“Thyhet” mazhoranca/ A do të ketë marrëveshje mes PS-PD për integrimin. Reagon Bregu

0
138

Gëzim Saliu

Komisioni i Integrimit Hapja e negociatave me BE-në, MI propozon ngritjen e KKIE me bashkëdrejtues Arta Daden dhe Majlinda Bregun. Reagimi i deputetes demokrate: Kam nisur shkresë zyrtare, përgjigjja sot

Edhe pse sesioni i ri parlamentar nisi me atmosferën më konfliktuale të mundshme mes palëve politike, ku mazhoranca rrëzoi të gjitha dekretet e Presidentit të vendit, ndërsa opozita bëri të ditur vendimin për vazhdimin e bojkotit parlamentar, duket se do të jetë procesi i integrimit, i cili mund të hapë një kanal të ri të komunikimit mes së majtës dhe të djathtës. Kështu, mazhoranca ka hedhur një hap pas në qëndrimin e saj, ku përmes ministrisë së Integrimit ka kërkuar në Komisionit Parlamentar përkatës ngritjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian. Projekt-propozimi i bërë publik dje nga “TCH” thekson se për të bërë procesin reformues më gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, në shtator në Shqipëri do të krijohet një mekanizëm institucional i konsultimit për çështje të BE-së me të gjithë aktorët e interesuar, i cili do të quhet KKIE.

 

Mekanizmi i ri dhe palët

Pas marrjes së statusit të vendit kandidat, Shqipëria ka synim hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, pavarësisht se ky i fundit ka bërë të ditur se për katër vite nuk do të ketë zgjerim në BE. Në këto kushte, duke marrë shkas edhe nga kërkesa kryesore e Brukselit për dialog dhe bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës, duket se të majtët janë “të detyruar” të shtrijnë dorën ndaj kundërshtarit politik. Ngritja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, që pritet të nisë funksionimin në fund të muajit shtator pas miratimit dhe marrjes së vendimit nga qeveria për krijimin e kësaj strukture, përbën një mundësi të re të bashkëpunimit përmes palëve, nisur nga fakti se integrimi është cilësuar si prioritet edhe nga ana e opozitës. Ministria e Integrimit në propozimin e saj ka propozuar që ky Këshill të bashkëdrejtohet nga kryetarja e Komisionit të Integrimit, deputetja demokrate Majlinda Bregu, dhe homologia e saj në Komisionin e Jashtëm, Arta Dade. Ndërkaq, kjo e fundit ka bërë të ditur pjesëmarrjen e saj në strukturën e re, ndërsa deputetja e PD-së e pyetur dje nga “Standard”, theksoi se për këtë çështje ka kthyer përgjigje zyrtare me shkrim dhe qëndrimi do të bëhet i ditur ditën e sotme. “Kam kthyer përgjigje zyrtare me shkrim dhe për çështjen do të flas nesër (sot)”, – tha Bregu. Në këto kushte, mundësia e thyerjes së pjesshme të bojkotit të opozitës për këtë çështje që lidhet me procesin e integrimit, ekziston, duke marrë parasysh qëndrimin e përbashkët të palëve për aspiratën evropiane të vendit. Por nga ana tjetër, ekziston mundësia që përgjigjja e PD-së të mund të jetë edhe negative, duke renditur akuzat ndaj mazhorancës për goditje dhe kërcënim të opozitës, vendime antiligjore e antikushtetuese, si edhe rastin e fundit të rrëzimit pa argument të dekreteve të Presidentit. Por pavarësisht nga qëndrimi që do të bëhet i ditur sot, krijimi i Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian përbën një mundësi të re të rikthimit të marrëdhënies së bashkëpunimit mes mazhorancës dhe opozitës, të paktën për çështjen e integrimit evropian. Ndërkaq, KKIE, sipas propozimit të Ministrisë së Integrimit, pritet të jetë një strukturë që do të japë udhëzime strategjike në lidhje me procesin e integrimit evropian si edhe të rrisë bashkëpunimin mes partive politike, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile në këtë proces. Po ashtu, është parashikuar që Këshilli të mblidhet të paktën dy herë në vit për të diskutuar dhe për të miratuar rezultatin që rrjedh nga axhenda e Bashkimit Evropian. Në përbërje të tij do të jenë Kryeministri, krerët e grupeve parlamentare, përfaqësues nga kabineti i Presidentit, akademikë, komunitetet fetare, përfaqësues të biznesit, të shoqërisë civile dhe medias.

 

 Harta e re territoriale/ Shehi: Në zgjedhjet vendore, me armë të pabarabarta me PS-LSI, ndarja në favor të së majtës

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, deklaroi dje se më hartën e re territoriale, mazhoranca ka synime të pastra politike dhe se në këto kushte palët do të hyjnë në zgjedhjet vendore me armë të pabarabarta. “Të shkosh në zgjedhje me këtë ndarje administrative, që ka bërë shumica e sotme, është e dëmshme për opozitën, pasi hyjmë në zgjedhje me armë të pabarabarta. Kjo rishpërndarje është bërë në favor të shumicës, por teza e bojkotit të zgjedhjeve është tezë që nuk qëndron politikisht”, – thekson Shehi për “News 24”. Ndërkaq, ai theksoi qëndrimin e tij kundër referendumeve lokale për të kundërshtar ndarjen e re, duke komentuar: “Më duket si provë gjenerale para zgjedhjeve. Nuk do i hyj këtij risku. Ditën që do humbësh në referendum kush do të shkojë të votojë pastaj për PD dhe opozitën ditën e zgjedhjeve. Kjo është provë me shumë risk, nuk do ta provoja. Referendumet në Shqipëri marrin ngarkesë politike, do shkojmë siç kemi votuar për vite me radhë për të majtën apo të djathtën”. Nga ana tjetër, Shehi, duke e cilësuar gabim mospjesëmarrjen e opozitës në reformën territoriale, theksoi se e djathta duhet të bëhet pjesë e reformës në drejtësi. “Opozita duhet të marrë pjesë në reformën në drejtësi, pasi reformat kanë nevojë për debatin opozitar, me një këmbë nuk ecet gjatë”, – tha ai. Ndërkaq, opozita ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në reformën në drejtësi, por me kushtin që ajo të monitorohet nga partnerët ndërkombëtarë.

 

 Rrëzimi i dekreteve/ Berisha: Ligjet, antireforma që duan shtetin policor. Mazhoranca, sulm banal ndaj Presidentit

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, deklaroi dje se rrëzimi i pesë dekreteve të Presidentit të Republikës Bujar Nishani nga ana e mazhorancës përbëjnë një sulm banal ndaj Nishanit. Për deputetin socialist, të pesta ligjet e mazhorancës janë antireforma me anë të të cilave kreu i qeverisë kërkon shndërrimin e shtetit ligjor ne shtet policor. “Deputetët e “Aleancës së Qelbësirave”, me në krye Edvin Kristaq Ramën, çelën sesionin parlamentar me sulmin më të egër dhe banal në historinë e pluralizmit shqiptar ndaj kryetarit të shtetit, zotit Bujar Nishani, për fajin e vetëm se Presidenti i Republikës, në mbrojtje të Kushtetutës, interesave jetike kombëtare dhe interesave të qytetarëve shqiptarë nuk firmosi, por ktheu në Parlament ligjet e antireformave, me të cilat Edvin Kristaq Rama realizon shndërrimin e shtetit ligjor në shtet policor”, – u shpreh Berisha. Më tej, ai komentoi kthimin e të pestave ligjeve duke e cilësuar ndarjen e re territoriale si ndarjen më antikushtetuese dhe diskriminuese, ku, sipas tij: “Në këtë ndarje, qarku i Gjirokastrës me 120 mijë banorë ka 7 bashki, ndërkohë që qarku i Tiranës dhe Durrësit me 1.2 milionë banorë kanë 6 bashki”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency