shprehet e vendosur se nuk do të tërhiqet nga tereni.

Vendimet
Paralelisht me operacionet e policisë në terren, vepron edhe Gjykata. 48 orë pas arrestimit të çdo abonenti, fjalën për të vlerësuar të ligjshëm ose jo veprimet e Policisë së Shtetit e ka Gjykata. Në tri ditë janë lënë në burg pjesa më e madhe e personave të arrestuar në të gjithë vendin. Në burg nuk janë lënë vetëm pronarët e bizneseve, të cilët janë kapur nga policia me lidhje të paligjshme të energjisë. “Dora e fortë” e policisë në këtë rast ka rënë edhe mbi punonjësit e OSSHE. Në të gjithë vendin njoftohet se paralelisht me abonentët familjarë apo pronarët e bizneseve janë vënë nën arrest edhe punonjës të OSSHE, faturist dhe inxhinier të cilët kanë bashkëpunuar për të realizuar ndërhyrjet e paligjshme në rrjet.

Tropojë
Gjykata e Tropojës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e masës “Arrest me burg” për 3 punonjës të OSSHE, të akuzuar për “Shpërdorim detyre”, si edhe për një shtetas, administrator i një lokali, i akuzuar për “Vjedhje të energjisë elektrike”. Këta shtetas janë ndaluar gjatë zbatimit të planit të përbashkët operacional ndërmjet Policisë së Shtetit dhe OSSHE. Nga materialet paraprake që ka në dispozicion Prokuroria e Tropojës, rezulton se punonjësit e OSSHE, shtetasit Shaqir Lamnica me detyrë elektricist, Enea Madani me detyrë specialist faturimi dhe Bilbil Hykaj me detyrë specialist arkëtimesh, në kundërshtim me detyrën e tyre, nuk kanë konstatuar rilidhjet e paligjshme të kryera nga disa biznese. Këta shtetas dyshohet se, nëpërmjet procesverbaleve fiktive, deklaronin pranë zyrave të tyre në OSSHE se bizneset, që u ishte ndërprerë linja elektrike, nuk kishin kryer rilidhje. Por, pas verifikimeve në terren, rezultoi se këto biznese kishin rilidhur energjinë elektrike.
Ndërsa shtetasi Florian Qehaja, administrator i një lokali, është konstatuar se vidhte energji elektrike nëpërmjet një linje të dytë, të fshehtë.

Shkodër
Gjykata e Shkodrës vendosi masën e arrestit për të gjithë personat e arrestuar nga policia gjatë tre ditëve të fundit, për “Vjedhje të energjisë elektrike”. Në Shkodër nga 10 të arrestuar të tri ditëve për vjedhje të energjisë, vetëm Elvis Kraja la qelinë. Futbollisti i Vllaznisë depozitoi pranë Gjykatës garancinë pasurore prej 20 mijë euro. Nëntë të tjerë, tregtarë, pronarë lokalesh, Gjykata e Shkodrës i vlerësoi me masën e sigurisë “Arrest me burg”. Sot në të njëjtën gjykatë do të paraqiten 10 të arrestuarit e tjerë. Të gjithë, sipas policisë, janë kapur duke vjedhur energjinë me lidhje të paligjshme, ose pa shlyer faturat në shuma të mëdha.

Vjedhja

Supergrabitja e Bankës, ekspertët kontroll të befasishëm

Grabitja e 713 milionë lekëve nga arka stok në Bankën e Shqipërisë, kryer për katër vite me radhë nga specialisti Ardian Bitraj, ende nuk ka marrë zgjidhjen e duhur. Ndonëse janë vënë në pranga 19 persona mes tyre edhe ish-guvernatori Ardian Fullani dhe ish-inspektorja e Përgjithshme, Elivar Golemi, Prokuroria nuk pa arrin të përcaktojë saktë sasinë e parave të grabitura dhe destinacionin e tyre. Aktualisht për gjykim kanë shkuar 15 të pandehur, kryesisht inventarizues dhe specialist të Bankës së Shqipërisë që akuzohen për “Shpërdorim detyre”. Prokuroria ka vështirësi në mbylljen e hetimeve për sa i përket të pandehurit Ardian Bitraj dhe dy bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, Afërdita Bruzia dhe nipit të tij Klevis Bitraj. Për të përfunduar këtë cikël të hetimeve, organi i akuzës, ka kërkuar edhe ndihmën e drejtuesve të Bankës së Shqipërisë. Për këtë qëllim mësohet se gjatë dy ditëve të fundit, guvernatorja në detyrë, Elizabeta Gjoni, ka urdhëruar ribërjen e një inventari në tri arkat e Thesarit në Linzë, arkës stok, arkës në veprim dhe arkës tranzit. Burime të Prokurorisë së Tiranës bëjnë me dije se po punohet me intensitet të lartë për të bërë të mundur mbylljen e hetimeve në kohë dhe për të nxjerrë një bilanc të saktë të parave të grabitura nga arka stok, të cilat mendohet se janë më shumë se sasia e deklaruar prej 713 milion lekë. Pak kohë më parë organi i Prokurorisë kërkoi ndihmën e ekspertëve të huaj për të bërë të mundur nxjerrjen e një bilanci të saktë. Por fakti se paratë e grabitura nuk kanë qenë të regjistruara me numër serie, kanë vështirësuar nxjerrjen e një përfundimi, i cili do të hidhte poshtë çdo aludim.
Fenomeni

Braktisi fëmijën për të përfituar azil, procedohet nga policia

Policia e Tiranës ka nisur procedimin penal për shtetasin Sazan Hebibaj, me akuzën e “Braktisjes së fëmijës” për të përfituar azil në një nga vendet e Bashkimit Evropian. Rasti është denoncuar nga autoritetet Franceze, të cilat i janë drejtuar autoriteteve të shtetit tonë me një shkresë të posaçme, ku trajtohet fenomeni i braktisjes së qëllimtë të fëmijëve nga prindërit. Policia njofton se babai e ka braktisur djalin e tij vetëm 13 vjeç në Francë dhe më pas është kthyer në vendin e tij. Policia e Tiranës pas marrjes së të dhënave ka nisur procedimin penal ndaj shtetasi Sazan Hebibaj për veprën penale të braktisjes së fëmijëve të mitur, vepër penale që dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Gjatë muajt gusht dhe shtator autoritet franceze kanë njoftuar dhe për 20 raste të tjera të familjeve nga Tirana, Shkodra, Durrësi dhe Vlora që kanë braktisur fëmijët në qytetet e Parisit dhe Nisës në Francë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency