SHBA, sërish sulme kundër ISIS në Irak

0
132

avion luftarakShtetet e Bashkuara kanë kryer sulme të reja kundër militantëve të ISIS në Irak. Avionë ushtarakë amerikanë, sipas CNN, kanë kryer një seri sulmesh ajrore, 4 prej të cilëve në afërsi të Bagdadit, në kuadër të angazhimit të Uashingtonit për të luftuar xhihadistët.

Presidenti Barack Obama ka mbledhur në Shtëpinë e Bardhë ekipin e tij për sigurinë kombëtare, për një azhurnim mbi kërcënimin që kanoset nga qytetarët amerikanë që luftojnë përkrah xhihadistëve në Irak dhe Siri, si dhe për të bërë një përmbledhje mbi strategjinë e hartuar për të luftuar rrezikun në fjalë. Pikërisht të mërkurën u transmetua një video e re kërcënuese nga ISIS dhe një postim ku u bëhet thirrje “ujqërve të vetmuar” për të kryer atentate në Amerikë me bomba artizanale.

Presidenti Obama do të ushtrojë kontroll të plotë mbi sulmet ajrore në Siri, me krerët ushtarakë që do t’u duhet të marrin autorizimin e tij. Kështu shkruan “Wall Street Journal”, që citon burime të administratës amerikane, që raportojnë për përfundimet e takimit që Obama ka pasur në Florida me gjeneralët e Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara.

Sipas burimeve, kërkesat për të kryer sulme në Siri do të jenë shumë më të kufizuara krahasuar me lejet që janë dhënë e po jepen për të kryer sulme në Irak. E gjitha kjo, për të kufizuar rrezikun që Shtetet e Bashkuara të përfshihen më tej në luftën civile siriane, saktësojnë më tej burimet. Megjithatë, për momentin presidenti amerikan nuk ka dhënë ende dritën jeshile për nisjen e sulmeve ajrore në Siri dhe për angazhimin e trupave tokësore, edhe pse gjeneralët vlerësojnë se në disa raste është e nevojshme aktivizimi i tyre.

Ndërkohë, presidenti iranian Hassan Rouhani e ka cilësuar si “qesharak” planin e SHBA për të udhëhequr koalicionin ndërkombëtar kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik. Në një intervistë për NBC, Rouhani ka kritikuar konkretisht planin e presidentit Obama për të luftuar militantët e ISIS vetëm përmes sulmeve ajrore. “Amerikanët druhen se do të shkaktojnë viktima në Irak? Ndoshta sulmet ajrore janë të nevojshme në disa rrethana, por duhet të bëhen vetëm me lejen e njerëzve të atij vendi”, – ka thënë Rouhani.

 

Franca, gati për sulme ajrore në Irak

Presidenti francez, François Hollande, ka bërë të ditur se ka rënë dakord ndaj kërkesës së qeverisë irakiane për më shumë mbështetje ajrore, për forcat që po luftojnë ndaj grupit xhihadist të Shtetit Islamik. Hollande u tha reporterëve se sulmet ajrore franceze do të shënjestrojnë vetëm pozicionet e grupit xhihadist në Irak dhe nuk do të hyjë në territorin e vendit fqinj, Sirisë. Ai këmbënguli gjithashtu se nuk do të dërgojë forca tokësore në terren. Franca aktualisht po kryen fluturime zbulimi dhe po ofron ndihma në armatime për luftëtarët kurdë

 

SHBA, Hagel: Ushtria gati për të goditur në Siri

Lidershipi më i lartë ushtarak në SHBA ka miratuar planin për të sulmuar edhe shënjestrat e ISIS brenda Sirisë, gjë që Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, e ka deklaruar përpara një paneli të Dhomës së Përfaqësuesve gjatë ditës së djeshme. Hagel tha se Presidenti Obama është njoftuar mbi këto plane, të miratuara nga vet Hagel dhe kreu i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, gjatë vizitës së tij në Komandën Qendrore ditën e mërkurë. Megjithatë, nga sa ka mësuar CNN, Obama nuk i ka nënshkruar ende këto plane. Ndërkohë që ISIS vazhdon të përhapë regjimin islamik radikal në Siri dhe Irak, një sërë ligjvënësish amerikanë po debatojnë se cila është rruga më e mirë për t’i ndalur ata.

 

 Një tjetër britanik në duart e ISIS: Po fshihet e vërteta

Në internet ka nisur të qarkullojë një video e re që tregon një tjetër shtetas britanik që besohet se mbahet peng nga militantët e ISIS. ISIS ka ekzekutuar me prerje koke dy amerikanë dhe një britanik deri më tani dhe kërcënon me ekzekutimin e Alan Hanning, një tjetër britanik që shfaqet në fund të videos së ekzekutimit të David Haines. Videoja e re është ndryshe nga të tre të parat. Nuk ka ekzekutime dhe është e xhiruar në ambiente të brendshme dhe nuk shfaqet asnjë militant i ISIS. Në të paraqitet një person që e quan veten John Cantlie, gazetar dhe reporter që ka punuar në Lindjen e Mesme si korrespondent për disa nga gazetat më të mëdha britanike. Ai thotë se në nëntor të 2012 mbërriti në Siri për të raportuar mbi ngjarjet atje, por u mor rob nga militantët e Shtetit Islamik. “Sot shumë gjëra kanë ndryshuar, përfshirë këtu shtrirjen gjeografike të Shtetit Islamik me zona të gjëra në Siri dhe Irak. Një shtrirje më e madhe edhe se Britania dhe shumë shtete të tjera”, – shton më tej gazetari britanik.

Më tej ai pretendon se media perëndimore po manipulon informacionet, ndërsa shton se përveç Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të gjitha vendet e tjera evropiane kanë liruar shtetasit e tyre nëpërmjet bisedimeve me ISIS. “Por ndryshe nga këto vende, Britania dhe Shtetet e Bashkuara refuzuan bisedimet. Çdo ngjarje ka dy të vërteta dhe ju po u thuhet vetëm njëra”, – shton Cantlie duke mbyllur video-mesazhin me thirrjen për të ndjekur në video të tjera që do të publikojë në vazhdim.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency