Komisioni i Ligjeve/ Ruajtja e “sekreteve”, përplasje mes  institucioneve të pavarura dhe qeverisë

0
112

Florenc Drizari

kom ligjeve_2 Komisioniri: Kërkojmë shtyrjen e shqyrtimit për shkak të mungesës së titullarit 

Fatmir Xhafaj: Komisioni nuk e kurdis dot orën sipas orës së Avokatit të Popullit

Ruajtja e të dhënave personale ka shkaktuar përplasje qëndrimesh në Kuvend mes institucioneve të pavarura të ngritura me ligj, atyre kushtetuese dhe qeverisë. Komisioni i Ligjeve miratoi dje në parim dy projektligje, atë “Për mbrojtjen e të dhënave personale” të ndryshuar si dhe projektligjin “Për të drejtën e informimit”, ndërkohë që nismat do të shqyrtohen nen për nen të hënën e ardhshme.

Kundër dy projektligjeve të qeverisë dolën përfaqësuesit e Avokatit të Popullit, të cilët theksuan se nismat cenojnë të drejtat ligjore dhe kushtetuese të këtij institucioni. Në mbrojtje të projektligjeve dolën përfaqësuesit e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale si dhe deputetët e majtë, ndërkohë që mes palëve nuk munguan edhe debatet për shtyrjen e mbledhjes.

Komisionerët e Avokatit të Popullit kërkuan shtyrjen e mbledhjes për një tjetër datë, për faktin se Avokati i Popullit, Igli Totozani, ndodhej për një mision jashtë shtetit, ndërsa kërkesa e tyre nuk u pranua nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, i cili e quajti një rast të përsëritur.

“Mund të vazhdoni, sepse Komisioni nuk e kurdis dot orën sipas orës së Avokatit të Popullit. Ka ndodhur edhe herë të tjera kjo. Nuk mund të shtyjmë mbledhjen e Komisionit kur titullarët udhëtojnë jashtë shtetit”, – iu përgjigj Xhafaj komisioneres Gjonaj. Më pas komisionerja e Avokatit të Popullit tha se institucioni që ajo përfaqëson lidhur me projektligjin për të drejtën e informimit, është në mënyrë kategorike kundër kësaj nisme, e cila, sipas saj, prek dhe cenon kompetencat e Avokatit të Popullit.

“Mënyra e prezantimit të këtij projektligji është shqetësuese dhe mendojmë se shkel parimet bazë të funksionimit të sistemit institucional dhe substancial të shtetit të së drejtës. Institucioni i Avokatit të Popullit në një vit merr mesatarisht 4500 ankesa të cilat pavarësisht se i përkasin fushave të ndryshme, janë të lidhura ngushtë me të drejtën e informimit ku Administrata Shtetërore nuk jep një dokumentacion, por që lidhet me një të drejtë të caktuar. E drejta për informim është një e drejtë kushtetuese dhe kjo e drejtë mbrohet nga institucione kushtetuese”, – deklaroi përfaqësuesja e Avokatit të Popullit. Ndërsa në replikë me komisionerët e Avokatit të Popullit, përfaqësuesit e ministrisë së Drejtësisë argumentuan se të drejtat për informim dhe mbrojtja e interesave të individëve nga veprimet apo mosveprimet e Administratës Shtetërore janë parashikuar në Kushtetutën e vendit.

Gjatë prezantimit të dy projektligjeve, zëvendësministri i Drejtësisë, Arben Isaraj, u shpreh se projektligji për të drejtën e informimit dhe ndryshimet në ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale është bazuar në modelet e vendeve më të përparuara të Evropës Perëndimore. “Në thelb e drejta e informimit dhe mbrojtja e të dhënave personale janë dy fusha që duhen trajtuar së bashku pasi vetëm në këtë mënyrë vendoset një balancë midis tyre dhe privatësia e individit mund të mbrohet edhe kur jepet informacion edhe mbi dokumentet zyrtare. Vendimi për hartimin e një ligji të ri është nisur nga nevoja për një reformim rrënjësor të kuadrit ligjor për të drejtën e informimit në Shqipëri”, – tha Isaraj. Ndërkohë, sipas qeverisë, projektligji për të drejtën e informimit është një sistem i ri mbikëqyrjeje i së drejtës për informim nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili, bazuar në modelet ndërkombëtare vlerësohet si mekanizmi më efektiv për të siguruar zbatimin në praktikë të kësaj të drejte. Për këtë është siguruar bashkëpunimi dhe vullneti pozitiv i institucionit të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

 

Samiti i NATO-s në Uells, Rama: Delegacioni shqiptar, rol të rëndësishëm

Kryeministri i vendit, Edi Rama, së bashku me delegacionin shqiptar u nis drejt Brukselit ku pritet të marrë pjesë në samitin e NATO-s në Uells. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Rama, me anë të një mesazhi në rrjetin social “Twitter”. Sipas Kryeministrit Rama, delegacioni shqiptar do të ketë një rol të rëndësishëm në këtë samit. “Për në samitin e NATO-s në Uells ku delegacioni shqiptar ka një zë dhe një rol të rëndësishëm në axhendën e punës”, – citohet në mesazhin e Ramës, duke e shoqëruar me një foto ku pjesë e delegacionit janë ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Samiti i Uellsit do të mbahet ditën e nesërme, ku do të diskutohen çështje që lidhen me bashkëpunimin me NATO-n si anëtare e saj, madje dhe mbi arkitekturën e sigurisë në vend dhe rajon.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency