Kandidaturat për në gjyqësor/ Ruçi e Vasili, letër Nishanit: Të rihapet konkurrimi për anëtar në Gjykatën e Lartë

0
133

Florenc Drizari

nishani-ruci Dy kandidaturat, PS-LSI, Presidentit: Rishikoni qëndrimin institucional në këtë proces

 Mazhoranca i kërkoi kreut të shtetit, Bujar Nishani, rihapjen e procesit të konkurrimit për kandidaturat si gjyqtar në Gjykatën e Lartë. Me anë të një letre, Gramoz Ruçi dhe Petrit Vasili, në emër të grupit parlamentar të PS-së dhe LSI-së, i kërkuan Presidentit Nishani që të rishikojë qëndrimin e tij në lidhje me procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për në Gjykatën e Lartë. Në letrën publike thuhet se po aq përgjegjës sa është Presidenti i Republikës, aq përgjegjësi ka edhe institucioni i Kuvendit për miratimin e këtyre kandidaturave.

“Të rihapet procesi i kandidimit duke mos e lënë atë peng të listave të mëparshme, duke mbajtur në konsideratë edhe faktin e njohur publikisht se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar, së fundmi, si antikushtetues dy dispozita të ligjit “Për Gjykatën e Lartë” të cilat lidhen drejtpërdrejt me disa nga kriteret objektive dhe kriteret shtesë; Procesi përzgjedhës dhe konsultues të jetë sa më transparent nëpërmjet një seleksionimi korrekt e të paanshëm bazuar në kushtet e kriteret ligjore, duke respektuar fort kriteret objektive dhe kriteret shtesë”, – thuhet në letrën e mazhorancës.

Për sa u përket kritereve, shkruhet e përzgjedhja e kandidaturave të orientohet nga vjetërsia e profesionit, por edhe përvoja gjyqësore e akademike, veçanërisht në fushën e të drejtës administrative. Letra që mban emrat dhe firmat e Gramoz Ruçit dhe Petrit Vasilit, thekson se qytetarët gëzojnë të drejtën të njihen paraprakisht se cilët janë kandidatët për gjyqtar në Gjykatën e Lartë të vendit, çfarë përfaqësojnë ata në karrierën e tyre profesionale dhe si individë, cilët janë kushtet dhe kriteret konkrete që plotësojnë ata më mirë se të tjerët kandidaturat e përzgjedhura në këtë proces konkurrimi.

“Ky është kushti minimal për të garantuar besueshmërinë e qytetarëve tek drejtësia. Ne përfaqësuesit e zgjedhur me votën e tyre kemi detyrimin e madh t’jua garantojmë këtë të drejtë kushtetuese zgjedhësve tanë.

Identifikimi i kandidaturave, me integritet të lartë moral e profesional që do të përzgjidhen për të kryer funksionin e gjyqtarit në Gjykatën e Lartë është, pikësëpari, çështje e Presidentit të Republikës, por është një përgjegjësi po aq e madhe kushtetuese, ligjore, morale dhe politike e Kuvendit”, – shkruhet në letrën drejtuar kreut të shtetit.

Më herët, më datë 24 qershor të 2014-ës, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, pati zhvilluar takime konsultative me krerët e grupeve parlamentare në Shqipëri lidhur me kriteret e përzgjedhjes së dy kandidaturave për anëtar në Gjykatën e Lartë. Ndërsa më datë 11 prill 2014, qe mbyllur faza seleksionuese dhe qenë shpallur kandidaturat për dy vendet vakante në Gjykatën e Lartë. Pas kësaj periudhe kreu i shtetit ka propozuar edhe kandidatura për zëvendësimin e dy vendeve vakante, por shumica parlamentare i ka rrëzuar dekretet në Kuvendin e Shqipërisë, duke i cilësuar ato si jashtë standardeve ligjore e Kushtetuese.

Ndërkaq, në letrën e drejtuar Presidentit të Republikës, nga Ruçi e Vasili theksohet se takimet e zhvilluara nuk i kanë shërbyer krijimit të një raporti bashkëpunimi institucional e kushtetues ndërmjet Presidentit dhe Kuvendit.

“Na lejoni të themi se qasja juaj institucionale në këto takime konsultative ka sjellë një shmangie të kompetencës vendimtare që ka Kuvendi i Shqipërisë për dhënien e pëlqimit për dekretet e emërimit për anëtar të Gjykatës së Lartë”, – shkruhet në letër.

 

Letra e mazhorancës për Presidentin

 “Ne kemi kërkuar në vazhdimësi nga ju, një proces përzgjedhjeje të bazuar në kushtet e kriteret konkrete të përcaktuara nga ligji dhe jo në perceptime personale dhe as në parapëlqime politike. Në asnjë nga këto takime nuk u mundësua konsultimi për përcaktimin e kritereve shtesë bazuar në listën e kandidatëve siç e detyrojnë ndryshimet e reja ligjore të miratuara konsensualisht. Takimet tona kanë qenë formale dhe në asnjë rast nuk jemi njohur me shkallën e plotësimit të kritereve objektive nga secili kandidat, kërkesat e dokumentet e të cilëve nuk kanë qenë pjesë e njohjes sonë.

Vendimi i Kuvendit për mosdhënien e pëlqimit të dy dekreteve të Presidentit të Republikës detyron, bazuar në dispozitat përkatëse ligjore, fillimin e menjëhershëm të procedurës së përzgjedhjes për dy gjyqtarë të Gjykatës së Lartë. Pas më shumë se dy muaj e gjysmë nga data 11 prill 2014, datë kur është mbyllur faza seleksionuese dhe u shpallën kandidaturat për dy vendet vakant në Gjykatën e Lartë, ju caktuat datë 24 qershor 2014, për zhvillimin e procesit konsultues me krerët e grupeve parlamentare”.

 

Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese/ Ligji për planifikimin e territorit, mazhoranca nuk i beson inspektorave

Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi seancë dëgjimore me ministren e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni lidhur me prezantimin e projektligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”. Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni tha se projektligji për planifikimin dhe zhvillimin urban shfuqizon legalizimin e këtyre ndërtimeve dhe objekteve që nuk kanë respektuar kushtet e lejes së ndërtimit, ndërsa kryetari i komisionit, Eduard Shalsi shprehu skepticizmin e tij lidhur me rolin e inspektoriateve të ndërtimit, duke kërkuar reformim thelbësor të kësaj hallke. “A mund të bëjmë një ligj që të parashikojmë ndaljen e ndërtimeve pa leje dhe abuzimeve me lejet duke e kaluar kompetencën nga inspektoriatet tek një aurtoritet më i madh, duke përfshirë edhe Ministrinë e Rendit? Ndërkohë që kemi çdo pëllëmbë të territorit jashtë kontrollit”,-deklaroi Shalsi. Nga ana e saj, ministrja u shpreh se nevoja për të patur këtë ligj, rrjedh nga programi dhe vizioni ndryshe për një qeverisje të mirë, dhe nga vullneti për të monitoruar dhe kontrolluar zbatimin e tij. “Është shprehje e vullnetit tonë politik për të ndryshuar gjendjen ekzistuese, duke korrigjuar e plotësuar mungesat e ligjit aktual”, tha znj. Gjermeni. Ligji parashikon gjithashtu përjashtimin e autoriteteve vendore nga detyrimi për pagesën e taksës sё ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja kur realizojnë investime publike , ne rastet kur vetë bashkitë/komunat kryejnë investime publike por janë të detyruar të paguajnë taksën e infrastrukturës. “Kjo taksë është menduar të hiqet pasi rezulton që secila komunë/bashki e paguan për interes të saj, gjë e cila nuk bën sens. Ne besojmë se ky ligj do të disiplinojë veprimtarinë në fushën e zhvillimit të territorit, duke vendosur rregulla të qarta, si dhe duke lehtësuar e zhbllokuar situatën e krijuar prej 4-vitesh”, theksoi Gjermeni. Më herët ky ligj është miratuar në parim në Komisionin e Ligjeve, ndërsa shqyrtimi i draftit është shoqëruar me debate edhe mes deputetëve socialist.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency