Onkologjiku pa citostatik, aty ku dhimbja nuk njeh mëshirë

0
222

 

“Jemi të braktisur nga institucionet, sepse nuk marrin përsipër as më të voglën përgjegjësi për të na siguruar një trajtim normal. Citostatikët po i blejmë në farmaci, edhe pse është e ndaluar me ligj që këto barna të gjenden në farmaci private”

 

spitali onkologjikQendra e vetme që siguron trajtimin e sëmundjeve tumorale, ndodhet në ditët e saj më të këqija. Prej muajsh, trajtimi pranë shërbimit Onkologjik në QSUT është shndërruar në makth për çdo pacient që sëmundja e çon drejt dyerve të këtij spitali. Radhët e gjata të pritjes, ambientet e spitalit, mungesa e barnave, sëmundjet e rënda nga të cilat vuajnë ua bëjnë të pamundur trajtimin këtyre pacientëve.

“Jemi të braktisur nga institucionet, sepse nuk marrin përsipër as më të voglën përgjegjësi për të na siguruar një trajtim normal. Citostatikët po i blejmë në farmaci, edhe pse është e ndaluar me ligj që këto barna të gjenden në farmaci private”, – pohon njëra nga pacientet e shtruara në Onkologjik. Ndërkohë, burime në Drejtorinë e QSUT-së theksojnë se nuk kanë fonde për citostatikët. “Nuk kemi fonde kanë mbaruar barnat e prokuruara për këtë vit”, – pohojnë burime nga drejtoria e QSUT-së.

Situata

Shumë pacientë, edhe pse në kushte të rënda fizike, detyrohen të udhëtojnë me orë të tëra për të marrë një shërbim të cunguar. Duket se as muaji i ndërgjegjësimit kundër sëmundjeve tumorale nuk është në gjendje të ndryshojë e të vërë në “binarët e duhur” situatën e krijuar në pavijon.

Përveç sëmundjeve që mbartin, pacientëve u duhet të përballojnë edhe shumat e hidhura që duhet të paguajnë në këmbim të shëndetit të tyre. Këto fatura të kripura nuk dinë të bëjnë dallime nëse je i pasur apo i varfër, i ri apo i vjetër, i papunë apo invalid, ato thjesht duhen paguar.

 Ankesat

“Nuk është e vërtetë që ilaçet i marrim falas. Këtu nuk ka asgjë, vetëm shtrati dhe stafi i mjekëve”, – pohon Alitri Begollari, një zonjë nga Pogradeci, e cila qëndron e ulur tek shkallët pranë kimioterapisë, pasi 3 karriget e vendosura për të pritur nuk mund të përballojnë fluksin e madh të pacientëve që ashtu si ajo, presin për të kryer ciklin e radhës.

Alitrija është mësuar me ambientet e spitaleve, dikur edhe ajo vetë mbante bluzën e bardhë të infermieres. Prej gati 4 dekadash ajo ka shërbyer në spitalin e Pogradecit deri në momentin e daljes në pension, por fati që shpeshherë sjell të papritura të hidhura, e ka kthyer sërish Alitrinë në ambientet ku ajo ka kaluar pjesën më të madhe të jetës, tani jo më si infermiere, por si paciente.

Në këto ditë të këqija, bashkëshorti e shoqëron nga pas: të dy kanë mbi dy orë që presin për të kryer konsultën, të bëjnë kimioterapinë e të kthehen sërish në shtëpi.

Përveç sëmundjes që i torturon shpirtin, Alitrisë i duhet të bëjë llogaritë nëse pensioni i mjafton për të paguar barnat që i nevojiten, pasi nga farmacia e spitalit arriti të siguronte vetëm një ilaç, të tjerat duhet t’i blejë vetë.

Thirrja

Alitrija ishte vetëm një nga shumë pacientë që ashtu si ajo, dalin prej farmacisë së spitalit me hijen e trishtimit dhe pamundësisë për të përballuar shpenzimet.

Një cikël kimioterapie kërkon mesatarisht nga 6-7 ilaçe, por farmacia e spitalit siguron vetëm një, e shumta dy. Të tjerat këta pacientë duhet t’i blejnë vetë. Një tjetër zonjë e ardhur nga rrethi priste të bijën që e kishte dërguar në farmaci për të blerë ilaçet. Shpresonte të mbaronte punë shpejt dhe pasdite të kthehej sërish në shtëpi. Por kishte dhe nga ata pacientë që dilnin duarbosh duke mos siguruar asnjë ilaç, siç ishte rasti i zonjës nga Korça. “Thonë që kanë ilaçe, po ku i kanë? Që në recetë më thanë mjekët që këto ilaçe nuk i ke. Jam nisur që në 4 të mëngjesit nga Korça dhe në 8 kam qenë këtu duke pritur për të bërë konsultën dhe për të marrë ilaçet. Nuk e di dhe për sa kohë do të vazhdojë kjo situatë, por duhet bërë diçka për ne të sëmurët. Na ndihmoni! Po na rrezikohet jeta!”

Beqaj: Furnizimi, 3 muajt e ardhshëm

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i ftuar në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës, u prononcua rreth problematikave me të cilat përballen pacientët e spitalit Onkologjik. Sipas ministrit, furnizimi me barna i këtij spitali ka qenë i pamjaftueshëm për vite me radhë. Sëmundja gjithnjë e në rritje kërkon edhe më shumë punë për t’u përballur me të.

“Furnizimi me barna të domosdoshme është detyrë e qeverisë. Unë besoj se me buxhetin e vitit të ardhshëm, sepse këtë vit nuk ka asnjë lloj fondi të mjaftueshëm për të bërë garantimin e furnizimit të paktën për 2-3 muajt e ardhshëm. Besoj se me buxhetin e vitit të ardhshëm do të arrijmë të rrisim ndjeshëm 2-3 herë më shumë se ky vit fondet në dispozicion të barnave të shërbimit të Onkologjisë”, – thekson Beqaj.

Besjana Xhani nëpërmjet rrjetit social “Facebook” iu drejtua ministrit në lidhje me mungesën e barnave dhe çmimeve tepër të shtrenjta që ato kanë.

“Nëna ime lufton kundër sëmundjes së kancerit. Mjekimi bazë që i duhet, bëhet me anë të Herceptinës pas kimioterapisë. Aktualisht në QSUT nuk ka dhe ta blesh kushton mbi 1000 euro çdo 3 javë. Si do të gjendet zgjidhja për këtë medikament tepër të rëndësishëm për procesin e kurimit?” Aishe Thartori

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency