Konventa kombëtare/ Zbardhet udhëzimi i Bashës: Brenda 15 shtatorit lista, 5% të jenë të rinj dhe gra

0
31

 Gëzim Saliu

Grupi-PDKuvendi do të përbëhet nga: Krerët e seksioneve dhe grupseksioneve, deputetët, sekretarët, kryetarët e njësive vendore dhe këshillave bashkiakë dhe anëtarët e kryesive të degëve të PD-së

 Në kuadër të përgatitjeve për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së, kryetari i demokratëve, Lulzim Basha, ka nxjerrë dje udhëzimin drejtuar zyrave të organizimit të forcës më të madhe opozitare si edhe degëve të kësaj partie në rrethe. Sipas udhëzimit, kryetarët e degëve duhet të dorëzojnë listat me emrat e pjesëmarrësve brenda datës 15 shtator e ndërsa 5% e listës emërore duhet të jetë nga FRPD dhe LDGSH. Po ashtu në këtë udhëzim kryedemokrati bën të ditur se cilët do të jenë pjesëmarrësit e Kuvendit, i cili pritet të ketë numrin më të madh që prej mbajtjes së këtij aktiviteti që përkon me zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese të PD-së si edhe me ndryshimet në statut.

 

Udhëzimi

Sipas udhëzimit të kryetarit të PD-së, pjesëmarrësit në Kuvendin Kombëtar do të jenë që nga krerët e seksioneve dhe grupseksioneve të dalë nga zgjedhjet e fundit brenda partisë deri tek anëtarët e kryesive të degëve të PD-së në rrethe. Kuvendi Kombëtar do të përbëhet nga: Kryetarët e seksioneve të Partisë Demokratike dhe sekretarët e seksioneve që janë mbi 50 anëtarë të regjistruar deri ditën e zhvillimit të Kuvendit të degës së Partisë Demokratike; kryetarët e grupseksioneve të PD-së; anëtarët e Këshillit Kombëtar aktual; deputetët e PD-së; sekretarët funksional të PD-së; kryetarët e njësive vendore dhe kryetar e këshillave bashkiakë e komunalë dhe anëtarët e kryesive të degëve të Partisë Demokratike”, – theksohet në udhëzimin e Bashës. Ndërkaq, ai kërkoi nga krerët e degëve të Partisë Demokratike që të dorëzojnë brenda datës 15 shtator në zyrën e organizimit të PD-së listën emërore të delegatëve të përcaktuar sipas udhëzimit. “Zyra e organizimit të kryejë verifikimet e duhura në mënyrë që nga lista e delegatëve të vijnë sipas pikës 1 dhe 2 të udhëzimit nr. 6, të ketë përfaqësues të LDGSH dhe FRPD, jo më pak se 5% të për secilën organizatë partnere”, – përfundon udhëzimi i kreut të PD-së. Pas humbjes së zgjedhjeve vendore të 23 qershorit dhe ardhjes në krye të PD-së së Lulzim Bashës, forca më e madhe në opozitë përjetoi një fazë të re të riorganizimit dhe rifreskimit të strukturave të saj. PD zhvilloi zgjedhjet për krerët e seksioneve, grupseksioneve dhe si kryetarët e rinj të degëve në rrethe, ku i gjithë procesi u zhvillua përmes parimit “një anëtar – një votë”. Po ashtu PD nisi një fushatë të gjerë anëtarësimesh të reja, duke sjellë risinë e dixhitalizimit. Kuvendi Kombëtar është faza përmbyllëse e këtij procesi, të cilin kryetari Basha e ka cilësuar si jetik për të ardhmen e PD-së dhe fitoren e zgjedhjeve të ardhshme.

 

 Bojkoti/ PD krijon 8 grupet e punës, nis oponenca ndaj projektligjeve të qeverisë

Partia Demokratike ka krijuar tetë grupe pune, të ndara në të njëjtën mënyrë si në komisionet parlamentare, me qëllim bërjen e oponencës së çdo projektligji dhe vendimi të qeverisë. Grupi i parë, i cili ka vënë në jetë këtë praktike, ka qenë grupi për çështjet sociale, ku paralelisht me Komisionin në Parlament ka shqyrtuar dy projektligje për Urdhrin e Farmacistit dhe Urdhrin e Mjekut. “Shëndetësia ashtu sikurse edhe ju jeni në dijeni, është në ditën më të zezë ku qeveria po dëshmon se po kap të gjitha shtyllat kryesore të shëndetësisë, qoftë me prokurimet, tenderimet e ilaçeve. Duke kaluar edhe tek kontrolli i të gjithë urdhrave që duhet të jenë të pavarura”, – u shpreh Vokshi.