Debate mes PD-PS-së në komisionet parlamentare/ Taksat vendore, 25 mijë lekë më shumë për bizneset

0
171

Florenc Drizari

komisioni i ligjeve 2014Halimi: “Barrën e taksave do ta kenë bizneset me xhiro 0-8 milionë lekë. Rama ka gënjyer në fushatë”

Projektligji i ministrisë së Financave për të përfshirë taksën vjetore prej 25 mijë lekësh për të gjithë bizneset që kanë një xhiore me qarkullim 2-8 mln lekë, shkaktoi debate të forta mes deputetëve në Komisioin e Ligjeve. Opozita ngriti akuzat ndaj qeverisë se nuk po mban premtimet e bëra në fushatën elektorale, për uljen e taksave për 95 për qind të shqiptarëve, ndërsa mazhoranca tha se kjo taksë është në favor të njësive vendore dhe sjell një barazi mes bizneseve që e paguanin më parë këtë taksë. Ndërkohë që kundërshtime për draftin e qeverisë pati edhe nga deputetët socialist. Deputeti PS-së, Pandeli Majko propozoi për bizneset me xhiro deri në 2 milionë lekë, që taksa të jetë 5 mijë lekë. Propozimi i tij pritet që të merret në shqyrtim nga Ministria e Financave, ndërsa përfaqësuesit e opozitës thanë se sipas këtyre ndryshimeve, taksimi progresiv ishte mashtrim. Sipas deputetit Eduard Halimi, barrën e taksave do ta kenë bizneset me xhiro 0-8 milionë lekë.

“98% e bizneseve kanë xhiro 0-8 milionë lekë, ju premtuat se do paguanin me pak taksa, por në fakt barrën e tyre do e kenë ata. Në fakt me ndryshimet në ligj, barrën e taksave do ta kenë këto biznese me xhiro 0-8 milionë lekë. Thuajini shqiptarëve që Rama ka gënjyer në fushatë kur dilte me bllok në dorë dhe bënte llogaritë e bizneseve. Opozita është, ka qenë dhe do të jetë kundër, se kjo paketë për taksat vendore është në dëm të shqiptarëve. Me ndryshimet në ligjin për taksat vendore, ju po kërkoni t’i rripni lëkurën shqiptarëve”,-tha Halimi. Lidhur me çështjen, deputeti Fino tha se ky ligj është në interesin e pushtetit vendor dhe nuk ka të bëjë me politikën.

“Nuk e di si do ta presë lidershipi i PD këtë ligj, po ai është në interesin e pushtetit vendor. Ligj nuk ka të bëjë me politikën, nuk ka lidhje me taksimin progresiv, biznesi i vogël deri dje paguante deri 60 mije lekë të reja. Ligji rrit të ardhurat e pushtetit vendor, opozita duhet të ishte me ne, por ajo është kunder takses së vetë Bashës”,-tha ai.

Deputetët socialistë në Komisionin e Ligjeve ishin të shqetësuar se kjo lëvizje e Qeverisë mund të rriste informalitetin, duke shtyrë bizneset drejt çrregjistrimit. Rrezik për të cilin gjetën dakortësinë edhe të opozitës. Sipas ekspertëve të Ministrisë së Financave, projektliligji synon t’i mbyllë derën hileqarëve që ndonëse me një xhiro vjetore mbi 2mln lekë në vit, shpesh paguan më pak se bizneset me xhiro më të vogla se to. Më hërët debatet për taksat kanë qenë në fokus të përballjeve politike në Kuvendin e Shipërisë mes pozitës dhe opozitës. Pas miratimit të paketës fiskale të qeverisë në fund të vitit të kaluar, opozita vijoi me aksionin e saj politik për zbardhjen e marrëveshjes së qeverisë me FMN-në. Në këto qëndrime nuk munguan edhe amendamentet e pakicës parlamentare si alternativë shtesë, duke i sugjeruar ekzekutivit uljen e disa taksave, por me shumicën e kartonave në Kuvend, mazhoranca ka kaluar çdo projektligj të qeverisë.

 

 Projektligji në Kuvend/ Punonjësit e policisë që nuk kanë mbushur dy vjet në një detyrë, nuk mund të transferohen

Komisioni i Ligjeve miratoi në parim projektligjin “Për Policinë e Shtetit”. Në mbledhjen e zhvilluar pasditen e djeshme mori pjesë edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili bëri  një ekspoze të projektligjit, dike e cilësuar si më të rëndësishmin për reformën në Policinë e Shtetit. “Për t’i dalë përpara përsëritjes së situatave të tilla dhe për të ndaluar apo parandaluar që punonjësit e policisë të transferohen pa asnjë kriter nga një detyrë në një detyrë tjetër, kemi përcaktuar në ligjin e ri të policisë që asnjë punonjës policie nuk mund të transferohet nga një detyrë në një detyrë tjetër pa përmbushur minimumi dy vjet  në detyrën që ka”,-tha Tahiri. Ministri Tahiri theksoi se në ligj parashikohet ngritja e Byrosë së Hetimit, ku drejtuesi i këtij institucioni nuk do të zgjidhjet vetëm nga radhët e policisë, por edhe nga prokurorët. “Përcaktohet që drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit të mos jetë ngushtësisht i emëruar vetëm nga radhët e punonjësve të Policisë së Shtetit, por përcaktohet gjithashtu edhe mundësia për t’u emëruar nga radhët e prokurorëve duke përcaktuar gjithashtu garancinë që secili prej tyre pas përfundimit të mandatit të parashikuar në ligj, të kthehet përsëri në detyrën që ka mbajtur ose në detyrë të ekuivalentuar me detyrën që ka mbajtur përpara emërimit si drejtues i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Përcaktohet në këtë ligj mundësia që në Policinë e Shtetit të rekrutohen persona që kanë aftësi të veçanta në fusha të tjera pavarësisht faktit që nuk kanë arsimin policor”,-tha z.Tahiri.

Lidhur me Byronë e Hetimit, relatorja e projektligjit Ermonela Felaj u shpreh se komisioni duhet të shikojë me kujdes që të mos krijohet dualiteti me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe të mos tejkalohen të drejtat Kushtetuese. I pyetur nga deputeti i PD-së, Arben Ristani, nëse është cenuar siguria juridike nga ky ligj duke ju referuar rikthimeve, Saimir Tahiri i është përgjigjur se ndryshimet garantojnë qëndrueshmëri.“Policia e Shtetit nuk mund të jetë depozitë e njerëzve që ikin e vinë, ne e kemi vlerësuar se nëse shkëputesh për dy vjet nga Policia s’duhet të rikthesh më pasi humbet kapacitet për t’iu kthyer punës në shërbim të qytetarëve”, theksoi Tahiri.

 

Operacioni në Lazarat, qeveria shpërblen policinë me 160 milionë lekë

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2014, miratuar për ministrinë e punëve të brendshme, për mbulimin e shpenzimeve të operacionit policor të kryer  në Lazarat, Gjirokastër. Në vendimin e qeverisë thuhet se në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.1998, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave, vendosi: “1.Në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme për programin “Policia e Shtetit”, për mbulimin e shpenzimeve të operacionit të Policisë së Shtetit, të kryer në Lazarat, Gjirokastër, të shtohet fondi prej 165 428 500 (njëqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë e katërqind e njëzet e tetë mijë e pesëqind) lekësh, i specifikuar, si më poshtë vijon:  a) Për shpërblimin e punonjësve të policisë të angazhuar në këtë operacion, 100 000 000 (njëqind milionë) lekë dhe masa e shpërblimit të jetë deri në dy paga mujore. b) Për shpenzime të tjera “Mallra e shërbime”, 65 428 500 (gjashtëdhjetë e pesë milionë e katërqind e njëzet e tetë mijë e pesëqind) lekë. 2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. 3. Ngarkohen ministri i Financave dhe ministri i Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi”-thuhet në vendimin e Qeverisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency