Masat / Vjedhja e 7 miliardëve, të akuzuarit: Nuk njihnim rregulloren, nuk i dinim detyrat tona

0
121

 Sonila Mesareja

Gjykata lë në burg shtatë të akuzuarit, avokatja Pustina: Klienti im vetëm neglizhoi detyrën, por jo i përfshirë

 

0801-BANKA-SHQIPERISE-610x406Pas katër orësh maratonë, në seanca të zhvilluara me dyer të mbyllura, Gjykata e Tiranës vlerësoi si të ligjshme masat e arrestit dhënë në mungesë për shtatë të arrestuarit e akuzuar për vjedhjen e 713 milionë lekëve, e ndodhur në Bankën e Shqipërisë. Njëri pas tjetrit, gjashtë punonjësit e bankës dhe nipi i Ardian Bitraj, protagonistit kryesor të kësaj ngjarjeje, janë njohur me akuzuat nga prokurori i çështjes, si dhe provat që disponon, të cilat provojnë akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” apo dhe “Moskallëzimit të krimit” në ngarkim të tyre. Nga burime pranë gjykatës bëhet me dije se të gjithë të akuzuarit i kanë mohuar akuzat e ngritura, duke pretenduar se jo vetëm që nuk janë të përfshirë, por as që kanë kuptuar aktivitetin e Ardian Bitraj. Pasi ka dëgjuar prokurorin dhe pretendimet e të akuzuarve dhe avokatëve të këtyre të fundit, gjyqtari Arben Mullai la në fuqi masat e caktuara në mungesë, duke lënë në burg të shtatë të arrestuarit, përkatësisht Petrit Ramohitaj, me detyrë përgjegjës i arkës në veprim, Liljana Tusha, specialiste e arkës në veprim, Lavdim Cani, specialist i arkës stok, Myzejen Belba, specialiste e arkës stok, Dhimitër Davidi, me detyrë vëzhgues i kamerave të sigurisë, Bashkim Xhilaga, shef sektori i dy arkave në veprim dhe Kelvis Bejtaj, nipi i Bitraj.

Pretendimet

Të gjithë punonjësit e Bankës, të akuzuar për veprime apo mosveprime gjatë kohës që Ardian Bitraj kryente vjedhjen e 713 milionë lekëve, kanë deklaruar para gjyqtarit Arben Mullai se nuk njihnin rregulloren dhe nuk dinin specifikisht se cilat ishin detyrat e tyre përkatëse, duke mohuar implikimin në këtë çështje. Ndërkohë, familjarët e tyre u shprehën jashtë kamerave të pakënaqur me arrestimet, ndërsa kanë shtuar se të afërmit e tyre janë bërë “koka turku” dhe se shteti duhet të arrestojë njerëzit përgjegjës në këtë skandal. Në përfundim të seancave, pjesa më e madhe e avokatëve nuk kanë preferuar t’u përgjigjen interesimit të mediave të pranishme në ambientet e Gjykatës, ndërsa e vetmja që ka dhënë një reagim ka qenë avokatja Vjollca Pustina. Përfaqësuesja ligjore e Dhimitër Davidhit është përpjekur të lehtësojë sadopak pozicionin e klientit të saj, detyra e të cilit ishte këqyrja e kamerave. Sipas akuzës, Davidhi duhej të kishte vënë në dijeni autoritetet atëherë kur Ardian Bitraj shfaqet në kamerat e sigurisë duke dalë me thasë plastikë me lekë dhe më pas i fsheh në trup. “Ai ka neglizhuar detyrën, por nuk është i përfshirë”, – tha avokatja Pustina. “Unë mbroja njërin nga të arrestuarit, Dhimitër Davidhin, person me urdhër ndalimi nga organi i akuzës, – tha Pustina. – Unë si mbrojtëse shpreha pretendimet e mia në caktimin e masës së sigurimit. Faktikisht ai ka qenë punonjës banke, por për një neglizhencë të tij, që nuk e ka vlerësuar si duhet situatën, është këtu për masë sigurimi. Mendoj se nuk ka dijeni, për shkak edhe të kamuflimit që ka pasur autori direkt i kësaj ngjarjeje”, – vijoi reagimin e saj avokatja. E pyetur për masën e kërkuar nga prokurori, Pustina tha se se “organi i akuzës kërkoi masë sigurimi “arrest me burg”. Gjykata është e pavarur në gjykimin e masave. Kam besim tek drejtësia. Klienti ka shprehur ato që ka ditur, sepse është marrë në pyetje. Nëse ka pasur dijeni kjo i mbetet fazës së hetimeve paraprake. Po mendoj që do të ketë qenë një neglizhencë e detyrës së tij. Nëse gjykata do të vendosë të njëjtën masë, ka dhe shkallë më të larta gjykimi për ta ankimuar”, – theksoi ajo.

Hetimi

Hetimet për zbardhjen e vjedhjes më të madhe të ndodhur në Bankën e Shqipërisë vazhdojnë. Përveç nëntë të arrestuarve, Prokuroria ka nën hetim nëpunës të tjerë të Bankës së Shqipërisë, për të cilët dyshohet se janë të implikuar në këtë vjedhje. Përveç veprimeve hetimore, siç është verifikimi pasuror i të arrestuarve, Prokuroria po përpiqet t’i japë përgjigje pyetjeve a kishte rregullore në sektorin transit dhe kush kishte për detyrë ta mbikëqyrte zbatimin e saj.

 

Rolet dhe shkeljet e të akuzuarve

 

Gjashtë punonjësit akuzohen nga organi i akuzës se duke mos zbatuar me korrektesë detyrën, i dhanë mundësi Ardian Bitrajt të grabiste 713 milionë lekë nga kasaforta. Sipas Prokurorisë, Petrit Ramohitaj ishte përgjegjës i arkës në veprim, Liljana Tusha, specialiste e arkës në veprim, Lavdim Cani, specialist i arkës stok, Myzejen Belba, specialiste e arkës stok, Dhimitër Davidi, me detyrë vëzhgues-operator dhe Bashkim Xhilaga, i arrestuari i djeshëm, ishte shefi i dy arkave në qendrën e emisionit. Disa nga të arrestuarit kishin për detyrë të rakordonin kartëmonedhat që hynin e dilnin nëpërmjet sporteleve përkatëse, një veprim që nuk është bërë. Prokuroria i akuzon se kanë shkelur manualet përkatëse të departamentit të Emisionit, të cilat rregullojnë punën e personelit të bankës e të sigurisë. Hetuesit kane vëzhguar kamerat e sigurisë së Bankës, ku kanë konstatuar edhe mungesën e korrektesës në institucion. Po sipas akuzës, Dhimitër Davidi duhej të mbikëqyrte kamerat e të raportonte çdo anomali. Rezulton se ai i ka parë veprimet e Ardian Bitraj, që mbush thasë plastikë me kartëmonedha, lëvizte nga sektori për në tualet ku edhe i fshihte paratë në trup. Për të gjitha veprimet e Bitrajt, Davidi nuk kishte raportuar asnjëherë, një fakt ky që e implikon këtë person në vjedhje. Dy specialistët e arkës në veprim, Petrit Ramohitaj dhe Liljana Tusha kishin detyrë të rakordonin çdo ditë gjendjen e sportelit, por ata nuk i kanë ndjekur këto procedura për një kohë të gjatë. Punonjësit e arkës stok, Lavdim Cani dhe Myzejen Belba, kishin detyrë të ndjekin lëvizjet e vlerave monetare që lëvizin nga sportelet te magazinat, si edhe të mbanin nga një çelës për arkën stok e në fund të ditës ta dorëzonin në kasafortë. Por këto veprime nuk janë respektuar, ndërkohë që të tre çelësat janë mbajtur nga Ardian Bitraj, i cili arriti të vidhte 713 milionë lekë.

 

Të akuzuarit

1. Myzejen Belba, 46 vjeçe, lindur dhe banuese në Tiranë, akuzuar për “Shpërdorim të Detyrës“;

2. Lavdim Cani, 47, lindur në Librazhd dhe banues në Tiranë, akuzuar për “Shpërdorim të Detyrës“;

3. Dhimitër Davidhi, 54 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në Tiranë, akuzuar për “Shpërdorim të detyrës”;

4. Petrit Ramohitaj 52 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, akuzuar për “Shpërdorim të Detyrës”;

5. Liljana Tusha, 46 vjeçe, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë, akuzuar për “Shpërdorim të Detyrës“

6. Bashkim Xhilaga, 63 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, akuzuar për “Shpërdorim të detyrës”;

7. Klevis Bejtja, 27 vjeç, akuzuar për “Moskallëzim krimi”

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency