Situata ekonomike/ Berisha: Papunësia u rrit me 34 mijë veta, 90% më shumë vetëvrasje se në 2013-ën  

0
134

Gëzim Saliu

Berisha“Kriza ekonomike shkakton epidemi vetëvrasjesh, askush nuk po i lehtëson dhimbjet e mjerimit”

Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha deklaroi dje se situata ekonomike në vend ka sjellë mjerim dhe rritje të papunësisë në vend. Duke marrë shkas nga numri i lartë i vetëvrasjeve, Berisha theksoi se qeveria që premtoi hapjen e 300 mijë vendeve të punës, jo vetëm që nuk po mban premtimin e saj, porse po shkakton edhe problem të thella sociale. “Kafshatë që nuk kapërdihet është or vëlla mjerimi! Kriza ekonomike shkakton pothuaj epidemi vetëvrasjesh. Skamja, papunësia, mjerimi nga kriza ekonomike, recesioni në thellim që ka pllakosur po shkakton rritjen galopante të vetëvrasjeve në Shqipëri. Vetëm dje dy nëna, njëra në Lezhë e tjetra në Fier, dhe një prind tjetër në Berat, mbyllën tragjikisht jetën e tyre. Këta, në përgjithësi janë qytetarë që nuk përballojnë dot dhimbjet e egra të mjerimit, dhe të papunë e pa asnjë burim jetese, zgjedhin vetëvrasjen si rrugëzgjidhje fatale. Ky vit ka regjistruar një rritje prej 90% të vetëvrasjeve dhe tentativave për vetëvrasje krahasuar me një vit më parë dhe mjerisht numri i tyre vazhdon të rritet me shpejtësi”, – deklaroi ai.

 

Situata

Sipas ish-kreut të qeverisë shqiptare, muaji korrik i vitit 2014 regjistroi 41 vetëvrasje kundrejt 19 që ishin në korrikun e vitit 2013 dhe kundrejt 31 që ishin qershorin që kaloi. “Në korrik 2014 vetëvrasjet dhe tentativat për vetëvrasje arritën në 80 raste, kundrejt 61 rasteve që ishin në qershor, pra një rritje galopante me përmasa pothuaj epidemike. Vdekjet e të gjitha natyrave janë gjëja më e dhimbshme, por në mbretërinë e tyre, vetëvrasjet janë më të dhimbshmet. Shumica e këtyre viktimave mund të shpëtohen. Ata nuk do t’ia dorëzonin jetën e tyre vdekjes, në rast se dikush do t’u lehtësonte dhimbjet e idhta të mjerimit”, – u shpreh ai. Në këtë kontekst, Berisha pohoi se qeveria që premtoi hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës, ka rritur me nga 12.8 ne 18.6% papunësinë. “Por qeveria, që premtoi se do krijonte 300 mijë vende pune dhe do të zhdukte listat e gjata në dyqane, ka rritur papunësinë, sipas vetë statistikave të saj me rreth 34 mijë vetë. Listat e gjata në dyqane pothuajse i ka hequr, pasi shumica e shitësve nuk japin më me listë ushqimet sepse borxhlinjtë nuk paguajnë dot më, sepse paratë nga emigracioni kanë rënë në mënyrë dramatike. Qeveria, për këta fatkëqinj, ofron sot pushimet luksoze të ministrave të saj në jahte me 180 mijë euro në javë dhe tabelat në sheshet dhe rrugët e vendit me sukseset imagjinare të saj”, – deklaroi deputeti demokrat. Hapja e vendeve të reja të punës ka qenë ndër premtimet kryesore të mazhorancës qeverisëse në fushatën elektorale përt zgjedhjet e 23 qershorit të vitit 2013, ku u premtua për krijimi i 300.000 vende pune në katër vite. Për këtë premtim, mazhoranca është përballur me oponencën e fortë të PD-së, e cila duke marrë shkas nga rezultatet e deritanishme ka akuzuar qeverinë për mashtrim dhe propagandë. Ndërkaq kryeministri Rama ka kundërshtuar opozitën, duke theksuar se në 300 ditë, qeveria ka arritur të ketë mbi 43 mijë punonjës më shumë në librin e kontributeve e ndërsa ka theksuar se përmes 7 zyrave të Punësimit janë kontaktuar mbi 22mijë punëdhënës.

 

Shërbimi Kombëtar i Punësimit/ Kojdheli, PD-së: Nuk punësojmë qytetarë në administratë

Shërbimi Kombëtar i Punësimit reagoi dje ndaj akuzave të Partisë Demokratike lidhur me efikasitetin e zyrave të punës. Drejtori i Përgjithshëm i këtij Shërbimi, Genci Kojdheli, deklaroi se dikasteri që ai drejton është vetëm një prej shumë aktorëve që operojnë në tregun e punës dhe se punësimi i individëve në administratën shtetërore është jashtë kompetencave të tij. “Shërbimi Kombëtar i Punësimit nuk ka kompetencë punësimin e individëve në administratën shtetërore, është një kompetencë që i takon Departamentit të Administratës Publike. Së dyti, SHKP është vetëm njëri prej disa dhjetëra aktorëve që operojnë në tregun e punës. Koha kur gjithë shqiptarët punësoheshin me detyrim përcaktim ka kohë që ka marrë fund. Së treti PD akuzon në mënyrë qesharake ngritjen e zyrave të reja, a thua se shërbimi plot dinjitet dhe kulturë për qytetarët është një gjë që shqiptarëve nuk u takon. Doja t’i kujtoja opozitës që asnjë prej 8 zyrave të hapura të Punësimit nuk është bërë me fondet e shtetit, është bërë me donacione bujare të biznesit privat, i cili gjen tek SHKP një partner dinjitoz dhe serioz në punën e tij të përditshme”, – tha ai. Më tej, Kojdheli mohoi akuzat e bëra nga opozita se këto zyra nuk funksionojnë, nuk kanë të punësuar dhe qëndrojnë të hapura vetëm për emërime politike. Në këtë kontekst, ai iu referua raportit janar – korrik 2014 në të cilin tregohet se fondi i punësimit është 3-fishuar dhe se kanë aplikuar 3000 punëkërkues. Në periudhën janar-korrik të 2013 zyrat e punës kanë shpallur 7781 vende të lira pune, në të njëjtën periudhë të këtij viti SHKP ka shpallur 17 651 vende, 10 mijë vende më shumë se një vit më parë. Në periudhën janar-korrik 2013 zyrat e punës kanë ndërmjetësuar më pak se 200 individë në çdo zyrë pune që ekziston në territorin e vendit. Në 2014, 9100 vende pune”, – deklaroi ai, ku sulmoi edhe Bashkinë e Tiranës, qe sipas tij prej 4 muajsh nuk ka ofruar asnjë vend të ri pune.

 

 Reagimi/ Bashkia: Për tre vjet hapëm 25 mijë vende pune, mijëra të tjera i ka bllokuar qeveria

Bashkia e Tiranës nëpërmjet një deklarate për media reagoi dje akuzave të kreut të Shërbimit Kombëtar të Punësimit duke theksuar se Kryeministri Rama përbalt punën e tyre për hapjen e vendeve të reja të punës, me qëllim që të mbulojë paaftësinë e tij dhe varfërinë ku e ka zhytur vendin. “Përbaltja dhe sulmi politik ndaj Bashkisë së Tiranës nuk e mbulon paaftësinë e Edi Ramës dhe qeverisë së tij që ka zhytur vendin në varfëri dhe papunësi. Ajo që deri dje për Edi Ramën ishte e panjohur, nxitja e punësimit nga Bashkia, sot është kthyer në qendër të prioriteteve të Bashkisë”, – thuhej në reagim. Më tej Bashkia theksoi se në afro 3 vjet ky institucion ia ka dalë të stimulojë hapjen e rreth 25 mijë vendeve të reja pune. “Mijëra të tjerë do të hapeshin me investimet strategjike; bulevardin, tramin, terminalin që bllokoi Edi Rama. I vetmi shërbim që qeveria u ka bërë qytetarëve të Tiranës është bllokimi, bllokim i buxhetit, bllokim investimesh në rrugë, kopshte, shkolla etj, bllokim i strehimit, bllokim i varrezave. Çdo qytetar e di sot se arsyeja e këtij bllokimi është frika e Edi Ramës si ish-kryebashkiak dje dhe kryeministër sot, për t’u përballur me bilancin e Bashkisë. Pa asnjë dyshim, faturën e këtij bllokimi do ta paguajë vetë Edi Rama, në përballjen e ardhshme politike. Edi Rama dhe tellalli i tij Veliaj duhet ta kenë të qartë se me përbaltje, mashtrim e bllokim nuk mashtrohen qytetarët, që sot shohin se si papunësia, pasiguria dhe varfëria po shkatërron të sotmen dhe të ardhmen e tyre”, – theksohej në reagimin e bashkisë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency