Rënia e modelit “të suksesshëm” ekonomik maqedonas…

0
118

Skopje central bank 2 by SJMProtestat e fundit në Maqedoni janë të shqiptarëve, por nuk janë ata që përfitojnë prej tyre. “Dielli” i Gruevskit në flamurin maqedonas prej kohësh nuk po i ngroh shqiptarët, të cilët përbëjnë rreth 30% të popullsisë, por prej kohësh vuajnë nga represioni etnik maqedonas që vjen jo vetëm nga rruga, por buron edhe nga qeveria. Dukshëm zona të populluara nga shqiptarët kanë një zhvillim të ulët ekonomik, social dhe kulturor krahasuar me pjesën tjetër. Investimet publike dhe ato të huaja janë përqendruar larg tyre. Papunësia te shqiptarët është shumë më e lartë se gjetkë dhe shërbimet e tjera sociale janë në gjendje të mjeruar. Projektet e njësive lokale drejtuar nga shqiptarët gjithnjë janë zvarritur dhe penguar nga qeverisja qendrore. Sot, në qeverinë e Gruevskit, me gjithë presionin e shqiptarëve që janë në kabinetin e tij, fondet publike për investimet në zonat e populluara nga shqiptarët, nuk kalojnë as 5% të totalit të fondeve kapitale.

Edhe sipërmarrja individuale mes shqiptarëve, e asfiksuar me lloj-lloj barrierash etnike-qeveritare. Vlerësimet studimore tregojnë se bizneset e shqiptarëve në 80% të lëndës së parë duhet ta marrin nga kolegët e tyre maqedonas, edhe pse janë vendosur në hapësira gjeografike me burime të pasura ekonomike. Varfëria e dukshme e shqiptarëve sot në Maqedoni është e shpjegueshme vetëm me politikën agresive qeverisëse kundër tyre. Ndërkohë, çështje madhore që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhës, të drejtave dhe lirive të tjera, pjesëmarrjen në institucione publike etj., edhe pse janë një detyrim ligjor i shtetit maqedonas ku shqiptarët janë bashkëformues, janë fare të pashprehura e të pazbatuara. Të gjitha këto rezultate të prodhuara nga një politikë albanofobe tentojnë ta mpakin faktorin etnik shqiptar, i cili, i gjendur mes pamundësisë për të jetuar nga njëra anë dhe alternativës më të mirë për t’u larguar nga Maqedonia, shpërthen në protesta të ashpra si këto të fundit.

Nga ana tjetër, prej vitesh, Maqedonia e Kryeministrit Gruevski vuan nga disa kriza që po i mbivendosen njëra-tjetrës. Kriza e parë është ngecja prej vitesh në procesin e anëtarësimit në NATO dhe integrimit në BE, aq sa tani ky vend duket se e ka të pamundur me Gruevskin, i cili gjuan shpesh nga kulla e tij e nacionalizmit provokativ ekstrem. Kriza tjetër lidhet me ekonominë e veçanërisht vështirësitë që po has vendi për të tërhequr investime të huaja, për shkak të pasigurisë që buron nga konflikti etnik i mbajtur pezull nga vetë ai, por edhe dështimi në politikat për ta nxjerrë vendin nga kriza e përgjithshme dhe korrupsionin e lartë. Së fundi, kriza politike mes vetë maqedonasve, por dhe shqiptarëve, me të cilët ai ka vendosur të qeverisë. Mënyra se si ai erdhi dhe gjeti të qeverisë sipas analistëve krijoi një deligjitim të votës dhe zvogëlim të shkallës së përkrahjes nga popullata, përfshirë edhe shqiptarët. Gruevski duket nuk ka më zgjidhje për të gjitha këto problem ndaj provokon protesta për të luajtur kartën e fundit: atë të ndarjes së Maqedonisë me vullnetin e tij, duke qëndruar në prapaskenë e duke instrumentalizuar shqiptarët. Madje, për të qenë më bindës, po përpiqet t’i veshë protestat e fundit me petkun e radikalizmit fetar, për të cilët evropianët janë sot mjaft të ndjeshëm. Në këtë mënyrë, ai kërkon të fitojë dy herë, duke fajësuar shqiptarët për konfliktin etnik, t’i “marketojë” si minues të BE-së në Ballkan dhe, nga ana tjetër, të garantojë pafajësinë e tij për ngecjen e integrimit në BE, çka ai nuk mundet ta bëjë bashkërisht me shqiptarët, sepse nuk është në stilin e tij. Kjo do të lehtësonte Maqedoninë e maqedonasve të lodhur nga krizat e qeverisjes së tij, duke u rrekur të dalë fitues edhe nga hiri i flakëve që po mban ndezur.

Por, shqiptarët, edhe pse mund të jenë në të drejtën e tyre historike nuk kanë favorizuar opsionin e ndarjes, sepse kanë vërtetuar me vite e përpjekje të stërmundimshme, shpeshherë sublime për të qenë bashkëpunues. Edhe pse ata e kanë kuptuar që Marrëveshja e hershme e Ohrit ka mbetur një copë letër e grisur keqas, ata sërish shpresojnë. Ata shpresojnë e kanë besim tani te një projekt më i madh, ai i integrimit së bashku me maqedonasit në familjen e përbashkët evropiane, sepse do të jenë më të sigurt në lirinë e mirëqenien e tyre. Por Gruevski, ky politikan që jeton me maninë e të qenët po aq sa edhe Aleksandri i Madh, duke harxhuar paratë për shtatoren e tij sa gjysma e buxhetit të dhënë për shqiptarët në një vit, asnjëherë nuk ka demonstruar vullnet të plotë për këtë proces kaq madhor që i kalon kufijtë e shqiptarëve dhe maqedonaseve. Në vend të rrugës së përbashkët të integrimit, prej kohësh përmes diferencimit financiar, ekonomik, social dhe etnik, ka krijuar me vullnetin tij mure që ndajnë Maqedoninë jo vetëm nga shqiptarët, paçka se përtej këtyre mureve hedh topa pambuku pro projektit më të madh politik të Europës së Bashkuar. Më mirë se askush, Gruevski e di motivin e protestave të shqiptarëve, sepse është një skenar që e ka ndërtuar prej kohësh, ndaj vetëm provokon me shpresën e një konflikti të madh që do ta ndante nga shqiptarët.

 

(Marrë nga revista “Monitor”)

 

 

 

Sigurimi nga tërmetet, BB mbështet reformën

Banka Botërore do të mbështesë Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për të reformuar tregun e sigurimeve. Sipas burimeve zyrtare të AMF-së, mbështetja për reformën në tregun e sigurimeve vjen në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve të programit të vlerësimit të sektorit financiar (FSAP).

Objektivi i projektit të BB-së për asistencë teknike për reformën në tregun e sigurimeve është të ndihmojë AMF-në në përmbushjen e reformave ligjore dhe rregullatore për të forcuar mbikëqyrjen dhe rregullimin e sektorit të sigurimeve dhe për të mundësuar zhvillimin e produkteve të sigurimit nga tërmetet.

Projekti përqendrohet në tre komponentë bazë, që janë rishikimi i kuadrit rregullator për produktet e sigurimit MTPL mbi teknikat e përllogaritjes së provigjoneve të dëmeve nga produktet e sigurimit MTPL, i kuadrit të përgjithshëm mbikëqyrës për ndërtimin e manualeve tematike të inspektimit, si dhe plotësimin e kuadrit rregullator në funksion të ligjit të ri, i cili parashikon mbikëqyrjen me bazë risku. Ndërsa risi është dizajnimi dhe zhvillimi i një programi kombëtar për sigurimin nga tërmetet. referuar statistikave zyrtare të AMF-së, sigurimi nga tërmeti nuk zë më shumë se 7-8% të portofolit, që është shumë minimal. Projekti i asistencës ka një shtrirje kohore prej 24 muajsh dhe pritet të përfundojë në vitin 2016.

Gjatë kësaj jave grupi i ekspertëve të Bankës Botërore i përbërë nga Eugene Gurenko dhe Alma Qamo shqyrtuan me stafin e AMF-së dhe palë të tjera të interesuara, si shoqëri sigurimesh dhe institucione shtetërore kushtet për të nxitur reformën e tregut të sigurimeve.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency