Dosja te Krimet e Rënda / Tetë të rinj në gjyq, vodhën 4 karburante në 10 ditë

0
203

Sonila Mesareja

Prokuroria: Ja skema që përdornin të rinjtë për të vjedhur pikat e karburanteve, dhuna e ushtruar ndaj punonjësve, rolet e secilit të pandehur

 

gjykata-e-krimeve-te-rendaKrimet e Rënda kanë përfunduar hetimet dhe kanë dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të tetë të rinjve të akuzuar për grabitje të karburanteve. Sipas akuzës, të pandehurit Aleksandër Daçi, Rigers Halmusaj, Fredi dhe Bashkim Mellugja, Kristi Koleci, Gentian Lika, Ndue Dushaj dhe Bjankovin Brozi dyshohet se kanë grabitur brenda 10 ditëve 4 karburante, duke vjedhur rreth 3 milionë lekë të reja. Prokurorët bëjnë me dije se të pandehurit funksiononin si një grup i strukturuar kriminal, me role të ndryshme në çdo grabitje, ku edhe ushtronin dhunë ndaj rojeve të karburanteve, ndërsa në një rast kanë përdorur edhe armë zjarri. Prokurorët kanë zbardhur edhe skemën e përdorur nga të pandehurit për grabitjet e karburanteve. Ata, pasi kërkonin hedhjen e naftës në makinën e tyre, i sulmonin fizikisht rojet apo shitësit, duke u marrë të gjitha parat e xhiros ditore dhe më pas largoheshin. Mësohet se ata u zbuluan falë kamerave të sigurisë të karburanteve të grabitura, ndërsa u kërkua bashkëpunim nga organet e akuzës në katër qytete, përkatësisht Laç, Mat, Tiranë e Lushnjë.

 

Procedimi

Sipas Krimeve të Rënda, ky procedim është regjistruar mbi bazën e akteve të ardhura nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kurbin, lidhur me vjedhjen me dhunë të pikës së karburantit “Gega Oil” ndodhur më autostradën Fushë-Krujë – Lezhë, në kryqëzimin e Patokut. Me këtë procedim, kjo Prokurori ka bashkuar dhe aktet e tri procedimeve të tjera të ardhura nga prokuroritë e rretheve gjyqësore Mat, Tiranë dhe Lushnjë. Konkretisht, bëhet me dije se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Mat ka regjistruar procedimin penal nr. 11 të vitit 2014, për vjedhjen me dhunë të pikës së karburantit “Ceka”, ndodhur në Baz të rrethit të Matit në datën 15.1.2014. Ky procedim është dërguar për kompetencë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, e cila ka pranuar aktet e ka regjistruar dhe e ka bashkuar me procedimin penal nr. 26 të vitit 2014. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lushnjë ka regjistruar procedimin penal nr. 23 të vitit 2014 për vjedhjen me armë të një pike karburanti ndodhur përballë fshatit Gramsh, të rrethit Lushnjë, në datën 17.1.2014. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 890 të vitit 2014, për vjedhjen me dhunë të pikës së karburantit “Elda”, ndodhur më Bërzhitë të rrethit Tiranë në datën 23.1.2014. Të gjitha këto procedime u bashkuan dhe u hetuan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka sjellë dosjen për gjykim në gjykatë.

 

Episodi i parë

Nga hetimet ka rezultuar se më date 13.1.2014, nga shtetasit nën hetim Aleksandër Daçi, Ndue Dushaj, Rigers Halmusaj, Fredi Mellugja dhe Bashkim Mellugja është vjedhur pika e karburantit “Gega Oil” ndodhur më autostradën Fushë-Krujë – Lezhë në kryqëzimin e Patokut. Ditën e ngjarjes, rreth orës 23:30, këta shtetas janë takuar në lokalin e shtetasit Rigers Halmusaj, që ndodhet në Kamëz dhe kanë planifikuar vjedhjen e lekëve të xhiros së këtij karburanti. Shtetasi nën hetim Aleksandër Daçi, nëpërmjet shtetasit nën hetim Bjankovin Brozi, punonjës në këtë karburant, është vënë në dijeni se gjatë fundjavës kjo pikë bënte shumë xhiro dhe se lekët tërhiqeshin të hënën nga pronari. Pasi i ka njohur me këtë fakt, shtetasit nën hetim janë nisur në drejtim të karburantit me mjetin tip “Mercedes-Benz” me targa AA393EE në përdorim dhe me drejtues shtetasin Rigres Halmusaj. Kur kanë mbërritur në pikën e karburantit, nga mjeti ka zbritur shtetasi nën hetim Aleksandër Daçi dhe i ka kërkuar shtetasit nën hetim Bjankovin Brozi, shitës në këtë pikë, që ta furnizonte mjetin me 5000 lekë naftë. Bjankovini e ka njohur këtë shtetas pasi është djali i tij i tezes. Pasi e ka mbushur makinën me karburant dhe i ka vënë tapën serbatorit, Aleksandri e ka goditur me grusht në fytyrë. Në këtë moment kanë zbritur nga mjeti shtetasit nën hetim Bashkim Mellugja, Ndue Dushaj dhe Freedi Mellugja me maska dhe shtetasi nën hetim Bashkim Mellugja i ka thënë: “Më jep lekët, se të vrava dhe nëse flet për Aleksin (Aleksandër Doçin), do të vras të gjithë robt e shtëpisë”. Ky shtetas bashkë me Aleksandrin kanë rrahur Bjankovinin, ndërsa shtetasit nën hetim Ndue Dushaj dhe Fredi Mellugja kanë shkuar për të neutralizuar e kanë goditur e rrahur rojën e karburantit Rustem Hidri, i cili kishte shkuar në banjë. Aleksandri bashkë me Bashkimin kanë marrë lekët e xhiros dhe lekët që ndodheshin në kasafortë, përkatësisht shumë prej 509 800 mijë lekë. Sipas akuzës, kasafortën e hapën me çelësin që i morën Bjankovinit. Ndërkohë, shtetasit nën hetim Ndue Dushaj dhe Fredi Mellugja, të maskuar, kanë goditur në pjesë të ndryshme të trupit rojën dhe kur janë larguar i kanë marrë një aparat celular. Pasi kanë marrë lekët dhe celularin e rojës dhe kanë ushtruar dhunë, janë larguar dhe kanë shkuar në banesën e Aleksandër Doçit, ku pesë shtetasit nën hetim kanë ndarë shumën e vjedhur dhe janë larguar në banesat e tyre. Në deklarimin e ditës së ngjarjes, shtetasi Bjankovin Brozi ka shpjeguar rrethanat e mësipërme të ngjarjes, por nuk ka treguar emrin e njërit prej autorëve, kushëririt të tij Aleksandër Doçi, ndërsa në deklarimin e datës 3.2.2014 ka pranuar se ka njohur këtë shtetas. Këtë fakt kriminal e kanë pranuar edhe shtetasit Aleksandër Daçi, Ndue (Aleksandër) Dushaj, Rigers Halmusaj dhe Fredi Mellugja, të pyetur me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohem hetime. Nga policia gjyqësore janë sekuestruar dhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë të pikës së karburantit, të cilat tregojnë në mënyrë të qartë veprimet e pesë personave nën hetim që nga mbërritja, dhuna që kanë ushtruar dhe largimin nga vendi i ngjarjes.

 

Episodi i dytë

Nga hetimet ka rezultuar, gjithashtu, se në datën 15.1.2014, rreth orës 03:00, shtetasit nën hetim Aleksandër Daçi, Rigers Halmusaj, Fredi Mellugja dhe Gentjan Lika kanë vjedhur pikën e karburantit “Ceka”, ndodhur në Baz të rrethit të Matit. Ditën e ngjarjes, katër shtetasit nën hetim janë takuar tek lokali me qira i shtetasit Rigers Halmusaj dhe kanë planifikuar të vjedhin karburantin e mësipërm që ndodhej në një zonë nga ishte shtetasi nën hetim Aleksandër Daçi dhe që e njihte rrugën dhe vendin ku do kryhej vjedhja. Sipas akuzës, ata janë nisur nga Kamza dhe rreth orës 02:30 dhe kanë shkuar tek karburanti “Gega”. I kanë kërkuar shitësit Haxhi Cakoni, punonjës në këtë pikë karburanti dhe kanë furnizuar mjetin me 1000 lekë benzinë. Janë larguar në drejtim të Burrelit dhe 500 m më larg janë kthyer përsëri në drejtim të karburantit. Rreth 150 m larg, kanë lënë mjetin dhe Rigersin në të dhe shtetasit nën hetim Aleksandër Daçi, Fredi Mellugja dhe Gentjan Lika kanë shkuar tek karburanti. Gentjani ka pasur me vete një bidon plastik dhe ka shkuar e i ka kërkuar rojës që t’ia mbushte me benzinë. Sapo roja ka marrë pistoletën për ta mbushur, shtetasit Aleksandër Daçi dhe Fredi Mellugja e kanë goditur nga pas dhe zvarrë e kanë marrë dhe e kanë futur në zyre. I kanë lidhur me tel dritash duart dhe këmbët, i kanë futur në gojë një dorezë lecke dhe kanë marrë 45 000 lekët e xhiros së ditës. Gjithashtu, ata i kanë marrë rojës dhe një aparat celular “Nokia”. E kanë lënë të lidhur dhe janë larguar në drejtim të Tiranës. Aparatin celular e kanë hedhur disa km larg vendit të ngjarjes. Tre shtetasit Aleksandër Daçi, Rigers Halmusaj dhe Fredi Mellugja, të pyetur me cilësinë e personit nën hetim kanë pranuar rrethanat e faktit të përshkruara më sipër, të përputhura plotësisht me deklarimet e shtetasit Haxhi Cakoni që ka qenë roja i karburantit dhe ndaj të cilit është ushtruar dhuna.

 

Episodi i tretë

Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se në datën 17.1.2014, rreth orës rreth orës 01:15, shtetasit nën hetim Rigers Halmusaj, Fredi Mellugja, Bashkim Mellugja, Kristi Koleci dhe Aleksandër Daci kanë vjedhur pikën e karburantit “Neri”, ndodhur më rrugën nacionale Rrogozhinë – Lushnjë, përballë fshatit Gramsh, Lushnjë, në pronësi të shtetasit Gëzim Malasi. Në datën 16.1.2014, rreth orës 22:30, pesë shtetasit nën hetim janë takuar tek lokali me qira i shtetasit Rigers Halmusaj dhe kanë planifikuar të vjedhin karburantin e mësipërm që ndodhej në rrugën nacionale Rrogozhinë – Lushnjë. Janë nisur nga Kamza me mjetin tip “Golf” me targa AA 393 EF që përdorej nga shtetasi nën hetim Rigers Halmusaj dhe rreth orës 12:00 kanë qëndruar rreth 1 orë në një karburant në Kavajë, ku kanë pirë kafe. Më pas janë nisur në drejtim të karburant “Neri” dhe pasi kanë kaluar rrethrrotullimin që është pas këtij karburanti në autostradë, janë kthyer në drejtim të rrugës për në Tiranë në krahun e kundërt të karburantit dhe përballë tij kanë qëndruar. Rigersi ka qëndruar te mjeti, ndërsa katër personat e tjerë kanë zbritur dhe kanë kaluar në krahun e kundërt për të shkuar tek karburanti. Te karburanti, në atë moment, nuk kishte njeri jashtë. Kanë gjetur një bidon në rrugë dhe shtetasit nën hetim Bashkim Mellugja dhe Aleksandër Daci kanë shkuar tek vendi ku rrinin rojet, ndërsa shtetasit nën hetim Kristi Koleci dhe Fredi Mellugja kanë qëndruar në një cep të karburantit që të mos dalloheshin. Bashkimi dhe Aleksandri i janë afruar dhomës ku rrinin roja dhe punonjësi dhe kanë trokitur në xham. Ka dalë një person që ishte roje, dëshmitari dhe i dëmtuari Shpëtim Kërçuku, i cili ka dalë nga dhoma dhe Bashkimi i ka kërkuar të blejë 300 lekë benzinë pasi i kishte lënë makina. Shpëtimi ka thirrur shitësin, dëshmitarin dhe të dëmtuarin Arqile Bame, i cili ka dalë dhe ka mbushur me 300 lekë benzinë bidonin plastik që i dha Bashkimi. Ndërkohë që Bashkimi ka shkuar pas shitësit tek distributori, Aleksandri ka qëndruar pranë rojës. Sapo shitësi la pistoletën tek distributori, Bashkimi e ka goditur me grusht atë, ndërsa në të njëjtën kohë Aleksandri ka goditur me grusht rojën. Menjëherë janë afruar shtetasit Kristi Koleci dhe Fredi Mellugja dhe të katër kanë goditur me grushte dhe shkelma dhe sende të forta rojën dhe punonjësin e pikës. Më pas, Aleksandri ka fikur dritat, i kanë futur në një dhomë dhe i kanë lidhur dhe kanë kontrolluar dhe vjedhur një sasi prej 100 000 lekësh, portofolat, orën e dorës dhe një aparat celulari “Samsug”. Portofolin e kanë hedhur në rrugë. Më pas, kanë kaluar rrugën, kanë hipur në mjetin që i priste dhe janë nisur për në Tiranë. Kanë shkuar tek banesa e Aleksandër Dacit, kanë ndarë sendet dhe shumat e vjedhura, dhe më pas janë larguar për në banesat e tyre. Ndërkohë, sipas deklarimeve të dy të dëmtuarve dhe provave të sekuestruara në vendngjarje, autorët gjatë realizimit të vjedhjes dhe largimit, kanë përdorur dhe armë me të cilat kanë qëlluar në ajër për të trembur dhe mos lejuar që të ndiqen gjatë largimit nga vendngjarja. Policia gjyqësore ka sekuestruar në vendngjarje katër gëzhoja arme zjarri, një plumb dhe bidonin plastik. Tre shtetasit Aleksandër Daçi, Kristi Koleci dhe Fredi Mellugja, të pyetur me cilësinë e personit nën hetim kanë pranuar rrethanat e faktit të përshkruara më sipër të përputhura plotësisht me deklarimet e shtetasve Shpëtim Kërçuku dhe Arqile Bame që kanë qenë roja dhe shitësi i karburantit, ndaj të cilëve është ushtruar dhuna.

 

Episodi i katërt

Nga hetimet ka rezultuar se në datën 23.1.2014, rreth orës 01:40 shtetasit nën hetim Aleksandër Daçi, Rigers Halmusaj, Fredi Mellugja, Kristi Koleci dhe Gentjan Lika kanë vjedhur pikën e karburantit “Elda”, ndodhur më rrugën nacionale Tiranë – Elbasan. Në datën 22.1.2014, rreth orës 21:00, të pestë këta shtetas, si dhe në prezencën e shtetasit tjetër në hetim Bashkim Mallugja, janë takuar sërish tek lokali me qira i shtetasit Rigers Halmusaj dhe kanë planifikuar të vjedhin karburantin e mësipërm. Janë nisur nga lokali rreth orës 23:30 me mjetin tip “Golf” me targa AA393EE të shtetasit Rigers Halmusaj në drejtim të karburantit “Elda”. Kanë kaluar karburantin duke kontrolluar dhe rrugën, dhe tunelin e Qafë-Kërrabës dhe janë kthyer përsëri në drejtim të Tiranës ku kanë qëndruar rreth 200 m larg karburantit. Në këtë moment, Rigersi ka hequr targën e parë të mjetit dhe e ka mbuluar me ngjitës kafe targën e pasme. Pas këtij veprimi, janë futur tek karburanti “Elda”. Shtetasi nën hetim Aleksandër Daçi ka zbritur nga mjeti dhe iI ka kërkuar shitësit, dëshmitarit Artur Banaj, që ta furnizonte mjetin me 5000 lekë benzinë. Gjatë kohës që po mbushte mjetin me karburant, kanë zbritur dhe shtetasit nën hetim Kristi Koleci dhe Gentjan Lika. Gentjani po qëndronte pranë shitësit të karburantit ndërsa Aleksandëri po shikonte ambientet. Në momentin që mjeti u mbush me benzinë dhe shitësi futi pistoletën në distributor, Gentjani e goditi me gusht në fytyrë. Menjëherë ka dalë nga mjeti dhe shtetasi nën hetim Fredi Mellugja dhe të katër kanë vazhduar ta godasin me shkelma dhe grushte shitësin, i cili ka shkuar në drejtim të zyrës së karburantit. Në atë moment është zgjuar roja i karburantit që ishte në zyrë, dëshmitari Shkëlqim Balla, dhe Gentiani ka filluar ta godasë edhe atë. Njëkohësisht kanë futur në zyrë me forcë shitësin. Në këtë moment, Aleksandri ka ulur automatin e dritave, ndërsa Fredi ka marrë rreth 20 000 lekë që ndodheshin ne komodinën e zyrës dhe disa paketa cigare, një çakmak dhe dy aparate celularë, një “Nokia” dhe një “AMC” me prekje. Ndërkohë, Kristi dhe Gentjani kanë lidhur me natriban dy punonjësit e karburantit dhe kanë vazhduar t’i godasin me shkelma dhe grushte. Në një moment kthehet Fredi, i cili kishte shpënë në makinë sendet e mësipërme dhe godet me shkelma në fytyrë një nga punonjësit, Rigersi ka qëndruar gjatë kësaj kohe në makinë, të cilën e mbante të ndezur. Më pas janë larguar nga rruga që kishin ardhur Bërzhitë, Sauk Qendër-Tiranë dhe kur kanë mbërritur tek “Casa Italia”, kanë vendosur targat e mjetit dhe kanë hequr ngjitësen e targës së pasme. Në Kamëz kanë ndarë lekët e vjedhura, ndërsa telefonin me prekje “AMC” e ka marrë Aleksandri dhe telefonin tip “Nokia” e ka marrë Gentjani. Të nesërmen, Aleksandri, Gentjani, Rigersi dhe Kristi kanë shkuar dhe i kanë shitur tek tregu në qendër pranë bankës qendrore për 10 000 lekë. Policia ka pyetur dëshmitarët dhe të dëmtuarit Artur Banaj dhe Shkëlqim Balla, të cilët shpjegojnë rrethanat e faktet dhe ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë së karburantit. Pamjet e kamerave filmike tregojnë ne mënyrë të qartë veprimet e mësipërme të shtetasve nën hetim. Gjithashtu është kryer paraqitja për njohje e shtetasve nën hetim nga dëshmitarët me fotografi nga ku rezultoi se kanë njohur shtetasin nën hetim Gentjan Lika, si një nga autorët e vjedhjes me dhunë. Sërish të pandehurit kanë pranuar faktet për këtë vjedhje.

 

Akuzat

“Vjedhje me dhune”

“Vjedhje me armë”

“Krijim i grupit të strukturuar kriminal”

“Kryerje e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”

 

Të pandehurit

Aleksandër Daçi

Ndue (Aleksandër) Dushaj

Rigers Halmusaj

Fredi Mellugja

Bashkim Mellugja

Kristi Koleci

Gentian Lika

Bjankovin Brozi, nën hetim vetëm për “Kallëzim të rremë”

 

 

 

Shkodër

Gjendet në lumin Bunë një grua, dyshohet vetëmbytje

 

Trupi i pajetë i një gruaje është gjetur dje në lumin Bunë në Shkodër. Bëhet fjalë për një grua rreth moshës 50 vjeçe, e cila është gjetur paraditen e djeshme, rreth orës 11:30 në lumin Buna, të fshatit Zuez të rrethit Shkodër. Sipas burimeve policore, nga këqyrja e kufomës nuk rezulton të ketë shenja dhune. Policia po punon për identifikimit e trupit dhe motivet e vetëmbytjes. Materialet e gjetura i kaluan prokurorisë për verifikim.

 

 

Fier

Përplasen dy automjete, plagosen 5 pjesëtarë të së njëjtës familje

 

Përplasja e dy automjeteve ka shkaktuar pesë të plagosur, pjesëtarë të së njëjtës familje. Aksidenti rrugor është shënuar në rrugën nacionale Fier – Levan në km 6 në vendin e quajtur Shinat e Trenit. Si pasojë e përplasjes mbetën të lënduar Qani dhe Sabire Hysi, 74 dhe 70 vjeç, dhe 3 fëmijët e tyre, Ranko 15 vjeç, Luljeta 16 vjeç dhe Ketjana Hysa 19 vjeç, të cilët po udhëtonin me mjetin me targa KV 3146 B. Të lënduarit, pasi u ndihmuan nga kalimtarët e rastit dhe morën ndihmën e parë nga mjekët e ambulancës, u dërguan menjëherë në spitalin rajonal të Fierit.

 

 

Tiranë

Kapen me 5 mijë USD false, pranga tre personave

 

Tri persona janë vënë në pranga, pasi u kapën në posedim të 5 mijë USD false, të cilat po tentonin t’i fusin në treg. Me operacionin policor “Distinktivi”, seksioni i krimit ekonomik në kryeqytet ka mundur të sekuestrojë një sasi prej 5 mijë dollarë prerje 100-she false si dhe të vërë në pranga tre persona. Sipas bluve të kryeqytetit, deri në këto momente, të dhënat e hetimit kanë nxjerrë në pah se sasia false e kartëmonedhave vinte nga Zvicra nëpërmjet një shqiptari tashmë të identifikuar dhe arrestuar. Të arrestuar janë shtetasit I. Nasufi, H. Taka si dhe E. Piraçi, ku i fundit i konsideruar nga blutë dhe personi përgjegjës për sjelljen nga jashtë Shqipërisë të kartëmonedhave false. Ky grup, sipas policisë, përdorte përdoruesit e drogës për të këmbyer nëpër këmbimet valutore të kryeqytetit dollarët fals e më pas për të përfituar paratë. Për krimin ekonomik hetimet mbeten ende të hapura pasi dyshohet se këta shtetas këtë veprimtari të jashtëligjshme e kryenin prej disa kohësh, kryesisht duke zgjedhur dhe kohën kur në Shqipëri mbërrijnë dhe emigrantët apo kishte fluks turistësh.

 

 

Lezhë

Shkon të riparojë motorin e anijes, plagoset punëtori 63-vjeçar

 

Një 63-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë mesditën e djeshme, ndërsa ka qenë duke riparuar një defekt në një anije peshkimi në det të hapur. Incidenti është shënuar ndodhur rreth orës 13:00 të ditës së djeshme, 20 milje larg portit të Shëngjinit, ndërsa i plagosur mbeti Jani Pulti, 63 vjeç, nga Durrësi. Ai po punonte së bashku me punëtorët e tjerë për riparimin e anijes, e cila kishte pësuar defekt në motor gjatë lundrimit, deri kur motori është ndezur papritur duke e dëmtuar rëndë 63-vjeçarin në duar dhe kokë. Fill pas incidentit, ka qenë vetë ekuipazhi i anijes, të cilët kanë njoftuar rojet e bregdetare të Shëngjinit, ku këta të fundit kanë njoftuar Policinë Kufitare. Policia Kufitare nga ana e saj ka ndërhyrë menjëherë me anë të një skafi duke e marrë personin e plagosur. Pasi ka mbërritur në portin e Shëngjinit është transportuar nga një autoambulancë, e cila e ka dërguar në spitalin e Lezhës. Megjithëse ka marrë ndihmën e parë në spital, bëhet me dije se gjendja e tij shëndetësore raportohet se paraqitet ende e rënduar, pasi gjatë transportit për në spital ka humbur shumë gjak. Nga ana tjetër, policia ka nisur hetimet për këtë aksident të rëndë në punë, ndërsa pritet që të merret në pyetje edhe pronari i anijes së peshkimit në të cilën ndodhi incidenti.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency