Dështon seanca dëgjimore në Kuvend/ Braçe: Mungesa e Inspektores së BSH-së, e paprecedentë. Golemi: Përgjigjem me shkrim

0
115

 Florenc Drizari

Komisioni i Ekonomise“Banka e Shqipërisë nuk është sulltanat që refuzojnë të përgjigjen kur duan ata”

Komisioni Kuvendor për Ekonominë dhe Financat nuk arriti të zhvillojë dje seancën dëgjimore të parashikuar me Inspektoren e Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi. Shkak për këtë u bën refuzimi i inspektores për të marrë pjesë në seancë. Njoftimi i mosprezencës rreth 30 minuta para zhvillimit të mbledhjes, u quajt një rast i paprecedentë nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe, ndërkohë që inspektorja e Përgjithshme u shpreh e gatshmë të përgjigjej me shkrim. Në mbledhjen e djeshme, kryetari i këtij komisioni, Braçe, nuk nguroi të dalë edhe në konkluzione që sipas tij, kanë çuar Golemin të mos marrë pjesë në seancën e thirrur në Kuvendin e Shqipërisë.

“ Sot (dje) ishte planifikuar të dëgjohej Inspektorja e Përgjithshme e BSH-së Elivar Golemi, kërkesë e cila mbështetet në nenin 54 të ligjit të BSH-së. Pra, në përmbushje të detyrimeve tona kushtetuese, në respekt të nenit 54, detyrave që ka përcaktuar ligji për këtë inspektor fakti që propozohet, emërohet dhe shkarkohet vetëm nga Kuvendi, unë në cilësinë e kreut të këtij komisioni i kam bërë kërkesë të paraqitet në këtë komision. Për fat të keq vetëm 30 minuta para mbledhjes ka refuzuar të paraqitet. Një sjellje konstante e gjithë vijës drejtuese të BSH. Banka e Shqipërisë nuk është sulltanat që refuzojnë të përgjigjen kur duan ata. Inspektori thotë se nuk përfaqëson BSH dhe për këtë arsye nuk paraqitet. Qenka e gatshme ti përgjigjet me shkrim, ky është absurdi. Kjo zonjë e njeh ligjin dhe Kuvendin e Republikës të Shqipërisë? Ky është një akt i rëndë, i paprecedentë i pandodhur në 23 vite, cënon marrëdhëniet me BSH”,-tha Braçe në nisje.

Anëtarët e tjerë të komisionit u shprehën se duhet t’i kërkohet Kuvendit shkarkimi i saj për shkeljen e etikës edhe mospërmbushjen e detyrave që i ngarkon ligji.

Ndërkohë, pas këtyre deklaratave erdhi edhe reagimi i Inspektores së Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi. Sipas isnpektores, ajo nuk refuzon të përgjigjet para komisionit, veçse përgjigjen do ta japë me shkrim. Ndër të tjera ajo shton se ka përmbushur me përgjegjshmëri të gjitha detyrat.

Në axhendë Komisioni i Ekonomisë ka parashikuar këtë të enjte një tjetër seancë dëgjimore me Inspektoren e Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë,  Elivar Golemi. Edhe pas kësj ftesë të dytë që i është bërë përfaqësueses së BSH-së, Golemi thotë se nuk mund te dëshmoj përpara Komisionit, për sa kohe ligji nuk e lejon të veproj në këtë mënyre. “E vetmja mënyre e komunikimit, bazuar ne dispozitat ligjore, është raportet dhe informacionet, pas miratimit te tyre nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës se Shqipërisë”,-thuhet në reagimin e saj.

 

Komisioni për Ekonominë dhe Financat

Ora 10:00
Në rend të ditës:

1. Seancë dëgjimore me ish-Inspektoren e Përgjithshme të Bankës së
Shqipërisë gjatë viteve, Teuta Baleta.

Ora 11.30
1. Seancë dëgjimore me Inspektoren e Përgjithshme të Bankës së
Shqipërisë,  Elivar Golemi.

 

Reagon Inspektorja e Përgjithshme/ Elivar Golemi: Ja pse nuk mund të raportoj në Kuvend

“Ne shkresën tuaj (kryetarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Erjon Braçe) nr. 2838, dt. 01.09.2014 me lende “Ftesë për seancë dëgjimore”, nuk ka asnjë baze ligjore te cituar, asnjë nen apo dispozite ku mbështetet kjo ftese për te me thirrur mua, ne cilësinë e Inspektorit te Përgjithshëm, për te dëshmuar ne Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Gjithashtu, kërkohet ne mënyre shume te përgjithshme dëshmia ime për përmbushjen e detyrës se ngarkuar me ligj, problemet dhe problematikat ne përmbushjen e saj, pa përcaktuar një objekt apo heshtje konkrete ne mënyre specifike, ne lidhje me çfarë duhet te dëshmoj para Komisionit. Ju sjell edhe një here në vëmendje, se të gjitha raportimet e Inspektorit të Përgjithshëm pranë Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, për periudhën 2011-2014, kohë në të cilën unë mbaj detyrën e Inspektorit te Përgjithshëm, te gjitha këto raportime i janë vene ne dispozicion Kuvendit të Shqipërisë, nëpërmjet korrespondencës zyrtare te Bankës së Shqipërisë, dt. 25.09.2014 (material i depozituar pranë Kuvendit 500 faqe, informacion i klasifikuar “sekret bankar i rezervuar”). Ne këto kushte, kur gjithë informacioni mbi përmbushjen e detyrave te Inspektorit te Përgjithshëm dhe Departamentit te Kontrollit, i është vene ne dispozicion Komisionit te Ekonomisë dhe Financave, vërej se ne ftesën për dëshmi nuk përcaktohet asnjë çështje konkrete për te çilen Inspektori i Përgjithshëm duhet te dëshmoj para këtij Komisioni.

Cfare me tërheq vëmendjen ne shkresën e Komisionit te Ekonomisë dhe Financave drejtuar mua, citoj: “ka nevoje te dëgjoje nga ju … dëshminë tuaj …”. Pra ne ketë shkrese nuk kërkohet raportim apo informacion, por dhënie dëshmie. Dëshmia është koncept procedural penal, jo administrativ. Dëshmia jepet para Prokurorit, Gjykatës ose Komisionit Hetimor Parlamentar. Marrëdhëniet me Kuvendin apo me Komisionet e Kuvendit vendosen nëpërmjet raportimeve dhe informacioneve, jo nëpërmjet dhënies se dëshmive. Raportimet dhe informacionet i kam dërguar pranë Këshillit Mbikëqyrës ne përputhje te plote me nenin 54 te Ligjit “Per Banken e Shqipërisë”. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë i ka përcjelle te gjitha këto raportime pranë Kuvendit te Shqipërisë, ne përputhje me dispozitat ligjore ne fuqi. Meqenëse edhe ne ftesën e dyte për seance dëgjimore, drejtuar Inspektorit te Përgjithshëm nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, me nr.28382Prot, date 03.09.2014, kërkohet, citoj: “…te paraqiteni para Komisionit për te dhëne dëshminë tuaj…”, theksoj se nuk mund te dëshmoj përpara Komisionit, për sa kohe ligji nuk me lejon te veproj ne ketë mënyre. E vetmja mënyre e komunikimit, bazuar ne dispozitat ligjore, është raportet dhe informacionet, pas miratimit te tyre nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës se Shqipërisë.

Sovraniteti i Kuvendit te Shqipërisë është parim i shenjte kushtetues te cilin askush nuk mund ta nëpërkembe apo te abuzoje me te. Kjo është vetëdija ime. Kjo është etika qe unë mbroj. Ne emër te kësaj vetëdije dhe etike jam e shtrënguar te deklaroj publikisht gatishmërinë time te plote për t’iu përgjigjur çdo kërkese për informacion nga çdo deputet i Kuvendit. Gjithçka tjetër qe përcillet ne media nga ana e anëtareve te komisionit, akuzat e padrejta dhe pretendimet e paligjshme dhe veçanërisht letra e dërguar nga Kryetari I Komisionit te Ekonomisë dhe Financave janë dukshëm përpjekje për te ushtruar presion te kundraligjshëm një funksionari te zgjedhur publik.  Detyrat dhe etika me kërkojnë te refuzoj me korrektese institucionale cdo tentative qe marrëdhëniet e kujtdo me çdo institucion apo funksionar te administratës te kthehen ne gjykime publike.  Për këtë arsye gatishmërinë dhe qëndrimin tim si me sipër jam e detyruar ta përcjell nëpërmjet medias”,-thuhet në reagimin e Inspektores së Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency