Champions League/ Roxhers dhe Xherard i frikësohen Ronaldos, Leverkuseni kërkon fitoren ndaj Zenitit

0
115

Madrilenët përballë të kuqve të Liverpulit është dhe ndeshja më e rëndësishme e mbrëmjes, ndërkohë që interesnate pritet të jetë edhe sfida midis Bajer Leverkusenit dhe Zenitit

ronaldo Liga e Kampioneve vazhdon me ndeshjet e mbrëmjes së dytë për të dhuruar emocione të veçanta. Ndjenja këto që përcillen më shumë te protagonistët, që janë edhe atë që përcaktojnë fatet e sfidave. Sfida më e rëndësishme është ajo midis Liverpulit dhe Realit të Madridit. Një sfidë, e cila gjithmonë ka dhuruar emocion dhe që ka një histori të madhe mbi shpatulla. Për këtë sfidë ka folur edhe Roxhers, i cili ka shfaqur respekt për kundërshtarin dhe në veçanti për Kristiano Ronaldon, i cili kohët e fundit tremb çdo ekip. “Do të jetë një ndeshje e rëndësishme. Mbrëmjet evropiane në “Anfield” janë shumë të veçanta. Ronaldo? Reali i Madridit ka një grup futbollistësh shumë cilësorë. Është e vërtetë që Ronaldo ka një talent të jashtëzakonshëm, ai gjatë ka këtyre viteve të fundit ka pasur progres në karrierën e tij. Përpara ishte një lojtar që më shumë shërbente për shokët dhe herë pas here realizonte ndonjë gol ndërsa tani është kthyer në një goleador që mban në këmbë një ekip të tërë. Problemi jonë qëndron të grupi pasi duhet të funksionojmë të gjithë si skuadër për të ndalur një lojtar si Ronaldo. Për sa i përket Bejlit, ai është një futbollist i klasit botëror dhe mungesa e tij mund të konsiderohet si një avantazh për ne”. Dy sfidat radhazi përballë Realit do të jenë përcaktuese për fatin e Liverpulit në grupin B të Ligës së Kampioneve. Sipas Roxhersit, skuadra e tij, nëse arrin të marrë maksimumin nga ndeshjet në shtëpi në përfundim të fazës së grupeve, mund të avancojë më tej pa pasur asnjë problem. “Shpesh thuhet që një klasifikim sa më i mirë sigurohet nëse arrin të marrësh maksimumin nga ndeshjet që luan brenda. Jemi të ndërgjegjshëm që paraqitja jonë ndaj Bazelit nuk ishte e mjaftueshme. Skuadra deri tani nuk ka arritur të shfaqë formën e sezonit të kaluar. Unë jam i bindur se nëse tregojmë nivelin tonë më të mirë do t’i arrimë pa shumë probleme objektivat që i kemi vendosur vetes”. I pranishëm me trajnerin Brendan Roxhers në konferencën për shtyp ishte edhe kapiteni Stiven Xherard. Mesfushori anglez rrëfeu një prapaskenë për sa i përket karrierës së tij, ndërkohë që dha një mendim edhe për kundërshtarin. “Kur një klub si Reali i Madridit interesohet për ty, çdo gjë ka hije. Por unë në të shkuarën kam refuzuar në dy raste ofertën e Realit të Madridit. Dhe e kam bërë diçka të tillë për dy gjëra. E para ka të bëjë me lidhjen shpirtërore që kam me klubin dhe e dyta se nuk kam preferuar të largohem nga Liverpuli që është edhe qyteti im i lindjes. Në lidhje me ndeshjen dua të them që Reali është një ekip shumë i fortë dhe të përballemi me ta do të jetë një sfidë më vete për ne”. Ndërkohë, në kampin madrilen Serxho Ramos dhe Gareth Bejl janë lënë jashtë ekipit të Real Madridit në përballjen kundër Liverpulit në kuadër të Ligës së Kampioneve të mërkurën mbrëma. Uellsiani është lënë jashtë për shkak të një problemi me ije, e cila u konfirmua nga klubi spanjoll qysh dje. Spanjolli është pritur të kthehet në lojë, mirëpo lëndimi muskulit e ka lënë jashtë. Rafael Varane dhe Isko thuhet të jenë favoritët për të zëvendësuar Bejlin dhe Ramosin në njëmbëdhjetëshin e Karlo Ançelotit.

 

Bajer Leverkuseni kërkon fitoren ndaj Zenitit

Pas fitores ndaj Benfikës, “aspirinat” duan të mposhtin edhe Zenitin e Shën Petërburgut për të pasur sa më shumë shanse për kualifikim, por edhe për të parakaluar skuadrën ruse në tabelën e klasifikimit të grupit C. Gjendja në skuadër nuk është edhe aq e mirë pas atij barazimi tronditës ndaj Shtutgartit në Bundesligë ku Leverkuseni në pjesën e parë udhëhiqte me tre gola avantazh, por në fund u barazua në 3-3 nga vendasit. Pavarësisht gjithçkaje trajneri Roger Shmid dhe sulmuesi Stefan Kisling janë përpjekur të përcjellin entuziazëm në ekip. Numri 1 i stolit të Aspirinave në vigjilje të kësaj ndeshjeje deklaroi se nëse Leverkuseni edhe ndaj Zenitit luan ashtu siç bëri përballë Benfikës do të arrijë ta fitojë sfidën. “Ne e dimë shumë mirë që Zeniti është një ekip me vlera dhe ka shumë kualitet brenda. Ata kanë marrë pjesë rregullisht në kompeticionet evropiane dhe ky fakt i favorizon jo pak. Gjithsesi unë jam i bindur se nëse skuadra ime luan ashtu si në sfidën ndaj Benfikës do ja dalë të marrë sërish tri pikët. Është e vërtetë që po kalojmë një moment të vështirë në Bundesligë, por Champions-i është një tjetër histori”, – ka deklaruar tekniku i gjermanëve.

 

Me Alegrin, Juventusi nuk është i ashpër

“Juventusi nuk është aq i ashpër”. Kjo ka qenë deklaratat e ish-trajnerit i bardhezinjve, Marçelo Lipi. Pas largimit të Antonio Kontes, “Zonja e Vjetër” e angazhoi ish-trajnerin e Milanit, ndërsa tifozët bardhezi nuk ishin të kënaqur me zgjedhjen që bëri klubi. Megjithatë, Alegri ka arritur që ta mbajë skuadrën në krye të tabelës duke regjistruar gjashtë fitore dhe vetëm një barazim nga shtatët javët e para. “Kjo skuadër e Juventusit është më pak e ashpër. Luajnë një futboll pakëz më ndryshe. Preferojnë më shumë posedim dhe aksione më të ngadalshme, dhe ky është dallimi. Mirëpo, Alegri ka vepruar mirë duke mos e ndryshuar qëndrimin dhe qasjen e një skuadre që ka dominuar në Serie A në tre vitet e fundit”, – ka deklaruar tekniku kampion bote.

 

 Pistorius dënohet me 5 vjet burg

Oskar Pistorius pritet të qëndrojë në burg vetëm 10 muaj nga pesë vitet për të cilat është dënuar për shkak të vrasjes. Atleti nga Afrika e Jugut u ndëshkua me pesë vite burg për shkak të vrasjes së të dashurës së tij Riva Stinkamp, nga 10 vite sa u kërkua nga prokuroria. Gjyqtari Tokozile Masipa po ashtu ia ka ndaluar atij të mbajë armë për tri vite. Në anën tjetër, mbrojtja e tij shpreson se atleti do të mund të kalojë jo më shumë se 10 muaj në burg, derisa pjesën tjetër të dënimit ta kompletojë me burg shtëpiak. Ndryshe, avokati mbrojtës i familjes Stinkamp, ka thënë se ai beson se Pistorious me gjasë do të qëndrojë më së shumti dy vite në burg.

 

 Grekët dalin vullnetarë për riluajtjen e ndeshjes Serbi-Shqipëri

Qyteti grek i Selanikut ka shprehur dëshirën që të jetë mikpritës i ndeshjes kualifikuese për Kampionatin Evropian në mes të Serbisë dhe Shqipërisë. Kryebashkiaku i Selanikut, Janis Butaris, zbuloi se i kërkoi Këshillit të Qytetit të marrë në konsideratë këtë propozim të tij, i cili do të realizohet nëse UEFA vendos që kjo ndeshje të ri-zhvillohet. Kryebashkiaku i Selanikut tha se një ndeshje e luajtur në fushë asnjanëse do të ulte tensionet mes Serbisë dhe Shqipërisë. Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka bërë të ditur se një vendim në lidhje me këtë incident do ta marrë gjatë kësaj jave.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency