“Naim Frashëri” për italianin Grasso, cikli më i mirë, çmim Buçpapajt  

0
130

Info/kult

Mbyllet Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit”, Tetovë; laureat poetit nga Italia, Sebastiano Grasso

 çmimi-I-madh-Naim-Frashëri-2Është mbyllur Edicioni XVIII i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, i cili u mbajt në Tetovë prej 16 – 19 tetor 2014. Për tri ditë me radhë Tetova ishte mikpritëse e aktiviteteve të ndryshme e të shumta poetike, artistike dhe kulturore. U mbajtën lexime letrare, u promovuan libra poetikë, u hap një ekspozitë me fotografi dhe u bënë vizita të ndryshme në monumentet kulturore, historike dhe fetare. Në këtë edicion morën pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës, si: Sebastiano Grasso (Itali), Bohdan Zadura (Poloni), Braha Rosenfeld (Izrael), Vicktoria Slavuski (Argjentinë), Dinos Koubatis (Greqi), Germain Droognebroodt (Belgjikë), Joslin Love Kearse (SHBA), Galina Ganeva (Bullgari), Kadir Aydemir (Turqi), Laura Garaviglia (Itali), Maryam Ala Amjadi (Iran), Visar Zhiti (Shqipëri), Nicolaj Stochholm (Danimarke), Bjorg Borgrimsdotir, Levant Karatas (Turqi), Bisera Suljic – Boskalio (Bosnjë-Hercegovinë), Mujë Buçpapaj (Shqipëri), Robert Simonishek (Slloveni) Ndue Ukaj (Kosovë), Trajce Kacarov dhe Slavica Dabevska Kirovska (Maqedoni), Ilire Zajmi (Kosovë), Burhanedin Xhemaili dhe Bujar Plloshtani (Maqedoni) etj.

Edicionin XVIII të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” e hapi drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, i cili, theksoi se poezia, arti dhe kultura ndikojnë shumë në njohjen dhe afirmimin e bashkëpunimit në mes komunitetit krijues në radhë të parë, duke i tejkaluar kufijtë dhe pastaj atij me publikun e gjere kudo.

Në orën e madhe letrare “Globi poetik”, poetët lexuan poezitë e tyre, ndërkaq drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, ia dorëzoi çmimin e madh “Naim Frashëri” që jepet për vlera të larta artistike, si dhe ia ndau titullin “Anëtar Nderi të Festivalit”, laureatit nga Italia, Sebastiano Grasso. Me këtë rast, laureati Grasso falënderoi organizatorët dhe jurinë për dhënien e këtij çmimi të lartë të Festivalit.

Të kujtojmë se titullin “Anëtar Nderi i Festivalit” deri tani e kanë marrë shkrimtarët dhe intelektualët e njohur, si Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Abdellatif Laabi (Marok), Peter Poulsen (Danimarkë), Lionel Ray, (Francë), Eva Lipska (Poloni), Craig Czury (SHBA), Tua Forsstrom (Finlandë), Athanase Vantchev de Thracy (Francë) etj.

Festivali u mbyll me orën e madhe letrare “Meridiane poetike”, e cila u mbajt në Qendrën e Kulturës, ku poetët lexuan poezitë e tyre dhe u ndanë edhe çmimet e tjera letrare të Festivalit; çmimi për karrierë letrare “Ditët e Naimit” iu nda poetit Bohdan Zadura nga Polonia, çmimi për vlera të veçanta poetike “Menada” iu dha poetit me origjinë arvanitase Dinos Kubatis, çmimin letrar për ciklin më të mirë poetik “Oeneumi” e mori poeti shqiptar, Mujë Buçpapaj, çmimi letrar “Qiriu i Naimit” iu dha poetit nga Belgjika, Germain Droognebroodt. Në këtë edicion, drejtoria poeten dhe bashkëpunëtoren e ngushtë të këtij festivali, Silke Liria Blumbach, e cila po lufton për jetën në një spital te Gjermanisë, e shpalli “Anëtare Nderi” dhe që nga ky edicion ndau çmimin letrar për shprehjen poetike me emrin e poetes “Silke/Liria”. Fitues i këtij çmimi ishte poetja amerikane “Joslin Love Kearse”. Festivali edhe në këtë edicion botoi antologjinë e poezive të poetëve pjesëmarrës “Fytyrë sirene”, të përgatitur nga Shaip Emërllahu.

 

 Një variant çehovian “transferon” në Tiranë regjisoren Dervishi

Një nga komeditë bashkëkohore më të njohura të viteve të fundit vjen premierë ditën e premte në skenën e Teatrit Kombëtar. Bëhet fjalë për veprën “Vanja, Sonja, Masha etj.”, të dramaturgut amerikan Christopher Ferdinand Durang, një produksion privat me regji të Driada Dervishit. Driada është regjisore e teatrit të Durrësit dhe në Tiranë vjen prej ftesës zyrtare të TK, që e ka përfshirë në programin e sezonit artistik për këtë vit. Kjo shfaqje është një variant çehovian i rifreskuar dhe i zhvendosur në vitet 2000, përzierje e komedisë dhe dramës, bazuar në temat dhe personazhet e dramaturgut rus, një komedi, në të cilën përmblidhen ndjeshmëria tipike e tij, por edhe humori. Në vepër janë dy motra dhe një vëlla. Një prej motrave dhe vëllai, Sonja dhe Vanja, kanë gjithë jetën që janë kujdesur në një shtëpi në provincë për prindërit, pa mundur të krijojnë një jetë të tyre. Masha, motra e madhe, që i ka ndihmuar financiarisht, nuk është marrë asnjëherë me prindërit dhe shtëpinë, por është një superaktore mjaft e paguar dhe e njohur, e cila vjen për një festë me kostum për të takuar dhe familjen. Këtu fillon e gjithë komedia, sepse ajo vjen për të shitur shtëpinë. Pas kësaj fillon tensioni dhe konflikti mes motrave dhe vëllait. Në role janë: Neritan Liçaj, Olta Daku, Yllka Mujo, Besmir Bitraku, Adelina Muça, Valina Mucolli.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency