Vrasja e Lamajt/ Nuk gjendet dëshmitari i mbrojtur, gjyqi shtyhet për në 10 shtator

0
129

Sonila Mesareja

 arben frroku ne gjyqAvokatët kërkojnë lirimin e Arben Frrokut, prokurori kërkon kohë për sjelljen e dëshmitarit, me gjeneralitetet e tij ose me identitetin e ri

 Mungesa e dëshmitarit të drejtësisë ka bërë që për të disatën herë ky proces gjyqësor të shtyhet. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, për shkak se pritej dëshmia e personit që akuzon biznesmenin Arben Frroku si vrasës të kryekomisarit, ka mbërritur një shkresë ku thuhet se kanë humbur kontaktet me dëshmitarin. Fakti u bë publik pas seancës nga avokati i Frrokut, Genc Gjokutaj, i cili u shpreh për mediat se “nga Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve ka mbërritur një shkresë ku thuhet se kanë humbur kontaktet me dëshmitarin”. Kjo bëri që seanca të shtyhet, ndërsa nga akuza u argumentua si paqartësi në mënyrën se si do të paraqitet dëshmitari, me identitetin e tij të vërtetë apo me pseudonimin Arben Ndoka. Pas këtij momenti, gjykata shtyu gjyqin për në shtator, kur përfaqësuesit e akuzës kanë siguruar për sjelljen e dëshmitarit kyç të këtij procesi.

 

Gjyqi

Për të 4-ën herë, Arben Ndoka, dëshmitari i drejtësisë, nuk u paraqit në gjyqin ndaj biznesmenit Arben Frroku, i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Pak minuta para se të vendosej shtyrja e seancës, Gjykata e Krimeve të Rënda ra dakord që pyetja e dëshmitarëve të mbrojtur Arben Ndoka dhe bashkëshortes së tij, të bëhet me dyer të mbyllura. Pas largimit të familjarëve të shumtë të të pandehurit dhe medias nga salla e gjyqit, u mësua se gjykata kishte lexuar shkresat zyrtare të Policisë, të cilat u përgjigjeshin togave të zeza se dëshmitari në fjalë nuk është në mbrojtje të tyre. I menjëhershëm ka qenë reagimi i prokurorit Anton Martini, i cili kërkoi kohë nga Gjykata për të sjelle dëshmitarin në sallën e gjyqit. Sipas prokurorit, në ditët në vijim, do të vendoset nëse i njohuri si Arben Ndoka, duhet të dëshmojë me gjeneralitetet e reja, pas marrjes së statusit të mbrojtjes apo me të dhënat personale, origjinale. Pretendimet e prokurorit u kundërshtuan nga avokatët dhe vetë i pandehuri Frroku. Ky i fundit akuzoi prokurorin për dëshmi fiktive dhe zvarritje të procesit.

 

Reagimi

“Sot në seancë gjyqësore u vërtetua se dëshmitari nuk ekziston ose është tërhequr nga akuza. Përpjekjet e Prokurorisë dolën ashtu siç ne e kemi paralajmëruar. Ne kemi qenë iniciatorët dhe insistuesit që të vijë ky dëshmitar dhe sot u vërtetua me dokument. Ky proces ka radhë të marrjes së provave, dhe në bazë të këtij vendimi ka prova, dhe aty thuhen se kanë humbur provat. Dhe ndaj mendojmë se dëshmitari nuk ekziston. Ne do të marrim prova dhe do mundohemi deri në pafajësinë e tij. Ne dëgjuam relatimin që u mbajt në seancë”, – reagoi për mediat avokati Gjokutaj jashtë ambienteve të Gjykatës së Krimeve të Rënda, në përfundim të seancës. Pas këtij reagimi të avokatit, zyrtarisht është konfirmuar se janë zhdukur kontaktet me dyshimtarin.

 

Dëshmia

Do të jetë seanca e 10 shtatorit ajo ku do të përcaktohet nëse do të pyetet apo jo dëshmitari i mbrojtjes Arben Ndoka, i cili pretendon të ketë parë Arben Frrokun duke u larguar me makinën “BMW”, me të cilën u ekzekutua komisari Dritan Lamaj. Ndërkohë që, vetë i pandehuri Frroku pretendon se në momentin e vrasjes së ish-shefit të komisariatit të policisë nr. 6, ka qenë në dalje të Librazhdit, duke udhëtuar drejt Greqisë, ku edhe u arrestua. Në shkresën e ardhur nga Drejtoria për Mbrojtjen e Dëshmitarëve konfirmohet se janë humbur kontaktet me Ndokën. Avokati Genc Gjokutaj deklaroi se pas marrjes njoftim se dëshmitari nuk gjendet, ka pasur kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë. Sipas tij: “Sot u zyrtarizua shkresërisht se ky dëshmitar ka humbur kontaktet. Avokati nuk ekziston ose nuk është në dispozicion të akuzës, që e ka sjellë si provë”. Avokati Gjokutaj ka kërkuar ndryshim të masës së sigurisë për klientin e tij, por kërkesa nuk i është pranuar. Ai tha për mediat se “Frroku po vuan padrejtësisht, dënimin në burg.

 

 Berisha/ Mosparaqitja e dëshmitarit të drejtësisë, pakti mes Ramës e Frrokut për votën sot në Parlament

 Partia Demokratike dhe ish-kryetari i saj, z. Sali Berisha, kanë reaguar në lidhje me gjyqin e Arben Frrokut, konkretisht me mosparaqitjen e dëshmitarit të mbrojtur në gjyq. Në rrjetin social “Facebook”, z. Berisha shkruan se mosparaqitja e dëshmitarit në seancën e djeshme ka ardhur pas urdhrit të Ramës në mënyrë që vëllai i të akuzuarit, deputeti Mark Frroku, të votojë sot në Parlament. “Sot dëshmitari i vetëm që kishte parë me sy vrasësin e komisarit të policisë Dritan Lamaj dhe që ishte nën ruajtjen e rreptë të policisë, me urdhër të Ramës u arratis. Në këtë mënyrë Rama bleu për nesër votën e vëllait të të akuzuarit, deputetit Frroku”, – shkruan Berisha në rrjetin social “Facebook”. Berisha ka hedhur akuza edhe për një tentativë afere me kreun e trupës gjyqësore në këtë çështje, sipas tij, javë më parë, gjykatësit i është premtuar vota për në Gjykatën e Lartë në rast se do të lironte vëllain e deputetit Frroku si të pafajshëm. “Gjykatësi nuk pranoi ofertën, ndaj dhe Rama u detyrua të organizojë apo urdhërojë arratisjen qeveritare, spektakolare. Rama luan shah me krimin dhe vrasjet”, – shton më tej Berisha.

 

Itali/ Kapet me 13 kg heroinë, pranga të riut Hodaj

Një superoperacion e konsideron policia e shtetit fqinj atë të arrestimit të një shqiptari me 13 kg heroinë. Policia italiane ka vënë në pranga shqiptarin Taulant Hodaj, pasi i ka gjetur gjatë kontrollit 21 pako me nga 500 gram heroinë, ndërkohë që pesha në total e lëndës narkotike ishte 13 kg. Sipas Antidrogës italiane, Hodaj kishte marrë heroinën nga një apartament në qendër të Altamuras në qytetin e Puljas, ku ishte përpunuar dhe paketuar. Antidroga italiane dyshon se shqiptari i arrestuar Taulant Hodaj bën pjesë në një organizatë trafiku lëndësh narkotikësh midis Shqipërisë dhe Puljas. Sasia e drogës ishte e destinuar për shpërndarje në tregun vendas.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency