Tabela sipas kategorive/ Si përfitojnë 5740 ish-të përndjekurit politikë që janë gjallë

0
177

ish-te-perndjekurit-politikeGjashtë kategoritë që përfitojnë dëmshpërblimin të parët

 Ndarja e fondit për 2 grupe ish-të përndjekurish politikë

 Ndryshimet në ligjin për ish-të përndjekurit politikë janë miratuar dje nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave. Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, gjatë prezantimit të ndryshimeve u shpreh se do të sjellin dëmshpërblimin e atyre personave që kanë vuajtur gjatë viteve të komunizmit dhe që sot janë gjallë. “Ndryshimet që sjellim në Kuvend kanë një qëllim të vetëm, të sigurojmë përmbushjen e detyrimit kushtetues për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë për të gjithë ata ish-të përndjekur që janë gjallë, në një kohë sa më të shkurtër. Ministri i Mirëqenies Sociale vuri në dukje se risia kryesore e projektligjit është ndarja e fondit të dëmshpërblimit në dispozicion, në një raport prej 70% për të gjithë subjektet përfituese parësore dhe 30% për trashëgimtarët e ish-të dënuarve që nuk bëjnë pjesë në kategoritë parësore”, – u shpreh Veliaj. Megjithatë, sipas ministrit Veliaj, borxhi që shteti dhe shoqëria jonë ka ndaj kësaj shtrese nuk mund të matet e as të paguhet në vlera monetare. “Por, ndërmarrja e këtyre veprimeve është një borxh që në fjalët e Musine Kokalarit, shoqëria jonë u ka të gjithë atyre individëve që në respektim të ndërgjegjes së tyre, zgjodhën që ta donin këtë vend dhe përparimin e tij, dhe që u ndëshkuan vetëm për bindjet e tyre”, – theksoi Veliaj. Po kështu, ministri i Mirëqenies Sociale përmendi se brenda tri viteve do të shlyhen të gjithë ish-të përndjekurit politikë që janë gjallë.

 

Dëmshpërblim do të shpërndahet duke filluar nga:

 

– ish-të dënuarat politike femra që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës

– ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç në momentin e miratimit të këtij ligji

– ish-të dënuarit politikë të cilët vuajnë sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm

– ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht moshës, kanë pasardhës së radhës së parë në moshë të mitur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji

– ish-të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji

– ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshë nën 75 vjeç në momentin e miratimit të këtij ligji.

 

Debatet në Komisionin e Ekonomisë
Florion Mima: Po më ankohen disa të përndjekur që Ramiz Alia ka marrë dëmshpërblim 60 milionë lekë dhe ata s’kanë marrë 3 milionë.
Ridvan Bode: Ky ligj është demagogji tallëse. Prej 300 ditësh në pushtet e majta ka paguar vetëm 620 mijë dollarë për të përndjekurit. Në 3 vitet e fundit të qeverisë së PD u hartuan dosjet dhe mbi këto dosje s’ka arsye pse të mos vijojë dëmshpërblimi. Kemi aplikuar një skemë të ndershme: Ai që dorëzonte dosjen i pari, shlyhej i pari. Ju po tentoni të mbuloni bllokimin e dëmshpërblimit, sepse duhen shumë fonde. Janë shumë pak në krahasim me borxhin që keni marrë. Ju duhet të shlyenit borxhet e vitit të kaluar.

Erjon Braçe: Ju s’u keni dhënë as këstin e parë.
Ridvan Bode: Ka qenë problem dokumentacioni ose ka qenë në emigracion.
Erjon Braçe: 2 vjet u bllokua një projektligj në Kuvend gjatë qeverisjes tuaj.
Ridvan Bode: Ju bëni demagogji. Keni paguar vetëm 620 mijë dollarë.
Edmond Spaho: Me këto shifra do ju duhen shumë vite për të përfunduar dëmshpërblimin ndaj të përndjekurve. Në fushatë premtuat ndryshe dhe keni ardhur me qëndrim ndryshe.
Erion Veliaj: Deri në fund të mandatit ne do të shlyejmë gjithë ish-të përndjekurit që janë gjallë.
Erjon Braçe: E rritët borxhin dyfish dhe i dhatë ish-të përndjekurve 62 milionë dollarë në 8 vjet.
Edmond Spaho: Ju bëni demagogji.
Jorida Tabaku: Dëmshpërblimi shkon në total në 420 milionë dollarë, por shifra është shumë larg dhe s’do arrini dot t’i dëmshpërbleni.

 

Nga ky ligj do të mund të përfitojnë:

 

Ish-të dënuar politikë gjallë Numri
Të dënuar burra mbi 75 vjeç 1,284
Femra mbi 75 vjeç 68
Të dënuar burra nën 75 vjeç 1,470
Femra nën 75 vjeç 49
Përfitues gjithsej 2,754
Femra gjithsej 117

 

Komisioni i Punës dhe Çështjeve Sociale/ Ish-të përndjekurve politikë, Vokshi: Nuk po mbani premtimin për dëmshpërblimin

Pas prezantimit në Komisionin e Ekonomisë, ndryshimet në ligjin për ish-të përndjekurit politikë janë diskutuar në Komisionin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. Edhe në këtë komision ka pasur debate të ashpra mes ministrit të Mirëqenies Sociale Erion Veliaj dhe deputetëve të opozitës. Kryetarja e këtij Komisioni, Albana Vokshi, e akuzoi ministrin e Mirëqenies Sociale se nuk po mbajnë premtimin e bërë gjatë fushatës zgjedhore në 2013-ën. “Në fund të 300 ditëve ju keni premtuar të shlyeni të gjitha gratë mbi 70 vjeç dhe burrat mbi 75 vjeç, një premtim i pambajtur. Ju nuk e keni konsultuar projektligjin me të paktën dy shoqata, me z. Simon Miraka dhe z. Fatmir Hoxha. Ligji duhet diskutuar si me shoqatat që i keni pro dhe me ato që shprehen kundër. Kjo që na paraqisni sot është vetëm një demagogji”, – u shpreh Vokshi. “Me Fatmir Hoxhën do takohemi në Gjykatë, ai ka marrë padrejtësisht 1 të 3-ën e godinës se ish-të përndjekurve. Me atë njeri nuk takohem veçse në Gjykate, kurse me shoqatat e tjera kemi diskutuar dhe është rënë dakord. Simon Mirakës i dhamë këstin që i takonte dhe që nuk e kishte përfituar, edhe pse ishte vetë drejtor i Institutit të të Përndjekurve Politikë. Shifra ndryshon me ditë, sepse çdo ditë humb jetën një person që ka vuajtur burg në kohën e diktaturës”, – ishte përgjigjja e ministrit Erion Veliaj. Më pas kryetarja e Komisionit e akuzoi ministrin se borxhin nga FMN-ja e morën vetëm për bizneset dhe jo për dëmshpërblimin e kësaj shtrese në nevojë. “Ju morët borxh për biznesin dhe nuk morët borxhe as për ish-të burgosurit por as për me aftësi të kufizuar.Ju nuk po përmbushni premtimin e 300 ditëve dhe s’keni buxhet as për premtimet që bëni, as në atë afatmesëm. Ne jemi kundër kësaj që prezantoni pasi premtuat se do të paguanit plotësisht gratë 70 vjeç dhe burrat 75 vjeç dhe se brenda 4 viteve do të shlyenit të gjithë, ky është premtimi juaj elektoral dhe ne do u kishim mbështetur nëse do të siguronit më shumë fonde, por me këtë që ju po paraqisni, jo ne nuk jemi dakord”, – theksoi Albana Vokshi.

 

Formula e dëmshpërblimit

Më pas, ministri i Mirëqenies Sociale bëri një paraqitje të shifrave se si do të bëhet dëmshpërblimi. “Deri më tani në 23 vite kemi mundur të shlyejmë vetëm një të pestën e kësaj shtrese, ndaj me këtë hap, me financa modeste, do të na duhet edhe 120 vite për t’i shlyer. Ne synojmë që nga 18 milionë euro ta çojmë vitin e ardhshëm në 20 milionë euro. Ne propozojmë që të ndahet fondi në 2 grupe 70 për qind e fondit për ish-të burgosurit ende gjallë që na rezulton të jenë 2 700, ndërsa 30 për qind për trashëgimtarët. Ne synojmë që përmes formulës së re që brenda mandatit të parë të shlyejmë të gjithë ish-të burgosurit dhe të përndjekurit politikë që janë gjallë.Pr ligji është diskutuar me shoqatat e vërteta të ish-të përndjekurve politikë që kanë 23 vite dhe jo për shoqata që krijohen dhe përdorni politikisht.Kemi disbursuar deri në fund të qershorit 2.5 milionë dollarë nga 18 milionë në total.Janë bërë përfitues të këstit të parë 1100 persona që nuk kishin marrë asnjë këst, të cilët ishin në pritje prej shumë vitesh.Nuk mund të kritikohemi për 300 ditët e para sepse për 150 ditë u mbuluan me buxhetin e shkuar 2013 që ne e gjetëm troke sepse kështu na e latë.Ne premtojmë që brenda mandatit të shlyejmë personat që janë gjallë”, – u shpreh Erion Veliaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency