Vizita e Papa Françeskut/ Nesër, ndalim qarkullimi në Tiranë, 2500 policë për sigurinë e Papës

0
139

bulevardi papaPlan i posaçëm masash me detyra konkrete për strukturat e policisë dhe institucionet me përgjegjësi konkrete për sigurinë e vizitës së kreut të Vatikanit

Policia e Shtetit bën me dije për publikun se do të ketë kontrolle të shtuara policore në të gjitha segmentet rrugore, si dhe në të gjitha pikat hyrëse në kryeqytet. Në zonën ku do të zhvillohen veprimtaritë e parashikuara në axhendën e vizitës, masat e sigurisë dhe prania e punonjësve të Policisë së Shtetit, me uniformë dhe civilë, do të jetë maksimale

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë bërë të ditur dje se janë marrë të gjitha masat për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së veprimtarive të programuara në kuadër të vizitës së Papa Françeskut në Tiranë. Në funksion të kësaj, mësohet se në zbatim të urdhrit të Kryeministrit është ngarkuar ministri i Punëve të Brendshme, me detyrën e organizimit dhe bashkërendimit të punës së të gjitha institucioneve të përfshira për marrjen e masave të sigurisë gjatë veprimtarive që do të zhvillohen me rastin e vizitës së Papës në Shqipëri. Nga ana e tij, në zbatim të këtij urdhri, ministri i Punëve të Brendshme ka caktuar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë si drejtues të operacionit për sigurinë e vizitës së Papës. Ndërkohë, mësohet se është ngritur edhe një grup pune për sigurinë e Papës, që përfshin të gjitha institucionet që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë në zbatimin e këtyre masave, të cilat janë Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ Shtetëror, Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Garda e Republikës dhe Drejtoria Përgjithshme e Emergjencave Civile.

 

Plani i masave

Një plan i posaçëm masash me detyra konkrete është hartuar e vënë në zbatim për të gjitha strukturat e policisë dhe të gjitha institucionet e përfshira me përgjegjësi konkrete për sigurinë e vizitës së Papës në Shqipëri.

Si pjesë e këtij plani, mësohet se Policia e Shtetit do të kalojë në gatishmëri të përforcuar në të gjithë vendin, ndërkohë që 2500 forca policore do të jenë të angazhuara me detyra konkrete për të siguruar mbarëvajtjen e të gjitha veprimtarive të planifikuara. Janë marrë masa të gjithanshme, duke nisur nga pikat e kalimit kufitar e deri në brendësi të territorit.

Policia e Shtetit bën me dije për publikun se do të ketë kontrolle të shtuara policore në të gjitha segmentet rrugore, si dhe në të gjitha pikat hyrëse në kryeqytet. Në zonën ku do të zhvillohen veprimtaritë e parashikuara në axhendën e vizitës, masat e sigurisë dhe prania e punonjësve të Policisë së Shtetit, me uniformë dhe civilë, do të jetë maksimale.

Si pjese e këtyre masave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit u kërkon të gjithë qytetarëve të kufizojnë në maksimumin e mundshëm lëvizjet me automjetet e tyre në të gjitha segmentet rrugore të qytetit të Tiranës, si dhe segmentet që lidhin kryeqytetin me zonat përreth tij gjatë ditës së vizitës së Papës. Policia do të jetë në gatishmëri të plotë për të shoqëruar të gjitha autoambulancat në rastet e emergjencave shëndetësore.

 

Qarkullimi i automjeteve

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit bëjnë të ditur se nuk do të lejohet qarkullimi në të gjitha segmentet rrugore të Tiranës i automjeteve të tonazhit të rëndë mbi 7.5 tonë, pasi krijojnë vështirësi në qarkullim. Automjetet e mbyllura, mjete të transportit të mallrave me karroceri të mbyllur do t’u nënshtrohen kontrolleve policore në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa drejtuesit e tyre do të shoqërohen në polici, nëse konstatohet lëvizja e tyre pa objekt të përcaktuar.

 

Automjetet me pelegrinë

Autobusët që do të sjellin pelegrinët nga Veriu i Shqipërisë, do të devijojnë lëvizjen te sheshi “Shqiponja” përmes Unazës së Re, duke kaluar te Rruga e Kavajës drejt kryqëzimit te “21 Dhjetori”, ku do të zbresin pelegrinët. Më pas, parkimi i autobusëve do të bëhet në Unazën e Re.

Autobusët që do të sjellin pelegrinët nga Jugu i Shqipërisë, do të qarkullojnë përmes segmentit Plepa- Ndroq-Kombinat, duke kaluar tek Rruga e Kavajës drejt kryqëzimit tek “21 Dhjetori ku do të zbresin pelegrinët. Më pas, parkimi i autobusëve do të bëhet në Unazën e Re.

Autobusët që do të sjellin pelegrinët nga Juglindja e vendit, do të kalojnë përmes Unazës së Madhe dhe më pas tek Kopshti Zoologjik do të bëhet zbritja e pelegrinëve dhe njëkohësisht parkimi i autobusëve.

Për automjetet me të cilat do të bëhet transporti i personave me aftësi të kufizuar pjesëmarrës në aktivitete, parkimi i tyre do të bëhet te Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë.

Lëvizja e autobusëve me pelegrinë do të lejohet deri në orën 08:00. Pas orës 08:00 asnjë autobus nuk do të lejohet të hyjë në qytet, sqaron Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit.

 

Lëvizja e qytetarëve

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit bëjnë të ditur se në të gjithë perimetrin që rrethon sheshin “Skënderbej”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshin “Nënë Tereza”, janë vendosur 27 pika kontrolli, ku do të realizohet kontrolli i të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni me detektor metalesh, lëndësh eksplozive dhe pajisjesh të tjera speciale për kontroll e mbikëqyrje.

Me këtë rast, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit u bëjnë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni që të kalojnë përmes këtyre pikave të kontrollit. Nëse tentojnë të kalojnë jashtë këtyre pikave, do të shoqërohen në komisariatet e policisë.

Personat që do të marrin pjesë në ceremoni me ftesa, bashkëngjitur ftesës duhet të kenë edhe kartën e identitetit. Nga ana e policisë do të bëhet kontrolli me listat përkatëse në pikat e kontrollit dhe nuk do të lejohen personat që nuk kanë kartat e identitetit. Personat që kanë ftesë, por nuk do të figurojnë në listat që ka Garda apo Policia e Shtetit në pikat e kontrollit, do të shoqërohen në mjediset policore.

 

 Lëvizja e automjeteve

 Ndalim qarkullimi

Nga ora 20:30 e datës 20.9.2014 deri në orën 19:00 të datës 21.9.2014 në sheshin “Nënë Tereza” (i kufizuar me rrugët “Skerdilajd Llagami” dhe “Abdyl Frashëri”).

Nga ora 06:00 – 19:00 të datës 21.9.2014 në të gjitha rrugëkalimet që të çojnë drejt Sheshi “Nënë Tereza”, Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshit “Skënderbej”.

Nga ora 08:00 – 10:30 të datës 21.9.2014, aksi rrugor në drejtim të Rinasit.

Nga ora 17:00 – 19:00 të datës 21.9.2014, të gjitha akset rrugore në drejtim fshatit Bubq.

Nga ora 17:00 – 20:30 të datës 21.9.2014, aksi Bubq – Rinas.

 

Ndalim parkimi

Nga ora 12:00 e datës 20.9.2014 e deri në ora 20:00 të datës 21.9.2014 në segmentet rrugore:

o  Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”

o  Bulevardi “Zogu I”

o  Bulevardi “Zhan D’Ark”

o  Bulevardi “Gjergj Fishta”

o  Rruga e Durrësit (nga mbikalimi i Kamzës – sheshi “Shqiponja” – sheshi “Skënderbej”)

o  Rruga e Elbasanit

o  Rruga e Kavajës

o  Rruga “Abdyl Frashëri”

o  Rruga “Sulejman Delvina”

o  Rruga “Muhamet Gjollesha”

o  Rruga “Ibrahim Rrugova”

o  Rruga e Dibrës

o  Segmenti Unaza e Re – sheshi “Shqiponja” – Ura te Shkolla Teknologjike – Rruga e Kavajës.

 

Këshilla për qytetarët që do të marrin pjesë në ceremoni

o Qytetarët që do të marrin pjesë në ceremoni të shmangin veshjet e rënda, pasi nga policia do të ketë kontrolle trupore.

o Nuk duhet të kenë me vete çanta shpine apo valixhe të ndryshme.

o Të mos mbajnë sende të forta apo objekte të tjera, që mund të jenë të dyshimta për forcat e policisë.

o Nuk do të lejohet mbajtja e shisheve të qelqit. Rekomandohet përdorimi i shisheve plastike për ujë apo pije të tjera freskuese.

o Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit ftojnë të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e përpjekjes së përbashkët për të garantuar siguri maksimale për vizitën e Papës, duke telefonuar policinë në numrin 129 për të gjitha rastet kur ata do të konstatojnë diçka të dyshimtë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency