300 ditët e MASH/ Mbyllen 12 shkolla të mesme, paralajmërohen të gjitha universitetet private

0
141

Driçim Çaka

rama mash Rama: Pas 1990-ës, ky do të jetë dhjetori i dytë për Shqipërinë

 Rankimi do të sjellë mbylljen e universiteteve private dhe publike

 Ministria e Arsimit ka mbyllur 12 shkolla të mesme private, pasi nuk kishin as nxënës, as mësues dhe as ambiente, por vetëm jepnin diploma fiktive. Shifrat u publikuan nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, gjatë analizës së 300 ditëve të para të punës së MAS. “Regjistra të paplotësuar, asnjë notë, asnjë temë. Na rezulton se nuk ka asnjë nxënës, asnjë mësues dhe megjithëse e tillë. në fund të vitit ka dhënë me qindra dëftesa”, – u shpreh Nikolla gjatë fjalës së saj. Në analizën e 300 ditëve të punës së MAS ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, i cili kërkoi një inspektim të thellë të të gjitha shkollave private.

 

Universitete private

Si ministrja e Arsimit, edhe Kryeministri Edi Rama, u shprehën se shumë shpejt do të mësohen emrat e universiteteve private që do të mbyllen. “Do të njihen edhe me sjelljen e re të MAS, të qeverisë shqiptare ndaj institucioneve që kanë abuzuar me standardet e ligjshmërisë dhe e kanë kthyer në një pazar shitblerjeje diplomash arsimin e lartë në Shqipëri. Personat që kanë abuzuar sigurisht do të përgjigjen dhe institucionet që kanë abuzuar do të mbyllen”, – u shpreh ministrja Nikolla. Kryeministri nga ana e tij theksoi se nuk do të ketë tolerancë ndaj institucioneve private. “Procesi i verifikimit për kushtet e ligjshmërisë në institucionet e arsimit të lartë do të sjellë një vlerësim të plotë dhe sigurisht, të gjithë bashkë, trupën drejtuese në të gjitha rajonet, prindërit, shoqërinë, për të bërë një operacion pa asnjë mëshirë, me tolerancë zero ndaj defiçencës, me tolerancë zero ndaj këtij biznesi makut që ka shkrirë para pa fund nga xhepat e prindërve të shkretë për të prodhuar një industri të tërë babëzie dhe diplomash pa asnjë vlerë dhe për ta bërë Shqipërinë në këtë sektor të posaçëm, vendin më qesharak të planetit. Ndaj, nuk do të kemi asnjë hezitim, që bazuar në ligjin e Republikës së Shqipërisë dhe bazuar në standardet e përcaktuara jo nga ne arbitrarisht, po nga ligji, të ndajmë një nga njëra anë ata që meritojnë të shkojnë me tutje dhe ata që duhen nxjerrë absolutisht jashtë sistemit, sepse kanë nxjerrë veten jashtë sistemit dhe nuk mund të jenë më në pozitat e mashtruesve publikë për të vazhduar të grabisin paratë e prindërve të këtij vendi dhe për të vazhduar të shtojnë nivelin e defiçencës në këtë vend”, – përmendi Rama gjatë fjalës së tij.

 

Raporti në dhjetor

Raporti i agjencisë së huaj për rankimin e universiteteve publike dhe private pritet të sjellë një sërë penalizimesh për disa institucione private, të cilat nuk plotësojnë kriteret. “Në dhjetor, siç e kemi premtuar, do të vijë pjesa më e vështirë, por është pjesa që na takon, se kur kërkuam liri dhe demokraci në vitin ‘90, kërkuam pikërisht këtë: konkurrencë, meritë, vlerësim, integrim në BE – kështu që në dhjetor, një nga agjencitë më prestigjioze ndërkombëtare do të nisë procesin e akreditimit të të gjithë institucioneve të arsimit të lartë, pa dallim, të shtetit apo të privatit. Të gjithë do të akreditohen me standardet e BE-së, jo me standardet e fisit, jo të krahinës, jo të standardeve të deridjeshmes.

Renditja e universiteteve sipas cilësisë sigurisht që do të krijojë kushtet për konkurrencë, por edhe një kusht themelor: çdo prind do ta dijë se ku po investon! Çdo vajzë apo djalë do ta dijë paraprakisht se ku po tenton të futet dhe tregu do ta dijë se ku duhet të drejtojë sytë më shumë e ku më pak për të thithur burimet e reja njerëzore nga universitete reale”, – theksoi Kryeministri. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, dhe Kryeministri Edi Rama listuan një sërë arritjesh në fushën e arsimit, duke filluar që nga njësimi me Kosovën deri te provimet e Maturës Shtetërore.

 

Infermieri që ka 2 doktoratura, një për sigurinë dhe një për Shkodrën

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar një skandal në radhët në arsimin e lartë, ku një infermier ka marrë 2 doktoratura, një për “Rolin e diplomacisë së vendeve të vogla në sigurinë rajonale” dhe tjetrën për “Vlerësimin e performancës në politikën e Shkodrës”. “Në një raport fantastik të bërë nga Inspektorati i Ministrisë së Arsimit, lexova një doktoraturë në infermieri, që besoj do të gajaste jo gjithë botën njerëzore, por edhe botën e kafshëve: doktoratë në infermieri “Roli i diplomacisë së vendeve të vogla në sigurinë rajonale” ose doktoratë tjetër në infermieri “Vlerësimi i performancës në politikën e Shkodrës”. Megjithatë, kjo e dyta “duket shumë më korrekte në krahasim me të parën. Jam shumë kurioz se ku i bën gjilpërat ky doktori i shkencave që ka doktoruar për sigurinë rajonale dhe nuk e di a e ka fjalën për Ballkanin apo për ndonjë rajon të trupit”, – u shpreh Kryeministri Edi Rama.

 

PD: MAS ka dështuar, u emëruan njerëz pa konkurs

 Menjëherë pas prezantimit të punës së 300 ditëve të Ministrisë së Arsimit ka reaguar edhe deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo, sipas të cilit, Edi Rama nuk ka mbajtur asnjë premtim për arsimin. Në një dalje për mediat nga selia e PD-së, Pollo tha se ministrja Nikolla dhe Rama nuk njohën arritjet e PD-së gjatë viteve të fundit. “Zoti Edi Rama, në vijim të refrenit permanent se para qeverisë së tij ishte xhehenemi dhe se me të Kryeministër hapen për shqiptarët kanatat e xhenetit, foli për arsimin e 300 ditëve duke premtuar sërish qiellin në të ardhmen, edhe pse ka një vit në qeverisje. Nuk e prisnim as ne e askush në këtë vend që zoti Rama e ministria e tij të njihnin e pranonin arritjet e mëparshme si Matura Shtetërore, dyfishimi i pagës për mësuesin, godinat e reja shkollore, pajisjen e shkollave me kompjuter e internet si dhe reformën e kurrikulës, trajnimit e menaxhimit e plot të tjera. Për me tepër, që zoti Kryeministër të lë përshtypjen se përveç kontrastit xhenet/xhehenem, nuk kupton shumë se çfarë thotë”. Më tej deputeti i Partisë Demokratike foli për emërimet në arsim, të cilat janë bërë pa asnjë konkurs. “Sa për ligjshmërinë e pretenduar le të kujtojmë se asnjë emërim drejtori apo nëndrejtori shkolle (nuk po përmend shkarkimet) nuk është bërë me konkurs, sipas procedurave ligjore. Pa përmendur këtu pseudokonkurset mediatike për drejtorë rajonale të kurorëzuar nga militantja e spotit të Tiranës, e bërë drejtoreshë e Arsimit të Tiranës, e shkarkuar si maja e ajsbergut në korrupsion rilindas arsimor të kryeqytetit e të gjithë Shqipërisë.

Përmes anekdotave folklorike, qeveria do të shmangë konkurrimin e teksteve alternative dhe të kthehet ne kënetën e tekstit unik, të majisur deri në vitin 2005, e të ofruar nga kompania pranë ministrisë apo partisë. Ndërkohë, Rama nuk ka bërë asnjë investim në infrastrukturë apo përmirësim të pagave të mësuesve. Gjithashtu, me folklorizëm patriotik do ta kthejë arsimin bazë në një skemë të lënë pas e të braktisur në gjithë Evropën.

E vetmja arritje reale është heqja e arsimit profesional nga ministria e Arsimit që e kishte pasur për 100 vjet shtet shqiptar dhe duke ia kaluar valiut Benjamin, po shkel në një shteg të pashkelur, një model që nuk e ka asnjë nga 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian”, – përmendi Genc Pollo.

 

Çfarë po shfaqet në arsimin e lartë, sipas Partisë Demokratike:

· skema financiare klienteliste

· skema pranimesh në universitet, që do të kthejnë korrupsionin e dikurshëm të provimeve në stadium

· qasje pseudo-elitare e njëkohësisht populiste që kufizojnë të drejtën për arsimim dhe e mbajnë Shqipërinë poshtë mesatares së Ballkanit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency