Arsimi parauniversitar/ Mbyllen 12 shkolla private, transferim nxënësve në publik, me kohë të pjesshme

0
160

Driçim Çaka

klase Nxënësit, afat deri në 10 shtator për të tërhequr dosjet

Shkollat e mbyllura do të kthejnë pagesën që kanë bërë nxënësit

Pas universiteteve private, u ka ardhur radha shkollave private të mesme për të kaluar në sitën e kontrollit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Urdhri numër 345 i ministres së Arsimit Lindita Nikolla, i miratuar dy ditë më parë, u heq licencën 12 shkollave në Tiranë dhe në rrethe. Urdhri parashikon mbylljen përfundimtare të veprimtarisë mësimore. “Të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për transferimin e nxënësve të përballohen nga ana e institucionit të arsimit parauniversitar privat ose personit juridik privat që i përfaqëson”, – përcakton urdhri i MAS. Po kështu drejtoritë arsimore rajonale do të ngejnë një grup të posaçëm për transferimin e nxënësve, të cilët do të vazhdojnë shkollën në shkollat publike, por me kohë të pjesshme.

 

Dokumentacioni

Ashtu si në rastin e universiteteve private, do të jenë shkollat private të arsimit parauniversitar ato që do të përgatitin dosjen e çdo nxënësi. Detyrimet për shkollat private:

-Të mbyllin të gjitha detyrimet lidhur me veprimtarinë mësimore për vitin mësimor 2013-2014, brenda afateve të përcaktuara.

-Të pajisin çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit parauniversitar publik me kohë të pjesshme brenda datës 10 shtator 2014.

-Të vënë në dispozicion të njësisë arsimore përkatëse çdo informacion të kërkuar dhe të vazhdojnë të mbajnë kontakte me të deri në plotësimin dhe mbylljen e të gjitha kërkesave të parashikuara.

-Të kthejnë pagesat e kryera nga nxënësit për pjesën e papërfunduar të shkollimit, si dhe çdo detyrim tjetër të prapambetur që mund të kenë ndaj nxënësve.

-Të dorëzojnë në njësinë arsimore vendore përkatëse të gjithë dokumentacionin lidhur me veprimtarinë mësimore të kryer.

 

Shkollat që janë mbyllur

1. Shkolla “Talenti”, e hapur në 2009, Durrës

2. Shkolla “Migjeni”, e hapur në 2011, Durrës
3. Shkolla “3 Janari” e hapur në 2012, Durrës
4. Shkolla “Iliria 1”, e hapur në 2013, Elbasan
5. Shkolla “Daka”, e hapur në 2011, Lushnjë
6. Shkolla “Nëna Mbretëreshë Geraldinë”, Mat
7. Shkolla “Vitrinat”, e hapur në 2012, Tiranë
8. Shkolla “Eurovizion.is”, e hapur 2012, në Tiranë
9. Shkolla “Inkus Network”, e hapur në 2013, në Tiranë
10. Shkolla “Vëllezërit Frashëri”, Vlorë
11. Shkolla “Sami Frashëri”, Kuçovë
12. Shkolla “Arianiti”, i hapur në 2012, Elbasan

 

 

Abuzimi/ Lypja e të miturve, SHSSH: Janë 70 raste të evidentuara

Në rrugët e Tiranës janë evidentuar dhjetëra fëmijë, të cilët lypin rrugëve dhe rreth 70 raste janë evidentuar dhe nga Shërbimi Social Shtetëror. Drejtorja e SHSSH, Etleva Bisha, shprehet se synohet ndërgjegjësimi i prindërve, të cilëve u ofrohet punësim në këmbim të mosnxjerrjes së fëmijëve për të lypur apo punë të tjera në rrugë. “Raste të identifikuara nga ne gjatë kësaj periudhe korrik-gusht dhe me të cilat po punohet janë 70. po bëhet një vlerësimin real i nevojave që ka familja në mënyrë që procesi i largimit nga rruga të jetë i natyrshëm. Prindërit asistohen dhe referohen ose për tu punësuar ose për të marrë një formim profesional ose për të përfituar nga skema e ndihmës ekonomike. Kemi hasur edhe në raste të vështira që nuk kanë pranuar oferta punësimi apo oferta të tjera mbështetje. Kemi filluar edhe procedurat për të kërkuar ndjekje penale për këto familje. Një rast është bërë publik ndërkohë që kemi në proces katër raste të tjera. Rast pas rasti do të vlerësohet se çfarë do bëhet me fëmijët. Grupet tona përpiqen dhe bëjnë maksimumin që mos arrijnë deri në pikën që të shkohet për ndjekje penale”, – u shpreh Bisha.Kreu i Shërbimit Social Shtetëror deklaron se në asnjë rast të evidentuar nuk ka pasur tutor dhe abuzimi ka ardhur nga vetë prindërit e fëmijëve.

 

 “Gjuha Blu”/ Ministri i Bujqësisë: Dëmshpërblim për bagëtitë e ngordhura

Delet e ngordhura nga sëmundja e “Gjuhës Blu” janë hedhur rrëzë lumenjve e përrenjve, duke u shndërruar kështu në një rrezik serioz për përhapjen e sëmundjeve e infeksioneve. Ndërkohë, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, është nisur dje drejt zonave që janë prekur nga sëmundja e bagëtive “Gjuha Blu” në Kolonjë dhe Korçë. Ministri Panariti është shprehur se kjo sëmundje është një fatkeqësi dhe emergjencë për të gjithë Mesdheun. Sëmundja “Gjuha Blu” nuk ka mjekim. Kafshët e sëmura të ndahen nga tufa dhe të izolohen. Po ashtu, ministri Panariti tha se do të ndalohen shtegtimet e bagëtive nga zonat e infektuara. Ndërsa me ftohjen e motit, pritet ndërprerja e infeksionit. Panariti premtoi se do të ketë dëmshpërblim për bagëtitë e ngordhura nga sëmundja “Gjuha Blu”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency