Vjedhja spektakolare/ Rrëfehet Mimoza Bruzia: Konstatova zhdukjen e 40 mln lekëve

0
227

 Anxhela Tato

Mimoza bruzia ardian bitrajE pyetur për herë të dytë nga prokurori i çështjes, e arrestuara pohon se ishte në dijeni të vjedhjes, por shpresonte se lekët do të ktheheshin nga Bitraj

 Pyeten në Prokurori drejtuesit e Kontrollit të Lojërave të Fatit, u kërkohet informacion për pikën e bastin ku lozte Bitraj

 E arrestuara Mimoza Bruzia ndryshon dëshminë, duke pohuar se ishte në dijeni të grabitjes së 40 milion lekëve nga Bitraj, por ka qëndruar në heshtje, në pritje të kthimit të parave. Ndryshe nga qëndrimi i parë i saj, kur tha se nuk kishte dijeni për vjedhjen, tanimë ekonomistja Bruzia është shprehur se kishte konstatuar mungesën e 40 milionë lekëve, por nuk kishte kallëzuar, pasi kishte shpresuar se Bitraj do t’i zëvendësonte ato, ashtu sikurse ai i kishte premtuar. Këto detaje shtyjnë Prokurorinë që të dyshojë se numri i personave që ishin në dijeni të grabitjes, nuk është i vogël, njëkohësisht i njëjti dyshim vlen edhe për sasinë reale të lekëve të përvetësuar. Për shkak të postit që mbajnë dhe në cilësinë e personave që mund të hedhin dritë mbi hetimet, tre zyrtarë të lartë janë thirrur për t’u pyetur në Prokurorinë e Tiranës për skandalin më të madh të Bankës së Shqipërisë, nga e cila u tërhoqën përgjatë katër viteve 713 milionë lekë. Duke qenë se i arrestuari Ardian Bitraj vijon të këmbëngulë se lekët e marra prej tij i ka shpenzuar në lojërat e fatit dhe në pika bastesh, ishin në Prokurori drejtorja e Përgjithshme e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Luneda Sufali, dhe drejtori Operativ i të njëjtit institucion, Enis Tushi. Sipas burimeve jozyrtare, Sufali dhe Tushi janë pyetur për mënyrën se si janë mbajtur regjistrat për subjektet ku i dyshuari Bitraj ka rrëfyer se ka shpenzuar paratë e grabitura të Bankës së Shqipërisë dhe nëse janë kontrolluar apo verifikuar të ardhurat dhe fitimi i këtyre subjekteve në rrugën “Fortuzi”. Pyetja e tyre vjen në kohën kur ekspertët pritet të kthejnë përgjigje për kompjuterët e sekuestruar në lagjen e Bitrajt. Ndërkohë, në Prokurori ishte po ashtu edhe drejtori i Përgjithshëm i Parandalimit të Pastrimit të Parave, Genti Gazheli, jo vetëm për të dhënë informacione për dyshimet se subjektet që janë nën hetim mund të kenë pastruar para, por edhe për shkak se kjo drejtori ka nënshkruar në qershor të këtij viti një marrëveshje me Bankën e Shqipërisë për parandalimin e pastrimit të parave. Ndërkohë, prokurori i çështjes Ramdan Troci ka ripyetur dy të arrestuarit e deritanishëm, ku ndërsa Bitraj vijon të këmbëngulë se i kishte shpenzuar lekët në lojërat e fatit, kolegia e tij Mimoza Bruzia ka ndryshuar qëndrim. Për shkak të sekretit shtetëror, grupi i hetimit është mjaft hermetik për të dhënë informacione për çështjen në fjalë. Megjithatë jo zyrtarisht konfirmohet se rrethi i personave nën hetim është zgjeruar, çka do të thotë se Prokuroria pritet të surprizojë me kërkesa të tjera arresti.

 

Llogaritë bankare

Burimet pranë organit të akuzës thanë se janë 20 familjarë që po verifikohen nga Prokuroria edhe për llogari në bankat e nivelit të dytë dhe që janë prindër, vëllezër, motra, kushërinj të parë apo edhe të afërm të të arrestuarve. Ndërkohë, dy grupe pune u ngritën në Bankën e Shqipërisë për të kryer një inventar të plotë të parave që ruhen në Qendrën e Emisionit në Linzë, pas konstatimit të vjedhjes së parave. Llogaritë bankare të 20 familjarëve të dy të arrestuarve pritet të bllokohen për verifikim. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, urdhëroi ngritjen e dy komisioneve pune, për të evidentuar saktësisht shumën e parave të vjedhura. Burimet nga akuza thanë se puna e këtyre dy komisioneve pritet të përfundojë brenda javës. Pas kësaj, në Prokurori do të dorëzohet raporti përfundimtar i inventarizimit të parave që ndodhen në kasafortë dhe shuma e vjedhur. Njëri nga komisionet ka për detyrë të verifikojë të gjitha kutitë me paratë që duheshin asgjësuar, ndërsa komisioni tjetër po evidenton kartëmonedhat që vinin nga fabrika e prodhimit në Zvicër.

 

Lekët

Deri tani u konstatuan 6 pako të hapura, nga të cilat dyshohet se Bitraj tërhoqi shuma të mëdha parash. Çdo pako ka brenda saj shumën prej 1 miliard lekësh. Vetë Ardian Bitraj tha në polici se shifra e vjedhur nga ai është 750 milionë lekë, ndërsa sipas kallëzimit të Bankës së Shqipërisë, dyshohet se shuma e vjedhur është 600 milionë lekëve. Gjithsesi, shifrat që përflitet janë ende të pasakta. Me përfundimin e raportit të kontrollit, burimet thanë se do të vazhdojë marrja në pyetje e punonjësve të Qendrës së Emisionit të Monedhës dhe zyrtarë Bankës së Shqipërisë. Burimet thanë se Prokuroria ka kërkuar nga Banka Qendrore e Shqipërisë t’i vërë në dispozicion listën me të gjithë emrat e personave që punojnë dhe kanë punuar ndër vite në repartin X apo, siç njihet ndryshe, në Qendrën e Emisionit të Monedhës në Linzë. Prokuroria u kërkoi të gjitha bankave të nivelit të dytë, që të kontrollojnë llogaritë bankare të 20 familjarëve të të arrestuarve. Nëse evidentohen se ata kanë llogari të hapur dhe shuma të mëdha brenda tyre, Prokuroria ka urdhëruar bllokimin e tyre deri në një urdhër të dytë. Në listën e këtyre 20 personave, janë familjar të afërm të dy të arrestuarve, si prindër, vëllezër, motra, kushërinj të parë apo të afërm të tjerë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency