Kuvend/ Ligjet, mbledhje pa kuorum, PS-LSI, kritika ministrive

0
145

Florenc Drizari

 kom ligjeve_2Në çeljen e seancës së Komisionit të Ligjeve ishin të pranishëm 13 deputetë nga 16 që duhen për plotësimin e kuorumit 

Komisioni i Ligjeve miratoi dje me votat e koalicionit të majtë dy projektligje që synojnë përshtatjen e legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Evropian, ndërsa përfaqësues të opozitës nuk morën pjesë në mbledhje në kuadër të bojkotit që kanë vendosur me Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë shqyrtimit të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin “Erasmus+”, programi i BE-së për arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin, në mbledhje u konstatua mungesa e kuorumit të nevojshëm për miratimin e projektligjeve. Në çeljen e seancës së djeshme të Komisionit të Ligjeve ishin të pranishëm 13 deputetë, ndërkohë që numri në total është 31 anëtarë, prej të cilëve 10 anëtarë i përkasin opozitës dhe pjesa tjetër mazhorancës qeverisëse. Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për programin “Erasmus+” u miratua me 13 deputetët që ishin të pranishëm, ndërsa gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë”, mazhoranca i bëri numrat e nevojshëm që duheshin për plotësimin e kuorumit. Më herët çështja e mungesës së deputetëve socialistë në mbledhjet e komisioneve parlamentare është bërë shkak për debate edhe në mbledhjen e grupit parlamentar socialist. Disa javë më parë, kryesocialisti Edi Rama u ka bërë të qartë deputetëve të PS-së se do të vlerësohen për listat zgjedhore të 2017-ës në bazë të kontributit që do të japin në Kuvend dhe në zonat e tyre elektorale ku janë zgjedhur.

 

Mbledhja

Edhe pse opozita nuk ishte e pranishme në Kuvend, kritikat ndaj Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik nuk munguan nga deputetët e majtë.

Fillimisht, deputeti i LSI-së, Spartak Braho, kërkoi më tepër informacion nga përfaqësuesit e Ministrisë se çfarë do të bëhet me kontratat e lidhura deri në 2017-ën, ndërsa relatori i projektligjit “Për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë”, Dashamir Peza, shprehu rezerva për nenin 9, si nga pikëpamja e ndërtimit gjuhësor, ashtu edhe nga teknika legjislative. Debate mes deputetëve pati për Bordin e Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit, e cila ka 16 anëtarë dhe përfaqësimi i tyre thuhet se është i balancuar dhe me pjesëmarrjen e të gjitha palëve të interesuara. Pas diskutimeve Komisioni vijoi me miratimin në tërësi të projektligjit “Për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë” me të gjithë votat e të pranishmëve.

Sipas Armond Halebit, drejtor i Agjencisë së Akreditimit në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, “Projektligji bazohet në rekomandimet e fundit të grupit të Organizatës Europiane për Akreditim të cilët kryen një vizitë para vlerësuese në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit. Projektligji që po propozojmë është i rëndësishëm, i domosdoshëm dhe në përputhje me kuadrin aktual ligjor evropian”.

Qeveria argumenton se në projektligj përcaktohen rregulla për krijimin, organizimin dhe funksionimin e sistemit të akreditimit të organeve të vlerësimit të konformitetit që kryejnë aktivitete të vlerësimit të konformitetit.

Ndërkaq, anëtarët e mazhorancës miratuan më herët edhe marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin “Erasmus+”. Sipas relatores Sivla Caka, “Erasmus+” është programi më i ri arsimor i Bashkimit Evropian, i cili synon modernizimin e sistemeve arsimore dhe përshtatjen e tyre me nevojat e tregut të punës, në një botë që ndryshon vazhdimisht”.

 

 “Banka e Shqipërisë”, Kuvendi nis seancat dëgjimore

 Pas skandalit të ndodhur në Bankën e Shqipërisë rreth një muaj më parë ku u konstatua një vjedhje pre rreth 713 milionë lekësh, Kuvendi nis procedurat për zhvillimin e seancave dëgjimore me përfaqësues të këtij institucioni. Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka futur në rendin e ditës zhvillimin e një seance dëgjimore me inspektoren e Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi. Seanca pritet të mbahet të mërkurën në orën 10:00, ndërsa seanca të tjera dëgjimore me përfaqësues të Bankës së Shqipërisë janë paralajmëruar nga deputetët e majtë. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, ka qenë ndër zërat më kritikë ndaj drejtuesve të BSH-së dhe Këshillit Drejtues të këtij institucioni, duke thënë se Kuvendi do të ndërmarrë të gjitha nismat ligjore për të nxjerrë përgjegjësitë, paçka se prokuroria prej javësh po zhvillon hetimet në këtë drejtim.

“Do të dëgjojmë nesër (sot) inspektorin e Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë, një ditë më pas ish-inspektorin e Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë, të hënë, të martë, të mërkurë, 6 anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Më pas, analizë dhe pas saj guvernatorin e Bankës së Shqipërisë që vepron si drejtor ekzekutiv i saj. Përgjegjësia administrative e gjithsecilit është qëllimi ynë. Propozimet përkatëse në bazë të përgjegjësisë do të jenë produkti”, – ka shkruar një ditë më parë Braçe në rrjetin social “Facebook”.

Vjedhja e ndodhur në Bankën e Shqipërisë ka sjellë reagime të forta nga shoqëria civile si dhe disa përfaqësues të politikës shqiptare. Pozita dhe opozita kanë dënuar ngjarjen duke kërkuar zbardhjen e vjedhjes së ndodhur në institucioni kryesor bankar në vend, ndërkohë që paralelisht me këto zhvillime, përfaqësues nga shoqëria civile kanë nisur një peticion për mbledhjen e firmave për shkarkimin e guvernatorit të Bankës.

 

Integrimi, Mogherini: Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara

Shefja e re e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë në Bashkimin Evropian ka folur për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian. Në cilësinë e ministres së Jashtme të Italisë, Frederica Mogherini ka thënë se Shqipëria ka treguar vullnet për të kryer reforma për sa i përket integrimit në BE.

“Ne besojmë se Shqipëria në muajt e fundit ka ecur në mënyrë të jashtëzakonshme sa i takon vullnetit për të kryer reforma dhe vendimi i qershorit nga Këshilli Evropian ishte stimuli i duhur në ketë drejtim”, – tha Mogherini.

Mogherini tha ndër të tjera se vazhdimi i procesit të zgjerimit të BE-së është jo vetëm në interesin e vetë vendeve që janë në procesin e anëtarësimit, por edhe në intereson tonë si evropianë për arsye stabiliteti, sigurie dhe prosperiteti ekonomik.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency