Pavarësisht bojkotit/ Paloka: S’lejojmë të kalojnë ligje kundër kushtetutës, show i përplasjeve mazhorancë-qeveri

0
100

Gëzim Saliu

edi palokaKontestimi i ligjeve nga mazhoranca, Paloka: Strategji e ndërtuar nga kryeministri

Pavarësisht se opozita ka vendosur një marrëdhënie bojkoti pa afat me parlamentin, të djathtët nuk do të lejojnë që mazhoranca përgjatë kësaj kohe të kalojë në komisionet parlamentare e më pas në Kuvend të gjitha projektligjet e amenduara nga qeveria. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka bëri të ditur dje në një intervistë për tvklan se opozita do të përdorë të gjitha mjetet për të kundërshtuar ligjet që prekin kushtetutën e vendit si edhe interesin publik.  “Absolutisht ne do të kemi reagimet tona për çdo projektligj që do të tentohet të kalohet në Parlament. Për më tepër që kemi të bëjmë me projektligje që jo vetëm janë aprofesional, por pothuajse të gjithë me shkelje kushtetuese, me shkelje të të drejtave të njeriut dhe me synime të qarta për vendosjen e një regjimi pse jo diktatorial në Shqipëri”, u shpreh numri një i grupit kuvendor të PD-së.

 

Kundërshtitë e projektligjeve

Për deputetin demokrat, kundërshtitë e projektligjeve të sjella në Komisionet Parlamentare nga ana e vetë përfaqësuesve të mazhorancës nuk ka të bëjë më shumë me cilësinë e dobët të ligjeve por me një strategji të ndërtuar nga kreu i qeverisë Rama.  “Për sa i përket skenave të ndodhura në komisionet parlamentare, kam frikë se mos janë pjesë e shout të Ramës, i cili mendon t’i thotë shqiptarëve, se pavarësisht opozita nuk është në parlament, ne mund të bëjmë opozitën vetë”. Në këtë kontekst, duke komentuar qëndrimin e deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që në shumë raste kanë kundërshtuar formën por dhe përmbajtjen e projektligjeve, kreu i grupit parlamentar demokrat tha se kjo vjen si rrjedhojë e prekjes së interesave private. “Unë mendoj që është pjesë e strategjisë, por për sa i përket LSI-së mendoj se aty përplasen edhe interesat. Ka interesa grupesh, interesa individësh që përplasen brenda asaj mazhorance”.Prej thuajse një javë në diskutimet në Komisionet parlamentare është vënë re se pavarësisht mungesës së opozitës, nuk ka munguar kundërshtia për projektligjet e ndryshme. Deputetë socialistë por sidomos të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë shprehur shpesh kundërshti për disa nga këto projektligje, duke argumentuar edhe pikat ku ata duhet të ndryshohen për të sjellë sipas tyre përmirësimet e duhura në fushat përkatëse që ato prekin. Kështu vetëm pak ditë më parë përfaqësues të maxhorancës kundërshtuan draftin e hartuar nga Ministria e Brendshme për reformën në Policinë e Shtetit, ku u kërkua me ngulm që të mos shkrihej Garda e re e Republikës. Po ashtu edhe lidhur me projektligjin e ri për barnat dhe shërbimin framaceutik kanë qenë dy deputetët e LSI-së të cilët kundërshtuan me ngulm disa pika të tij, duke theksuar se ai është i cunguar dhe nuk garanton konceptin bazë, atë të regjistrimit të barnave. Por sipas demokratëve këto përplasje mes vetë mazhorancës qeverisëse janë artificiale dhe të ndërtuar mbi bazën e një strategjie të qartë për të vënë në “hije” opozitën.

 

Deputeti i Budestagut/ Frei i CDU-së takim me Pollon dhe Bogdanin. PD: Po kërcënohet shteti ligjor

Deputeti gjerman i CDU Thorsten Frei vizitoi dje Partinë Demokratike, ku u prit nga deputetët Genc Pollo dhe Gerti Bogdani. Gjatë takimit në selinë e PD-së u fol për bashkëpunimin mes dy forcave politike të qendrës së djathtë që i përkasin Partisë Popullore Europiane,  gjendjen politike në Shqipëri si dhe perspektivën europiane të vendit. Deputeti demokrat Pollo falenderoi deputetin gjerman për përkrahjen në dhënien e statusit kandidat dhe duke shpresuar se do të vijojë hapja e negociatave në kohën më të afërt të mundshme. Më tej dy ligjvënësit e PD-së pohuan se pengesë për integrimin e vendit janë,: “cënimi i shtetit ligjor, i konsensusit politik, zaptimi i pushteteve të pavarura dhe joqeveritare si KLD, ILDKP, AMA, AMF, kompetencat e Presidentit, destabilizimi i administratës publike dhe emërimi në poste kyçe i personave të dënuar për krime të rënda dhe depërtimi i tyre edhe në Kuvend, siç e dëften incidenti i deputetit socialist Arben Ndoka”. Në këtë kontekst, Pollo theksoi se,: “Partia Demokratike mbetet forcë politike proeuropiane që do të përkrahë në Kuvend çdo reformë që i shërben integrimit europian”. Nga ana e tij deputeti gjerman Frei, i cili  shoqërohej në takim nga ambasadori gjerman Hoffman dhe shefi zyrës së fondacionit Adenauer në Tiranë Dr. Schrappel, shprehu dëshirën për mbajtjen e zhvillimin e kontakteve dypalëshe në të ardhmen.

 

Denoncimi/ PD: Në kulmin e sezonit turistik, qeveria mbush plazhet me plehra

Partia Demokratike deklaroi dje se mos largimi i mbetjeve inerte pas aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonat bregdetare është papërgjegjshmëri e qeverisë. Nga Dhërmiu, koordinatori për ndihmë ligjore dhe denoncimet Ervin Salianji tha se institucionet qeveritare kanë sjellë një situatë të papranueshme. “Jemi në pikun e sezonit turistik dhe realiteti në një nga plazhet më të bukura të jugut, siç është plazhi i Dhërmiut, është ky që shohim pas. Ky realitet, kjo shëmti urbane, ky grumbull inertesh, ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së qeverisë. Ka ardhur si pasojë e papërgjegjshmërisë dhe arrogancës së qeverisë”, tha Salianji. Përpara një grumbulli mbeturinash, ai pohoi se qeveria e ka detyrim pastrimin e zonave, ndërsa i kujtoi kësaj të fundit se punët e realizuara prej saj gjenden vetën në Facebook. “Qeveria e ka detyrim ligjor pastrimin dhe rehabilitimin e zonës pas çdo ndërhyrje. Por me ç’duket punët e qeverisë shkojnë mirë vetëm në ekrane dhe në facebook-un e kryeministrit. Ndërkohë që në realitet punët në Shqipëri janë si ky grumbull mbeturinash që ndodhet këtu pas meje”, u shpreh Salianji. Nga ana tjetër koordinatori i PD-së foli me banorë dhe pushues të zonës në lidhje me këtë situatë të cilët kërkuan që qeveria t’i japë sa më shpejt zgjidhje këtij problemi që po prek turizmin në këtë zonë të jugut të vendit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency