Letra e 1948 / I shkruan fratit, anglo-amerikanët kanë përdorur shqiptarët në favor të Greqisë e Titos

0
162

tito_-_vis_184

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”

 

Një nga letrat më historike të Mustafa Krujës shkruar fratit pukjan, Pater Paulin Margjokaj. Vetëdija historike e Krujës, si patriot, shkon në gjurmë të thella pse Shqipëria mbeti në hartën ballkanike nën komunizëm, duke u shprehur se në luftën e ftohtë anglo-amerikanët donin ta “ndihmonin” vendin tonë, thjesht për të shtuar antisovjetët në favor të Greqisë dhe Titos.

Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të.

“Letra e fratit pukian e gjeti firmëtarin kruetan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë. Një letërkëmbim 11 vjeçar nga vënde e kontinente të ndryshme, gjithmonë duke u bërë më i ngrohtë, më i hapur, mes dy përfaqësuesish brezash të ndryshëm, që i lidhte jo vetëm fati i përbashkët i të mërguarit politik, por edhe dhimbja e përbashkët për fatin e Atdheut, të cilit i kushtojnë frytin e mundit të mendjeve të tyre në studimet e vazhdueshme për historinë e tij”, – shkruan trashëgimtari i Krujës, Eugjen Merlika. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

***

(Vazhdim i letrws nga numri i kaluar)

Ndish edhe un kam punue për bashkimin e Shqiptarvet vetëm sepse e kam ndie veten thellsisht shqiptar e me uzdajë qi shqeptiqizmën t’eme e kishin shkaktue jo historija e provat e gjalla, por djalli qi s’ka punë tjetër veçse me turbullue mênden njerit e me e largue prej çdo vepre të mirë!

Un për veti jam i bindun qi Anglo-Amerikanët, alias, në këtë rasë, Foreign Office- Intelligence Service, s’ kanë pasun tjetër qëllim me krijimin e këtij komiteti shqiptar, veçse me shtue për luftën e ftohtë të tyne edhe nji armë antisovjetike në sektorin balkanik në favor të Greqís e të Titos. Pra asnji qëllim veprimi serioz në Shqipní, sod për sod e deri qi lufta e ftohtë nuk do të jetë bâmë e nxetë, përvëluese, rrenuese.

Mbas mendimit t’em problema shqiptare nuk mund të zgidhet vetmas, por vetëm si nji atom në problemën e përgjithshme botore. Faktet e ndodhít po m’apin për ditë arsye për shqeptiqizmën t’ eme qi bota të mundej me gjetun paqën e saj pa nji luftë të tretë. As Papa Piu XII qi per dovere d’ufficio s’ prân tue predikue paqë, as Trumani, Atllee-u e Churchili e as Stalini vetë nuk e besojnë nji gjâ t’atilë, kujtoj un. Andej, pra, prej gërmadhave të luftës atomike ka me dalë, për në qoftë se ka me dalë, por un jam i bindun qi po, Shqipnija e lirë. Të tana shpresat tjera janë ândrra, por dashtë i lumi Zot e qofsha un n’ ândërr.

Oh! Sa herë e pyes veten e më pyesin edhe tjerë: Po kur atbotë? Kjo më duket nji problemë tepër e vështirë, aq’ e vështirë sa besoj se as ata vetë të cilët kanë në dorë të tâna të dhânat (i dati) nuk mund t’a zgidhin me sigurí, nuk mund t’i përgjigjen asaj pyetjeje. Situata internacjonale, e koklavitun tëmersisht me plasjen atomike në Rusí, s’ka qênë as në kohën e rrethimit të Berlinit kaq’ e ashprueme e e ngrehun sa shihet sod. Mêndja s’ t’a qas kurrë qi Anglosaksonët të presin deri qi Rusija bolshevike të ketë fillue me fabrikue bomba atomike in serie. Pra…

Më duket, i dashtuni Atë, se s’më ka mbetë gjâ mâ në thest rreth politikës. Po dalim pra ngjeti tash. Ti je tue insistue me më lypun nji punë qi deri sod ende s’m’âsht mbushun mêndja me i a hŷmë. Kujtimet e mija identifikohen me jetën t’eme patriotike-politike e të shumë politikâjve tjerë shqiptarë qi janë gjallë. Pikë së pari jam prej atyne njerëzve qi e quejnë nji gjâ t’urryeshme me folë njeri për veti. Të fola Tý, edhe në këtë copë letër për veti. Por të kam folë Tý, i sigurtë se s’ke për të m’i marrë fjalët për lavd. Kurse tjetër gjâ âsht me folë botnisht. Kjo nji. Me folë për tjerë mandej edhe me folë lirisht ashtu si mendoj, don me thânë me shtue e me ashprue mâ tepër anmiqt e mij, qi edhe pa këtê s’janë të pakë as të drejtë ndaj meje. E bâjnë dy. Me shumë prej njerëzve qi bâjnë pjesë të padame të kujtimeve të mija kam pasun kundërshtime politike mjaft t’ ashpra e prandej drue se nuk mundem me qênë nji gjykues aqë objektiv sa e lyp historija për ta e për veprat e tyne. Ishim nji mbrâmje nja pesë a gjashtë vetë te nji mik këtu, qi ka marrë pjesë si un, ndonse tue fillue nja 10 vjet mâ vonë, në të gjitha ndodhjet me randësí të Shqipnís. E njoh për burrë të sinqertë. I a nisi me diftue gjat’ e gjatë nji prej atyne ndodhjeve. I a ka ânda fort me kallzue ça ka bâmë. E qe se n’ atë përshkrim qi bâni ai zotní atë mbrâmje, vetë thelbi i çâshtjes ishte kryekëput i gabuem. Un nuk bzâjta, me gjithë qi, tue pasë punue aso kohe në dy kampe të kundërta me tê, ashtu si e përshkroi ai, dilte qi un kishem punue keq. Zakonisht fjalët e mikut t’em – se miq jemi tash përjashta politiket – nuk merren për serioze prej njerëzve seriozë. Me pasë reague un atë natë, do të hapej nji polemikë ndërmjet nesh e ishem në shtëpí të tij, për darkë madje. Për të dyja këto arsye preferova heshtjen. Por ndêjta mbandej e mendova vetë me veti. Thashë: e mjera historí shqiptare po qe se ka me u bazue në kronika si kjo! E, me thânë të drejtën, pata edhe nji nxitje prej atij fakti për sa më lyp Ti. Nji tjetër mik më shkruente këto dit prej Stambolli, edhe ai si t’ ishte marrë vesht me Tý, tue më nxitun po n’atë rrugë e më thonte: “… apo don qi dikur të dalë ndoj çançatuer (çarlatan) e t’i shtrëmbnojë krejt faktet e historís s’ onë?”. Kishte të drejtë ky mik, nji për nji si Ti. Por as un, besoj, për ato arsye qi tregova e në këtë gjêndje shpirtnore qi më ka kapllue sod s’kam faj qi ngurroj. Kam lânë në Shqipní nji morí dokumentash të jetës s’eme qi sigurisht janë bâmë hî e tym ase pluhun në duer të komunistavet. S’ mujshem me i bartun me vete kur u dava i deshpruem prej atdheut e familjes. Atje lashë edhe dorëshkrimin e fjalorit. Këtê e dij qi të mijt diku e kanë fshehun. Por kush e di ku, në çfarë lagshtine a në mëshrirë të mijve e të tênjës. Për dokumentat nuk dij gjâ. Sidoqi të jetë këtu s’ kam asnji. Këta janë të nevojshëm për punën qi më kshilloni ju disa miq, jo vetëm për forcim, por edhe për freskim të kujtesës. Gjatë luftës, edhe si u largova prej qeverijet – 8 muej mbrapa m’u bâ edhe atentati – traktet komuniste më sulmojshin e më përshkruejshin me ngjyrat mâ të zezat. Asnji çudí as zëmrim (idhnim) për këtê. Por edhe Balli Kombtar faceva a gara me komunistat kundra meje. Për ketê un ishem i shitun mish e shpirt Italís, si Dr. Fausti Mefistoflit! Dikur gjeta nji rasë të voliçme e botova nji artikull tue përshkrue të dokumentueme e pa i u shmangun asnji të vërtete marrveshtjet e mija me Romën para okupacjonit, marrveshtje qi kishin për bazë nji revolucjon me ndihmën e Italís, e cila në fillim qe vullëndue vetëm me nji mbret prej Savojajve për thronin e Shqipnís. Diftojshem n’ artikullin t’em se si në këto marrveshtje ishin të bashkuem me mue edhe të gjithë antarët e grupit Bashkimi Kombtar, disa prej të cilve tash ishin krenët e Ballit Kombtar e se si na tradhtoi Italija tue okupue vendin t’onë. U tërbuen ballistat. Mblidhen, shëmblidhen, duen me reague me nji përgënjeshtrim për pjesmarrjen e tyne n’ato traktativa. Tek e mbramja nji ndër mâ të mêndshmit e tyne del me nji duq të ftohtë e thotë: “Shka more me përgenjeshtrue? Po a s’e njihni Mustafa Krujën qi ruen n’ arqivë të vet deri pusullat qi na kishim me i bâmë shtupa shishesh e mbandej këto kishte me dalë e me na i përplasun turîjve të tâna me nënshkrimet t’ona? Heshtën. Qe rândsija e dokumentave! Si pra me i a bâmë kur këta s’janë? E dij, e mendoj se ke për të thânë: “Po ti shkruej sa të mundesh e si të mundesh për mos me harrue mâ shumë se ke harrue deri tash, rueje, mbandej dikur me shpresë të Zotit tash e plotson vetë, ndoshta gjên edhe dokumentat gjallë, ase në funt të fundit mund të gjindet dikush tjetër, ndoj bashkkohës i yt me e plotsue.” Paj mbeta tue mihun n’ujë, or i dashtuni mik! Shpenzova nji pjesë të madhe të jetës s’eme mbas fjalorit në mërgim, ktheva në Shqipní për pesë vjet, 13 muej kryetar qeverije e vepra e ime mbet pa u botue e pale të shohim a ka me pamë dritë ndoj herë! E kuj i bân zêmra me punue në këto kushte? Por… po due me T’a bâmë qejfin nji grimë, me gjithë këtê të shohim, ndoshta nji ditë më kapë trilli e i a filloj.

Në letrën T’ Ânde po më flet edhe për mungesë pasaporte. Po Ti e din besoj, do të keshë ndie se për Shqiptarët e ikun ka nji farë shtegu për këtê: âsht pasaporta e legatës mbretnore t’ Egjyptit. Thashë nji farë shtegu, se këtê s’e njohin veçse disa shtete. Italija âsht gati me i thânë udha e mbarë çdo Shqiptari me këtê pasaportë, por s’ndëgjon ase ndëgjon me shumë zor me dhânë mbi tê visto di reingresso. Un këtë pasaportë mundem me t’a çue, po të më dërgojsh shënimet e rasës bashkë me dý fotografí, po deshte. Mandej më duket se ka qênë krijue nji pasaportë e I.R.O.s e âsht pasaporta e Kryqit të Kuq. Për këto duhet t’ informohesh prej Rome.

E Zoti të ndihmoftë për qëllimin e bukur të ksaj pasaporte! Me këtë rasë po Të lajmoj, për në mos e dish, se qeverija republikane e Austrís para Anschlusit ka pasë botue nji sasí të madhe t’arqivës së ministrís së jashtme të Monarkís, e gjithë ç’ i përkitte Shqipnís prej këtyne i ka pasë përkthye shqip (nja 2000 faqe dorshkrim) Dr. Djevat Kortsha në mërgim. Nuk dij kurrgjâ se ç’â bâmë me këtë dorshkrim. Po sigurisht do të jetë gjallë, mbasi përkthyesi mbet në Shqipní e âsht në burg i dënuem për jetë.

Mbasi u mbush edhe fleta e dytë në të dy anët, tash po marr leje me i dhânë fund bisedës. Por jo përpa T’u falë me shëndet si mik i përzêmërt.

I Yti

M.Kruja

P.S. Letrën t’Ânde e kam marrë me vonesë të madhe para pak ditsh.

Për fotografín do të kesh durim deri qi të më vijë mbarë me e nxjerrë nji ke fotografí

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency