Shtyhen projektligjet/ Mazhoranca bie nga shumica e cilësuar, prapaskenat e votimit

0
128

Florenc Drizari

gjate-seances-plenare-ne-kuvendin-e-shqiperise5 Mazhoranca miraton ligjet me 79 vota, mungojnë deputetët: Vangjel Dule, Tom Doshi, Parid Cara, Armando Prenga, Mark Frroku dhe Pjerin Ndreu

Kuvendi i Shqipërisë shtyu për votim javën e ardhshme miratimin e projektligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, ndërsa mazhoranca në seancën e djeshme plenare kishte të pranishme 79 deputetë, nga 85 që ka në tërësi. Shkak për shtyrjen e ligjeve që kërkonin minimumi 84 vota, u bë mungesa e 6 deputetëve të mazhorancës: Vangjel Dule, Tom Doshi, Parid Cara, Armando Prenga, Mark Frroku dhe Pjerin Ndreu. Në axhendën e Kuvendit ishin për t’u votuar tri ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, projektligji për KLD-në, disa ndryshime në ligjin për Gjykatat Administrative dhe Kodin Doganor, nisma këto që kërkonin shumicë të cilësuar votash. Gjatë procesit të votimit, kryeparlamentari Ilir Meta deklaroi se këto projektligje do të shqyrtohen për miratim në seancën e ardhshme. Ajo që bie në sy është edhe fakti se një pjesë e deputetëve që munguan dje në sallë, ditët e fundit kanë mbajtur qëndrime kritike për disa projektligje të qeverisë, kryesisht në fushën e sigurisë dhe hartës së re administrative-territoriale. Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ishte për një vizitë zyrtare në Greqi, ku pati një takim edhe me ministrin e Jashtëm Venizelos, ndërsa deputeti socialist Tom Doshi në një reagim për mediat lidhur me mungesën e prezencës në Kuvend tha: “Ishim në ditëlindjen e deputetit Mark Frroku”.

 

Ndërprerja e seancës

Pas përfundimit të diskutimeve për projektligjet që ndodheshin në axhendën e Kuvendit, Kryeparlamentari Meta kërkoi pesë minuta pushim për të njoftuar deputetët që të ishin të gjithë të pranishëm gjatë votimit. Me numrin e deputetëve që ndodheshin dje në sallë u kuptua që shumica nuk i kishte votat e mjaftueshme për të votuar ligjet me 84 vota. Nga pesë minutat e kërkuara për ndërprerjen e seancës nga Meta, pushimi zgjati përtej parashikimit, rreth 40 minuta, ndërsa ende mazhoranca nuk i kishte votat e mjaftueshme për të kaluar ligjet 6 projektligjet që kërkonin shumicë të cilësuar. Me rifillimin e punimeve të seancës, kreu i Kuvendit tha se disa nga projektligjet do të shtyhen për miratim seancën e ardhshme. “Lidhur me çështjen tjetër për disa shtesa në “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar. si dhe për projektligjin “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, shtyhen për miratim në seancën pasardhëse”, – deklaroi Kryeparlamentari.

 

Takimi Rama-Ruçi

Gjatë punimeve të djeshme të seancës, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim të shkurtër me kryetarin e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçin, pak para se të fillonte procesi i votimeve. I ulur përkrah Ruçit në sallën e Parlamentit, Rama mësohet të ketë diskutuar me Ruçin edhe mungesat e deputetëve në Kuvend. Ndërkohë, rreth një javë më parë, ka qenë vetë kreu i grupit parlamentar, Ruçi, i cili para se të fillonte votimi, i ka kërkuar deputetit Taulant Balla, por edhe deputetëve të tjerë socialist në sallë, prezencën e kolegëve të tyre që mungonin. Kjo çështje është bërë objekt debati edhe në mbledhjet e fundit të grupit parlamentar socialist edhe nga kryetari i PS-së, Edi Rama.

 

Nuk morën pjesë në votim, Doshi: Ishim në ditëlindjen e deputetit Frroku

Gjatë votimit të projektligjeve dje në Kuvendin e Shqipërisë, mungonin deputetët Tom Doshi, Armando Prenga, Pjerin Ndreu, Parid Cara, Mark Frroku, dhe Vangjel Dule. Mësohet se deputetët Doshi, Frroku, Prenga, Ndreu dhe Cara braktisën seancën, duke zgjedhur të drekonin në një restorant në kryeqytet. Gjatë momentit të daljes nga restoranti, deputeti i Partisë Socialiste Tom Doshi gjatë një prononcimi për “Neës 24” justifikoi mosprezencën e tij. “Ishim në ditëlindjen e deputetit Mark Frroku”, – kështu u shpreh deputeti Doshi. Nërkohë, po sipas mediave mësohet se deputeti Frroku e ka ditëlindjen në tetor. Në reagimn e djeshëm, deputeti Doshi theksoi se mospjesëmarrja në seancën e Kuvendit për votim nuk është presion ndaj Kryeministrit Edi Rama. Duke u ndalur tek replikat e ditëve të fundit mes Doshit dhe Tahirit sa i takon projektligjit “Për Policinë e Shtetit”, deputeti theksoi se nuk e ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm. Sa i takon pjesëmarrjes së tij në Kuvend, deputeti Doshi u pyet nëse do të jetë prezent në seancën e radhës, ku pritet të miratohen disa projektligje të rëndësishme, siç është dhe reforma territoriale, ai theksoi se nëse kolegu i tij Armando Prenga ka ditëlindjen, ndoshta nuk do të jetë i pranishëm.

 

Dule: Nëse qeveria s’i bashkon zonat minoritare, do të largohemi prej saj

Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, gjatë një takimi që zhvilloi me ministrin e Jashtëm grek Venizelos në Athinë, paralajmëroi Kryeministrin Edi Rama se miratimi i reformës territoriale në këtë formë që është dërguar në Parlament do të shënojë edhe prishjen e koalicionit me PBDNJ-në. Dule tha se qëndrimi i tij mbetet i qartë: zonat minoritare të jenë të bashkuara dhe kërkoi që minoritetet të kenë mundësi të vetëqeverisen. Kreu i PBDNJ-së gjithashtu ka shprehur shqetësimin se me ndarjen e re administrative-territoriale, shkelet e drejta klasike e minoriteteve dhe e drejta komunitare e tjetërsimit të dhunshëm të raporteve demografike ku jetojnë minoritetet në Republikën e Shqipërisë. “Si vend kandidat për në BE, dhe me këtë përgjegjësi, duhet të reflektojnë dhe të japin përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme. Mesazhi i PBDNJ-së është mjaft i qartë – dialog deri në sekondën e fundit për zgjidhje optimale, jo zgjidhje mesjetare në këto realitete”. Dule ka zbardhur nga Greqia se kundërshtimet ia kishte bërë të qarta Kryeministrit që në fillim, sikurse ia ka përcjellë edhe opozitës shqiptare. Po ashtu, ai ka ironizuar kreun e mazhorancës për afrimin në koalicion të PDIU-së. Qëllimet e mbrapshta janë më të fuqishme sesa drejtësia dhe parimi në këtë rast. “Mazhorancat janë të përkohshme dhe të këmbyeshme në pushtet dhe një ndarje administrative ndikon në fatet e vendit në afate afatgjata”.

Kreu i PBDNJ u prit në Athinë nga zv.kryeministri Venizelos, vetëm një ditë pasi ky i fundit i shprehu përmes një telefonate homologut Ditmir Bushati qëndrimin grek për reformën territoriale.

 

Gjatë deputetët që munguan në seancë

1. Vangjel Dule
2. Tom Doshi
3. Parid Cara
4. Armando Prenga
5. Mark Frroku
6. Pjerin Ndreu

 

Kuvendi rrëzon dekretin e Presidentit,  deputetët ngatërrojnë votimin

 Peza dhe Caka votojnë pro dekretit, abstenon Pandeli Majko: 

Këtë qëndrim e kam mbajtur edhe në Komisionin e Ligjeve

 Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi dje dekretin e Presidentit të Republikës Bujar Nishani “Për kthimin e ligjit nr. 64/2014 “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Me 76 vota kundër, 1 abstenim dhe 2 pro, Kuvendi bëri të pavlefshëm kthimin e ligjit nga kreu i shtetit, duke lënë në fuqi variantin e propozuar më parë nga qeveria dhe të miratuar nga shumica parlamentare. Gjatë procesit të votimit në seancën plenare të së enjtes deputetët e mazhorancës shfaqën konfuzion për mënyrën se si do të votonin. Deputeti socialist Pandeli Majko abstenoi, ndërsa deputeti i PS-së, Dashamir Peza, dhe deputetja e LSI-së, Silva Caka, votuan pro. Në kohën e votimit pati edhe deputetë të tjerë të mazhorancës që votuan pro dekretit të Presidentit të Republikës, por pas ndërhyrjeve të kolegëve të tyre, ata ndryshuan votën. I pyetur pas mbylljes së seancës, deputeti Majko e argumentoi shkurtimisht se dekretin e Nishanit e kishte abstenuar edhe në Komisionin e Ligjeve.

Dekreti i kreut të shtetit u rrëzua dy ditë më parë edhe në Komisionin për Sigurinë Kombëtare. Deputetët socialist argumentuan se ndryshimet e bëra nga qeveria nuk cenojnë kompetencat e kreut të shtetit, ndërsa kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, tha se dekretet e Presidentit “nuk vijnë era ligj”.

 

Dekreti i Presidentit

 Në seancën plenare të datës 26 qershor 2014, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 64/2014 “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Ky ligj është paraqitur për shpallje pëlqimi nga Presidenti Nishani më datë 30 qershor, ndërsa në argumentet që sjell kreu i shtetit, thuhet se ligji i duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit pasi “sjell ndryshime të cilat kanë pasoja kritike në ushtrimin e kompetencave kushtetuese të Presidentit, si dhe në balancën e ndarjes së pushteteve midis Kuvendit, Presidentit, Kryeministrit, si dhe autoriteteve të tjerë të përcaktuara në ligj. Përqendrimi i pushtetit, duke parashikuar kalimin e shumicës së kompetencave brenda ekzekutivit (qeverisë), përben një qasje jo vetëm të gabuar por edhe të rrezikshme”. Kushtetuta, ndër të tjera ka argumentuar Nishani, i ka dhënë Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Kryetarit të Shteti, Përfaqësuesit të Unitetit të Popullit, edhe postin e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, duke pasur si qëllim të sigurojë komandimin dhe drejtimin e Forcave të Armatosura nga një organ i pavarur dhe garant të balancimit të pushteteve. “Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes mund të rezervojnë të drejtën e propozimit të strukturës së FA apo planit të përhapjes së tyre por kurrsesi nuk mund të ushtrojnë kompetenca tej atyre që parashikon Kushtetuta.”-thuhet në dekretin e Presidentit të Republikës.

 

Votimi i ligjeve në Kuvend

 1. Projektligji “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”. (shumicë e thjeshtë)

79 vota pro

2. Projektligji “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”. (shumicë e thjeshtë)
79 vota pro

3. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist” të ndryshuar”’. (shumicë e thjeshtë)
77 vota pro

4. Projektligji “Për zhvillimin dhe pjesëmarrjen e forcave ushtarake të Britanisë së Madhe dhe një njësie detare gjermane në stërvitjen e përbashkët detare “Albanian Lion 2014””. (shumicë e thjeshtë)
79 vota pro (Piro Lutaj abstenon në parim)

5. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për eksport ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë që vepron në emër të Republikës së Shqipërisë përfaqësuar nga ministria e Financave dhe Unicredit Bank Austria AG për financimin e projektit të furnizimit me ujë të Peshkopisë “Kontratë me çelësa në dorë”. ( shumicë absolute)
77 vota pro

6. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8136,date 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës”të ndryshuar”. (shumicë e thjeshtë)
79 vota pro

7. Dekret nr. 8633,datë 18.7.2014 “Për kthimin e ligjit nr. 64/2014 “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. ( shumicë absolute)
76 kundër
1 abstenim – Pandeli Majko
2 pro

8. Projektvendim “Për shqyrtimin e miratimin e kandidaturës së zotit Besnik Dervishi për Komisioner të Mbrojtjes të të Dhënave Personale”. (shumicë e thjeshtë)
74 pro
14 kundër
1 abstenim

15. Projektvendim “Për shqyrtimin dhe miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për miratimin e marrëveshjes për zgjidhen me mirëkuptim, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë CEZ, A.S.” (shumicë e thjeshtë)
79 pro

16. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2013”. (shumicë e thjeshtë)
79 pro

17. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për vitin 2013”. (shumicë e thjeshtë)
78 pro
1 abstenim – Bashkim Fino

 

Mungesa e votave/ Ligjet që nuk u votuan në seancën e djeshme plenare

 1. Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar. (paraqitur grup deputetësh)(shumicë e cilësuar)

2. Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar. (shumicë e cilësuar)

3. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905,date 21.3.1995, “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar. (shumicë e cilësuar)

4. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.

5. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar. (shumicë e cilësuar)

6. Projektligji“Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”. (shumicë e cilësuar)

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency