Vendimi/ Dorëzojnë mandatin 4 ministra, ja emrat e deputetëve të rinj

0
152

mbledhje qeverieKatër ministrat e kabinetit të qeverisë “Rama” dorëzuan dje mandatin e deputetit. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ai i Financave, Shkëlqim Cani, i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, dorëzuan dje në Kuvend kërkesat e tyre për të lënë mandatet. Ndarja e funksioneve të ministrit dhe të deputetit ishte një premtim elektoral i të majtëve që nisi të zbatohej në muajin dhjetor. Për të mos humbur shumicën në Kuvend, mandatet u dorëzuan në grupe. Shtatë të parët që dorëzuan mandatet ishin Ilirjan Celibashi, Eglantina Gjermeni, Klajda Gjosha, Edmond Haxhinasto, Nasip Naço, Erion Veliaj dhe Milena Harito. Pas zëvendësimit të tyre, radha i takoi Mimi Kodhelit, Lindita Nikollës, Arben Ahmetajt dhe Ilir Beqes. Ndërsa ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, dhe ai për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, nuk kanë një mandat parlamentar. E ndërsa dje radhës së ministrave pa mandate deputeti iu shtuan dhe 4 të tjerë, ku mandati i Saimir Tahirit i kalon Erjeta Allhysës, ai i Ditmir Bushatit i kalon Ervin Bushatit. Këto, sipas përllogaritjeve që KQZ ka ndjekur për zëvendësimin e mandateve dhe për ministrat e tjerë, të cilët më herët kanë dorëzuar mandatin. Ndërkaq, mandati i Shkëlqim Canit i kalon Ezmerina Hoxhës pasi pavarësisht se në listë i treti është Hasan Ceni, ai nuk e përfiton mandatin, pasi ky qark është gjobitur kohë më parë nga KQZ për mosrespektim të kuotës prej 30% për kandidatet femra, sikundër dhe subjektet e tjera zgjedhore. Sa i takon zëvendësimit të mandatit të Damian Gjinkurit edhe ai i shkon një femre. Ajo është Luljeta Arapi, pavarësisht se në listë kandidati mashkull pasues pas Musa Ulqinit është Arben Kamani. Pasi dorëzimi i mandateve të kalojë në procedurat parlamentare dhe në Këshillin e Mandateve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i zëvendësojë me emrat pasues në listën e Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit parlamentare.

 

 Portretet e Enverit/ Berisha: Ky, viti i rehabilitimit për diktatorin Hoxha, duhet një 20 shkurt i dytë

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, reagoi dje ndaj shfaqjes së ripërsëritur të portretit të diktatorit Enver Hoxha në Gjirokastër, duke e cilësuar vitin e parë të mazhorancës si vitin e rehabilitimit të figurës së tij. “Viti i parë i qeverisjes së Edvin Kristaq Ramës është dhe viti i procesit të rehabilitimit të diktatorit më mizor të historisë sonë kombëtare, Enver Hoxhës dhe bllokmenëve të tjerë, të cilët për 45 vjet me radhë vendosën në Shqipëri, pas Luftës, regjimin më barbar të Evropës, regjimin diktatorial më monist të historisë, regjimin e: ndalimit me Kushtetutë të pluralizmit politik, fetar dhe pronësor, shtypjes më mizore, të ekzekutimit me gjyqe dhe pa gjyqe, me skuadra pushkatimi, tortura, uri, sëmundje në burgjet dhe kampet e përqendrimit të dhjetëra e mijëra qytetareve të pafajshëm. Viktimat e dhunës dhe terrorit politik të Hoxhës janë dyfishi i të gjitha viktimave të vendeve ish-komuniste, pa Bashkimin Sovjetik si edhe izolimit më të thellë, shkëputjes së Shqipërisë nga miqtë natyral dhe renditja e saj me armiqtë e kombit shqiptar”, – pohoi Berisha. Më tej, ai deklaroi se siparin e rehabilitimit të figurës së Hoxhës e hapi Kryeministri, duke futur, sipas tij, në protokollin e shtetit në festën kombëtare, fotot e diktatorit dhe duke i shpërndarë me pas ato anekënd planetit me rrjetin “FB”. “Më pas e vazhduan ministrat e tij, duke u përkulur në ceremoni të ndryshme para fotos së diktatorit barbar. Rehabilitimi i Hoxhës përdhosi Pezën dhe Gjirokastrën dhe mbarë kombin gjatë parakalimit në sheshet e tyre para ministrave të qeverisë me portretet e Enver Hoxhës, Hitlerit të Shqipërisë së pasluftës. Ky kulmim vjen si një sfide e kobshme ndaj mbarë kombit në prag të vizitës së Atit të Shenjtë në Shqipëri, i cili shpalli botërisht si një nga shkaqet e saj nderimin e vuajtjeve të mëdha të shqiptarëve në tërësi dhe klerit të besimeve fetar në veçanti gjatë regjimit të etërve mizor të neobllokmenëve të sotëm”, – u shpreh deputeti i PD-së.

 

Mesha tek “Nënë Tereza”/ Ambasada amerikane: Tregoni kujdes

Duke iu referuar parashikimeve se rreth 500 mijë persona do të marrin pjesë në meshën që Papa Francesku do të mbajë ditën e nesërme në sheshin “Nënë Tereza”, Ambasada e SHBA në Tiranë u bëri thirrje gjithë shtetasve amerikane të tregojnë kujdes. Pavarësisht masave të ndërmarra nga autoritetet shqiptare, ambasada amerikane i referohet edhe shqetësimeve të ngritura për kërcënime ndaj vizitës së Papës, duke theksuar se nëse shtetasit amerikane zgjedhin të ndjekin meshën nga sheshi, të tregohen vigjilentë për t’u larguar në rast rreziku. Në njoftimin e ambasadës theksohet edhe kufizimi i lëvizjes së mjeteve dhe parkimit, në mënyrë që shtetasit amerikane në Shqipëri të marrin masat e nevojshme.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency