Flet specialisti ligjor / Kush ka të drejtë për përgjimin e deputetëve, SHISH apo komisioni hetimor

0
152

pergjimet e shish

Intervistoi: Erneta Shevroja

Daci: Ja cilat janë institucionet që kanë të drejtë të përgjojnë

Këto ditë, opinioni publik dhe media kanë pasur në qendër të diskutimeve çështjen e përgjimeve në formë indirekte që Shërbimi Informativ Shtetëror sipas raportit të komisionit hetimor u ka bërë ndaj politikanëve kryesorë në vend dhe drejtuesve të medias me ndikim në opinionin publik. Por cila është baza ligjore e një përgjimi? A janë kryer përgjimet bazuar apo në shkelje të ligjit? Specialisti jurist Jordan Daci në një intervistë për gazetën “Standard” shpjegon kuadrin ligjor për përgjimet si edhe zbulon se cilat janë institucionet që kanë të drejtë të përgjojnë. Daci tregon se Shërbimi Informativ Shtetëror, ai i Ushtrisë dhe organi i Prokurorisë kanë ligjshmërinë të përgjojnë, në një kohë që me ndryshimet ligjore në kohën e qeverisë së djathtë, e kanë pasur këtë të drejtë edhe tek institucione të tjera.

 

  1. Në publik ka një pikëpyetje të madhe, së cilës nuk i është dhënë një përgjigje, përgjimet që SHISH ka kryer ndaj zyrtarëve politikë dhe botuesve janë të ligjshme apo kundërligjshme?

 

Duhet nënvizuar fakti që Shërbimi Informativ Shtetëror, ka sigurisht të drejtën të kërkojë nga Prokurori i Përgjithshëm miratimin për të realizuar përgjime i cili kufizohet nga parametrat kushtetues si: ai duhet të bëhet vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve, në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë. Në çdo rast, përgjimi nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave të njeriut dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Po ashtu, përgjimi duhet të bëhet vetëm për të siguruar të dhënat e domosdoshme për realizimin e detyrave ligjore të tij. Kjo do të thotë që për të gjykuar drejt, duhet të dihet saktë arsyeja e përgjimit, personat e përgjuar, procedura e ndjekur dhe fati i materialeve të grumbulluara.

 

Për sa i përket shqetësimit që lidhet me pyetjen tuaj, ne duhet të kemi të qartë në cdo rast se përgjimi si proces, pavarësisht shkaqeve që çojnë në kryerjen e tij, është në thelb një kufizim i të drejtave të njeriut, konkretisht i të drejtës për jetë private dhe ndërlidhet edhe me respektimin e të drejtave të tjera me të cilat e drejta e jetës private ndërlidhet në rrethana të caktuara. Pra përgjimi përbën kufizim sipas nenit 17 të Kushtetutës dhe mund të bëhet vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë. Pra do të thotë që përgjimi duhet të justifikohet rast pas rasti nga nevojat konkrete që i paraqiten organit që kërkon dhe atij që miraton atë.

 

Sipas ligjit në RSH ka 2 lloje përgjimi: 1. Përgjim siç quhet ndryshe parandalues që bëhet nga Shërbimi Informativ Shtetëror, shërbimet informative/policore te Ministrisë se Rendit Publik dhe te Ministrisë së Mbrojtjes, të Ministrisë së Financave dhe të Ministrisë së Drejtësisë, si dhe çdo shërbim tjetër informativ/policor, i krijuar me ligj, që kanë të drejtën të kërkojnë përgjimin, për të siguruar te dhënat e domosdoshme për realizimin e detyrave te tyre ligjore; 2. Përgjimi i bërë në kuadër të një hetimi penal sipas Kodit të Procedurës Penale i cili lejohet me vendim gjykate ose me vendim prokurori për përgjimin në ambiente publike.

 

Në çdo rast është detyrë e shërbimit informativ dhe e çdo organi tjetër që kur të bëjë kërkesën tek Prokurori i Përgjithshëm të arsyetojë autorizimin e përgjimit sipas ligjit Nr. 9157, datë 04.12.2003 “Për përgjimin e telekomunikimeve” i ndryshuar dhe Neneve 221-226 të Kodit të Procedurës Penale rregullojnë procedurat dhe përcaktojnë kriteret e realizimit të përgjimit në kuadër të procesit penal. Pra nëse realizimi i këtyre përgjimeve është bërë në shkelje të kërkesave ligjore që parashikojnë dispozitat në fjalë, ai vlerësohet si i paligjshëm. Sigurisht, për të arritur në një përfundim të tillë, duhet të njihet të gjithë aspektet që përbëjnë thelbin e kërkesave ligjore. Sidoqoftë, pavarësisht mosnjohjes së këtyre detajeve, nëse përgjimi do të ishte masiv, pra i një numri të madh subjektesh dhe pa shumë lidhje organike midis veprimtarive të tyre, ky fakt mjafton për ta bërë atë të paligjshëm pasi është logjikisht e pamundur për të arsyetuar realizimin e përgjimeve masive sepse natyra e veprimeve që janë objekt i punës së shërbimit e përjashton përfshirjen e shumë subjekteve njëkohësisht dhe aq me pak të grupeve të tilla si zyrtarë politik, botues etj. Arsyetimi i përgjimit në këto raste, përveç problemit të justifikimit të përgjimit, do të ngrinte probleme serioze të mos veprimit të ligjit ndaj këtyre subjekteve të cilat ose do të ishin subjekte të një përgjimi të paligjshëm ose autor të veprimeve kriminale. Pra organi kërkues dhe autorizues duhet të justifikoj si përgjimin ashtu edhe mosveprimin e ligjit ndaj personave në fjalë nëse pretendon që përgjimi ishte i justifikuar.

 

  1. Mes të përgjuarve janë dhe politikan me imunitet që janë përgjuar duke folur me persona të tjerë që kanë qenë objekt përgjimi, si veprohet në këtë rast?

 

Përgjimi i personave me imunitet është shkelje e hapur e nenit 73 të Kushtetutës së RSH dhe e neneve 288, 289 të K.Pr.P, si dhe e nenit 6 të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998 “Për shërbimin informative shtetëror”, i ndryshuar. Konkretisht, neni 6 përcakton ndër të tjera që“ndalohet përdorimi i këtyre procedurave ndaj deputetëve të Kuvendit Popullor, pa marrë më parë autorizimin me shkrim nga Kryetari i Kuvendit Popullor dhe ndaj anëtarëve të Këshillit të Ministrave, pa marrë më parë autorizimin me shkrim nga Kryetari i Këshillit të Ministrave”.

 

Kjo vlen edhe për përgjimin parandalues që realizohet sipas ligjit Nr. 9157, datë 04.12.2003 “Për përgjimin e telekomunikimeve” i ndryshuar. Kjo për arsye se ligji në fjalë nuk përmban rregulla mbi kufizimet e rrethit të personave që mund të jenë objekt i përgjimit, por një gjë e tillë del nga kuptimi i nenit 73 të Kushtetutës së RSH dhe e neneve 288, 289 të K.Pr.P., si dhe 6 të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998 “Për shërbimin informative shtetëror”, i ndryshuar. Garancia për të mos ju nënshtruar përgjimit është pjesë thelbësore e imunitetit të deputetit apo personave të tjerë që sipas Kushtetutës gëzojnë imunitet si Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe organet e tjera që parashikon kushtetuta. Ky përfundim është absolut dhe i padiskutueshëm. Megjithatë, ligji dhe praktika nuk parashikojnë rregulla sesi veprohet kur personat me imunitet komunikojnë me personat subjekte të përgjimit si parandalues ashtu edhe atij në kuadër të procesit penal. Neni 221/4 i K.Pr.P, parashikon se “Rezultati i përgjimit është i vlefshëm për të gjithë komunikuesit”. Pra edhe për ato për të cilët nuk është kërkuar leje. Logjikisht dhe bazuar në rregullat e K.Pr.P., dhe ato ligjore të tjera, kjo nënkupton që përsa kohë biseda e zhvilluar nuk ka lidhje me arsyet e realizimit të përgjimit, atëherë përgjimi duhet të ndërpritet menjëherë në kuadër të këtij komunikimi. Po ashtu, rezultati i këtij përgjimi duhet të asgjësohet menjëherë pra për ta bërë atë të paqenë. Në rast se rezulton që personi me imunitet është i përfshirë në veprimtarinë objekt hetimi, atëherë procedohet menjëherë me marrjen e autorizimit sipas ligji, por kurrsesi përgjimi nuk mund të vazhdojë me përfshirjen e personit që ka imunitet përsa kohë nuk është marrë leja nga organi përkatës i caktuar nga ligji.

 

 

  1. Si është procedura e përgjimeve nga Shërbimi Informativ Shtetëror, kur një individ përgjohet, në çfarë kushtesh dhe cilat janë hallkat që kalon procedura për të arritur deri tek leja për ta përgjuar një person të caktuar?

 

Duhet theksuar që SHISH është organ informativ në funksion të sigurimit kombëtar, që vepron në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Shqipërisë. Ky shërbim, siguron informacionin e domosdoshëm nga zbulimi dhe kundërzbulimi për problemet që lidhen me sigurimin kombëtar. SHISH e zhvillon veprimtarinë e vet duke përdorur mënyra dhe mjete të ligjshme.

 

Shërbimi Informativ Shtetëror e ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me procedurat e hartuara nga Kryetari dhe të miratuara nga Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë. Prokurori i Përgjithshëm ka të drejtë të ushtrojë kontroll mbi zbatimin e këtyre procedurave. Përgjimi që realizon SHISH përcaktohet pikërisht në nenin 6 të ligjit organik të tij (Ligji nr. 8391, datë 28.10.1998 “Për shërbimin informative shtetëror”, i ndryshuar.) dhe në Ligjin Nr. 9157, datë 04.12.2003 “Për përgjimin e telekomunikimeve” i ndryshuar. Për të realizuar përgjimin, SHISH kërkon lejen nga Prokurori i Përgjithshëm. Kërkesa për përgjim nga SHISH (dhe organet e tjera) hartohet ne dy kopje, një kopje e se cilës depozitohet pranë Prokurorit te Përgjithshëm dhe një e mban vete institucioni. Prokurori i përgjithshëm mund të refuzojë ose miratojë kërkesën. Miratimi bëhet me vendim me shkrim, nga Prokurori i Përgjithshëm ose prokurori i autorizuar prej tij, ne mungese te Prokurorit te Përgjithshëm. Vendimi hartohet ne tri kopje. Një kopje e vendimit qe miraton kërkesën, mbahet ne bërthamën komanduese elektronike te Prokurorisë, një e mban Sektori i Përgjimeve ne SHISH dhe një kopje institucioni qe ka bere kërkesën. Vendimet e përgjimit janë te vlefshme për komunikime nëpërmjet pajisjeve te telekomunikacionit brenda territorit te Republikës se Shqipërisë ose jashtë saj, kur ka marrëveshje dypalëshe.

Të gjitha vendimet e përgjimit janë te vlefshme për një periudhe deri ne tre muaj. Për çdo zgjatje te këtij afati, institucioni shtetëror informativ i paraqet Prokurorit te Përgjithshëm një kërkesë se bashku me materialin e deriatëhershëm te zbardhur. Çdo zgjatje afati nuk mund te jete me tepër se tre muaj. Nëse ndodh një ndryshim, qe çon ne përfundimin se përgjimi nuk është me i nevojshëm ose praktik për t’u zbatuar, atëherë, me kërkesë me shkrim te institucionit shtetëror informativ ose me nismën e Prokurorit te Përgjithshëm, vendimi revokohet. Me rezultatet e përgjimit ka të drejtë të njihet vetëm Prokurori i Përgjithshëm, drejtuesi i institucionit qe ka kërkuar përgjimin, me rezultatet e përgjimit si gjate afatit te përgjimit, ashtu edhe pas përfundimit te tij. Ndërsa, me rezultatet e përgjimit njihet vetëm drejtuesi i institucionit shtetëror informativ qe ka kërkuar përgjimin. Nxjerrja e informacionit mbi përgjimet e realizuara jashtë rrethit të këtyre personave është vepër penale sipas K. Penal dhe kjo do të thotë që fakti që kjo veprimtari përfolët, do të thotë që ka persona të cilët kanë kryer veprën penale të nxjerrjes së rezultatit të përgjimit.

 

  1. Cilët janë përgjegjës dhe çfarë masash ndëshkimi parashikohen në rast se do të rezultojë që përgjimet bien ndesh me ligjin?

 

Personat që mund të kryejnë vepra penale që lidhen me veprimtarinë e përgjimit janë, zyrtarët e SHISH ose Prokurorisë apo shërbimeve të tjera të autorizuara që kryejnë përgjime pa miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm ose vendim Gjykate ose jashtë kritereve ligjore. Ndërkohë, personat që miratojnë kërkesat jashtë kritereve ligjore mund të jenë subjekt i veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” etj.

Subjektet që nxjerrin rezultatin e përgjimit, apo kryejnë përgjim në shkelje të ligjit, mund të jetë subjekte të një apo disa veprave penale njëkohësisht, në varësi të rrethanave. Konkretisht ato mund të jenë subjekte të veprave penale si: “Ndërhyrje të padrejtë në jetën private” të parashikuar nga neni 121 i K.P. që dënohet me gjobë ose më burgim gjer në dy vjet; “Përhapja e sekreteve vetjake”, të parashikuar nga nenit 122 i K.P. që dënohet me gjobë ose burgim gjer në dy vjet, “Pengimi ose shkelja e fshehtësisë së korrespondencës” të parashikuar nga neni 123 i K.P., që dënohet me gjobë ose burgim gjer në dy vjet; “Zbulimi i Sekretit nga shtetasit” dhe “Zbulimi i akteve ose i të dhënave sekrete” të parashikuara nga nenet 295 dhe 295/a të K.P. që parashikojnë dënime nga gjoba dhe burgim gjer në 2 vjet, në gjobë ose burgim deri në 5, 3, 6 ose 8 vjet burgim.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency