Dështon Prokuroria/ Fullani refuzon t’u përgjigjet hetuesve: Do të flas një herë tjetër, më sillni të shoh provat

0
19

Sonila Mesareja

fullani ne gjyq Dy oficerët e Policisë Gjyqësore kthehen “duarbosh” nga burgu 302, sot do të merret në pyetje Elivar Golemi

Prokuroria ka dështuar në tentativën e parë për të marrë në pyetje Ardian Fullanin lidhur me supervjedhjen e ndodhur në Thesarin e Bankës që ai drejtonte prej dy mandatesh. Pas një ore tentative për të pyetur ish-guvernatorin, dy hetuesit janë kthyer “duarbosh” te shefi i tyre, prokurori Ramadan Troci. Pas përfundimit të pyetjes së anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, radhën e ka pasur ish-guvernatori Ardian Fullani, i cili ndodhet në qelitë e paraburgimit të 302-shit prej ditës së diel. Dy oficerët e Policisë Gjyqësore, Elidon Hysenaj dhe Lazër Tuni, janë paraqitur në mesditë në këtë paraburgim në rrugën “Mine Peza”, përkatësisht rreth orës 13:30, për të marrë në pyetje Fullanin. Por, pas një ore përpjekje për të marrë çfarë donin me pyetjet e tyre, dy hetuesit kanë hasur në rezistencën e të akuzuarit, i cili ka refuzuar të përgjigjet me argumentin se do flasë në një tjetër moment pasi të njihet me provat e akuzës. Fullani akuzohet nga Prokuroria se ka shpërdoruar detyrën dhe për mosmarrjen e vendimeve në 5 episode, që sipas akuzës janë shfrytëzuar në vjedhjen e 713 milionë lekëve të rinj në repartin e Emisionit të Monedhës, pjesë e Thesarit të Bankës së Shqipërisë.

 

Hetimi

“Rezervoj të drejtën për të folur në një moment tjetër. Më sillni aktet për të cilat më akuzoni dhe dyshoni”, – mësohet t’u jetë drejtuar ish-guvernatori Ardian Fullani dy hetuesve Hysenaj dhe Tuni, të cilët janë detyruar që pas një ore brenda mjediseve të burgut 302, të largoheshin pa asnjë material të vlefshëm prej aty. Më herët në mjediset e paraburgimit ka qenë avokati i Fullanit, Maks Haxhia, i cili është mundur t’i shpëtojë prononcimit për mediat. I kapur nga gazetarët ndërsa dilte nga dhoma e kontrollit të ushqimeve dhe jo nga dera e zakonshme, Haxhia u përgjigj se është interesuar për shëndetin e klientit të tij dhe e ka vënë në dijeni për apelimin e masës së arrestit të caktuar pak ditë më parë nga gjyqtarja Blerina Muça. Por, sipas tij, ai nuk ka dijeni për marrje në pyetje apo dhe që klienti i tij të ketë dhënë dëshmi për hetuesit. “Gjatë takimit e informova klientin tim për apelimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Apelit. Fullani ka mohuar akuzën e shpërdorimit të detyrës. Po ashtu u interesova edhe për gjendjen shëndetësore të tij”, – u shpreh Haxhia. Por, ndërkohë që në pyetjen e Fullanit Prokuroria ka dështuar gjatë ditës së djeshme, pritet që sot të merret në pyetje vartësja e tij në paraburgimin 313, Elivar Golemi, me funksion inspektore e Përgjithshme në Bankën e Shqipërisë. Pas Golemit pritet që të merren në pyetje zyrtarët e tjerë të arrestuar, 5 prej të cilëve ndodhen në “Arrest shtëpie”, ndërsa të tjerët në dy paraburgimet e Tiranës.