Champions League/ Luhen ndeshjet e para të Ligës së Kampioneve, Dortmundi përballet me Arsenalin

0
142

Kompeticioni më prestigjioz evropian ndez projektorët me sfidat e para që rezervojnë emocione të veçanta

dortmund-arsenalLiga e Kampioneve rikthehet në Evropë për të ndezur emocionet me sfidat midis titanëve të kontinentit të vjetër. Pas kurorëzimit në maj të Realit të Madridit, ka ardhur koha që tashmë Barcelona, Bajerni, Juventusi, Çelsi apo Atletiko e Madridit të provojnë shanset e tyre për të qenë në krye të piedestalit të sportit më të ndjekur në botë. Grupi A është emocionues, pasi në përbërje të tij ka dy nga favoritët. Juventusi dhe Atletiko e Madridit do të duelojnë për vendin e parë në grup, teksa Malmoe që rikthehet pas 24 vitesh dhe Olimpiakos do të tentojnë të bëjnë surprizën, edhe pse do të jetë e vështirë. Grekët sot do të presin skuadrën e Simeones në Greqi, që janë në një formë të mirë pas fitores me Realin. Kurse skuadra e Alegrit do të presë Malmoen për të nisur me këmbë të mbarë turneun. Në grupin B, është pothuajse e njëjta formë. Favoritët për dy vendet e para janë Reali i Madridit dhe Liverpuli, dy ekipe që kanë bërë historinë. Ndërsa Bazel bashkë me Lugoretzin do të provojnë të marrin sa më shumë pikë, në mënyrë që të sigurojnë kualifikimin në Europa Ligë. Liverpuli do të presin në “Anfield” do të presë modestët e Lugoretzit, që do të tentojnë t’ia vështirojnë punën skuadrës së Roxhersit. Ndërsa në “Bernabeu” Ançeloti do të kërkojë fitoren, për të shuar zërat e tifozëve që janë irrituar shumë pas humbjes me Aletiko Madridin. Grupi C do të jetë edhe ai me më shumë konkurrencë. Kjo, pasi gjenden skuadra që nuk kanë shumë diferenca midis njëra tjetrës. Monakoja rikthehet pas 9 vitesh mungesë me motivacion kualifikimin në fazën tjetër. Ndërsa Leverkuseni, Benifka dhe Zeniti do të duelojnë për të qenë të parët që kalojnë. Në Portugali, Benfika do të presë muzhikët e Zenitit, në një sfidë në të cilën do të luhet një futboll mjaft i fortë. Ndërsa në Principatë gjithçka është gati për Monakon, që të marri trepikëshin e parë ndaj Bajer Leverkusenit, që po kalon një formë mjaft të mirë në kampionat dhe ka një grup shumë të mirë lojtarësh. Edhe grupi D rezervon emocione të veçanta. Dortmundi dhe Arsenali do të riduelojnë përsëri për vendin e parë për të larë hesapet e sezonit të kaluar me njëri-tjetrin. Pak më mbrapa qëndron Gallatasaraji që nën drejtimin e Prandelit kërkon përsëri të jetë kompetitive dhe të bëj surprizën, ashtu siç bëri me Juventusin sezonin e kaluar. Anderlehti është edhe skuadra e katërt dhe më e pafata, pasi ka rënë në një grup me skuadra që kanë përvojë në këtë turne. Pavarësisht nga kjo, Besnik Hasi do të tregojë veten dhe do të kërkojë të arrijë maksimumin, që mund të jetë edhe kualifikimi në Europa Ligë. Dortmundi do të presë në Gjermani “topçinjtë” e Vengerit në një sfidë midis dy ekipeve që prodhojnë futboll të bukur. Kurse në krahun tjetër turqit e Gallatasarajit do të jenë një makth i vështirë për t’u kaluar për Anderlehtin mik. Këto janë edhe sfidat e ditës së sotshme që do të na dhurojnë mjaft emocione të veçanta dhe shumë grintë sportive. Ndërsa këto sfida do të ndiqen edhe nga ato të ditës së nesërme, ku si përballje kryeson Bajerni kundër Mançester Sitit. Kampionia e Gjermanisë dhe ajo e Anglisë do të përplasin brirët për të marrë trepikëshin e parë.

 

Van Gal: I kënaqur me skuadrën, vazhdojmë të përmirësohemi

Tekniku i ri i Junajtidit, Luis van Gal, është i kënaqur me golin e shënuar nga Angel di Maria, por edhe me paraqitjen e të gjithë lojtarëve. Di Maria hapi serinë e golave me një gol të shënuar nga goditja e lirë. “Goli i parë është shumë i rëndësishëm, ne jemi stërvitur me këtë para ndeshjes por ai e bëri në momentin e duhur. Mendoj se lojtarët e rinj janë përshtatur mirë. Gjithmonë është vështirë të vish dhe të adaptohesh në ritmin e Premier Ligës, por ata ia dolën mirë – jo vetëm Di Maria”, – ka thënë Van Gaal. “Kur ju keni një rezultat 4-0, atëherë mund të jeni të kënaqur si trajner, por gjithmonë ka pika ku mund të përmirësoheni. Unë jam shumë i kënaqur për shkak të rezultatit dhe mënyrës se si luajtëm. Ne ishim shumë dominues dhe shënuam gola dhe e mbajtëm portën e zbrazët. Në posedimin e topit, mendoj se ne e kemi humbur topin shumë më herët. Ne ishim më direkt dhe më pëlqeu kjo. Po ashtu, kemi krijuar shumë raste, edhe pse nuk kemi shënuar shumë. Gjithmonë duhet të analizojmë atë çfarë kemi bërë. Rezultati është fantastik, por ne mund të bëhemi edhe më të mirë. Ky është një fillim i mirë”, – ka thënë 63-vjeçari.

 

 Bajerni hedh sytë nga Ozili, Shaqiri bën gati valixhet

Nga Gjermania raportohet se kampionët e Bundesligës janë gati t’i ofrojnë Arsenalit 40 milionë euro për shërbimet e Mesut Ozilit, i cili ka kontratë me “topçinjtë” deri në verë të vitit 2018. Lojtari i kombëtares gjermane duket se nuk ka krijuar impaktin që pritej te skuadra londineze, që një vit më parë e shkëputi nga Reali i Madridit për thuajse 50 milionë euro. Transferimi i mundshëm i turko-gjermanit në “Allianz Arena” pritet të ketë një efekt domino te klubi gjerman. Prania e Ozilit në skuadër do t’i mbyllte hapësirat në formacionin e parë Xherdan Shaqirit, që në mënyrë të pashmangshme do të kërkonte një destinacion të ri. 23-vjeçari i përfaqësueses së Zvicrës mund të transferohet te Juventusi, skuadër që e kërkoi me ngulm edhe gjatë merkatos së verës. Gjithsesi, për momentin këto lëvizje janë vetëm në kuadër të zërave, pasi që gjithçka të bëhet realitet duhet të presim muajin janar.

 

 Diego Lopez mungon ndaj Juventusit

 Gardiani i Milanit, Diego Lopez, nuk do të luajë në dy javët e ardhshme pas lëndimit që pësoi në ndeshjen kundër Parmës. Në sfidën që përfundoi 5-4 për kuqezinjtë, spanjolli u lëndua në përpjekje që ta mbronte portën. Në një komunikatë nga klubi milanist thuhet se Lopez e ka lënduar kofshën e djathtë dhe do të mjekohet në dy javët e ardhshme. Ndërkohë, në fundjavë është lënduar edhe mbrojtësi Aleks. Portieri do të mungojë në ndeshjen kundër Juventusit, ndërsa braziliani ka gjasa të kthehet.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency