Sonila Mesareja
Prokuroria: Punësonin mësues dhe edukatorë mbi kapacitetin e caktuar nga MASH, pastaj nuk i vendosnin në listë-pagesa
Pesë zyrtarë të Drejtorisë Arsimore të Fierit janë dërguar për gjykim nga Prokuroria e këtij qyteti, pasi akuzohen për “Shpërdorim detyre”. Ata akuzohen se kanë punësuar mësues me kontrata dhe më pas nuk i kanë paguar ata. Nga hetimi ka rezultuar se dy drejtues të lartë dhe tre punonjës të tjerë të këtij institucioni, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë regjistruar një numër të madh mësuesish në listë-pagesa, në bazë të kontrata të rregullta, dhe nuk i kanë paguar. Po ashtu, rezulton se, me veprimet e tyre, këta zyrtarë kanë kontraktuar një numër më të madh mësuesish se sa ishte i limiti i miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, duke krijuar mbivendosje në pozicionet e punës dhe rrjedhimisht edhe pamundësi të pagesave të rrogës.
Hetimi
Nga hetimet e kryera, pas regjistrimit të procedimit penal, kanë rezultuar raste konkrete të cilat provojnë faktet e kallëzuara, provuar si nga aktet shkresore të administruara pranë shkollave, Drejtorisë Arsimore Fier dhe Degës së Thesarit, ashtu edhe nga deklarimet e marra të mësuesve që nuk janë paguar dhe drejtorëve të shkollave përkatëse. Madje, Prokuroria ka renditur edhe disa nga rastet e mësuesve që janë punësuar dhe nuk janë paguar. Nga të dhënat e administruara pranë Zyrës së Financës në DAR Fier ka rezultuar se janë një numër i madh mësuesish në shkolla të ndryshme të cilët, pavarësisht se rezultojnë në listë-prezencat e dërguara nga drejtorët e shkollave, nuk janë pasqyruar në borderotë e përpiluara nga DAR, duke mos u paguar për orët e mësimdhënies. Nga hetimi ka rezultuar se mos kryerja e pagesës për punën e kryer ka ardhur si rezultat i emërimit të një numri mësuesish mbi organikën e parashikuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për DAR Fier. Emërimi i mësuesve mbi organikën e miratuar është kryer nga drejtorja e DAR, Miranda Bullati, dhe përgjegjësi i Burimeve Njerëzore, Ylli Malaj. Këta drejtues të DAR Fier kanë orientuar edhe emërtimin e listë-pagesave të shkollave, të cilat përpiloheshin nga specialistet e Financës së DAR Fier, Tatjana Ferko dhe Eliza Nako, si dhe përgjegjësja e kësaj zyre Suzana Nazëraj. Përpilimi i listë-pagesave në çdo rast të evidentuar ka pasur mospërputhje me listë-prezencën, konkretisht duke hequr prej saj një apo dy mësues, pagat e të cilëve lëvroheshin për mësuesit e tjerë mbi organikë. Veprimet e drejtuesve të DAR Fier, Miranda Bullati dhe Ylli Malaj, të kryera me dashje direkte, duke emëruar mësues mbi organikën e miratuar nga DAR Fier dhe duke orientuar përpilimin e listë-pagesave, me pasojë dëmin ekonomik që i është sjellë mësuesve të cilët nuk kanë marrë pagën mujore, përbëjnë elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal. Kryerja e veprës penale dhe pasoja e ardhur në dëm të shtetasve është realizuar edhe me veprimet konkrete të kryera nga punonjëset e financës së DAR Fier të cilët përpilonin listë-pagesat dhe i dërgonin në Degën e Thesarit Fier.
Disa nga tastet e denoncuara
Janë një numër i madh mësuesish dhe edukatoresh që kanë bërë detyrën për muaj të tërë por nuk janë paguar nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Fierit. Kështu, sipas akuzës, B. Kaja ka ushtruar detyrën si mësues në shkollën e mesme “Petro Sota” prej datës 10.10.2012. Ky shtetas pretendon se prej kësaj date dhe deri në dhjetor të vitit 2013 është paguar vetëm për muajt janar dhe maj të vitit 2013, ndërsa për periudhën tjetër nuk është paguar. Nga ana e grupit hetimor u kryen verifikime në dokumentacion dhe rezulton se emri i tij ndodhet në listë-prezencat e shkollës së mesme “Petro Sota” për muajt nëntor, dhjetor të vitit 2012, por jo në listë-pagesat e DAR. Emri i tij është në listë-prezencat për muajt janar, shkurt, mars, prill, maj, qershor të vitit 2013, por në listë-pagesat e DAR evidentohet se është paguar vetëm për muajin shkurt. Muajt në vazhdim emri i tij nuk ndodhet as në listë prezencat e shkollës dhe as në listë-pagesat e DAR. Ky shtetas shprehet se ka marrë kontakt me drejtuesen e DAR, Miranda Bullati, e cila i ka premtuar se do të paguhej për periudhën e punës së kryer, gjithashtu i është thënë në zyrën e financës se duhej të ankohej tek personi që i kishte dhënë vendimin për fillimin e detyrës pasi ishin ata që vendosin emrat në listë-pagesat e DAR. Deklarimet e këtij shtetasi i mbështet edhe ish-drejtori i shkollës, Dritan Petova, i cili ka pasur dijeni në lidhje me këtë fakt. Prokuroria e Fierit bën me dije se edhe shtetasi V. Xhelilaj ka ushtruar detyrën si mësues në shkollën e mesme “Petro Sota” prej datës 1.10.2012. Ky shtetas pretendon se në këtë datë ka filluar fizikisht mësimdhënien dhe e ka lënë atë fizikisht në datën 31.10.2013 dhe për të gjithë këtë periudhë është paguar vetëm 20.000 lekë. U kryen verifikime në dokumentacion dhe rezulton se emri i tij ndodhet në listë-prezencat e shkollës së mesme “Petro Sota” për dhjetor të vitit 2012, por jo në listë-pagesat e DAR. Emri i tij është në listë-prezencat për muajt janar, shkurt, mars, prill, maj dhe është paguar vetëm në muajt shkurt dhe mars, me shumat 10.000 dhe 20.000 lekë kur në listë-prezenca është me orë të plota. Muajt në vazhdim, emri i tij nuk ndodhet si në listë-prezenca, ashtu dhe në listë-pagesa. Në deklarimet e tij shprehet e njëjta situatë në lidhje me kontaktin e marrë me drejtuesen Miranda Bullati, ashtu si dhe me shtetasin B. Kaja. Po kështu problemin e sipërcituar e shpreh edhe ish-drejtori i shkollës Dritan Petova. Edhe shtetasi L. Merkaj ka ushtruar detyrën si mësues në shkollën e mesme “Jakov Xoxa” prej datës 3.10.2012. Deklaruesi shprehet se për muajt nëntor, dhjetor të vitit 2012 nuk është paguar. Muajt janar deri në prill është paguar 25% të pagës edhe pse ka ushtruar detyrën me kohë të plotë. Edhe për muajt qershor, korrik dhe gusht 2013 nuk është paguar. U kryen verifikime në dokumentacion dhe rezulton se emri i tij ndodhet në listë-prezencat e shkollës së mesme “Jakov Xoxa” për të gjithë muajt e sipërcituar por në listë-pagesat e DAR ndodhet vetëm paga prej 25% për muajt nga janari-prill 2013. Në deklarimet e tij shprehet se ka marrë kontakt me shefin e kuadrit Ylli Malaj dhe drejtoreshën Miranda Bullati. I ka vënë në dijeni të faktit, por nga ana e tyre nuk është marrë asnjë masë për zgjidhjen e çështjes.
Të pandehur
1. Miranda Bullati, drejtore, 43 vjeçe
2. Ylli Malaj, shef Kuadri, 43 vjeç
3. Tatjana Ferko, specialiste, 50 vjeç
4. Suzana Nazëraj, specialiste, 44 vjeç
5. Eliza Nako, specialiste, 57 vjeçe
Akuza
“Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim