Vizita e Ramës/ Kryeministri kinez: Kina dhe Shqipëria plotësojnë  njëra-tjetrën ekonomikisht

0
131

Florenc Drizari

edi rama ne kine Rama: Shqipëria i mirëpret investitorët kinezë, të dy vendet kanë gëzuar marrëdhënie të shëndosha

 Kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë vizitës së tij në Kinë me rastin e Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, zhvilloi takime me përfaqësuesit e lartë të këtij shteti, duke marrë edhe premtime për mbështetje me projekte konkrete nga ana e tyre në energji e infrastrukturë.

Duke përshëndetur miqësinë tradicionale me Shqipërinë, Li tha se të dy vendet duhet të përdorin 65-vjetorin e marrëdhënieve të tyre diplomatike, si një mundësi për përmirësimin e shkëmbimeve të nivelit të lartë dhe për të promovuar bashkëpunimin praktik në të gjitha fushat.

“Ai tha se Kina dhe Shqipëria plotësojnë njëri-tjetrin ekonomikisht dhe kanë shanse të mira për investime në energji, bujqësi dhe bashkëpunim në infrastrukturë. Kina është e gatshme të importojë produkte bujqësore dhe minerare nga Shqipëria dhe të mbështesë ndërmarrjet kineze të angazhohen në zhvillimin e infrastrukturës në Shqipëri”, – shkruajnë mediat kineze. Në takimin që Kryeministri Edi Rama ka bërë me homologun kinez Li Keqiang mësohet të jetë diskutuar plani për ndërtimin e një autostrade Shqipëri Maqedoni. “Kina dhe Shqipëria do të punojë për të bërë përparime në projekte të mëdha, në mënyrë të veçantë duke nxitur ndërtimin e autostradës që lidh Shqipërinë dhe Maqedoninë”, -ka deklaruar Kryeministri i Kinës. Nga ana e tij, Kryeministri Rama ka theksuar se Shqipëria i mirëpret investitorët kinezë. Ai falënderoi Kryeministrin kinez për mbështetjen që vendi i tij ka dhënë në zhvillimin e disa projekteve të rëndësishme, që kanë të bëjnë kryesisht me zhvillimin e infrastrukturës dhe bashkëpunimin në fushën e tregtisë dhe ekonomisë. Rama theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë tejet miqësore dhe u angazhua për t’i intensifikuar ato edhe më shumë, në të ardhmen.

“Kryeministri shqiptar u ndal edhe në zhvillimet më të fundit në Ballkan, rajon i cili në 100-vjetorin e fillimit të Luftës së Parë Botërore po përjeton periudhën e parë të paqes dhe bashkëpunimit rajonal. Në këtë këndvështrim, Rama theksoi se projektet e diskutuara edhe gjatë takimit në Bukuresht, projekte rajonale që zhvillojnë infrastrukturën dhe ekonominë, mbeten prioritare për vendet e Ballkanit dhe përbëjnë një mundësi të shkëlqyer për të përfituar mbështetjen konkrete kineze”, – thuhet në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit pranë Kryeministrisë.

Mes Kryeministrit Edi Rama dhe atij kinez, Li Keqiang, ka pasur edhe një takim të zhvilluar nëntorin e vitit të shkuar, në Bukuresht, ndërsa takimi i fundit u zhvillua në Tianjin, qytet i cili këtë vit mirëpret edhe Forumin veror të Davosit.

Gjatë takimit të delegacionit Shqipëri-Kinë, Kryeministri Rama shoqërohej nga ministri i Zhvillimit Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, si edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, ndërkohë që në delegacionin kinez merrnin pjesë edhe ministri i Jashtëm Wang Yi, ministri i Tregtisë Gao Hucheng, kryetari i Bashkisë së Tianjin Huang Xingguo dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Shtetëror Yang Jin.

 

Vizita e Ramës në Kinë/ Flamuri shqiptar me “defektet” e 100-vjetorit të Pavarësisë

Vizita e Ramës në Kinë dhe takimi i tij me Kryeministrin kinez ka shkaktuar debate në rrjetet sociale për faktin se flamuri shqiptar i renditur përkrah ati kinez në pritjen zyrtare, është i ngjashëm me flamurin “e deformuar” që u konstatua në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë. Në komentet në rrjetet sociale thuhet se kjo nuk ndodh rastësisht, pasi flamujt “e deformuar” ose “falsë”, u tha se ishin pikërisht “Made in China”. Shumë nga ndjekësit të Kryeministrit Rama në “Facebook” e kanë vënë re menjëherë defektin në flamur dhe, sipas tyre, PS që e denoncoi këtë fenomen në vitin 2012, tani e ka lënë në harresë. Për këtë çështje ka pasur edhe një debat në Kuvendin e Shqipërisë, ku deputetët e opozitës në atë kohë (të PS-së), e kanë quajtur një skandal të madh.

 

Administrimi i BSH, Arvizu: Duket se ka pasur të meta

 Guvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë do të jetë i huaj, vetëm në qoftë se Shqipëria nuk ka një zgjedhje të duhur brenda vendit. Deklarata u bë nga ambasadori amerikan Alexander Arvizu, i cili tha se shqiptarët kanë mendim pozitiv për të huajt. Arvizu komentoi nga Pusteci edhe elementë të tjerë të situatës së krijuar në Bankën e Shqipërisë pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë të shohin një proces jo të politizuar për sa i përket situatës në BSH. “Procesi duhet të jetë pa injeksione të politikës. Administrimi i BSH duket se ka pasur të meta. Të kthehet besimi i qytetarëve për administrimin”, – u shpreh Arvizu. Ndërkohë, në raport jepen të dhëna edhe për ekonominë e Shqipërisë ku thuhet se u trashëguar situatë e rënduar, pritet rritje modeste por e qëndrueshme. “Të dhënat e fundit tregojnë se aktiviteti ekonomik në Shqipëri po rimëkëmbet pas një përkeqësimi të fortë në vitin 2013”, – vlerësohet në raport.

 

Marrëveshje mes Shqipërisë dhe Serbisë për reformën arsimore të Evropës Juglindore

Qeveria shqiptare miratoi dje në parim marrëveshjen ndërmjet qeverisë së Republikës së Serbisë dhe anëtarëve  të tjerë të nismës për reformën arsimore të Evropës Juglindore (ERI SEE), për selinë e sekretariatit të ERI SEE. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të neneve 5, 7 dhe 17, të  ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave vendosi: Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet qeverisë së Republikës së Serbisë dhe anëtarëve të tjerë të Nismës për Reformën Arsimore të Evropës Juglindore (ERI SEE), për selinë e sekretariatit të ERI SEE, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi”,-thuhet në vendimin e qeverisë. Vendimi i djeshëm u mor në mungesë të Kryeministrit Edi Rama për faktin se ai ndodhet për një vizitë zyrtare në Kinë, ndërkohë që me rekomandimi të tij, zëvendëskryeministri Niko Peleshi drejtoi mbledhjen e ekzekutivit duke miratuar një sërë nismash. Vendimi i qeverisë për marrëveshjen  për reformën arsimore të Evropës Juglindore me Serbinë, vjen pak ditë pas vizitës që Kryeministri Rama pati në Gjermani me Kancelaren Merkel, ku u fol për një bashkëpunim mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të rajonit edhe në fushën e arsimit, ndërkohë që pak javë më pas kreu i qeverisë shqiptare pritet të zhvillojë edhe një takim zyrtar me homologun e tij në Serbi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency