Si llogaritet nga shteti taksa që paguhet për qiratë

0
1322

–   Formula e ka thjeshtëzuar dhe unifikuar çmimin e qirave në rastin e lokaleve, zyrave, bodrumeve, garazheve dhe parkimeve. Ja ç’duhet të dimë para se të marrim një objekt me qira

 

Ervin Kaduku

 

 

Tatimet kanë vendosur një formulë për llogaritjen e çmimit dysheme për qiratë e dyqaneve, zyrave, garazheve dhe bodrumeve. Kjo shërben si referencë për shtetin, në rastin e llogaritjse së taksave për çmimet e dhënies me qira të objekteve.

Në këtë fushë, administrate tatimore vepron sipas vendimit “Për përcaktimin e vlerës minimale të çmimit të referencave të qirave të ndërtesave për qëllime tatimore”, që ve në dukje se, në asnjë rast, vlera e dhënies me qira të ndërtesës nuk do të jetë më e vogël se vlera minimale e qirasë, e përcaktuar në këtë formulë. Kjo mënyrë llogaritjeje e qirave ka për bazë një udhëzim tjetër të qeverisë, atë mbi çmimin e referencës së shitjes së apartamenteve. Çmimi dysheme, për metër katror sipërfaqe ndërtese të dhënë me qira, është i barabartë me 0.3 për qind të çmimit të shitjes së saj, e përcaktuar në udhëzimin e Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave, nga Enti Kombëtar i Banesave”, që miratohet çdo vit.

 

Dyqanet

Për çmimin e dhënies me qira të ndërtesave që nuk janë apartamente banimi, në qytetin e Tiranës, vlera minimale mujore, për 1 m² sipërfaqe ndërtimi, përcaktohet sipas zonave. Sipas vendimit, për 1m² sipërfaqe për dyqan mallrash apo shërbimesh, vlera minimale e qirasë mujore është dy herë më e lartë se vlera minimale e qirasë mujore për 1 m² sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës. Ndërsa për dhënien me qira të ndërtesave që nuk janë apartamente banimi, në qytete të tjera, vlera minimale e qirasë mujore, për 1 m² sipërfaqe ndërtimi, përcaktohet me një koeficient më të ulët. Kështu, për 1 m² sipërfaqe për dyqan mallrash apo shërbimesh, vlera minimale e qirasë mujore është 1.5 herë më e lartë se vlera minimale e qirasë mujore për 1 m² sipërfaqe të apartamenteve të banimit.

 

Garazhet

Lloji i objektit më i përhapur për dhënie me qira, sipas Tatimeve, është garazhi. Sipas vendimit të qeverisë, për 1 m² sipërfaqe për garazh të mbuluar, vlera minimale e qirasë mujore është 70 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1 m² sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të kryeqytetit. Edhe llogaritja e qirasë së këtij objekti në rrethe nuk ndryshon. Për 1 m² sipërfaqe për garazh të mbuluar, vlera minimale e qirasë mujore është 70 për qind e çmimit minimal të qirasë mujore për 1 m² sipërfaqe të apartamenteve të banimit në atë qytet.

 

Zyrat dhe magazinat

Për 1 m² sipërfaqe për zyrë dhe magazinë, vlera minimale e qirasë mujore është e barabartë me vlerën minimale të qirasë mujore për 1 m² sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas rajonit të Tiranës ku gjendet objekti. Po kështu, edhe në rrethe përdoret e njëjta formulë.

 

Bodrumet

Tatimet i kanë futur këto objekte në listën e referencës, sipas së cilës, për 1 m² sipërfaqe bodrumi, vlera minimale e qirasë mujore është 70 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1 m² të apartamenteve të banimit, në varësi të zonës së kryeqytetit apo të rrethit ku ndodhet.

 

Parkimi

Edhe për parkimin e hapur paguhet tatimi mbi të ardhurat në burim. Sipas vendimit, për 1 m² sipërfaqe parkim të hapur, vlera minimale e qirasë mujore është 30 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1 m² sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës apo qytetit ku zhvillohet aktiviteti.

 

Pallatet e vjetra

Çmimi llogaritet më i ulët për objektet me qira të dhëna në pallate të vjetra. Sipas vendimit, për 1 m² sipërfaqe të ndërtesave të privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, vlera minimale e qirasë mujore është 70 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1 m² sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës apo qyteteve ku ndodhet banesa.

 

Noterët

Janë noterët që duhet të dërgojnë në Drejtoritë Rajonale Tatimore, listën e kontratave të qirave në fuqi, të lidhura ndërmjet personave të ndryshëm, çdo muaj.

 

Vlerat

Minimalja e lejueshme për qiranë e lokaleve në ish-Bllokun e Tiranës për efekt tatimi është 1.140 lekë/m². Ndërkaq, vlera e qirasë për një garazh të nëndheshëm në këtë zonë llogaritet nga shteti jo më pak se 399 lekë/m². Po kaq konsiderohet edhe çmimi dysheme për një bodrum të dhënë me qira në një nga ndërtesat e vendosura në ish-Bllok. Kurse qiraja e një zyre përllogaritet duke marrë si dysheme vlerën e barabartë me qiranë mesatare mujore të një apartamenti banimi në këtë zonë, që është 570 lekë/m². I njëjti çmim pranohet edhe për magazinat e dhëna me qira në këtë zonë. Edhe parkimi kushton shumë në zonën e ish-Bllokut. Për parkimin e hapur, vlera referencë minimale mujore është 171 lekë/m².

Kurse në zonat periferike të Tiranës, ku infrastruktura është zakonisht e nivelit të dobët, qiraja është më e ulët, bazuar edhe në vlerat e shitjes së apartamenteve në këto zona. Kështu, një dyqan në periferi e ka, sipas shtetit, minimalisht qiranë 360 lekë/m². Të njëjtën dysheme ka qiraja edhe për magazinat dhe zyrat në këto rajone. Ndërsa vlera e qirasë së një garazhi në një ndërtesë larg qendrës së Tiranës minimalisht është 126 lekë/m² në muaj. Po ashtu, këtë vlerë dysheme kanë edhe qiraja për një bodrum në periferi. Më lirë është edhe parkimi në periferi. Sipas tabelës së referencës, parkimi i hapur e ka qiranë mujore 54 lekë/m².

Çmime jo shumë të larta për qiranë llogariten edhe për njësitë bashkiake, që tashmë janë bërë pjesë e Bashkisë së Tiranës. Kështu, një lokal në zonën e Kasharit përllogaritet me qiranë mujore minimale 3.150 lekë/m². Ndërsa një dyqan në zonën e Dajtit e ka qiranë jo më pak se 3.180 lekë/m². Më të larta janë qiratë për zonën e Farkës. Një lokal në këtë zonë rezidenciale, sipas Tatimeve, e ka qiranë minimale 3.870 lekë/m².

Durrësi është qyteti që klasifikohet i dyti pas Tiranës për qiranë më të lartë të lokaleve dhe objekteve të tjera tregtare. Një lokal në qytetin e Durrësit e ka qiranë mesatare mujore minimale 322 lekë/m². Ndërsa një zyrë e dhënë me qira e ka pagesën mujore 210 lekë/m². Po kaq është qiraja minimale për një magazinë me qira në qytetin bregdetar. Ndërsa pagesa mujore për një garazh me qira është mesatarisht 147 lekë/m².

E treta, në shtrenjtësinë e qirave për lokalet, është Vlora. Sipas përllogaritjeve, qiraja minimale për një dyqan në Vlorë është 287 lekë/m². Ndërsa, zyrat dhe magazinat në Vlorë, duhet ta kenë qiranë minimalisht 184 lekë/m². Për garazhet dhe bodrumet, në Vlorë qiraja minimale llogaritet 129 lekë/m². Pas Vlorës renditet Shkodra, ku qiraja mesatare për një lokal e ka dyshemenë 258 lekë/m². Fieri e ka qiranë minimale mujore të dyqaneve 238 lekë/m². Menjëherë pas Fierit renditet Kamza. Në këtë bashki, qiraja minimale e lokaleve llogaritet në 232 lekë/m² në muaj.

Qiraja më e ulët vlerësohet për lokalet në Bashkinë e Fushë-Arrëzit, 34 lekë/m².

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here