Rritja e pandërprerë e borxhit kthehet në politikë fiskale

0
128

Ervin Kaduku

Edi-Rama-mbledhje-qeverie-KM –  Qeveria del në periudhën më të paleverdishme në tregjet evropiane me 500 mln eurobond për të mbuluar paaftësinë në performancën buxhetore

–  Paratë nga hua qindramilionëshe hidhen për paga e pensione, investimet “harrohen”

–  FMN: Kompensimi i pronarëve do t’ju falimentojë! Energjetika kërkon sforco të jashtëzakonshme

 Duke shfrytëzuar ndryshimin e mëparshëm në legjislacion, tashmë, kur vendi është pa një kufi për nivelin e borxhit publik, sinjalet nga Financa janë që qeveria “Rama” do të hidhet “me sy mbyllur” në gropën e zezë të borxheve. Pas huave masive, që u morën këtë vit për të mbuluar paaftësinë e grumbullimit të të ardhurave fiskale, vitin e ardhshëm është planifikuar të merret një borxh prej 500 milionë eurosh në tregjet ndërkombëtare, duke u paraqitur në formën e eurobondit ose kredi, në varësi të interesave. Kjo shihet si një ristrukturim dhe ribalancim i borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm. Kjo shifër i shtohet gati 1 miliard eurove, që janë porositur apo janë marrë tashmë nga ana e qeverisë si borxh që rëndon mbi taksapaguesit shqiptarë, duke e bërë ritmin e rritjes së borxhit publik më të lartin e të gjitha kohërave.

Ajo që është më e rrezikshme dhe më shqetësuese është pohuar dje nga zëvendësministri i Financave Erjon Luçi gjatë një takimi informal me gazetarë të sektorit të ekonomisë, ku u shpreh se së shpejti pritet të bëhen ndryshime ligjore për borxhin publik, kryesisht për pjesën e negociatave dhe interesave të huamarrjes. Aktualisht niveli i borxhit publik është mbi 72% e PBB, ku pjesën më të madhe e zë huamarrja e brendshme.

Shqipëria emetoi eurobondin të parë në historinë e vet, në tetorin e vitit 2010, ku siguroi një hua prej 300 milionë eurosh, me interesa 7.5%. Eurobondi në fjalë, me afat 5-vjeçar, maturohet vitin e ardhshëm. Ndërkaq të dhënat tregojne se situata e tregjeve evropiane vazhdon të mos jetë e favorshme dhe besueshmëria e ekonomisë sonë është ende mjaft e ulët. Megjithatë, qeveria është e vendosur të marrë borxh me çdo kusht, për të kryer pagesat e premtuara, por duke e zhytur vendin në një vorbull të frikshme.

Ndërkohë, pavarësisht nga marrja e shumave të mëdha hua nga jashtë, fakti që në gjashtë muajt e parë të këtij viti investimet me para të buxhetit u realizuan vetëm 51% krahasuar me një vit më parë tregon për një politikë tejet të gabuar e me pasoja në fushën fiskale, që karakterizohet nga pagesat me borxhe të pensioneve e pagave, por jo kalim të fondeve në sektorët që sjellin të ardhura.

Zv.ministri Luçi është pyetur dje edhe për ecurinë e dobët të realizimit të shpenzimeve kapitale, që janë edhe larg shifrave të planifikuara. Sipas tij, “mosrealizimi i këtyre shpenzimeve lidhet me ecurinë e dobët të dy projekteve me financim të huaj. Sot po vuajmë nga keqkonceptimi i projekteve. Duhet bërë rishikimi i portofolit, me synim përmirësimin e eficiencës”, – tha Luçi.

Ky është një justifikim i dobët i performancës së dobët kryesisht në drejtim të administrimit të shpenzimeve buxhetore. Ndërkohë, në rishikimin e parë të marrëveshjes Shqipëri-FMN, edhe kjo e fundit ka theksuar se “shpenzimet kapitale janë ngadalësuar që nga fundi i vitit 2013 për shkak të rivlerësimit të nevojave dhe prioriteteve dhe kapacitetit të burimeve njerëzore të lidhur me tranzicionin e qeverisë. Ekzekutimi mbetet poshtë niveleve të parashikuara në buxhet këtë vit. Stafi (i FMN) ka nxitur autoritetet të përshpejtojnë ekzekutimin e shpenzimeve kapitale të buxhetuara në mënyrë që të shmangë ndikimin negativ në rritje; autoritetet presin që ekzekutimi të përshpejtohet gjatë vitit, tashmë që rishikimi i shpenzimeve kapitale është plotësuar”.

Sa i përket pikërisht raportit të FMN-së, nuk mund të lihet pa përmendur edhe fakti tjetër negativ, që është përcaktuar qartë në këtë dokument: rreziqet fiskale në Shqipëri, në vend që të pakësohen, në fakt janë rritur që nga miratimi i përbashkët i programit. Situata në sektorin elektroenergjetik është e tillë që qeverisë mund t’i nevojiten importe energjie të garantuara në 2014-ën, në nivelin e 0.3-0.6% të PBB-së.

Ndërkohë, si rrezik i dytë, që nuk ka gjetur zgjidhje, qëndron dëmshpërblimi i ish-pronarëve. “Kompensimi i pronave po kthehet në një shqetësim fiskal, përveçse po shkakton një rrezik të madh për klimën e investimeve dhe rritjen, teksa një numër pretenduesish, pasuritë e të cilëve u shpronësuan nën regjimin e komunizmit, kanë marrë vendime pozitive nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (ECHR). Pretendimet potenciale për kthim në vlerën e tyre të plotë mund t’i tejkalojnë ndjeshëm kapacitetet e qeverisë për të paguar. Kjo ka një urgjencë të lartë për shkak të vendimeve të fundit të ECHR në favor të pronarëve të mëparshëm dhe perspektivës së gjobave të mundshme, që mund t’i vendosen qeverisë shqiptare”, theksohet në raport.

Me sa mësohet nga Avokati i Shtetit, një delegacion qeveritar shqiptar nuk ka mundur të bindë përfaqësuesit e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg për të shtyrë sërish vendimet për pronat në Shqipëri, duke qenë se deri tani kjo Gjykatë e ka shtyrë çështjen dy herë. Kështu, rreziku troket tek dera…!

 

 Ndryshojnë rregullat për deklarimin e tatimit në burim

Tatimet njoftojnë subjektet për ndryshimet më të fundit në rregullat për pagesën e tatimit në burim. Të gjithë tatimpaguesit që janë të detyruar të llogarisin, mbajnë, deklarojnë dhe paguajnë për llogari të administratës tatimore, tatimin në burim në masën 10% nga shuma bruto e pagesave të përcaktuara në nenin 33 “Mbajtja në burim e tatimit mbi të ardhurat” të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, duhet të mbajnë parasysh këtej e tutje se:

 1. Pagesat e detyrimeve që kanë të bëjnë me çdo tatim të mbajtur në burim gjatë një muaji, do të vazhdojë të bëhet në bankat e nivelit të dytë, në të njëjtin afat (brenda datës 20 të muajit pasardhës) dhe në të njëjtën mënyrë si edhe më parë. Pra lidhur me këtë, aktualisht nuk do të ketë asnjë ndryshim, pavarësisht ndryshimeve të fundit ligjore.

 2. Përveç sa më sipër, të gjithë tatimpaguesit e mësipërm, bazuar në nenin 35 të Ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar kanë detyrimin të paraqesin “Formularin e deklarimit dhe pagesës së tatimit në burim” në Drejtorinë Rajonale Tatimeve të rrethi përkatës. Ky formular nuk dërgohet në bankë, por vetëm në Drejtorinë Rajonale Tatimeve, ku tatimpaguesi është i regjistruar, nëpërmjet postës rekomande. Drejtoria Rajonale Tatimore depoziton formularin në dosjen e tatimpaguesit. “Formulari i Deklarimit dhe Pagesës së Tatimit në Burim” merret nga faqja zyrtare e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe plotësohet në mënyrë manuale.

 3. Kjo mënyrë e deklarimit dhe e pagesës së tatimit në burim do të vazhdojë deri në tetor të këtij viti kur sistemi i ri tatimor të vihet në punë. Me vënien në punë të sistemit të ri, edhe deklarimi i tatimit të mbajtur në burim do të bëhet në rrugë elektronike sipas formularit të ri.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency