Post-matura/ Shtyhet aplikimi për në universitete, kuotat mbajnë “peng” formularin A2

0
255

upt 2Ministria e Arsimit propozon uljen e kuotave

 Këshillat e specialistëve për zgjedhjen e degëve

 Më shumë se 35 mijë kandidatë do të duhet që të presin javën e ardhshme për të aplikuar me formularin A2. Kjo situatë vjen për shkak të mosmiratimit të vendimit për kuotat e pranimit. Këshilli i Ministrave duhet të kishte miratuar tashmë, kuotat e pranimit për vitin akademik 2014-2015. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë nuk u mor asnjë vendim për kuotat e pranimit, çka do të thotë që maturantët do të duhet të presin edhe një javë për të plotësuar formularin A2. Ashtu si vitin e kaluar, formulari do të plotësohet online dhe kandidatët do të kenë mundësi të zgjedhin 10 preferenca.

 

Specialistët

Më herët, specialistët e arsimit kanë këshilluar kandidatët që 10 preferencat e tyre ti ndajnë në 3 grupe. Maturantët këshillohen që në 2 preferencat e para të zgjedhin degët më të mira që kërkojnë të fitojnë, pavarësisht prej nivelit të pikëve. Nga preferenca e 3-të deri në preferencën e 8-të, kandidatët duhet të zgjedhin degët që kanë nivel mesatar të pikëve dhe mbi të gjitha, degë që kanë dëshirë të studiojnë. Specialistët këshillojnë që dy preferencat e fundit të zgjidhen degët “e sigurta”, në mënyrë që të jetë fitues në universitete publike.

 

Libri i transparencës dhe shpallja e fituesve

Ky libër paraqet ID e maturantit, notë nëse pikët mesatare të shkollës së mesme,notat e provimeve të maturës dhe pikët e grumbulluara për çdo program studimi të përzgjedhur në formularin A2. Libri i transparencës do të publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Libri i transparencës i vjen ne ndihmë çdo maturanti për të verifikuar rezultatet e tij në Maturë,si dhe pikët e grumbulluara për programet e studimit të përzgjedhura në formularin A2. Për çdo parregullsi te vërejtur ai duhet të plotësoje formularin përkatës për korrektimin e tyre. Ky formular plotësohet nga maturanti dhe dorëzohet në shkollë në afatet e përcaktuara. Për llogaritjen e pikëve do të procedohet si më poshtë: M, D1, D2, Z1 dhe Z2 përkatësisht pikët mesatare të shkollës së mesme të lartë, vlerësimet në lëndët e detyruara “Letërsi dhe Gjuhë Shqipe” dhe “Matematikë” dhe në ato me zgjedhje. K, F1 dhe F2, përkatësisht koeficenti i shkollës dhe koeficientet e lëndëve me zgjedhje të propozuar nga Institucionet e Arsimit të Lartë Publik (IALP). Llogaritja e shumës -S- të pikëve të maturantëve/kandidatëve, të cilët kanë rezultuar kalues në provimet me detyrim dhe me zgjedhje, behet me formulën: S={[26*M+20*(D1+D2)]*K+17*(Z1*F1+Z2*F2)}*5.

Shpallja e fituesve dhe regjistrimet në IALP bëhen me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe Sportit. Përzgjedhja e fituesve bëhet sipas parimit “Meritë – Preferencë”. Maturanti shpallet fitues në preference më të lartë të grupit të preferencave, ku ai ka tejkaluar pikët e fituesit te fundit. Listat e fituesve do të publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve.

 

 Udhëzimi/ Kriteret si do të tregtohet mielli për bukët

Ministria e Bujqësisë ka miratuar një udhëzim të veçantë për mënyrën si do të tregtohet mielli dhe lëndët që duhet të përmbajë për t’u blerë nga konsumatori. “Mielli i grurit është produkt i përgatitur nga grurë i zakonshëm, Triticum aestivum L, ose grurë i zakonshëm, Triticium compactum Host ose përzierjet e tyre, me anë të copëtimit ose proceseve të bluarjes, në të cilën janë hequr pjesërisht cipa dhe embrioni dhe mbetja bluhet në një shkallë të përshtatshme imtësie. Mielli i grurit duhet të plotësojë treguesit cilësorë të mëposhtëm:Mielli i grurit dhe çdo përbërës që shtohet duhet të jetë i sigurt dhe i përshtatshëm për konsum njerëzor. Mielli i grurit duhet të jetë pa erë dhe shije jonormale dhe pa insekte të gjalla”, – përcakton udhëzimi. Mielli i grurit duhet të jetë pa papastërti me origjinë shtazore (duke përfshirë dhe insektet e ngordhura) në sasi të dëmshme për shëndetin e njeriut. Përmbajtja e lagështisë 15.5% masë/masë maks. Kufijtë më të ulët të lagështisë duhet të kërkohen për destinacione të caktuara në lidhje me klimën, kohën e transportit dhe të ruajtjes; Përbërësit e mëposhtëm mund të shtohen në miellin e grurit në sasi të nevojshme për qëllime teknologjike: Produkte të maltuara me aktivitet enzimatik të prodhuara nga gruri, elbi ose thekra. Gluten vital gruri. Miell soje dhe miell leguminozesh. Mielli i grurit duhet të plotësojë kushtet higjienike, të vendosura si më poshtë: Mielli i grurit duhet të jetë pa lëndë të huaja në shkallën që zbatohet procesi optimal teknologjik;Sipas metodave të caktuara të marrjes së mostrës dhe analizimit, mielli i grurit:Duhet të jetë pa mikroorganizma në sasi, të cilat janë të dëmshme për shëndetin e njeriut. Duhet të jetë pa parazitë, të cilët janë të dëmshëm për shëndetin e njeriut. Nuk duhet të përmbajë asnjë substancë me origjinë nga mikroorganizma në sasi të dëmshme për shëndetin e njeriut. Mielli i grurit paketohet në ambalazhe, të cilat sigurojnë cilësi higjienike, ushqimore, teknologjike dhe organo-leptike të produktit.

 

 Pyjet/ Ambientalistët kërkojnë moratorium

Ambientalistët në vend i kërkojnë Ministrisë së Mjedisit t’i japë fund masakrës që po bëhet me pyjet. Në një protestë përpara këtij institucioni me pankarta në duar, ata i kanë kërkuar ministrit Lefter Koka të vendosë një moratorium për pyjet dhe të ndalë dhënien me koncesion të hapësirave pyjore në të gjithë vendin për subjektet vendase dhe të huaja. “Mendoj se jemi në një zjarr më të madh se zjarret natyror që mund të shpërthejnë në gusht. Zjarri njerëzor qenka shumë i rrezikshëm, zjarri njerëzor do të thotë taleban mjedisor, sekserë drunjsh edhe pyjesh, të cilët bëjnë një dëm me autokombajna, me sharra moderne që shkatërrojnë për minutë dru dhe pyje të tërë. Prandaj ne u mblodhëm për t’i thënë ministrit të Mjedisit që të ndalojë koncesionet, që të bëjë nje moratorium pyjesh në mos 5 vjet të paktën 2 vjet”, – bëri me dije ambientalisti Sazan Guri. Sipas ambientalistëve, Ministria e Mjedisit ende nuk ka një studim të detajuar se sa është sipërfaqja e pyjeve të padëmtuara në vend dhe sa është sipërfaqja në të cilën është abuzuar. Ndërkohë që autoritetet e drejtësisë u shprehën se ambientalistët duhet të veprojnë për të luftuar kontrabandën. “Ne flasim me shifrat e viteve 39 apo të viteve 89 ndërkohë që Shqipëria nuk ka studime se sa metra kub dru biomas apo metra kub sekuestrimi karboni bën, prandaj ne na duhet një situatë qetësie me natyrën me pyjet për të ditur ku jemi dhe ku do vemi”, – tha Sazan Guri. Ambientalistët u shprehën se lufta e tyre nëpërmjet protestave për të mbrojtur hapësirat pyjore sapo ka nisur.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency