Myler: Për të fituar bëhem edhe mbrojtës. Lam, optimist për përballjen

0
169

Sulmuesi protagonist i “pancerave” ka deklaruar se fitorja kalon nëpërmjet mbulimit të Mesit dhe për këtë mund të kthehet edhe në mbrojtës. Kurse nga krahu tjetër kapiteni i gjermanëve ndihet pozitiv për përballjen

 

8fd673_mullerMyler dhe Lam janë dy nga shtyllat e Gjermanisë e cila ka arritur deri këtu falë punës së tyre të palodhur. Të dy bavarezët janë ata që i kanë siguruar fitoren skuadrës dhe pa ta duket se Lëv nuk bën dot. Nga njëra është Myler, i cili është goleador i skuadrës, i cili i bën më të rrezikshëm, ndërsa nga krahu tjetër kapiteni Lam është ai që i nxjerr nga vështirësitë e sulmit kundërshtar sa herë skuadra gjendet në rrezik. Në konferencën më të fundit për shtyp ishte goleadori i “pancerave”, Tomas Myer, ai që foli. “Kur lexon historinë e viteve ‘50 dhe ‘60 kupton se “Maracana” është një stadium i shenjtë, cilindo që bën pjesë në botën e futbollit, është vendi i duhur për të ngritur Kupën. Për fat të keq, nuk kemi pasur dhe nuk do të kemi kohë për të bërë një guidë në Rio, ndaj dhe do ta kemi të vështirë të njohim magjinë e qytetit”, – tha Myler. Për sa i përket yllit të Argjentinës, Lionel Mesi, autori i 5 golave deri tani u shpreh: “Për të fituar, nëse nevojitet e mbuloj unë Mesin. Nuk do të ishte problem”, – Mbrojtësi gjerman deklaroi se skuadra synon të rikthehet në vendlindje me trofeun e këtij Botërori. Ndërkaq, Lam mendon se skuadra e tij do të ketë paraqitje të mirë kundër Argjentinës së Lionel Mesit. “Ne jemi optimistë. Dëshirojmë me çdo kusht të rikthehemi në Gjermani me titullin e kampionit të botës në duar. Tashmë na është dhënë kjo mundësi dhe nuk duam të dështojmë. Ne jemi plotësisht të përqendruar për të bërë një tjetër paraqitje si ajo ndaj Brazilit edhe në sfidën me Argjentinën. Do të luajmë në finalen e një Kupe Bote dhe duam të jemi ne kampionët”, – ka thënë Lam. Ai mendon se skuadra e tij është pjekur për të luajtur një finale të tillë. Lam thotë se shumica e skuadrës së “pancerave” kanë përvojën e duhur për të luajtur në finalen e së dielës. “Shumë nga futbollistët tanë e kanë tashmë përvojën e nevojshme për të luajtur në finalen e një Botërori, pasi më parë kanë luajtur me klubet e tyre në finalet e Ligën e Kampioneve apo edhe të ndonjë kompeticioni tjetër të rëndësishëm. Mendoj se ky fakt do të ndikojë për mirë te ne. Por nuk duhet harruar që Argjentina, ashtu si ne, ka shumë lojtarë me përvojë të madhe mbi supe, që kanë fituar shumë trofe në karrierën e tyre”, – tha ai.

 

Mesi: Jap Topat e Artë për Botërorin. Maradona: Nëse fiton, të shtroj tapetin

Lojtari i Barcelonës është shprehur se për të Kupa e Botës vlen më shumë se çdo trofe personal, ndërsa Maradona ka deklaruar se një fitore e Mesit mund ta bëjë lojtarin më të mirë se vetë ai

 

Një vlerë të madhe te Argjentina kanë dy persona. Leo Mesi dhe Diego Maradona. Dy ikona të kombit amerikanojugor që me futbollin e tyre i kanë bërë të njohur kudo. Maradona është i vjetri që i stolisi me Kupë Bote, ndërsa Mesi është i riu që po i çon drejt suksesit. Kupa e Botës vlen më shumë se gjithçka, sidomos për një futbollist që nuk e ka përjetuar asnjëherë emocionin e marrjes së trofeut të artë në duar, për ta ngritur më pas lavdishëm drejt qiellit. Kushdo që e ka provuar një ndjesi të tillë, nuk ka mundur ta krahasojë me diçka tjetër, sepse duhet të jetë vërtet unike të ndodhesh në majën e botës pas një rrugëtimi të gjatë e të lodhshëm, duke eliminuar një nga një më të fortët e botës. Lionel Mesi ndodhet më pranë se kurrë te trofeu, i gatshëm të heqë dorë nga çdo rekord personal, qoftë edhe nga 4 Topat e Artë, në këmbim të triumfit të Argjentinës kundër Gjermanisë. “Do t’i dorëzoja të gjithë trofetë personalë për t’u shpallur kampion bote. Preferoj më shumë Kupën e Botës sesa Topin e Artë. Si lojtar, të fitosh Kupën e Botës është arritja më e madhe. Është diçka për të cilën ke ëndërruar që i vogël dhe kjo ëndërr nuk shuhet kurrë. Ksavi, Iniesta dhe Pike nuk kanë mundur të ma shpjegojnë ndjesinë që patën kur Spanja e tyre fitoi. Tani do të bëjmë gjithçka që mundemi, për ta kthyer në realitet ëndrrën për La Seleçion”. Në përpjekjen e Mesit për t’i dhënë Argjentinës trofeun e tretë botëror u bashkua edhe Maskerano. Mesfushori deklaroi se skuadra albiçeleste ndodhet tani aty ku dëshironte dhe lojtarët kanë detyrën që me shpirt, zemër e mendje, të japin maksimumin kundër gjermanëve në “Maracana”.

 

Maradona: Gjermania mision i mundur, Mesi na çon drejt suksesit

 

Legjenda argjentinase komentoi duke thënë se një fitore e Mesit mund ta bëjë më të mirin, edhe pse kjo mund të shtojë zërat se mund të nxisë xhelozira dhe rivalitet mes të dyve. “Duan të shkatërrojnë një miqësi që nuk mund të shkatërrohet, sepse Mesi është një njeri i mirë, ashtu si unë. Nëse Leo duhet të më parakalojë për të marrë Kupën e Botës në duar, atëherë do t’ia shtroj me kënaqësi tapetin e kuq. Pa dyshim që do të jetë ai që do të vendosë në këtë ndeshje. E vetmja frikë që kam është lodhja, por Mesi duhet ta kuptojë se nuk mund të jetë i lodhur pikërisht në fund”, – u shpreh Maradona. Për herë të tretë në histori, Kupa e Botës ndodhet në të njëjtin kryqëzim. Në njërën anë ndodhet Gjermania dhe në anën tjetër Argjentina. Maradona është i lumtur për këtë akt të tretë, edhe pse gjigantët evropianë ngjallin panik pas shkatërrimit që i bënë Brazilit. “Gjermania nuk është një mision i pamundur. Argjentina mund t’ia dalë. Kundër Algjerisë pamë një Gjermani, ndërsa ndaj Brazilit pamë një tjetër. Të gjithë prisnim brazilianët në finale, ndërkohë që Argjentina është forcuar nga ndeshja në ndeshje. Edhe një herë Argjentina ndodhet në majën e futbollit. Fanella jonë e kishte humbur prestigjin e dikurshëm, por sot e ka rifituar. Duhet ta fitojmë patjetër këtë finale, sepse përfaqësojmë kontinentin tonë”, – përfundoi Diego Armando Maradona.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency