PD: Policët grabiten në mes të ditës

0
130

Gëzim Saliu

lulzim bashaRama: Po mbështetni rrugaçërinë. Basha: Kriminelët, në polici e administratë

 Kreu i PD-së: Kur gishti tregon hënën, budallai tregon gishtin. Krimi dhe rrugaçët hanë e pinë në një tavolinë me Kryeministrin

Një deklaratë për shtyp e Partisë Demokratike lidhur me situatën e rendit dhe sigurisë në vend ka sjellë debatin e radhës mes Kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha. Ashtu si shumë raste kohët e fundit, të dy krerët kryesorë të palëve politike në vend i janë kundërpërgjigjur njëri-tjetrit në rrjetin social “FB”. Fillimisht, ishte kreu i qeverisë, i cili reagoi ndaj deklaratës së demokratëve, duke e cilësuar atë si mbështetje për krimin. Ndaj këtij komenti nuk ka munguar replika në distancë e Bashës, i cili pohoi se kriminelët dhe rrugaçët janë bërë pjesë e strukturave të policisë si edhe administratës.

 

Reagimet

Në një dalje nga selia blu, koordinatorja për mediat, Silvi Bardhi, pasi akuzoi drejtorin e Policisë për propagandë politike lidhur me shifrat e kriminalitetit, deklaroi se realiteti i ndryshëm vërtetohet me ngasjen e ndodhur vetëm dy ditë më parë në qytetin e Shkodrës, ku u grabit një polic. “Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u përpoq dje të kompensonte mungesën e qeverisë, me një dalje mediatike propagandistike për sukseset e mëdha me rendin dhe sigurinë. Por gjatë kohës që numëruesi i parë i votave për Partinë Socialiste lexonte shifra që nuk e bindnin as atë vetë, një lajm nga Shkodra ia hodhi poshtë të gjitha arritjet. Një polic u grabit, iu morën paratë dhe arma e shërbimit, pikërisht në kohën që numëruesi i parë i votave të Partisë Socialiste, Didi, shpallte rezultatet e punës së tij”, – theksoi Bardhi. Më tej, ajo bëri të ditur se vetëm pak ditë më parë, një tjetër polic në Tiranë u grabit dhe u çarmatos në mes të ditës. “Grabitja dhe çarmatosja e policëve në mes të ditës është treguesi real i gjendjes së përkeqësuar të rendit dhe i rënies së autoritetit të Policisë së Shtetit, për shkak të politizimit të saj dhe largimit masiv të profesionistëve”, – tha koordinatorja për mediat e PD-së. Kjo deklaratë e Bardhit shkaktoi reagimin e Kryeministrit Rama në rrjetin social, i cili akuzoi PD-së se në këtë formë po mbështet krimin. “Sulmet e vazhdueshme plot shpifje e ofendime të SHQUP-it ndaj Policisë së Shtetit, mbështetje morale për krimin e për rrugaçërinë”, – theksoi Rama. Ndërkaq përmes një statusi në “Facebook”, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi Kryeministrin se mban rreth vetes njerëz të lidhur me krimin. “Krimi dhe rrugaçët hanë e pinë në një tavolinë me Kryeministrin, ndajnë favoret dhe shtetin si plaçkë lufte me Kryeministrin, janë futur në polici, administratë dhe Kuvend për hesap të Kryeministrit dhe i bëjnë karshillëk ligjit, policisë dhe me raste edhe ortakut Kryeministër. Kur gishti tregon hënën, budallai tregon gishtin”, – shkruante Basha. Në të njëjtën linjë me kryedemokratin, ishte edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, i cili pohoi se krimi është në zyrat e Kryeministrisë dhe Parlamentit. “Gjithë krimi dhe rrugaçët bënë aleancën e fundërrinave para 23 qershorit dhe sot sundojnë vendin! Krimi, rrugaçët kanë marrë shtetin! Në realitet në 300 ditë krimi dhe rrugaçët janë emëruar nga Edvini në Kryeministri, Parlament e në krye të administratës së lartë. Opozita nuk shpif, as ofendon, thotë të vërtetat dhe misioni i saj është beteja kundër mafies së pushtetëruar!”, – theksoi Paloka.

 

Zgjedhja si President/ Rama uron Erdoganin: Do të forcojmë marrëdhëniet vëllazërore mes dy vendeve

Kryeministri Edi Rama uroi dje Recep Taip Erdoganin për zgjedhjen si President i Turqisë. Me anë të një postimi në “Facebook” e “Twitter”, Rama bëri me dije se urimi i është bërë me telefon ndërsa theksoi: “Folëm për zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik mes dy vendeve”. Ndërkaq, zyra për shtyp në Kryeministri zbardhi mesazhin e urimit ndaj Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me rastin e fitores në zgjedhjet presidenciale. “I nderuar z. President Erdoðan! I dashur mik! Më lejoni që t’Ju përcjell urimet e mia më të ngrohta si dhe përgëzimet e bashkëqytetarëve të mi, për fitoren Tuaj në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Shpreh bindjen time se në lartësinë e detyrës Suaj të re, Ju do të vijoni të jeni një kontribues i madh në forcimin e marrëdhënieve vëllazërore mes dy vendeve tona dhe konsolidimin e bashkëpunimit tonë të frytshëm. Fat të mbarë në vijimin e realizimit me sukses të objektivit madhor për ndërtimin e Turqisë së re”. Kryeministri Recep Tayyip Erdogan u zgjodh më 10 gusht President i Turqisë, të parat zgjedhje presidenciale me votim popullor. Nga ana e tij, Erdogan dha një mesazh bashkimi, duke deklaruar se kërkon të hapë një epokë të re, në një vend shumë të përçarë. Kreu i shtetit, që drejton vendin që prej vitit 2003, premtoi zhvillimin e një procesi të ri bashkimi social mes bashkatdhetarëve të tij.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency