“Bukën e përditshme (s)’na e jep ti sot”… si na vjedhin sistematikisht prodhuesit e bukës

0
434

Nisur nga një sondazh i thjeshtë që Shije realizoi para pak kohësh në lidhje me bukën dhe abuzimet e ndryshme me peshën dhe cilësinë e saj, komentet e konsumatorëve rezultuam në një konkluzion: asnjë “feedback” pozitiv.
“Abuzohet me peshën tek buka, përsa i përket bukës së bardhë apo e zez len për të dëshiru sepse zor t’jet sade miell. Përdorin miell të përzier.
Përdorin kushedi çfarë ngjyruesish për të bë bukën e zezë, normale buka e zez ka shije të veçant ndërkoh kjo e sotmja ska shije, as e zeza as e bardha.
Përsa i perket shiteseve, ua sheh duar me një pëllëmb thonj, më të mëdha kan thonjt se duart. Duhet të bëhesh cop me të bërtitura për ti bërë që të paketojnë bukën në zarf letre sepse i bien shkurt direkt e në qese.
Ka dhe më, po pfff kot sa flasim s’na ven vesh kush”. Ky është një nga komentet më përgjithësues dhe të gjithë të tjerët ishin pak a shumë të kësaj natyre.
Ndaj morëm përsipër një ivestigim modest, për të parë situatën më nga afër. Probleme me peshën, mosafishimin e çmimeve dhe gramaturës për të cilat furrat e bukës janë të detyruara me ligj t’i afishojnë në një vend të dukshëm për konsumatorin.
Por shumë prej tyre as nuk e dinë që duhet të ekzistojnë këto lista pasi siç na shkruan dhe Luljeta L: “Ka dhe më, po pfff kot sa flasim s’na ven vesh kush”.

“Miti” buka 1 kilogramë
Të gjithë konsumatorët që pyetëm “kanë bindjen” se buka masive duhet të jetë 1 kg dhe të gjithë e dinë që në asnjë furrë nuk mund të gjejnë bukë me këtë gramaturë.

Por le të bëjmë pak histori…
Që pas rënies së komunizmit, në momentin që tregu nisi të liberalizohej buka nisi të prodhohej masivisht nga sipërmarrjet asokohe modeste në peshën 1 kg.
Më pas gjërat nisën të ndryshonin, në vitin 2004 qeveria Nano ndërhyri me anë të një porosie të veçantë drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për të mos lejuar rritje spekulative të çmimit të bukës.
Policia Tatimore ndërmori kontrolle dhe çmimi nuk u rrit. Megjithëse çmimi i bukës ishte i liberalizuar qeveria e asaj kohe ndërhyri duke mos lejuar që çmimi të rritej. Por taktika ndryshoi…
Çmimi nuk u rrit, por pesha e bukës u ul. Në këtë mënyrë biznesi arriti të nxirrte fitimin e dëshiruar duke mos patur probleme as me shtetin, as me konsumatorin… (me konsumatorin kishte, por fundja konsumatori nuk ka gjë në dorë përveçse ta blejë).
Vit pas viti pesha e bukës standarde, flasim për bukën masive u ul derisa ka arritur sot në ditët që flasim në peshën 700 gramë të deklaruar, pasi në realitet nuk peshon asnjëherë 700 gramë.

Konsumatorët ankohen…bla bla bla
Pesha e bukës, sipas Specialistes së Shoqatës së Konsumatorëve Fatmira Biçaku deri para pak vitesh ishte jo më pak se 950 gramë. Tregu i furrave të bukës dhe pastiçerive funksiononte me këtë politikë.
Pyetur nga Shije për këtë temë ajo shprehet: “Një nga problemet është buka masive nën peshën e “standardizuar” si produkti kryesor i shportës, në një kohë që ky standard nënkupton: buka duhet të jetë 1 kg”.
Ajo e shpjegon ndryshimin e peshës si strategji e përbashkët nga të gjitha subjektet, fillimisht duke rritur çmimin, dhe më pas duke e ulur çmimin dhe në të njëjtën kohë duke ulur peshën duke e bërë si standard peshën më pak se 1 kilogramë.
“Është e vështirë të gjesh në Tiranë një bukë me peshën 900 – 950 gramë”, vazhdon ajo.
Specialistja shpjegon se konsumatorët ankohen vazhdimisht për abuzimin me peshën, tanimë konsumatori jo vetëm që nuk kërkon që buka t’i afrohet kësaj peshe, pasi pesha varion në më pak se 700 gramë, por së paku të ketë një peshë të përcaktuar qartë dhe me cilësi optimale.
Duhet theksuar se vetëm gjatë 2016-s pranë kësaj shoqate janë regjistruar 891 ankesa nga konsumatorët mbi peshën, cilësinë, ambalazhimin dhe sigurinë e bukës masive.
Në vëzhgimin që Shije ndërmori, në asnjërën nga furrat ku vëzhguam buka nuk ishte 1 kg, shumica e tyre ishin nën 750 gr.
Në videon e mëposhtme do të ndiqni se cila ka qenë pesha ekzakte për secilën bukë…

Gjysma e pikave të shitjes, pa lista peshe dhe çmimesh
Por nuk ishte vetëm abuzimi me peshën problemi i vetëm që ne hasëm gjatë blerjes së bukëve në furrat e Tiranës. Në shumë pak prej tyre ishin të afishuara në vende të dukshme lista me çmimet dhe peshën…Shihni tabelën:

 

A nuk duhet të ketë dhe buka etiketë përbërësish?!
Në mungesë të një etikete mbi produktin, ne nuk dimë çfarë përbërësish fusim në organizëm përmes bukës. Të flasësh për nivelin e lagështisë dhe datën e skadencës duket luks.
Kripa, për shembull, është një nga elementet e pranishëm në bukë, përbërës i cili nëse përdoret mbi normat dëmton shëndetin e njeriut.
Kërkuam një përgjigje nga autoritetet përkatëse, dhe e morëm një përgjigje: Asnjë përgjigje. Kontaktuam me AKU-në, AMK-në, AMK-në në Ministrinë e Ekonomisë dhe Inspektoriatin e Metrologjisë dhe Kalibrimit.
Secili nga këto institucione nuk na dha një përgjigje se kush është autoriteti përgjegjës që monitoron peshën e bukës nëpër këto subjekte…
AKU merret me cilësinë jo me sasinë, Agjensia e Mbrojtjes së Konsumatorit pranë Bashkisë Tiranë merret me monitorimin e tregjeve, sektori për mbrojtjen e konsumatorit në Ministrinë e Ekonomisë merret me mbrojtjen e konsumatorit në tregun ekonomik…
Po na vjen vërdallë nga ky ping-pong përgjegjësish pa fund. Për të marrë një përgjigje kaq të thjeshtë duhet të sorrollatesh në shumë dyer dhe pa saktësuar asgjë.

Edhe një herë për cilësinë…
Nëse nuk mund të sigurohemi për peshën, një gjë kaq të matshme a ia vlen të diskutojmë për cilësinë dhe sigurinë?!
Të paktën dhe një herë, po…
Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve shpjegon se gjatë vëzhgimeve të kryera vetë, kanë hasur në probleme të rënda me higjienën.
Këtë problem specialistja Biçaku e shpjegon me faktin se shteti e ka harruar konsumatorin dhe se ky i fundit është totalisht i pambrojtur ndaj abuzimit të përditshëm.
Fakte dhe kundërfakte thuhen shpesh në media, artikulohen në foltore partish, ndërsa mbyllim ditën me të njëjtën bukë, që na serviret kudo, nën peshë dhe e pasigurt…

Presion institucional vetëm për të mbledhur lekë
Në asnjë furrë buke nuk shitet buka pa kupon tatimor, shteti ka arritur ta ndërgjegjësojë biznesin për të deklaruar çdo të ardhur… E njëjta gjë do të funksiononte shumë mirë nëse do ishte dhe për konsumatorin…
Nëse bën një përllogaritje të thjeshtë sesa humbet një familje e cila blen çdo ditë 2 bukë në ditë, në fund të muajit shuma është e konsiderueshme, pasi buka është produkt bazë konsumi.
Në një kohë që konsumi bie gjithmonë e më tepër, ende nuk kemi një standard të mirëpërcaktuar për produktet ushqimore. Pa përmendur cilësinë, nuk dimë nëse buka që konsumojmë masivisht është e sigurtë në të gjitha pikat e shitjes.
Për sa kohë që buka vazhdon të shitet në mënyrë abuzive, në jo pak raste është e ambalazhuar në qese plastike dhe jo letre…
Nëse jeton pranë qendrës e padyshim e blen të paketuar në letër, por nëse lëviz në drejtim të lagjeve më të thella të kryeqytetit të kërkosh bukë në letër është njësoj si të kërkosh gjilpërën në kashtë…
Këtë e konfirmon dhe Shoqata e Konsumatorëve. Fatmira Biçaku, tha për “Shije” se furrat e prodhimit të bukës duhet të plotësojnë disa kushte si: ambalazhim me letër, ngjyrë karakteristike dhe jo e djegur, kore e rregullt dhe pa të çara.
Por sipas saj ende nuk është arritur që të jetë standard për të gjithë kryeqytetin, sepse vazhdon tregtimi i bukës në kushtet jo të përshtatshme, sepse shumë konsumatorë janë ankuar gjatë 2016-s për probleme me bukën….
Për të provuar rrezikshmërinë e popullit po e le pa bukë, kujtoni Maria Antuanetën kur erdhën i thanë se populli i revoltuar po kërcënon dhe ajo u tha: “Jepuni nga një copë kek, apo biskotë, që të qetësohen”.
Fundin e saj e dini të gjithë…/shije.al/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here