Alibia me Eqrem Çabejin e kryeministrit

0
120

Dr. Enver Bytyçi

 

Të citosh Eqrem Çabejin për patriotizëm dhe të pranosh të kundërtën e asaj që pohonte i madhi Çabej, ishte kjo mënyra me të cilën kryeministri shqiptar, Edi Rama, u përpoq “të shiste krunde për miell” në sezonin e fundit të Kuvendit të Shqipërisë. Duket se ai besoi të enjten e kaluar gjatës fjalës së tij në Parlament se shqiptarët nuk do të shihnin se pas talljes me patriotizmin e shkencëtarit më të shquar të gjuhës e kulturës shqipe, Çabej, qëndronte pohimi i tij se “Himara është zonë minoritare”.

Shihni me sa mjeshtëri e realizoi Edi Rama strategjinë e tij progreke sa i përket çështjes së Himarës. Ndërsa citoi fjalë për fjalë gjuhëtarin shqiptar, Rama u shpreh në Parlament me fjalët e mëposhtme: “Po meqë ka pasur shumë barcaleta dhe ka pasur shumë folklor, po rikthehem tek Eqrem Çabej që punonte si inspektor i arsimit. Në atë kohë, Himara pati ca telashe që historia çuditërisht thoshte se nxitej nga një farë Bollano. Ministri dërgon shkencëtarin e madh, inspektorin e madh, Eqrem Çabej. Dhe pas inspektimit Eqrem Çabej harton një promemorie: Himara, në tanësinë e saj ka qenë dhe është një krahinë shqiptarë ku spikasin cilësitë shqiptare. Në Himarë, Dhërmi e Palasë flasin qartë zakonet e pastra shqiptare, labe, toponamistika, kangët e vajtimet e tyre, në martesa e në vdekje. Ata e dinë se janë në një fis me lebrit e Vlorës….””

Ndërkaq, zoti Rama deklaroi pikërisht tezën, të cilën e kanë përsëritur në kohën e Çabejit dhe e përsërisin Bollanot e sotëm, sipas të cilës, Himara zonë e minoritetit grek: “Fakti se në Himarë jeton një pjesë e minoritetit grek nuk nënkupton detyrimin për të nënkuptuar liritë individuale, nuk nënkupton asgjë tjetër përveçse detyrimit për të jetuar dhe kaq”, – u shpreh Rama. Bollanove dhe Duleve kaq u mjaftoi nga gjithë zhurma që ata bënë për hartën e re administrative të Shqipërisë. Ata nuk donin e nuk duan më shumë se kaq nga një kryeministër shqiptar. Ata realizuan përmes kryeministrit të sotëm atë që nuk kishte pranuar ta bënte asnjë kryeministër i djathtë ose i majtë i Shqipërisë, madje asnjë autoritet tjetër shtetëror në Shqipërinë e këtyre 25 viteve, përfshirë dhe ministrat me origjinë minoritare greke të PD-së e PS-së. Megjithatë, nga fjala dhe deklarimi i zotit Rama nuk u pezmatuan as Shpëtim Idrizi dhe deputetët “patriotë” të PDIU-së.

Nëse ballafaqojmë këto dy fragmente të fjalës së kryeministrit tonë në seancën e të enjtes të Parlamentit shqiptar, kur po diskutohej harta e re territoriale e kundërshtuar nga Vangjel Dule dhe jo vetëm ai, atëherë me shumë lehtësi vëmë re se ka një kontradiktë të stisur në atë mënyrë, siç di vetë zoti Rama t’i stisë amalgamat e tij në formën e hieroglifeve të lashtësisë e paralashtësisë historike. Për kërshërinë e lexuesit po ndalem më konkretisht:

–       Çabej: Himara, në tanësinë e saj ka qenë dhe është një krahinë shqiptare ku spikasin cilësitë shqiptare. Në Himarë, Dhërmi e Palasë flasin qartë zakonet e pastra shqiptare, labe, toponamistika, kangët e vajtimet e tyre, në martesa e në vdekje. Ata e dinë se janë në një fis me lebrit e Vlorës…. Nuk besoj se duhet ndonjë provë e ndërmjetme për të dyshuar në perceptimin e shkencëtarit të shquar shqiptar, sa i përket pohimit që ai bën.

Atëherë pse Rama përdori fjalinë kundërshtuese: “Fakti se në Himarë jeton një pjesë e minoritetit grek nuk nënkupton detyrimin për të nënkuptuar liritë individuale, nuk nënkupton asgjë tjetër përveçse detyrimit për të jetuar dhe kaq?” Pse pohon sot pas 78 vitesh të kundërtën e asaj që pohonte Eqrem Çabej? Dhe për më tepër, pse e përdor emrin e tij si alibi për të vënë makijazh sa i takon pohimit të tij se “Në Himarë jeton një minoritet grek”?! Shumë kush, nëse e lexon të veçuar fjalinë ku citohet Çabej, do ta perceptonte kryeministrin e sotëm të Shqipërisë si një patriot të madh, madje të përmasave të Mustafa Krujës (Ka nga ata që nuk do të përtypin këtë krahasim, por e vërteta është se Kruja ishte një kryeministër atdhetar i një profili të jashtëzakonshëm).

Megjithatë, për të bërë krahasimin midis deklaratës së kontestuar të kryeministrit shqiptar të sotëm dhe promemories së shkencëtarit të pakontestueshëm Eqrem Çabej, do të ishte e mjaftueshme t’i referoheshim një konstatimi të saktë që bënte Ledi Shamku-Shkreli në një analizë të sajën të datës 4 maj 2009. Në atë analizë të promemories së vitit 1936, Shamku shkruan se përgjegjshmëria e shtetit të asaj kohe dëftohej përmes politikave konkrete arsimore në Himarë e në krejt Shqipërinë si dhe dallohet profesionalizmi si shembull i ndërtimit të këtyre politikave. Më pas Shamku numëron vendet prej ku banorët e Himarës dhe fshatrave përreth kishin emigruar drejt bregdetit, për të dëshmuar autoktoninë e tyre të të qenit shqiptar.

Nëse do t’i duhej zotit Rama të dëshmonte përmes Çabejit këto që thoshte e shkruante zonja Shamku-Shkreli, ai do të ishte i mirëseardhur dhe i përshëndetur për gjestin patriotik, të tij e do të dëmtohej si profesionist në tribunën e Kuvendit të Shqipërisë. Por nuk ndodhi kjo. Zoti Rama e përdori dhe keqpërdori shkencëtarin e shquar shqiptar për të mbrojtur tezën e lëshuar për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar nga një kryeministër i këtij vendi, se në Himarë ka minoritet grek. Prej të enjtes së shkuar, të gjithë kryeministrat e ardhshëm të këtij vendi, të gjithë presidentët, ministrat e jashtëm, madje dhe studiuesit, historianët, shkencëtarët e këtij vendi dhe të të gjithë botës që na rrethon, do të përballën me “argumentin” grek, sipas të cilit “përkatësinë greke të Himarës e ka pohuar vetë kryeministri i Shqipërisë i vitit 2014, Edi Rama”. Kështu, kryeministri ynë, i etur për të kapur rekorde, tashmë ka merituar medaljen e artë për një prej këtyre rekordeve, pikërisht për deklaratën e së enjtes në lidhje me përkatësinë etnike të Himarës.

Në përpjekje për ta lënë në errësirë e në heshtje thelbin e deklaratës së tij, zoti Rama u përpoq të rikthehej në tonet autoritare, kur u shpreh se “prej sot diskutimi për këtë çështje është i mbyllur”. Porse diskutimi nuk mund të mbyllet, përkundrazi ngjiz më shumë kërshëri, këtë fakt e ndjen dhe vetë ai që bëri deklaratën e pavërtetë, të pambështetur në shkencën linguistike, etnokulturore e historike. Për ata që e duan Himarën Greqi diskutimi në pikëpamje shtetërore sapo është hapur. Çfarëdo të ketë shkruar Çabej në memorien e tij të 1936-ës e më vonë për etnikumin shqiptar të Himarës dhe Bregut të Detit, çfarëdo të thotë Pëllumb Xhufi apo historianë të tjerë sivëllezër ideologjikë me Ramën, edhe sikur të ngrihet një çetë historianësh dhe etnologësh “për të provuar” shkencërisht se “Himara është shqiptare”, ata që kundërshtojnë konceptet unikale të hulumtimit dhe definimit të etnive do të thonë: “Jo, Himara është greke, sepse këtë e ka pranuar vetë kryeministri i Shqipërisë së vitit 2014, Edi Rama”. A nuk po e përdorin kësisoj grekët dhe mbështetësit e tyre që prej një shekulli nënshkrimin e Protokollit të Korfuzit prej Princ Vidit?! Është dashur një investim i jashtëzakonshëm për të zbutur efektin e Protokollit të vitit1914 dhe, megjithatë, ai protokoll u bë baza e diversionit të pashoq të nacionalizmit grek kundër Shqipërisë dhe territoreve shqiptare në Jug të vendit. Do të duhen gjithashtu 100 vjet të tjera për ta zbutur në të njëjtën masë efektin negativ të deklaratës së Edi Ramës të 31 gushtit 2014 në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.

Kastriot Islami, i cili, me sa duket, e njeh nga afër kryeministrin e Shqipërisë, është i mendimit se kjo deklaratë nuk duhet marrë seriozisht, madje nuk duhet mbajtur shënim ose duhet mbajtur shënim si një budallallëk i radhës i kryeministrit Rama. Po a do të funksionojë kjo për lobet, fraksionet, qarqet antishqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilët kanë arsye ta marrin seriozisht, ta mbajnë fort shënim, madje ta arkivojnë në redaksitë e gazetave e televizioneve greke, në informacionet diplomatike e arkivat e ministrisë së jashtme e arkivin e shtetit helen?! OK! Po pranojmë që zotin kryeministër të mos e marrim aq seriozisht edhe për shkak të asaj që shkruan Kaçi, se kreu ynë i ekzekutivit nuk ka haber nga politika e jashtme. Po pse atëherë zoti Rama pati haber të thoshte të kundërtën e asaj që kishte thënë Eqrem Çabej, edhe pse provoi që e njihte promemorien e shkencëtarit të shquar?! Nuk mund të besohet se deklarata e tij ishte rezultat i mungesës së habereve. Unë besoj se ai i dha Venizellosit pikërisht atë që ai po kërkonte. I dha Pirro Dhimës, pikërisht atë që Pirrua ia kërkoi Koço Kokëdhimës. I dha politikës greke, shtetit grek, shoqërisë greke kasusin e kauzës që ata e kanë shpallur prej shumë dekadash në lidhje me Himarën. Shërbim më të madh në pikëpamje të linjës shtetërore nuk ka guxuar të bëjë asnjë shtetar shqiptar që prej vitit 1912 e këtej.

Megjithatë, më duhet të pohoj se asnjë deklaratë e kujtdo qoftë nuk mund të ketë efekt të përjetshëm. Thuhet se në Maqedoni u anulua regjistrimi i fundit i popullsisë, sepse dhjetëra-mijë qytetarë me besim ortodoks u deklaruan se kishin kombësi shqiptare. Kjo kategori qytetarësh qenë regjistruar sit ë kombësisë maqedonase para 60 apo 50 vitesh, pasi presioni asokohe ndaj shqiptarëve ishte shumë i madh. Tash, mbas shumë dekadash, kur ndryshoi pozita e shqiptarëve në Maqedoni e në rajon, kjo kategori “maqedonasish” u rikthye në origjinën e vet. Kjo ishte surpriza më e pakëndshme për qeverinë e Gruevskit në Shkup. Ndaj dhe ai anuloi procesin e numërimit dhe regjistrimit të popullsisë në vendin e tij.

E njëjta gjë do të ndodhë mbas disa dekadash edhe me Himarën e himarjotët si dhe territore të tjera të ashtuquajtura “zona të minoritetit grek” në Shqipëri. Sapo shqiptarët të zënë vendin që meritojnë në mesin e kombeve të qytetëruara, do të ndryshojë qëndrimi i atyre himarjotëve që sot e konsiderojnë veten grekë, sepse në subkoshiencën e tyre ata nuk ndihen të tillë e nuk janë të tillë. Himara ka thuajse të njëjtën histori si edhe Mirdita, ka synuar një autonomi të caktuar edhe pse pjesë e identitetit shqiptar. Ndoshta kjo histori e përbashkët e kërkesave të të dyja këtyre zonave lidhet me identitetin e njëjtë dhe prejardhjen mirditore të himarjotëve. Por në fund të fundit mund të thuhet se aq sa është greke Mirdita, me historitë e saj të lëvizjeve historike për autonomi, aq është greke Himara, me të njëjtat përpjekje historike dhe aktuale që bën një pjesë e manipuluar e drejtuesve politikë të kësaj zone. Nëse Himara ka synuar në historinë e saj të re një autonomi të caktuar, kjo nuk ka qenë e motivuar etnikisht, ka qenë një përpjekje dhe një lëvizje për të shfrytëzuar me racionalitet pozitën gjeografike dhe resurset që ajo ka për zhvillim e prosperitet.

E njëjta gjë ndodhi dhe në këtë çerek shekulli të fundit, sepse himarjotët nuk patën kujdesin e duhur të qeverisjes në Shqipëri. Këto përpjekje historike të saj sollën lirinë ekonomike të Himarës, më pas rritën kontaktet e saj me fqinjët, diktuan njohjen e kulturës greke, italiane e kështu me radhë dhe natyrisht që e shndërruan gradualisht atë në një zonë bilinguine. Nevoja i bëri himarjotët të mësonin jo vetëm shqipen si gjuhë të nënës, por edhe greqishten e italishten, ndonëse më pak, si gjuhë të tregtisë dhe emigracionit sezonal. Pikërisht këto përpjekje për liri ekonomike dhe integrim linguistik në veprimtarinë tregtare i përdorën dhe keqpërdorën nacionalistët grekë brenda e jashtë kufijve shqiptarë për qëllime ekspansioni dhe i legjitimoi si të tilla në sallën e Parlamentit të Shqipërisë kryeministri i këtij vendi, Edi Rama.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency