Prokuroria/ Përfundojnë hetimet, dërgohet për gjykim gjenerali Syrja Gjoka

0
131

Sonila Mesareja

arrestohet-gjenerali_ (1) syrja gjoka 2 Dosja e plotë/ Akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim të dokumenteve”, dyshimi për nënshkrim në emër të dy personave për prishje objektesh në inventarin e bazës ajrore të Kuçovës, me dëm ekonomik 6 milionë lekë të reja

Pas disa muajsh hetimesh intensive, Prokuroria e Beratit dërgoi dje për gjykim kërkesën ndaj shtetasit Syrja Gjoka, me gradën gjeneral brigade, ish-komandant i bazës ushtarake ajrore Kuçovë, në kohën e kryerjes së veprimeve, për të cilat tashmë akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim të dokumenteve”. Hetimi ka nisur pas materialit referues të Policisë Ushtarake në muajin nëntor 2013. Në përfundim të veprimeve hetimore, Prokuroria e Beratit ka krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Gjoka ka falsifikuar nënshkrimin e dy personave në një proces-verbal për prishje objektesh në inventarin e bazës ajrore Kuçovë. Po ashtu, nga veprimet e tij për prishjen e disa objekteve, i ka sjellë shtetit dëm ekonomik mbi 6 milionë lekë të reja.

 

Hetimi

Burime zyrtare nga akuza bëjnë me dije se për referimin e veprës penale, Policia Ushtarake është bazuar në dokumentacionin që administron Baza Ajrore Kuçovë. Në datë 04.02.2013 është mbajtur një procesverbal në zbatim të urdhrit nr. 78 dt. 28.01.2013 të komandantit të bazës ajrore Kuçovë për kryerjen e inventarizimit të ndërtesave dhe objekteve fortifikuese të këtij reparti. Nga inventarizimi rezultoi se janë prishur 209 objekte e qendra zjarri, të përfshira në 12 zëra tek libri llogarisë me një vlerë në total 14.294.820 Lekë. Këto objekte figurojnë të prishura, por të pa miratuara me proces verbal SU-3. Është administruar i gjithë dokumentacioni që ekzistonte në sekretarinë e repartit lidhur me prishjen e objekteve, e cila i përket periudhës kohore 2011-2012. Nga dokumentacioni në fjale u konstatua se në zbatim të urdhrit Nr. 442/1 dt. 18.02.2011 të Komandantit të Forcës Ajrore, Komandanti RU Nr. 3200 Kuçovë (sot RU Nr. 3005 Kuçovë), ( Baza Ajrore Kuçovë) ka nxjerrë urdhrin 121/1 dt. 29.03.2011 “Për nxjerrjen jashtë përdorimit të materialeve për vitin 2011” me anë të cilit janë ngritur komisionet përkatëse për vlerësimin dhe nxjerrjen jashtë përdorimit të pajisjeve e vlerave materialeve të repartit. Në zbatim të VKM nr. 189 dt. 19.05.1981, Komandanti i Bazës Ajrore Kuçovë ka dërguar për miratim procesverbalet SU-3 të përpiluara nga komisioni përkatës për nxjerrjen jashtë përdorimit të 7 objekteve. Në datë 30.06.2011, Komandanti i RU 3200 Kuçovë ka nxjerrë urdhrin 459 “Për kryerjen e punimeve në bazën ajrore Kuçovë”, ku në piken 1.1 të këtij urdhri urdhërohet komisioni i përbërë nga Toger L. Zyka, Kapter J. Shtrepi, Civil T. Plaku të demolojnë objektet e miratuara për prishje. [Po sipas akuzës, në datë 01.07.2011 në Bazën Ajrore vjen urdhri dt. 29.06.2011 të Komandantit të Forcës Ajrore, “Për nxjerrjen jashtë përdorimit të ndërtesave ekonomike dhe administrative”, në bazë të së cilit janë miratuar për t’u nxjerrë jashtë përdorimit 4 ndërtesa (që ishin në kompetencë për miratim të Komandantit te Forcave Ajrore). Ndërsa për 3 ndërtesa të tjera, (kompetencë për miratim e Ministrit të Mbrojtjes), ka ardhur urdhri për prishje me shkresë datë 12.10.2011 të Komandantit të Forcave Ajrore. Siç duket dhe më lartë, sipas akuzës, në harkun kohor të 18-ditëve Komandanti repartit ka nxjerrë 2 urdhra dhe 2 komisione për demolim objektesh. Në sekretarinë e repartit u gjeten 9-procesverbale për prishjen e objekteve. Këta procesverbale janë firmosur nga të dy komisionet e përmendura më sipër (4 për secilin komision). Të gjitha këto procesverbale janë të mbështetura në urdhrin datë 30.06.2011. Me shkresë të datës 28.05.13, Komanda e Forcës Ajrore i vë në ngarkim përgjegjësitë materiale dhe anëtarëve të komisionit mbi dëmin e shkaktuar nga prishja e objekteve në fjalë.

 

Dëshmitë

Nga pyetja e anëtarëve të komisioneve mësohet se disa prej tyre kanë qenë prezentë në prishjen e objekteve, por asnjëri prej tyre nuk e njihte procedurën ligjore sesi veprohet në këto raste, por thjesht janë urdhëruar që të jenë prezentë gjatë prishjes së objekteve. Disa prej tyre kishin edhe pretendime lidhur me firmat që ishin në procesverbale, duke pretenduar që nuk ishin të tyre. Nga deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale rezulton se procesverbalet e prishjes së objekteve janë nënshkruar kohe më pas prishjes reale të objekteve. Nga ana e Prokurorisë është kërkuar informacion për përcaktimin e dëmit të shkaktuar nga prishja e objekteve dhe përgjegjësitë që dalin nga ky veprim. Në raportin e auditimit përcaktohet se dëmi ekonomik (në total) i shkaktuar nga prishja e objekteve është 5,695,752 lekë dhe për shkeljet e parregullsitë mban përgjegjësi ish-komandanti i Repartit Kolonel Syrja Gjoka.

 

Këqyrja e objekteve

Në datë 06.05.2014 nga grupi i hetimit u bë këqyrja në vend e objekteve të prishura. Nga hetimi i mëtejshëm ka rezultuar se kishte dyshime që në procesverbalin e dt. 08.03.2012 për prishjen e objektit park automjetesh metalik, tek vendi i nënshkrimit të anëtarëve të komisionit Rreshter M. Velabishti dhe Civil M. Golemi, të ishte firma e ish komandantit të repartit Syrja Gjoka. Ky i fundit nuk e ka pranuar një fakt të tille dhe për këtë, në datë 06.05.2014 është marrë vendim për kryerjen e ekspertimit teknik (grafik shkrimi). Nga Drejtoria e Policisë Shkencore në është dërguar akti i ekspertimit grafik, datë 25.06.2014 i cili ka arritur në konkluzionin se “Nënshkrimet tek rekuizita “Komisioni” përkatësisht përkundrejt shkrimeve “3-Rreshter M. Velabishti” dhe “5 Civil M. Golemi” të dokumentit proceserbal datë 08.03.2012 mbi prishjen e objektit “Park automjeti metalik”, mbajtur në Repartin Ushtarak Nr. 3200 Kuçovë, objekt ekspertimi janë shkruar nga shtetasi Syrja Gjoka, krahasuar me modelet e dërguara në emër të tij”. Për të bërë të mundur përcaktimin e vlerës ekonomike të objekteve në momentin e prishjes në datën 12.05.2014 është marrë vendim për kryerjen e ekspertimit teknik vlerësues. Nga akti i ekspertimit teknik dhe akti i ekspertimi teknik shtesë është arritur në konkluzionin se “…vlera e të gjitha objekteve të bazës Ajrore Kuçovë në momentin e prishjes është 6 360 668 lekë.” Në analizë të fakteve të sipërpërmendura është arritur në përfundimin se nga i pandehuri Syrja Gjoka janë konsumuar plotësisht element të veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 70/2 i Kodit Penal Ushtarak dhe “Falsifikimi i dokumenteve” parashikuar nga neni 186/1 i Kodit Penal.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency