Legalizimet/ Rama, si do të merren tapitë për 210 pallate me probleme në lejet e ndërtimit

0
133

Florenc Drizari

edi rama legalizimet korrik 2014 Bashkia e Tiranës: Në 300 ditë, asnjë bilanc, vetëm mashtrime dhe bllokime

 Rreth 210 pallate në Tiranë kanë probleme me lejet e ndërtimit apo investitorët e tyre nuk kanë shlyer detyrimet ndaj shtetit. Kjo shifër u bë publike dje nga Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi që zhvilloi me banorët e kryeqytetit në rrugën “Don Bosko”. Kryeministri foli për arritjet e qeverisë në 300 ditët e para dhe premtoi zgjidhje në marrjen e tapive për pallatet me mungesa në dokumentacion.

Duke folur për legalizimin e pallateve “Havai”, Rama tha se “janë 18 të tilla që i përkasin të njëjtit investitor të njëjtit ndërtues, dhe 210 që kanë të njëjtën problematikë. I zoti i kësaj pune nuk jeton më dhe ju nuk keni nga të drejtoheni tjetër veçse nga bashkia por Bashki në Tiranë nuk ka ndaj mbetet që këtë punë ta bëjë qeveria nga A-ja te Zh-ja. Ju japim në dorë dokumentin e legalizimit dhe ju nuk do paguani asnjë kokërr leku. Keni dy muaj kohë për të bërë të gjitha procedurat e nevojshme për të cilat do u asistojë ALUIZNI. Brenda dy muajsh ju të gjithë jeni të ftuar të kërkoni ndihmën e ALUIZNIT. Flas këtu për familje që janë në kurbet por me siguri lajmin do e marrin vesh. Në më pak se 300 ditë ne kemi bërë më shumë legalizime seç kanë bërë ata në 8 vjet. Dhe ndërkohë kemi marr përsipër që ta kryejmë këtë proces falas në një periudhë më të shkurtër sesa mund të parashikohet. ALUIZNI do bëjë asistencën e çdo familje”, – theksoi Rama.

Më tej Kryeministri Rama theksoi se qeveria ka kaluar edhe çmimet që duhet të paguajnë personat që kanë ndërtuar banesën në tokën e të tjerëve. “Historia e një ankthi të madh mori fund. Sot në qeveri kemi kaluar edhe çmimet me të cilët do paguhet parcela kur toka është e dikujt tjetër dhe ajo që mund t’u them është se praktikisht bëhet fjalë për një çmim krejt simbolik që do shërbejë për të kompensuar pronarët. Në mënyrë që ju të bëheni pronarë realë, të keni një certifikatë reale. Në mënyrë që të keni një certifikatë pronësie që nuk e tund topi dhe me pronarët të merret shteti”, – përfundoi Rama.

Gjatë shpërndarjes së certifikatave të pronësisë Rama iu është drejtuar banorëve përfitues se këto certifikata po i marrin falë fitores së socialistëve në zgjedhjet e 23 qershorit. Ndërsa një banori që prej 5 vitesh kishte aplikuar për legalizim, Rama i tha se nëse do kishit votuar kundër do kishit pritur jo 5, por 15 vite të tjera. “Certifikata e pronësisë falas po i merrni sepse ka fituar vullneti juaj më 23 qershor të vitit të kaluar. Këto certifikate pronësia kanë vlerë edhe për ata që thonë se për fare na duhet të votojmë. Kjo është fuqia e vote, bën të mundur gjera që duken të pamundura”, – tha Rama.

Pas këtyre deklaratave reagoi edhe Bashkia e Tiranës, duke thënë se në 300 ditë nuk ka asnjë bilanc nga ekzekutivi, por vetëm mashtrime dhe bllokime. “Rama bllokoi çdo shërbim për qytetarët e Tiranës, që nga varrezat, strehimi, investime në shkolla, kopshte, çerdhe e rrugë. Bllokoi investimin më të rëndësishëm të Tiranës, bulevardin e ri, projektin e tramit dhe terminalin”, – thuhet në njoftimin e Bashkisë. Ndërkaq, lidhur me procesin e legalizimeve, projektligji për ndërtimet informale në vend, ka filluar efektet e tij rreth dy javë më parë.

 

Deklaratat e Ramës për legalizimet, reagon Bashkia e Tiranës

Paaftësia dhe mashtrimi janë dy bashkudhëtarë të pandarë të Edi Ramës. I dëshpëruar nga bilanci zero në krye të 300 ditëve, Rama iu rikthye të vetmes dajre të vjetër që di t’i bjerë. Me sulmet dhe përbaltjet ndaj Bashkisë së Tiranës, mendon se do ta shesë prapë “sapunin për djathë”.

Në 300 ditë asnjë bilanc, vetëm mashtrime dhe bllokime. Rama bllokoi çdo shërbim për qytetarët e Tiranës, që nga varrezat, strehimi, investime në shkolla, kopshte, çerdhe e rrugë. Bllokoi investimin më të rëndësishëm të Tiranës, bulevardin e ri, projektin e tramit dhe terminalin.

Me “diarrenë” e sotme verbale nuk mbulon dot të vërtetën se nuk ka legalizim falas.

Bashkia e Tiranës ka pajisur me leje përdorimi 200 objekte për të cilat Rama heshti 11 vjet, dhe iu ka mundësuar më shumë se 60 mijë qytetarëve të Tiranës të kenë tapinë e shtëpisë së tyre”, – thuhet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës.

 

VMRO-DPMNE reagon ndaj Ramës: Protestat s’kanë lidhje me Marrëveshjen e Ohrit

 Partia VMRO-DPMNE e Kryeministrit Nikola Gruevski ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të lëshuara dy ditë më parë nga Kryeministri Edi Rama lidhur me zhvillimet e fundit në Maqedoni. VMRO-DPMNE deklaroi se “protestat radikale që po ndodhin këto ditë në Maqedoni nuk kanë lidhje me Marrëveshjen e Ohrit, apo me marrëdhëniet ndëretnike. Përkundrazi organizatorët e këtyre protestave fshehin axhendën e tyre radikale, duke krijuar huti dhe duke mobilizuar më shumë përkrahës, duke gënjyer se i bëhen padrejtësi dhe po rrezikohen të drejtat e shqiptarëve. Kjo situatë nuk ka asnjë lidhje me atë që ata organizojnë. Këto protesta janë të motivuara dhe produkt i elementeve radikale islamike, që kundërshtojnë vendimin e gjykatës së pavarur për kryerjen e një vrasje makabre të pesë personave, prej të cilëve katër të rinj”.

Kjo parti thotë se reagon dhe dënon çdo tentim që këto protesta të shihen në konotacion etnik dhe ndëretnik dhe se nuk është dakord që elementët radikalë islamike të fshihen pas dimensioneve etnike, duke gjeneruar tensione dhe ndarje.

“Gjithashtu në kontekst të deklaratës së zotit Rama, dhe nisur nga fakti që ai nuk ka shumë kohë si kryeministër i Republikës së Shqipërisë, i bëjmë thirrje që të bëj një vizitë në mjediset ku jeton popullata etnike maqedonase në Shqipëri dhe të shohë kushtet në të cilat jetojnë ata, dhe të bëj një paralele me kushtet në të cilat jetojnë shqiptarët në Republikën e Maqedonisë”, – nënvizon VMRO-DPMNE.

Reagimi erdhi pas deklaratës së Kryeministrit Rama dy net më parë gjate darkës së Iftarit që shtroi me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Rama kërkoi reflektim trepalësh për situatën në Maqedoni duke theksuar se protestat ishin rrjedhojë e moszbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. “Çka po ndodh këto ditë në Maqedoni meriton vëmendje, maturi pa dyshim, po reflektim dhe madje të thellë po ashtu. Marrëveshjes së Ohrit nuk i kanë dalë për zot vetëm dy palët që e përbejnë Maqedoninë, maqedonasit dhe shqiptarët, por edhe garantët e asaj marrëveshjeje, miqtë dhe partnerët e besuar ndërkombëtarë. E nëse maturia u duhet shumë dy palëve tona, reflektimi i thellë nevojitet të jetë trepalësh, pasi as burgosja e përjetshme e 6 shqiptarëve, as reagimi me flamuj të një radikalizmi fetar që i bie ndesh interesave shqiptare, nuk mund të justifikohen”, – u shpreh Rama.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency