Duhani i dredhur, akciza rritet 200%

0
176

cigare

Nga muaji janar, shtresat më të varfra të popullsisë, kryesisht pensionistët, do të përballen me rritjen më të fortë që kanë parë ndonjëherë të çmimit të duhanit të dredhur. Shqiptarët kishin filluar të zëvendësonin paketat me duhan të dredhur, por ligji i fundit i miratuar nga Kuvendi “Për disa ndryshime në ligjin nr. 61/2012 ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’” ka rritur me 200% akcizën për këtë produkt. Zëvendësministri i Financave, Ervin Mete, në raportimin para deputetëve të Ekonomisë dhe Financave, ka deklaruar se për duhanin e dredhur, akciza nga 1 janari do të shkojë në pak më shumë se 31 euro, duke paralajmëruar se do të ketë rritje të tjera në vitet e ardhshme.

“Te pyetja juaj lidhur me duhanin e dredhur, vetë BE-ja në direktivë thotë se minimumi për 1 janar 2015 duhet të jetë 54 euro. Në 2018, 60 euro dhe përsëri në janar 2020, 60 euro, por jo më pak se 50%. Pra, edhe qasja që bën Bashkimi Europian, sa i përket rritjes është graduale dhe e paralajmëruar. Kjo i jep përgjigje edhe pyetjes në lidhje me duhanin e dredhur, i cili me këtë ndryshim shkon në masën 31 euro, në një kohë që minimumi i kërkuar nga BE-ja është 54. Gradualisht, ne po shkojmë drejt këtij minimumi, sepse e kemi detyrim që ta kemi këtë minimum në momentin e anëtarësimit”, u shpreh Mete.

Pyetjes së përse akciza e duhanit të dredhur do të rritet dyfish, zv.ministri i Financave i është përgjigjur se kjo “akcizë nuk është prekur që nga 2002-shi, ndërsa tani u ndryshua vjet, u ndryshua këtë vit e do të vazhdojë të ndryshohet dhe për katër vjet, për t’iu afruar nivelit të BE-së”.

Në fakt, duhani i dredhur në kohën e rritjes së vazhdueshme të çmimit të paketave ka qenë një zëvendësues joperfekt i cigares, por një mundësi më e mirë nga ana ekonomike, me çmime rreth 10 herë më të lirë se duhani i paketuar. Ndërkohë, deputetët kanë deklaruar se duhani me të dredhur shitet në trotuare, në arka, i hapur, me çmimin që e vendos ai që e shet dhe pa asnjë lloj kontrolli cilësie. Edhe paketat pa pullë, sipas deputetëve, shiten 40 metra larg nga Kuvendi i Shqipërisë.

Por akciza do të rritet edhe për cigaret siç ishte paralajmëruar. Në vitin 2015, propozimi është që të shkojë akciza në 5500 lekë për 1 mijë copë, në vitin 2016, duke filluar që nga 1 janari, të jetë 6 mijë lekë për 1 mijë copë, dhe në vitin 2017, duke filluar nga 1 janari, të jetë 6500 lekë për 1 mijë copë.

Rritja e akcizës së cigares do të vazhdojë nga 900 lekë paketa me 20 cigare, në 1100 lekë paketa me 20 cigare dhe për vitin 2016-2017 do të rritet me 100 lekë, të vjetra gjithmonë. Sipas zv.ministres së Shëndetësisë, Milva Ikonomi “ky ndryshim vjen pasi ky produkt ka kosto të lartë për shëndetin e njeriut, por njëkohësisht është dhe një para që shkon jo me efektivitet dhe harxhohet për konsumatorin”.

Gjithashtu, sipas Ikonomit, – kjo është edhe në parim me direktivën e Bashkimit Evropian që thotë se niveli i akcizës për cigaret duhet të jetë sa 57% e çmimit të pakicës. Në ndryshimin e propozuar, ky nivel mesatar do të rritet në 44.2% për vitin 2015, në 46% për vitin 2016 dhe 48% për vitin 2017, gjithmonë në nivel mesatar.

 

 

HEC-et private fillojnë të dalin me fitime të mëdha

Teksa është ashpërsuar debati dhe shoqëria civile ka shtuar protestat për ndikimin e hidrocentraleve private në mjedis (kujtojmë këtu rastin konkret të Langaricës), kompanitë private të prodhimit të energjisë kanë filluar të gjenerojnë fitime të larta. Erdat Lura, kompania më e madhe private për prodhim energjie, që ka ndërtuar në vitet e fundit me skemën koncesionare, që menaxhon hidrocentralet Lura 1, 2 dhe 3 ka deklaruar në 2013-n, një fitim prej 364 milionë lekësh, duke u renditur e 35, sipas kompanive me fitim më të madh, nga një humbje prej 33 milionë lekësh një vit më parë. Të ardhurat nga shitja e energjisë në 2013-n ishin 577 milionë lekë. Kompania gjeneroi një prodhim prej 53,296 MWh në 2013-n, sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë. Kompania HEC i Tërvolit, një tjetër koncesionar që operon me hidrocentralin me të njëjtin emër, ka dyfishuar fitimet në 230 milionë lekë në 2013-n. GJO-SPA POWER, është operatori tjetër në këtë segment, që sërish ka rezultuar me një rezultat pozitiv prej 243 milionë lekësh, duke u renditur në vendin e 59 ndër 100 kompanitë me fitim më të madh në vend. EURON ENERGY GROUP është një tjetër operator privat energjie, që hyn në listën e 100 më të mëdhenjve sipas fitimeve, me një rezultat financiar para taksave prej 171 milionë lekësh, në vitin e parë që ka shitur energji. Ndonëse kanë rezultuar me fitime në bilance, një pjesë e tyre kanë probleme me arkëtimin e pagesave nga shitja e energjisë, duke hyrë në vorbullën e krizës që po kalon sistemi energjetik në Shqipëri, në të gjitha hallkat e tij, nga prodhimi deri tek shpërndarja te konsumatori fundor. Ministria e Energjetikës ndërkohë ka deklaruar se do të rishikojë kontratat favorizuese që qeveria e mëparshme kishte nënshkruar me këta operatorë (sipas të cilave KESH ua ble prodhimin 10% më shtrenjtë se çmimi i tregut, pasi kjo po krijon një barrë tjetër për operatorin shtetëror të prodhimit të energjisë.

Gjatë vitit 2013, në Shqipëri prodhuan energji elektrike 80 centrale hidrike me fuqi të përgjithshme të instaluar prej rreth 240 MW, nga të cilat rreth 44 MW përbëjnë HEC-et që nisën prodhimin po gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të ERE-s, prodhimi i përgjithshëm për vitin 2013 nga gjeneruesit privatë/koncesion ishte 759 GWh duke kontribuar me 11.1% ne prodhimin e përgjithshëm neto të energjisë elektrike vendas të vitit 2013.

Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2013, ndodhi edhe shkëputja e HEC-eve Ulëz, Shkopet dhe Bistrica 1, 2 nga prodhuesi publik KESH sh.a. Në gjashtëmujorin e dytë, këto HEC-e u administruan nga Kurum International sh.a. dhe realizuan një prodhim prej 126 GËh nën administrimin e shoqërisë Kurum International. Të dyja kompanitë kanë gjeneruar një fitim prej 573 milionë lekësh. Në fund të vitit 2013, Ulëz, Shkopet dhe Bistrica 1, 2 janë çregjistruar pa likuidim dhe janë përthithur nga mëma, Kurum International, sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency