Në Pukë/ Basha: Mazhoranca Rama-Meta, korrupsion politik dhe emërime kriminale

0
125

Gëzim Saliu

 “I papranueshëm fjalori i Kryeministrit ndaj punonjësve të administratës. Vota e lirë, jo objekt diskutimi”

Puke, BashaMazhoranca e majtë ka demonstruar në këta 10 muaj të pushtetit të saj shkallën më të lartë të korrupsionit përmes shitblerjes së votës si edhe ka vërtetuar se standardi i saj për emërimet në administratë nuk ka lidhje me parimet e meritës, por me përfshirjen e njerëzve të inkriminuar. Kështu deklaroi dje kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në kuvendin zgjedhor të kësaj force në Pukë, ku e cilësoi si të papranueshëm fjalorin dhe fyerjen që Kryeministri i vendit u bën punonjësve të shtetit shqiptar. Sipas kryedemokratit, këto deklarata nuk mund të bëhen nga Rama, i cili ka ofruar standardin më të keq, duke përfshirë në poste drejtuese dhe në administratën e vendit njerëz me precedentë kriminalë e me diploma false. “Kjo mazhorancë, – tha Basha, – ka demonstruar shkallën më të lartë të korrupsionit, atë politik me shitblerjen e votave në Korçë. A nuk je ti që ke emëruar njerëzit e skutave më të errëta të krimit, drejtues në poste të rëndësishme të administratës; që ke emëruar të dënuarit për drogë; që ke emëruar dhe ke zgjedhur të kërkuarit për rrëmbim fëmijësh në poste drejtuese të administratës. Ti, që akuzon drejtësinë për korrupsion, a nuk je ti që demonstrove shkallën më të lartë të korrupsionit?! Korrupsionin politik me shitblerjen e filmuar të votave në Korçë dhe që pastaj e mbylle çështjen duke e amnistuar. Dhe që sot i mohon opozitës të drejtën për transparencë që ia ka dhënë Kushtetuta e sovrani me komisione parlamentare hetimore. Ti, që akuzon drejtësinë për korrupsion, a nuk je ti që me njerëzit e tu vodhe serverin e të dhënave tatimore dhe prapë mohove transparencën parlamentare ?!”, – deklaroi kreu i PD-së.

 

Zgjedhjet në PD

Duke u ndalur tek procesi zgjedhor në të cilin është përfshirë Partia Demokratike, Basha garantoi se vota do të jetë në themel të procesit të vendimmarrjes në këtë parti. Sipas tij, vota e lirë nuk duhet të diskutohet, pasi përbën një ndër proceset më të paprecedentë, jo vetëm në vend, por edhe jashtë tij. “Vota e lirë e anëtarëve për çdo vendimmarrje të rëndësishme nuk mund dhe nuk duhet të jetë më kurrë objekt diskutimi hamendësimi, por është dhe mbetet objekt dhe subjekt i një procesi transparent me standard evropian të paprecedent deri sot në Shqipëri dhe më pak shokë në Evropën Juglindore”, – deklaroi lideri i demokratëve. Zgjedhjet e brendshme në Partinë Demokratike do të mbyllen ditën e shtunë me mbajtjen e kuvendit zgjedhor në qytetin e Shkodrës.Procesi i zgjedhjeve të brendshme në Partinë Demokratike është cilësuar nga kryetari Basha si një sukses i plotë, pasi, sipas tij, vota e lirë e anëtarësisë ishte përcaktuese për zgjedhjen e drejtuesve me vlera, integritet dhe alternativë të qartë për të ardhmen e PD-së. Pas mbylljes së zgjedhjeve, ku për degën e Tiranës do të duhet edhe një javë tjetër, PD do të mbledhë Kuvendin Kombëtar që do të zgjedhë më pas Këshilli Kombëtar, organin që do të përcaktojë ekipin e ri drejtues të forcës më të madhe opozitare. Ndërkaq për Tiranën, ku faza e anëtarësimeve si dega më e madhe në vend zgjati më shumë, PD ka menduar ta ndajë atë në 15 degë pasi, sipas demokratëve, vetëm në këtë formë elektorati do të jetë lehtësisht i kontaktueshëm dhe krerëve të çdo dege do tu jepet autoriteti i duhur.

 

 Zgjedhjet, balotazh në Vlorë mes Meminajt dhe Mezinit

Zgjedhjet për kreun e PD-së në degën e Vlorës shkojnë në balotazh, pasi asnjë nga kandidatët që konkurroi nuk mundi të siguronte 50% të votave. Balotazhi u vendos mes Moisi Meminajt dhe Valbona Mezinit e ndërsa Lorenc Danaj u rendit në vendin e tretë dhe Hysni Sharra në vend të katërt. Në zgjedhjet për drejtuesin e ri të degës së Vlorës ishin në garë gjithsej 14 kandidatura, ku nga 499 delegatë votuan 470 prej tyre. Përkatësisht votimet në këtë degë ishin: Moisi Meminaj123 vota, Valbona Mezini 87 vota, Lorenc Danaj 81 vota, Hysni Sharra 73 vota, Engjëll Shehu 56 vota, Nexhmie Xhuveli 14 vota, Rezart Alliaj 12 vota, Alba Dumi 6 vota, Fejzi Alushi 6 vota dhe 7 vota ishin të pavlefshme. Votimi mes dy kandidatëve që dolën në balotazh për të marrë postin e ri të kreut të PD-së së Vlorës do të zhvillohet ditën e nesërme në orën 12:00.

 

Denoncimi/ PD: Vëllai i deputetit të PS-së në kërkim ndërkombëtar, a ka dijeni Edi Rama?

Partia Demokratike ka deklaruar dje se, sipas burimeve të sigurta të Interpolit Ndërkombëtar, vëllai i një deputeti të Partisë Socialiste kërkohet nga drejtësia të paktën në dy shtete. Zëdhënësja e selisë blu, Laura Vorpsi, mbi bazën e këtyre burimeve kërkoi informacion nga Kryeministri i vendit nëse ka dijeni për këtë çështje. “Vëllai i deputetit të Partisë Socialiste është në kërkim ndërkombëtar, pasi rezulton të ketë qenë në kupolën drejtuese të një organizate ndërkombëtare dhe të mirëstrukturuar, që trafikonte marijuanë, heroinë dhe kokainë. Baza e aktivitetit dhe e lëvizjeve të tij është Vlora. Ne po pyesim sot Kryeministrin e vendit, a ka dijeni ai për raporte të tilla të Interpolit Ndërkombëtar? A është Kryeministri në dijeni të faktit se i kërkuari për trafik ndërkombëtar të drogës ka përfituar shumë lehtësi dhe imunitet falë vëllait të tij deputet? Në ditët në vazhdim ne do të publikojmë fakte të reja, ndërsa jemi në pritje që Edi Rama të përgjigjet”, – deklaroi ajo.

 

Reforma territoriale/ PD, Paloka: Rrezikohen zgjedhjet vendore të 2015-ës. Duhet konsensus, jo reformë elektorale

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, deklaroi dje se projekti i njëanshëm i mazhorancës për reformën administrativo-territoriale rrezikon mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Duke theksuar domosdoshmërinë e një reforme konsensuale, deputeti demokrat kërkoi që mazhoranca të tërhiqet nga projekti aktual i saj. Sipas Edi Palokës, kjo nuk është më një çështje nëse PD do të hyjë apo jo në zgjedhje me një hartë territori të ndryshuar njëanshëm dhe pa reformën decentralizuese. “Kërkohet vetëm vullnet nga mazhoranca për të bërë një reformë të rëndësishme, ashtu siç duhet bërë dhe në bazë të Kushtetutës dhe kërkesave të Kushtetutës. E përsëris edhe njëherë, nëse nuk do bëhet kjo rrezikojmë që në Shqipëri të mos kemi zgjedhje”, – deklaroi ai. Më tej, në reagimin e tij, ligjvënësi i PD-së theksoi se mazhoranca me draftin e saj ka projektuar vetëm vizatimin e kufijve elektoral dhe nuk ka në plan një reformë reale administrative-territoriale. “Përveçse të bëjmë të qartë ofertën tonë, që nuk është thjesht oferta jonë por dhe e shoqatave të tjera që merren me problemet e pushtetit lokal, përveçse të bëjmë të qartë se kjo reformë nuk mund të jetë e shkëputur nga reforma e decentralizimit dhe pastaj sigurisht që ka lidhje dhe me ndryshimet që duhen bërë në ligjin elektoral”, – u shpreh ai. Reforma administrative-territoriale prej muajsh ka ndezur debatin mes palëve politike në vend, ku mazhoranca nga njëra anë është drejt finalizimit të projektit përfundimtar të cilën kërkon ta mbyllë më 31 korrik e ndërsa opozita së bashku me shoqatat e bashkive dhe komunave ka prezantuar një rezolutë prej 5 pikash, ku në thelb kërkon që reforma të shoqërohet me decentralizim të pushtetit vendor dhe të garantohet konsensusi deri në votimin në Kuvend.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency