Agim Hushi: Hyra si Caravados në Opera, i njëjtë po dal

0
164

Intervistoi: V. Murati

tenori agim hushiAgim Hushi, dje, u është përgjigjur pothuaj të gjitha mediave, duke zbutur kuriozitetin e papritur se me operën “Toska” i jep fund karrierës së tij si këngëtar. Arsyeja e tij nuk ka ndonjë komplikacion të tipit të vështirë, por nget thjesht bisedën se do ta mbyllë me një rol, me të cilin nisi karrierën, por që shënon edhe kulmin në jetën e tij: djaloshin revolucionar të Puçinit, Caravadosin – poet, piktor, zëdhënës i atmosferës së idealeve të mëdha franceze.

Sa përkon kjo me një jetë më të thjeshtë si kjo e tenorit Hushi, merr domethënie në kontekste personale: “Dua t’u hap rrugën të rinjve, të talentuarave!” Por me Caravadosin tregon ca lidhje të tjera shpirtërore, si njeriu i dashurisë së madhe, që pikturon, që krijon poezi – e në këtë copëza të vogla ngjet edhe Hushi. Në intervistën e mëposhtme për “Standard”, është krijuar kjo marrëdhënie ndarjeje nga opera, si hyri me Caravadosin e po del nga karriera po me Caravadosin.

 

Ju jeni tenori që këndoi për herë të parë në rolin e Caravados, vepra “Toska” të Puçinit në Opera. Çfarë ka ndryshuar tek ju që nga ai moment? Pse kthehet Hushi?

Asgjë nuk ka ndryshuar, mbetem i pari që kur kam filluar. Por këtë herë është, një farë bilanc i bukur. Kam pasur fatin të performoj, të rritem profesionalisht, të mësoj shumë.

Ka diçka arti: të mendosh se, tani di gjithçka është gjëja më absurde që nuk mund të ndodhë tek një njeri që kërkon gjithë jetën. Arti mbetet një shkollë e hapur, kurrë nuk mbaron. Mund të them se kjo lamtumirë nuk është shkëputje, por një vazhdim shpirtëror I asaj rruge të cilën e nisa në moshën 20-vjeçare.

 

Doni të thoni se kjo është shfaqje e lamtumirës? Arsyeja?

Po është shfaqja e lamtumirës. Do të lë skenën. Arsyet janë të natyrshme, është një udhëtim i gjatë, i lodhshëm. Familja, mbase ka shijuar, po është lodhur, ka kaluar strese pas meje, në lëvizje të vazhdueshme, punë… Gjej momentin ta bëj këtë në Shqipëri, në një mënyrë kaq romantike, kaq të bukur, nën shoqërimin e një muzike hyjnore siç është Puçini dhe në një rol hyjnor, si ky i Caravadosit, që është perfekte. Unë hyra si Caravadosi dhe po dal si Caravadosi.

 

Çfarë madhështie ka Caravadosi, që ka ndërhyrë aq shumë në jetën tuaj, cili është leximi i profilit të tij tek ju?

Është një nga personazhet e mi më të dashur, jo thjesht për faktin se vokalisht më ngjit. Por edhe shpirtërisht. Unë shkruaj ndonjëherë poezi, në kohë të lirë bëj dhe pikturë. Caravadosi është poet, poet i dashurisë. Por edhe piktor, piktori i ngjyrave. Është poet i ngjyrave. Ky piktor, që në një farë mënyrë unë gjej pikturat e mia të vogla në të, ka një dashuri të madhe jo vetëm për të dashurën e tij, por ai është zëdhënës i një shoqërie të avancuar. Është koha e revolucionit francez. Është mes dy idealeve të mëdha; të një bote të re, dhe të një dashurie të madhe. Është një personazh i ngjeshur emocionalisht edhe në misionin e tij, është revolucionar. Është një djalosh 26 vjeçar në kulmin e dashurisë; në këtë kulm jep jetën e tij, për dashurinë, për idealet. Ai bëhet një mesazh i madh për kohën. Nga ana tjetër dua të tërheq vëmendjen edhe për regjisorin Nikolin Gurakuqin. Ndërsa në botë kam punuar me shumë regjisorë, në Shqipëri Nikolini ka qenë regjisor ekskluziv. Fjalët më të mira për të gjithë operën, por Nikolini ka qenë shkolla e regjisurës shqiptare për mua.

 

Karriera juaj si mbyllje me një personazh që është në kulm. Është pak paradoks për ju, si e shikoni këtë realitet kur ju tërhiqeni…? Ju e bëni revolucionin duke e mbyllur karrierën, ka koherencë në gjithë këtë histori?

Ky është revolucion pikërisht për këtë arsye. Unë dua të mbetem në këtë kulm. Unë s’dua të mbetem në kujtesë një Agim Hushi me lavde, me shkëlqim apo një këngëtar që me vështirësi e shtyn veprën. Do përpiqem të bëj maksimumin, siç isha në Itali, me plot fuqi vokale ku këndova 20 arie. Unë dua të mbetem te dashuria e bukur, në kulmin e Caravadosit.

Arti këtë mision ka. Besoj se është zgjidhja e duhur, shpresoj që ky gjest i imi të dëgjohet. Ky mesazh të mos jetë për Agim Hushin, por njerëzit që të hapin rrugën, t’ju lënë hapësirë të tjerëve. Besoj kjo tërheqje është në kohën e duhur, momentin e duhur dhe vendin e duhur.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency