Duka dhe De Biazi në një zë: Vendimi i padrejtë, apelojmë në Gjykatën e Arbitrazhit

0
152

FSHF ka deklaruar se lufta juridike do të vazhdojë për të vendosur drejtësinë në vend, që ka qenë një vendim i padrejtë

 Ndërkohë, FSHF pas vendimit menjëherë ka replikuar, duke thënë se çështja do të kalojë në Gjykatën e Arbitrazhit. Një opsion ky për të çuar të vërtetën në vend, që u devijua nga Komisioni i Disiplinës

ndeshja serbi shqiperi

 De Biazi: Jam i zhgënjyer, nuk ka drejtësi

Trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Xhani de Biazi, ka reaguar me një postim në “Facebook” menjëherë pas publikimit të vendimit të Komisionit të Disiplinës së UEFA-s për ndeshjen Serbi-Shqipëri. Në fjalët e trajnerit italian duket qartë zhgënjimi për një vendim që nuk jep drejtësi, por godet në mënyrë të pakuptimtë përfaqësuesen kuqezi, edhe pse ajo u dhunua barbarisht nga pala serbe në stadiumin e Beogradit. “Jam i zhgënjyer për një vendim që nuk na jep drejtësi. E kuptoj komisionin, por besoj se për ne është shumë e vështirë për ta pranuar një verdikt që na bën të ndihemi të mposhtur nga të gjitha frontet. Na hoqën edhe atë që kishim fituar në fushën e lojës! Çfarë duhet të ndodhte ë shumë?” De Biazi e ka shkruar mesazhin e tij në “Facebook” në tri gjuhë, italisht, anglisht dhe shqip, në mënyrë që reagimi i tij të ketë një impakt sa më të gjerë në opinionin publik jo vetëm në Shqipëri. Duke qenë dëshmitar i asaj që ndodhi në fushën e stadiumit të Beogradit, vendimi i Disiplinorit të UEFA-s nuk është aspak i drejtë për De Biazin, që sikurse të gjithë tifozët kuqezi e ka të vështirë të pranojnë një poshtërim të tillë që i bëhet kombëtares shqiptare.

 

Duka: Kompromis në Komision, vazhdojmë përpara

Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, ka paralajmëruar se do të ankohet për vendimin e Komisionit Disiplinor të UEFA-s. Vendimi i Komisionit të Disiplinës së UEFA-s jo vetëm që nuk ka përmbushur pritshmërinë e shqiptarëve, por deri diku ka befasuar, duke vënë shenjën e barazisë për atë që ndodhi mbrëmjen e 14 tetorit në Beograd, mes Serbisë dhe Shqipërisë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka treguar për “Top Channel” gjithçka ndodhi në Gjenevë. “Vendimi ka qenë një lloj kompromisin me veten. Një vendim, që nuk e di si do të bazohet juridikisht. Ky është një lloj kompromisi brenda Komisionit, nuk e kuptoj se kujt i ka shërbyer. Nuk më bind qe është bazuar ne rregulla, nuk më bind në atë çfarë mesazhi duhet të përçojë futbolli është tjetër gjë, nuk ka lidhje me dhunën. Është një vendim në vetvete ndoshta politik”, – thotë Duka Ne fakt, mediat serbe një dite përpara vendimit kane publikuar një deklarate te Presidentit të Federatës Serbe të Futbollit, i cili theksonte telefonatën me Platininë, ndërkohe qe presidenti Duka shpesh ka deklaruar se gjate gjithë kësaj periudhe qe nga momenti i ngjarjes nuk ka pasur komente me presidentin e UEFA-s. “Nuk mund të komentoj këto deklaratat e Presidentit të Federatës Serbe. Nuk mund të mendoj që vendimit i paraprin një bisedë e tillë telefonike”, – thotë Duka. Gjithsesi, optimizmi për të marrë atë çfarë kërkojmë mbetet tek delegacioni shqiptare dhe presidenti Duka na shpjegon arsyet se përse janë ende të bindur, që mund t’ia dalin mbanë. “U nisëm që ne duhet ta fitojmë këtë çështje, e para për atë që pamë atje, e dyta nga të gjithë mendimet e ekspertëve e avokatëve që kemi marrë, dhe të gjithë atyre që shohin futboll”, – thotë Duka. Megjithatë, shkalla e parë e kësaj çështjeje, në komisionin disiplinor të UEFA-s na konfirmoi se drejtësia me sa duket është fleksibël edhe aty, duke pasur këndvështrime dhe interes të ndryshëm nga ne. “Gjithkund duhet të ketë drejtësi. Ne jemi anëtarë të UEFA-s, pavarësisht se mund të kemi qëndrime të ndryshme për çështje të ndryshme, apo qoftë edhe interesa në rastin konkret”, – tha Duka. Eliminatoret për ne do të vazhdojnë, ndërkohë që brenda muajit nëntor do të mbyllet me sa duket çështja e apelimit, por nëse edhe aty nuk do të marrim atë çfarë presim, çështja do të kalojë në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë dhe kjo shkallë kërkon një tjetër hapësirë kohore. “Brenda 3 ditëve ne deklarojmë që duam të apelojmë. 5 ditë kemi kohë të arsyetojmë apelimin tonë dhe pastaj do të ndodhë data e apelimit që nuk besoj se do të zgjasë më shumë se dy javë. Pastaj, nëse do të ketë një shkallë tjetër, atëherë ky proces do të marrë më shumë se tre-katër muaj kohë”, – theksoi Duka.

 

Advokat mban anën e Serbisë

Trajneri i skuadrës së Serbisë, Dik Advokat, ka deklaruar dje se vendimet e UEFA-s lidhur me ndeshjen e ndërprerë midis Serbisë dhe Shqipërisë janë të çuditshme. “Epilogu i ndeshjes së ndërprerë për mua, si selektor i Serbisë, thjesht është i pabesueshëm, sepse është dënuar vetëm njëra anë, e kjo është Serbia”, – ka thënë Advokat. Ai ka theksuar se shqiptarët kanë kaluar shumë mirë dhe nuk e kupton pse janë dënuar vetëm me të holla. “Cili është kuptimi i kësaj? Ata nuk kanë dashur ta vazhdojnë lojën nën kurrfarë rrethanash, si atë mbrëmje me ose pa publik, ashtu as të nesërmen. Fatkeqësisht, po e fitoj përshtypjen se dikush nuk dëshiron që Serbia të jetë pjesëmarrëse e Kampionatit Evropian 2016 në Francë”, – ka thënë Advokat, përcjell “Fonet”.

 

Ivanoviç: UEFA të rishikojë vendimin

 Mbrojtësi i Serbisë, Branislav Ivanoviç, ka reaguar pas shpalljes së vendimit për t’i dhuruar Serbisë fitoren prej 3-0 e më pas për t’i marrë pikët. Ivanoviç beson se është precedent i paparë ndonjëherë në futboll largimi i pikëve, pas akordimit të tyre. “Pas vendimit të organeve përkatëse që ndeshja të regjistrohet me rezultat 3:0 në të mirë të Serbisë, e më pas marrja e tre pikëve përfaqësueses sonë, mendoj se menjëherë po bëhet fjalë për një precedent të futbollit në nivel të përfaqësueseve. Shpresoj se personat përgjegjës në marrjen e vendimeve të tilla do ta analizojnë këtë vendim edhe një herë”, – u shpreh Ivanoviç.

 

Platini dhe lidhja me një serbe

Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, sigurisht që ka ndikuar në marrjen e këtij vendimi, por këtë ai e ka bërë për shkak të së dashurës së tij serbe. Ky është lajmi i fundit, të cilin e tha në emisionin “Info Magazine”, trajneri i futbollit kosovar, Afrim Toverlani, i cili beson se vendimi diskriminues ndaj shqiptarëve nuk erdhi rastësisht. “Nuk po e kuptoj pse po e bën Platini, ndoshta ka ndonjë të dashur serbe dhe për këtë vendimi ka shkuar në favor të tyre”, – ka deklaruar Toverlani në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova. Se sa është e vërtetë kjo nuk dihet, mirëpo edhe kjo është mundur. Një femër për 3 pikë.

 

Përfaqësuesi i FSHF-së: Lufta juridike vazhdon

Federata Shqiptare e Futbollit konfirmoi nëpërmjet një konference për shtyp vendimin e UEFA-s në lidhje me ndeshjen Serbi-Shqipëri, për t’i dhënë fitoren 3-0 në tavolinë palës serbe, një vendim që sekretari i përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku, e cilësoi të papranueshëm. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF, Artan Hajdari, konfirmoi vijimin deri në fund të betejës politike me hapin e radhës apelimin e këtij vendimi, ndërkohë që dha dhe mendimin e tij se për çfarë mund të jetë dënuar Shqipëria, në pritje për të mësuar zyrtarisht interpretimin juridik të vendimit nga ana e UEFA-s. “Nuk ka ende interpretim për vendimin, pasi arsyetimi nga UEFA jepet, pasi të kërkohet nga palët. Në lidhje me akuzat që i janë bërë palës shqiptare në fokusin tim tri pikët në tavolinë mund të jenë dhënë për refuzimin për të luajtur, dhe 100 mijë euro për banerin. Do të bëjmë apelimin, lufta juridike do të vazhdojë. Ne kemi argument të fortë dhe 3-pikëshi duhet të na jepet neve, është një vendim që duket se është marrë nën ndikime të ndryshme dhe UEFA ka kërkuar të japë një zgjidhje nëpërmjet një kompromisi që nuk shkon. Ne do të presimin argumentimin e vendimit ndërkohë që do të fillojmë menjëherë procedurat për apelimin. Në Apel ka më shumë hapësira për debat, pastaj natyrisht është Gjykata e Arbitrazhit Sportiv”. Anëtari tjetër i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Bardhyl Minxhozi, shprehu të njëjtën bindje për një fitore të Shqipërisë në shkallët e mëtejshme të drejtësisë sportive duke konfirmuar se raporti i arbitrit Atkinson ka dëmtuar Shqipërinë.

 

Icka: Vendimi shkon në Gjykatën e Arbitrazhit

Një prej avokatëve të një prej tri studiove ligjore që asistojnë FSHF-në në rastin ndaj Serbisë, Envi Icka, ka rrëfyer se pas ankesave dhe dërgimit të çështjes në Komisionin e Apelit dhe Gjykatën për Arbitrim Sportiv (CAS), Shqipërisë do t’i takojë fitorja, vendimi do të ndryshohet dhe ne do t’i marrim tri pikët. Avokati ka shpjeguar procedurën, se si do të ankohet Shqipëria dhe ai thotë se do të shkojë edhe deri në dy muaj derisa ky vendim të kthehet. Avokati shprehet i bindur se ky vendim do të kthehet. Kjo sepse ai beson që ky vendim s’ka logjikë. “Sot vendimi është shpallur si urdhërim i komisionit disiplinor, por nuk janë shpallur arsyet. Në këto minuta që flasim po dërgohet kërkesa në UEFA nga avokatët për të kërkuar motivet. Arsyet e këtij vendimi. Në termin popullor po e quajmë zbardhjen e këtij vendimi. Kemi tri ditë kohë për të paraqitur ankesën tonë në Komisioni e Apelit të UEFA-s. Nga momenti i marrjes së tij kemi tre ditë afat për të shtruar ankesën tonë përpara Komisionit të Apelit të UEFA-s ku do të kërkojmë seancë dëgjimore për këtë çështje. Në apel parashikohet dhe ata janë të detyruar për të na u përgjigjur për këtë kërkesë. Kjo është faza e dytë. Pas seancës dhe debatit, Komisioni i Apelit i UEFA-s mund të marrë një vendim, e tek më pas do të kemi 10 ditë kohë për t’u ankuar në Gjykatën për Arbitrim Sportiv (CAS) në Lozanë. Edhe një muaj e gjysmë-dy kohë do të na duhet për të zgjidhur këtë çështje. Absolutisht, nuk është shpresë, nuk është tifo. Që në momentin që do të dërgojmë apelin do të kthejmë vendimin sepse nuk ka logjikë në atë vendim. Por, nuk mund të ketë proporcionalitet në atë vendim. Thirrjet raciste, keqorganizimi dhe ksenofobia janë dënuar barabartë me një flamur që nuk dihet kush e ka lançuar”, – u shpreh avokati.

 

Presidenti i Federatës Serbe, gati për të dhënë dorëheqjen

Për shkak të vendimit të UEFA-s, me anë të të cilit Serbia u dënua me gjoba të mëdha për shkak të ndërprerjes së ndeshjes me Shqipërinë, presidenti i Federatës së Futbollit të Serbisë (FFS), Tomislav Karaxhië, do të japë dorëheqje deri në fund të ditës, pas seancës së jashtëzakonshme të Komitetit të Emergjencave të FFS-së, transmeton “Telegrafi”. “Vendimi tashmë është marrë, ndërsa deri në fund të ditës do të komunikohet edhe zyrtarisht, raportojnë mediat serbe, duke cituar një burim brenda federatës, i cili më tutje shton “shumë pak ka gjasa që ai të ndryshoj mendje!” Edhe pse UEFA e regjistroi ndeshjen me fitore me rezultat zyrtar 3:0 për Serbinë, Karaxhiç si duket ka pritur një ndëshkim më të rëndë për Shqipërinë. Andaj, ka vendosur të tërhiqet. Njeriu i parë i FSS, i cili në vitet e fundit ka qenë në shënjestër kryesisht të klubit të Cërvena Zvezdës për rezultatet e dobëta të ekipit kombëtar, arriti të përballojë ndikimet anësore, por kësaj herë ka vendosur të japë dorëheqje nga maja e futbollit serb. Edhe pse është spekuluar se ai do të mbetet për të paktën edhe një vit në krye të FFS-së, Karaxhiç ishte i zhgënjyer nga qëndrimi i shtëpisë evropiane të futbollit ndaj futbollit serb, ndoshta edhe presionet e brendshme, vendosën që të dorëhiqet nga posti i presidentit.

 

Mediat më të mëdha botërore, në mbështetje të Shqipërisë

Një pjesë e madhe e mediave botërore e konsiderojnë si të njëanshëm vendimin e Komisionit të Disiplinës në UEFA. Humbja e ndeshjes në tavolinë për kombëtaren shqiptare cilësohet një masë e tepruar pas asaj që ndodhi në stadiumin e Beogradit në 14 tetor. Sipas faqes në internet të televizionit publik britanik, BBC, “Serbia u shpërblye me një fitore pas dhunës në fushën e stadiumit të Beogradit”. Ndërkohë, e përditshmja italiane, “La Gazzetta Dello Sport” shkruan: “Serbi-Shqipëri, vendimi: humbje për të gjithë”. Një tjetër italiane e cilëson si të çuditshëm vendimin. “ToscanaNews.it” shkruan se UEFA legjitimoi dhunën dhe racizmin. Në Britani, “Daily Mail” shkruan rreth vendimit të UEFA-s, duke theksuar se të dyja palët do ta çojnë çështjen në Apel. Në faqen kroate “Vecernji”, ky vendim pasqyrohet me titullin “UEFA vendosi, Serbia mundi Shqipërinë 3-0”. Kroatja tjetër “Jutarnji” shkruan: “Shqiptarët: Platini, je ti ai që na godite me një karrige në kokë”. Ndërsa britanikja tjetër “The Guardian”, me anë të një shkrimi të gazetarit Owen Gibson, ka kritikuar ashpër vendimin e UEFA-s dhe ashpër ka kritikuar edhe vetë Serbinë, duke thënë se lista e akuzave ndaj këtij vendi është deri në absurditet e gjatë dhe se nuk është dashur të falet nga institucioni më i lartë i futbollit evropian. Gazetari Gibson në shkrimin e “The Guardian”, ka analizuar incidentin dhe vendimin e UEFA-s, i cili u publikua dje. Sipas “The Guardian”, Shqipëria u dënua për një dron, i cili nuk është ditur se kush e drejtoi dhe nuk ka pasur dëshmi për këtë, pasi tifozë shqiptarë nuk kishte në stadium. Nga ana tjetër, Serbia nuk u dënua për dhunimin fizik brutal të lojtarëve në fushë, ndërprerjen e ndeshjes me fishekzjarrë e po ashtu edhe për thirrjet raciste, glorifikimin e kriminelëve serbë me pankarta në stadium si heronj e shumë akuza të tjera, transmeton “Telegrafi”. Gazeta britanike e cilëson këtë vendim si skajshmërisht të padrejtë. Kjo, pasi lista e akuzave për Serbinë është në absurditet i gjatë, shkaku i incidentit në kualifikimet për Euro 2012 në Itali kur Ivan Bogdanov nxiti ndërprerjen e ndeshjes me ndezjen e flamurit shqiptar, ashtu sikurse dhunimin e kombëtares angleze në stadium në Serbi dy vite më parë. Më tej, “The Guardian” kritikon ashpër UEFA-n për rritjen e kërkesës për sensibilizim kundër racizmit pikërisht para ndeshjes ndaj Shqipërisë e sloganet e banerët e vet i hodhi poshtë, duke mos dënuar fare racizmin në stadium, i cili u transmetua me anë të pankartave dhe thirrjeve fyese. Reagime të mëdha ka pasur edhe nga media të tjera ndërkombëtare, sidomos ato italiane.

 

Media kroate, në mbështetje të kombëtares shqiptare

Ndërkaq, portali “Indeks.hr” vlerëson se Evropa është e habitur me vendimin jo të zakontë të UEFA-s. Mediat kroate shprehen të sigurta se UEFA ka caktuar një dënim të butë për incidentet në ndeshjen kundër Shqipërisë në eliminatoret për Kampionatin Evropian, transmeton “Telegrafi”.””UEFA ka ‘porositur’ të gjithë, madje edhe nëse jeta e tyre është në rrezik që të vazhdojnë ndeshjen. Kjo ‘vlen’ edhe në raste kur huliganët në mbrojtje të policisë ju godasin ju. Lojtarët nuk mund të lëshojnë stadiumin, sepse do të mbeten pa tri pikë”, – thuhet në tekstin e “Veçernji List”. Portali kroat “Indeks” vlerëson se “UEFA befasoi Evropën me vendimin e saj duke dënuar edhe Serbinë edhe Shqipërinë, për shkak të dhunës në ndeshjen për eliminatoret e Euro 2016”.Siç shtohet, as serbët, as shqiptarët nuk janë të kënaqur me vendimin dhe konsiderojnë se “kjo nuk është drejtësi”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency